Spiropali takime në Senatin Amerikan: Të përkushtuar për arritjen e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim në Uashington me senatorin Steve Daines, kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, mbështetës i Shqipërisë, si dhe një njohës shumë i mirë i çështjeve të sigurisë rajonale.
Gjatë takimit, Spiropali siguroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë transatlantike, përfshirë mbështetjen dhe angazhimin për objektivin e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen në kuadër të NATO-s.
Mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, sipas Spiropalit, do të jetë një moment domethënës për forcimin e unitetit dhe kohezionit të Aleancës.
Po ashtu, Spiropali u takua edhe me senatorin Gary Petters, themelues dhe bashkëkryetar i “Albanian Issues Caucus”, që ruan një vëmendje të posaçme për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Gjatë takimit, Spiropali vlerësoi se Shqipëria e konsideron këtë grup miqësie, një partner të besueshëm dhe konstruktiv për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Në kuadër të vizitës në Uashington, ministrja Spiropali ka zhvilluar disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në disa dimensione.
Takimet po vijojnë në Senatin Amerikan, ndërkohë që axhenda e ministres Spiropali në SHBA përfshin edhe takime me zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.
/m.m/j.p/
The post Spiropali takime në Senatin Amerikan: Të përkushtuar për arritjen e 5% të shpenzimeve për mbrojtjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.