Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend
TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi situatën në vend si “dramatike”, teksa fajësoi qeverinë për përmbytjet dhe menaxhimin e dështuar të emergjencave natyrore.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin nga opozita zgjidhjen e krizës.
“Të gjithë miqtë e Shqipërisë në Evropë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri. Një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha u ndal edhe te pasojat e përmbytjeve, duke shtuar se PD do të bëjë inventarin e përmbytjeve dhe do t’i dëmshpërblejë të gjithë banorët kur të vijë në pushtet.
“Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin Komitetin e Emergjencave Civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narkoqeverisë”, vijoi Berisha.
Kreu demokrat i garantoi qytetarët e këtyre zonave se PD në pushtet do t’i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto përmbytje.
Duke iu referuar imunitetit të Belinda Ballukut, Berisha tha sesi asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, Kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim.
“Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është ekzekutimi para shqiptarëve i një pushteti që quhet pushteti i drejtësisë”, tha Berisha.
Ndaj, iu drejtua Berisha deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, duhet të ngrejnë në këmbë çdo shqiptar gjer në largimin e qeverisë. /m.q/j.p/r.e/
The post Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.