Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta
PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026. Osmani në një videomesazh thekson se viti që po lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.
“Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie”, thekson Osmani.
Sipas saj, Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët.
Ajo tha po ashtu se sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte po ashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi.
Në urimin e saj ajo thekso po ashtu se Viti 2026 që po vjen “na gjen me përgjegjësi të reja dhe me synime të qarta”.
“Synimi ynë mbetet një Kosovë akoma më e sigurt, akoma më e drejtë, akoma më e integruar dhe akoma më e zhvilluar. Një Kosovë ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku institucionet janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo i ri dhe e re ka perspektivë për të ndërtuar të ardhmen me dinjitet në vendin e vet”, tha ajo.
Në këtë natë të veçantë, Ajo ka uruar qytetarët për shëndet, paqe dhe begati.
“Le të jetë viti 2026 një vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën. Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë. Gëzuar Vitin e Ri 2026 me shëndet e plot momente gëzimi e feste, për ju dhe për Republikën e Kosovës!”, tha ajo.
/KosovaPress//r.e/
The post Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.




/a.f/r.e/