Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi situatën në vend si “dramatike”, teksa fajësoi qeverinë për përmbytjet dhe menaxhimin e dështuar të emergjencave natyrore.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin nga opozita zgjidhjen e krizës.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë në Evropë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri. Një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha u ndal edhe te pasojat e përmbytjeve, duke shtuar se PD do të bëjë inventarin e përmbytjeve dhe do t’i dëmshpërblejë të gjithë banorët kur të vijë në pushtet.

“Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin Komitetin e Emergjencave Civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narkoqeverisë”, vijoi Berisha.

Kreu demokrat i garantoi qytetarët e këtyre zonave se PD në pushtet do t’i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto përmbytje.

Duke iu referuar imunitetit të Belinda Ballukut, Berisha tha sesi asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, Kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim.

“Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është ekzekutimi para shqiptarëve i një pushteti që quhet pushteti i drejtësisë”, tha Berisha.

Ndaj, iu drejtua Berisha deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, duhet të ngrejnë në këmbë çdo shqiptar gjer në largimin e qeverisë. /m.q/j.p/r.e/

The post Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi sot se Shqipëria është kthyer në një vend të pasigurt “si pasojë e vjedhjes sistematike, korrupsionit të shfrenuar, kapjes së shtetit, mungesës së lirisë dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të qeverisë me kartelet e drogës”.

Balliu tha se “Bashkimi Evropian ka pezulluar fondet për dixhitalizimin pas skandalit në AKSHI”.

“Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin”, deklaroi Balliu.

Ai shtoi se, sipas tij, fondet janë bllokuar sepse BE e ka të qartë se ato vidhen nga qeveria dhe përdoren për interesa të ngushta të pushtetit.

Balliu tha se qeveria po mashtron qytetarët me premtime për integrimin evropian, ndërkohë që realiteti është krejt i kundërt, pasi “Bashkimi Europian po pezullon fondet për Shqipërinë për shkak të vjedhjeve dhe bashkëpunimit me bandat kriminale”.

Sipas deputetit të PD-së, Shqipëria po negocion interesat kombëtare për përfitime personale të pushtetit, ndërsa institucionet shtetërore janë nën kontrollin e grupeve kriminale.

“Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria vizitohej nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara; sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së, sepse udhëhiqen nga një qeveri e karteleve. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Bashkimi Evropian sillte fonde për Shqipërinë, si në bujqësi ashtu edhe në dixhitalizim; sot këto fonde janë bllokuar, sepse BE deklaron qartë se ato vidhen nga qeveria. /m.q/ j.p/

The post Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si politik hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Kuvendin e Rithemelimit të vitit 2021, të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u shkarkua kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se ky hetim nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve, i cili sipas tij është mbyllur dhe është dërguar në gjykatë.

“Hetimi pasuror është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar në gjykatë. Hetimi për Kuvendin e Rithemelimit është një hetim i mirëfilltë politik dhe nuk ka asnjë lidhje me çështjen pasurore”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se është i hapur ndaj çdo hetimi dhe se prokuroria duhet të veprojë e lirë, por shtoi se përpjekja për të lidhur dy çështje të ndryshme është, sipas tij, mashtruese.

Berisha deklaroi se çdo financim për Kuvendin e Rithemelimit është deklaruar dhe se nuk ka pasur asgjë të fshehur. Sipas tij, aktiviteti është financuar nga deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, ndërsa çmimi i stadiumit është publik dhe i deklaruar nga institucionet përkatëse.

“Çdo financim është deklaruar. Personat që kanë kontribuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Nuk ka asgjë të fshehur”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi si dezinformim lajmin se hetimi për Kuvendin po zhvillohet në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij, duke theksuar se kjo çështje tashmë ndodhet në proces gjyqësor.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arratisja e Ndocit, shkarkohet drejtori dhe zinxhiri komandues në burgun e Durrësit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj është shkarkuar nga detyra nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, nga spitali Rajonal i Durrësit.

Gjithashtu në vijim të ngjarjes së një dite më parë, pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.

Për këtë ngjarje, janë arrestuar edhe tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës.

Ndaj Altin Ndocit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal. Ai u arratis pasi kreu një konsultë mjekësore në spitalin Rajonal të Durrësit.

/m.q/j.p/

The post Arratisja e Ndocit, shkarkohet drejtori dhe zinxhiri komandues në burgun e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Durrës janë arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal në Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm: komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka, punonjëse e Policisë së Burgjeve; kryeinspektor Dorjan Saraçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve; inspektor Preng Marvataj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela, punonjës i Policisë së Burgjeve; kryeinfermier Aulon Quku, punonjës i IEVP Durrës.

