ANKARA, 10 janar /ATSH-AFP/ – Ndërprerjet e ujit të zbatuara për disa javë në Ankara, janë rezultat i një thatësire rekord, tha një zyrtar bashkiak duke hedhur poshtë akuzat për keqmenaxhim.
“Viti 2025 ishte një vit rekord për sa i përket thatësirës. Vëllimi i ujit që furnizon digat ka rënë në nivele historikisht të ulëta, në 182 milionë metra kub në vitin 2025, krahasuar me 400 deri në 600 milionë metra kub në vitet e mëparshme. Kjo është periudha më e thatë në 50 vitet e fundit”, tha Memduh Akçay, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Ujit në bashkinë e Ankarasë.
Për të ruajtur burimet e pakta të ujit të qytetit, ku shkalla e mbushjes së digës ka rënë në 1,12%, rubinetat mbyllen për disa orë në ditë në lagje të caktuara, sipas një sistemi rotacioni, duke detyruar shumë banorë të presin në radhë në shatërvanët publikë për të mbushur shishet e ujit.
Këto skena e shtynë presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan t’i quante zyrtarët e bashkisë së Ankarasë, të udhëhequr nga partia kryesore e opozitës, si “të paaftë”.
Duke i hedhur poshtë këto kritika, zyra e kryetarit të bashkisë pohon se Ankaraja po vuan pasojat e ndryshimeve klimatike dhe popullsisë së saj në rritje, e cila është dyfishuar që nga vitet 1990 për të arritur gati 6,0 milionë banorë.
“Përveç rënies së reshjeve, parregullsia e modelit të reshjeve, zvogëlimi i reshjeve të dëborës dhe shndërrimi i shpejtë i reshjeve në rrjedhje për shkak të urbanizimit pengojnë mbushjen efikase të digave”, shpjegon Akçay.
“Falë një sistemi të ri pompimi që lejon përdorimin e ujit nga digat nën nivelin minimal të kërkuar, nuk do të ketë ndërprerje të ujit këtë fundjavë”, siguron bashkia e Ankarasë, e cila megjithatë paralajmëron se problemi do të vazhdojë pa reshje të mjaftueshme.
Pjesa më e madhe e Turqisë përjetoi gjithashtu një thatësirë historike në vitin 2025.
Bashkia e Izmirit (perëndim), qyteti i tretë më i madh i vendit në bregdetin e Egjeut, ka imponuar ndërprerje të përditshme të ujit për disa nga banorët e saj që nga vera e kaluar./ /os/
The post TURQI – Ankaraja përjeton thatësira rekord, ku ndërprerjet e ujit janë të zakonshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.