Kur qielli thotë “jo”: Udhëtimi i Asllanit drejt Stambollit anulohet para nënshkrimit me Besiktasin

Kristjan Asllani ka përjetuar një situatë të pazakontë teksa ishte në rrugë drejt Turqisë për të finalizuar transferimin e tij te Bestiktasi.
Mesfushori shqiptar kishte arritur marrëveshje të plotë me klubin nga Stambolli, i cili gjithashtu kishte gjetur dakordësinë me Interin për huazimin e lojtarit, me opsion blerjeje përfundimtare.
Sipas planit fillestar, Asllani do të udhëtonte mbrëmjen e së enjtes drejt Stambollit, ndërsa të premten ishte paraparë t’i nënshtrohej vizitave mjekësore përpara nënshkrimit zyrtar të kontratës. Megjithatë, një ngjarje e papritur në orët e vona të mbrëmjes ka ndryshuar axhendën e planifikuar.
Klubi i Besiktasit ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se fluturimi TK1876 nga Milano Malpensa për në Stamboll, në të cilin ndodhej Asllani, është anuluar për shkak të një problemi teknik.
Për pasojë, udhëtimi i mesfushorit shqiptar është shtyrë përkohësisht.
Nga klubi turk është bërë e ditur se informacionet shtesë lidhur me fluturimin alternativ dhe orarin e ri të mbërritjes së lojtarit në Stamboll do të publikohen sapo të finalizohen detajet.
Pavarësisht këtij incidenti teknik, marrëveshja mes palëve mbetet e pandryshuar dhe pritet që transferimi i Asllanit te Besiktasi të zyrtarizohet sapo të tejkalohen problemet logjistike./Telegrafi/






