Gjithashtu, është bërë edhe pezullimi i tyre nga detyra. Po ashtu janë pezulluar me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ drejtori i IEVP-së Durrës Indrit Cerloj, Afrim Zeqiraj, shef i Policisë; Ylfete Sema, shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; Idajet Calamaj, punonjës i Policisë së Burgjeve.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”, pasi ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

“Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve informoi më tej se “i paraburgosuri është paraqitur në pavijonin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, njoftoi drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënvizoi se po vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

/m.q/j.p/

The post 8 policë të arrestuar në Durrës, nuk respektuan procedurat standarde të shoqërimit të Ndocit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Mbrojtësit ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaruan sot në një konferencë për mediet, se Meta po mbahet në paraburgim, duke tejkaluar çdo standard ligjor, kushtetues dhe human.

Avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake.

“Kjo do të thotë që një seancë e tillë ligjërisht duhet të përfundojë brenda një muaji dhe pastaj çështja ose duhet të pushohet, ose të kthehet në hetim ose duhet të kalojë në gjykim themeli”, sqaroi ai.

Sipas avokatit, kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.

“Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie që është kthyer në një drejtësi inkuzitore”, tha ai.

Cakrani theksoi se kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por përsëri gjyqtarja Irena Gjoka, e cila sipas tij është e “shantazhueshme”, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar.

Avokati shtoi se ndaj Metës ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.

“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidentit të Partisë së Lirisë, numrit dy të opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë”, tha ai.

Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.

Cakrani tha se nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.

“Pasuria e Metës, është zero, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme, sepse ka punuar me dinjitet, ka punuar me pastërti. Prokuroria e ka nisur analizën në vitin 2002, thua se Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar. Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin  e vënë në dispozicion nga Kuvendi. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur në 1995. Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992″, tha Cakrani.

“Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e Metës nga puna si deputet, si ministër, si zv.kryeministër, si kryeministër, si kryetar kuvendi dhe në fund president i Republikës, kanë qenë 87,385,031 lekë. Ndërkohë që shpenzimet e tij, janë në shumën 39,448,575 lekë. Meta ka në bilancin e tij 530, 146 lekë. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më edhe këto kursime sepse ka pasur shpenzime”, vijoi avokati.

“Akuza e prokurorisë është se Meta paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e ka shpikur organi i procedurës këtë, për të fshehur veprimet arbitrare që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme Meta”, tha Cakrani.

/m.q/j.p/

The post Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Bashkia e Shkodrës në përditësimin e situatës për shkak të reshjeve të shiut, njoftoi sot se nga monitorimi gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territor paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën e Obotit është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 centimetra, nga 100 centimetra që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje me rreth 10 centimetra. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse do të qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Sipas bashkisë, në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit me rreth 10 centimetra krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Bashkia bëri të ditur se sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji është në Dajç 80 hektarë, në Velipojë 10 hektarë, Ana e Malit 530 hektarë, Bërdicë 50 hektarë.

Bashkia Shkodër njofton se totali i sipërfaqes në ujë është 760 hektarë.

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse. /j.p/

The post Bie niveli i ujërave në zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gara e sllallomit të Kupës së Botës në ski, e zhvilluar të martën në mbrëmje në Flachau të Austrisë, u karakterizua nga kushte shumë të vështira atmosferike.

Mjegulla dhe shikueshmëria e ulët ndikuan dukshëm në performancën e skiatoreve, duke bërë që nga 75 skiatore të regjistruara, plot 35 të mos arrinin të përfundonin garën.

Skiatorja italo-shqiptare, u rendit e 8-ta në klasifikimin final. Colturi u dallua veçanërisht në lëshimin e dytë, ku me kohën 53 sekonda e 77 të qindtat regjistroi rezultatin më të mirë me vendin e parë, duke lënë pas edhe kampionen amerikane Mikaela Shiffrin.

Megjithatë, një gabim i bërë në lëshimin e parë e mbajti Colturin jashtë podiumit, pasi atë raund e mbylli vetëm në vendin e 16-të. Në total, performanca e kombinuar e pozicionoi atë të tetën në renditjen përfundimtare.

Në podiumin e garës në Flachau, në shkallën më të lartë të tij u ngjit Milkaela Shifrin, që e çon në 60 numrin e fitoreve në sllallom, një shifër e jashtëzakonshme në historinë e këtij sporti. Pas saj u klasifikua amerikania Paula Molzen, ndërsa vendin e tretë e mori austriakja Katarina Trupe.

/m.q/a.f/r.e/

The post Kupa e Botës për Ski, Lara Colturi renditet e 8-ta në Flachau appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara


TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili organizohet nën kujdesin e veçantë të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë ndau pamjet në rrjetet sociale nga pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zayed”, të cilat nderojnë iniciativat humanitare të atyre që kontribuojnë në vendet në zhvillim.

