Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare
TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kamerat kurth të vendosura në zonat e mbrojtura kanë dokumentuar jetën e botës së egër në vendin tonë, duke regjistruar imazhe e video të kafshëve në habitatin e tyre natyror.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot një video nga bota e larmishme e faunës së egër.
“Nga parqet tona kombëtare e natyrore, vijnë pamjet unike të “banorëve” të këtyre habitateve, falë kamerave kurth dhe kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura”, shkruan Jaupaj.
Nga kamerat kurth janë arritur të identifikohen kafshë të ndryshme si ujku, macja e egër, kormorani i madh (shpend shtegtar), baldosa (vjedulla), dhelpra, pata e egër, sorkadhja, një tufë çakejsh si dhe lejleku.
Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e natyrës. Llojet e faunës së egër jetojnë të qeta në habitatet e tyre falë moratoriumit të gjuetisë.
/m.q/r.e/
The post Kamerat kurth zbulojnë larmishmërinë e botës së egër në parqet kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.