Berisha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore
TIRANË, 7 janar /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për sa i takon përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit në vend.
Nga selia blu, gjatë një konference për median, Berisha u shpreh se “mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet”.
Sipas tij, “vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha”.
Berisha tha se përmbytjet nuk kanë prekur vetëm Durrësin, por edhe qytete të tjera.
Ai tha se “nga Gjirokastra e deri në Shkodër janë mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme. Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë”.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, si përgjegjës për situatën.
“Edi Rama që bën sehir, nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmeve të krijuara nga fatkeqësia natyrore. Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete.
Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem. Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë. Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romanos dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim.
Por, theksoi ai, “korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra”.
“Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit. Përveç kësaj, Durrësi, territori i përmbytur, ka një sistem kanalizimesh shumë të studiuar dhe mirëprojektuar”, u shpreh ai.
/gj.m/r.e/a.f/
The post Berisha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

