SPANJË – Tre të vdekur nga reshjet e dendura në Andaluzi
MADRID, 29 dhjetor /ATSH/ – Reshjet e dendura të shiut në rajonin jugor spanjoll të Andaluzisë kanë shkaktuar tre të vdekur dhe qindra ndërhyrje të shërbimeve emergjente, njoftuan sot autoritetet rajonale, sipas Euronews.
Viktima e parë u gjet në Alhaurín El Grande, në provincën e Malagës, pasi ishte zhdukur bashkë me një person tjetër kur automjeti i tyre u mor nga rrjedha e një lumi.
Garda Civile, zjarrfikësit, Mbrojtja Civile dhe shërbime të tjera emergjente zhvilluan operacione kërkim-shpëtimi.
Trupi i personit të dytë u gjet rreth mesditës.
Dy viktimat ishin 53 dhe 54 vjeç.
Ndërkohë, u konfirmua edhe gjetja e trupit të një 18-vjeçari të raportuar të zhdukur në Ilora, në provincën e Granadës.
Malaga regjistroi numrin më të lartë të incidenteve, gjithsej 343, e ndjekur nga Granada me 58 dhe Almería me 48.
Provinca të tjera të Andaluzisë raportuan incidente sporadike.
Rastet më të shpeshta përfshinin përmbytje banesash, garazhesh dhe rrugësh, mbyllje akseve rrugore, automjete të bllokuara nga uji dhe balta, si dhe rrëshqitje gurësh, veçanërisht në zona rurale dhe malore.
Qeveria rajonale aktivizoi Planin e Emergjencës për Rrezikun nga Përmbytjet për të koordinuar burimet dhe për të garantuar sigurinë publike. Gjithsej 36 bashki andaluziane zbatuan plane territoriale të mbrojtjes civile, kryesisht në provincat më të goditura nga reshjet.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar. Shërbimet emergjente vijuan të rekomandojnë vigjilencë maksimale, edhe pse kushtet e motit janë përmirësuar dhe shumica e paralajmërimeve janë çaktivizuar.
Autoritetet këshilluan shmangien e udhëtimeve të panevojshme dhe ndaluan kalimin në zona të përmbytura ose pranë rrjedhave aktive të ujit./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post SPANJË – Tre të vdekur nga reshjet e dendura në Andaluzi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.