Çmimet u akorduan për projekte dhe organizata që kanë punuar lidhur me përmirësimin e arsimit dhe shkollimit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbështetjen e ushqimit për komunitetet në nevojë si dhe për nisma që adresojnë ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkaq, kryeministrit Edi Rama iu akordua medalja “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed al Nayan. Rama theksoi se ky është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar.

Kreu i Ekzekutivit ishte i pranishëm në këtë event me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky forum ndërkombëtar bën bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama ndan pamje nga takimet në samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Mozaiku “Dielli i ditës tjetër”, i artistes Blerta Kambo, i cili ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF).

“Tashmë “Shqipja” siç i thërrasim ne ose “Dielli i ditës tjetër” i rikrijuar nga artistja Blerta Kambo dhe i mbështetur nga MTKS do të qëndrojë në pjesën lindore të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

“Faleminderit Blerta Kambo që kujtesës arkivale shqiptare i shtove gjendjen tënde muzeale! Një mozaik që nuk rri në mur, por të rri përballë. Të shikon drejt e në sy, pa zë, dhe të pyet gjëra që i ke shmangur gjithë ditën. Copëza të vogla, të thyera, ngjyra që rrisin emocionet si ne. Dhe prapë, kur bashkohen, bëhen figurë. Bëhen kujtesë. Ky mozaik flet për dhimbjen dhe artin! Flet për durimin dhe gruan. Për kohën. Për njeriun që thyhet dhe ndërtohet copë copë derisa më në fund guxon të qendrojë drejt”, njoftoi AQShF.

Fasada e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u transformua përkohësisht në nëntor të vitit të kaluar përmes instalacionit “Dielli i ditës tjetër”, ku historia bashkohet me artin bashkëkohor.

Artistja zgjodhi të vendosë mbi figurën kryesore femërore të mozaikut monumental “Shqipëria”, një element të ri artistik, rikontekstualizuar si një gjest simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit.

Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.

Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndërgjegjësimit kolektiv.

Instalacioni qëndroi i dukshëm në fasadën e muzeut, si kushtim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.

/m.q/r.e/

The post Mozaiku “Dielli i ditës tjetër” do të qëndrojë në AQShF appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e radhës të “Foltores” me demokratët në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek situata brenda partisë si dhe përballja me qeverinë. Në 35-vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Lezhë, Berisha tha se kjo ditë është “një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë”.

Sipas Berishës, qeveria ka zero legjitimitet, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama “ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat”. Berisha bëri thirrje që “mos të bllokohet drejtësia”.

“Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet. Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, tha Berisha, teksa shtoi se PD “beson në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita i ka fituar të gjitha betejat “kur ka dalë në shesh me moton “ja vdekje, ja liri””.

“Edhe një herë, ne, mbajeni mend, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje, ja liri. Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’98-99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton “ja vdekje, ja liri”. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht. Ndaj dhe ky është misioni. Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje. Ne jemi të pamposhtur, ne e kemi faktuar.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë. Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan”, theksoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 24 janar.

“Ju garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe ju ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu garantoi se “PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla dha një mesazh mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite, duke nderuar veçanërisht dëshmorët që kanë dhënë jetën në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

“113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është një ditë e shënuar kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e trupës policore shqiptare ndër vite. Shqipëria nderon dhe përulet para sakrificave sublime të dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Jetët dhe gjaku i dëshmorëve të Policisë janë një reflektim dhe detyrim për drejtuesit dhe punonjësit aktualë të kësaj trupe për ta kryer këtë detyrë me përkushtim dhe ndershmëri!”, shkruan Balla në mesazhin e tij.

Në këtë rrugëtim 113-vjeçar, 231 punonjës policie kanë rënë dëshmorë, duke dhënë jetën në krye të detyrës për mbrojtjen e ligjit dhe rendit.

Policia e Shtetit Shqiptar u krijua më 13 janar 1913, me vendim të Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali, dhe prej mëse një shekulli ka qenë një nga institucionet themelore të rendit dhe sigurisë në vend.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balla: 113 vjet Policia e Shtetit, mirënjohje për sakrificën dhe shërbimin ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Dy barinj, të cilët kishin humbur kontaktin në tokat e përmbytura në zonën e Hasturkasit në Fier, janë gjetur pas disa orësh kërkime.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili theksoi se “AKMC, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile vendore dhe qendrore, bëri të mundur gjetjen në kushte të mira shëndetësore“.

