Tottenham vendos çmim rekord për Micky van de Ven

I vetëdijshëm për interesin e madh që ka ngjallur mes gjigantëve të futbollit evropian, Tottenham ka vendosur një çmim jashtëzakonisht të lartë për mbrojtësin Micky van de Ven.
Sipas klubit londinez, lojtari nuk do të largohet për më pak se 115 milionë euro.
Nxjerrja e Van de Ven nga Tottenham pritet të jetë një mision tepër i vështirë.
Sipas asaj që raporton Talksport, drejtuesit e Spurs janë të gatshëm të shqyrtojnë largimin e mbrojtësit holandez vetëm nëse ndonjë klub paraqet një ofertë që i afrohet kësaj shifre astronomike.
Gjatë muajve të fundit, 23-vjeçari është përfolur disa herë si objektiv i Real Madridit dhe Barcelonës, por as madrilenët nuk janë të gatshëm të investojnë kaq shumë për një mbrojtës, ndërsa katalanasit nuk e kanë aktualisht kapacitetin financiar për të realizuar një transferim të tillë.
Në këtë kontekst, Liverpooli mbetet i vetmi klub që potencialisht mund të përmbushë kërkesat e Tottenhamit, teksa edhe “Reds” po e vlerësojnë seriozisht afrimin e qendërmbrojtësit.
Transferim historik?
Nëse Liverpooli vendos të bëjë hapin vendimtar, Van de Ven do të shndërrohej në mbrojtësin më të shtrenjtë në historinë e futbollit.
Rekordi aktual mbahet nga kroati Josko Gvardiol, i cili në vitin 2023 u transferua te Manchester City për rreth 90 milionë euro nga RB Leipzig.
I formuar te Volendam në Holandë, Van de Ven ka luajtur më pas për Wolfsburgun në Gjermani, përpara se të transferohej te Tottenham.
Deri tani, ai numëron 80 paraqitje zyrtare me klubin londinez, ku ka realizuar 9 gola dhe 3 asistime.
Mbrojtësi ka kontratë të vlefshme me Tottenham deri në qershor të vitit 2029. /Telegrafi/






