“Siguri për ta dhe për gjithë banorët, si dhe ushqimi i nevojshëm për gjënë e gjallë,” nënvizoi Vengu.

Lokalizimi i tyre u bë përmes një droni termik.

/m.q/r.e/a.f/

The post Gjenden dy barinjtë e mbetur në tokat e përmbytura në Hasturkas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediet nga selia blu, theksoi se qeveria e ka kthyer uniformën blu në mburojë të bandave.

Sipas tij, ky 113-vjetor e ka gjetur Policinë e Shtetit në ditët më të zeza të historisë së saj.

Në fjalën e tij, Balliu tha se shumë efektivë policie të cilët kanë janë betuar që të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit, janë përndjekur e kërcënuar nga kryeministri Edi Rama.

“Synimi ka qenë i qartë. Të përzënë çdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit”, tha ai.

Gjithashtu Balliu theksoi se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilirjan Proda është emëruar nga krimi i organizuar.

“Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke çuar informacion te shokët e tyre banditë”, tha ai.

Balliu iu bëri thirrje të gjithë policëve që “të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe çdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli sot fajtorë Pandeli Bozhën dhe Vladimir Lushkajn, të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të hetuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, GJKKO me trupë gjykuese i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, shpalli fajtor të pandehurin Pandeli Bozha për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Bozha, i cili është babai i kandidates për deputete e Partisë Socialdemokratike në Fier, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, dënim i cili u ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u konvertuar në 1 vit burgim. Në përfundim, dënimi iu konvertua në një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Fajtor u shpall edhe Vladimir Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, por sipas GJKKO ky dënim shuhej, pa përcaktuar masën e tij.

Sa i përket provave materiale, gjykata urdhëroi që një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh, t’i kalojë në favor shtetit, ndërsa një fletë e ngjashme me fletët e votimit, ku ishte e ngjyrosur emri i një kandidateje për deputete, të administrohet si pjesë e fashikullit gjyqësor.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO dënon për korrupsion zgjedhor dy të pandehur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Teuta e Durrësit në Superligën e futbollit ka zyrtarizuar këtë të hënë firmën me sulmuesin e majtë, Manssour Fofana. 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë e ka nisur karrierën në Itali me Cannara në ligat e ulëta, për të vijuar më pas në Greqi me Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo.

“Sulmuesi i majtë nga Bregu i Fildishtë, Manssour Fofana, i bashkohet Teutës pas disa viteve eksperiencë në kampionatin grek, ku ka veshur fanelat e Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo. 23-vjeçari pritet të forcojë repartin ofensiv të skuadrës sonë, duke sjellë më shumë intensitet, shpejtësi dhe rrezikshmëri në sulm”, njofton klubi durrsak.

Gjatë këtij sezoni në Ligën e dytë greke, Manssour Fofana është aktivizuar në 16 takime dhe ka shënuar një gol. Trajneri i durrsakëve, Enkeleid Dobi, shpreson që klubi të ketë afruar një element me cilësi në repartin sulmues.

KF Teuta me 25 pikë pas 18 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë mban vendin e pestë në klasifikim.

/m.q/a.f/r.e/

The post Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se me këtë projektligj “forcojmë rolin e prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, duke garantuar që çdo qytetar, në të gjithë territorin e vendit, të përfitojë shërbime me standarde të larta, mbështetje dhe siguri”.

Gjithashtu, sipas Koçiut, prezantohet për herë të parë nocioni i Prefektit Detar, për monitorimin dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/m.q/a.f/r.e/

The post Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).

“Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë është shoqëruar edhe nga disa ministra e kryetarë bashkish.

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

1 nga 4

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku ishte vendosur edhe foltorja.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje për protestë më 24 janar qytetarëve, intelektualëve dhe të rinjve që të bashkohen në një front të vërtetë opozitar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “narkodiktaturë”.

Ai theksoi se protestat do të jenë paqësore, por të vendosura, dhe se opozita do të bëjë gjithçka për një kryengritje qytetare kundër korrupsionit, varfërisë dhe kapjes së shtetit.

“Më 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar. Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.

“Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali. Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama po bllokon sistemin e drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun, ndërsa shtoi se qeveria mbahet në këmbë nga mashtrimi, propaganda dhe korrupsioni.

Berisha e mbylli fjalën me thirrje për unitet, guxim dhe angazhim qytetar, duke deklaruar se ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve dhe me kërkesën për ndryshim rrënjësor.

“I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor. Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha. Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të thirrur mbledhjen për Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për deputeten Belinda Balluku.

Bardhi thekson se “ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste”.

Sipas Bardhit, “pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cenuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”.

Në emër të grupit parlamentar të PD, Bardhi dënoi me forcë “shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhrit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