Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

E kryer, Roma arrin marrëveshje me yllin e Man Unitedit – bën ofertë zyrtare te klubi anglez



Roma ka dërguar një ofertë zyrtare për sulmuesin e Manchester United, Joshua Zirkzee, kështu ka deklaruar së paku gazetari i besueshëm italian Fabrizio Romano.

Oferta, e paraqitur përmes një ndërmjetësi, është për një huazim me mundësi që të shndërrohet në detyrim blerjeje. Zirkzee tashmë ka arritur marrëveshje personale me Romën dhe është i etur t’i bashkohet klubit nga Serie A, ndërsa tani vendimi i takon Manchester Unitedit.

Më herët ishte raportuar se Roma ishte e gatshme të paguante 5 milionë euro për huazimin gjashtëmujor, si dhe 35 milionë euro të tjera për ta bërë transferimin përfundimtar në fund të sezonit.

🚨 BREAKING:

Manchester United have received an official bid from Roma for Joshua Zirkzee via intermediaries - it is a loan with a potential obligation to buy. Roma have an agreement with Zirkzee and he is ready to join them. It all depends on United. #MUFC [@FabrizioRomano] pic.twitter.com/dd8ggvrl7I
— mufcmpb (@mufcMPB) December 28, 2025

Situata mbetet e hapur, por fakti që lojtari ka dhënë dritën jeshile për transferimin shihet si një avantazh i madh për Romën në përpjekjet për të përforcuar repartin ofensiv.

Zirkzee nuk po ka vend në formacionin e Ruben Amorim dhe e sheh Serie A si shpëtim karrierë dhe shpresë për ta rikthyer vendin te kombëtarja e Holandës para Kupës së Botës 2026./Telegrafi/

Interi e fiton derbin ndaj Atalantas dhe rimerr kreun e Serie A



Interi e ka fituar sfidën e vështirë në udhëtim te Atalanta, në kuadër të xhiros së 17-të në Serie A.

“Neurazzurët” zhvilluan një tjetër paraqitje solide për të fituar me rezultat 0-1.

Interi e nisi mjaftë mirë për të kaluar në epërsi përmes Marcus Thuram, por goli i këtij të fundit u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

Gjatë tërë kohës mysafirët ishin më kërkues, ku si Martinez ashtu edhe Barella kishin dy mundësi të arta por nuk i finalizuan.

Atalanta u “ngjallë” përmes Gianluca Scamacca, por goli i këtij të fundit u anulua gjithashtu për pozitë jashtë loje.

Heroi i Interit si zakonisht ishte Martinez, i cili mori një asistim perfekt dhe lehtësisht e dërgoi brenda rrjetës (65’).

Interi me këtë fitore rikthehet në krye të Serie A me 36 pikë ndërsa Atalanta zë pozitën e 10-të me 22 sosh./Telegrafi

Tjetër trofe për Ilir Dajën te Dinamo, mposhtin Egnatian në Superkupën e Shqipërisë



Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Egnatian me rezultat 3-1.

Sfida nisi më mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me golin e Ruçit. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i prapavijës së Dinamos dhe u tregua i saktë përballë portierit Teqja, duke dërguar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka brenda pak minutash. Në intervalin 54’–59’, fillimisht Bregu dhe më pas Nani realizuan dy gola të shpejtë, duke e kthyer rezultatin në favor të skuadrës blu.

Fitorja u vulos nga Qefalija, i cili shënoi golin e tretë dhe të qetësisë, duke i dhënë fund çdo shprese për rikthim Egnatias.

Të besuarit e Ilir Dajës arrijnë kështu të fitojnë trofeun e parë të sezonit, duke e mbyllur vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke nisur me ambicie të larta pjesën tjetër të garave./Telegrafi

Vendos përfundimisht AC Milani: Ia mbyll derën yllit të Chelseas



AC Milani ka vendosur të mos e transferojë qendërmbrojtësin të Chelseas, Axel Disasi.

Klubit të Serie A i është ofruar mundësia për të nënshkruar me francezin, por drejtuesit kuqezi kanë zgjedhur të mos ecin përpara me këtë opsion. Arsyeja kryesore lidhet me kushtet e transferimit dhe situatën kontraktuale të lojtarit.

Disasi nuk ka luajtur asnjë minutë futboll në nivel senior që nga rikthimi i tij nga huazimi te Aston Villa në fund të sezonit të kaluar, çka ka ngritur pikëpyetje edhe për formën dhe ritmin e tij garues.

Për më tepër, mbrojtësi nuk mund të largohet nga Chelsea në formë huazimi drejt një klubi të huaj, pasi “Blutë” i kanë të zëna të gjashta vendet e lejuara për huazime ndërkombëtare. Kjo do të thoshte se Milani do të duhej ta blinte përfundimisht kartonin e Disasit.

Megjithatë, sipas raportimit të Romanos, Milani nuk ishte i gatshëm të investonte në një blerje të tillë, duke vendosur kështu të tërhiqet nga pista e francezit dhe të kërkojë alternativa të tjera për repartin defensiv.

Milan Skriniar mbetet një opsion mjaftë konkret, pasi edhe Juventusi po refuzon ta shesë Guttin./Telegrafi

Ousmane Dembele si Cristiano Ronaldo në vitet 2016 dhe 2017



Sulmuesi Ousmane Dembele e ka dominuar plotësisht vitin 2025, duke u shndërruar në protagonist absolut të skenës botërore të futbollit.

Pas fitimit të Topit të Artë për vitin 2025, sulmuesi i Paris Saint-Germain vazhdoi të pasurojë koleksionin e tij me disa trofe të tjerë individualë prestigjiozë.

Reprezentuesi francez fitoi gjithashtu çmimin e FIFA-s, si dhe “Globe Soccer Award” për lojtarin më të mirë në botë, duke kompletuar një tripletë trofesh individualë brenda një viti kalendarik.

Me këtë arritje, Ousmane Dembele tashmë ulet në të njëjtën “tryezë” me Cristiano Ronaldon. Dallimi i vetëm është se legjenda portugeze e ka përsëritur këtë sukses dy herë radhazi.

Aktualisht sulmues i Al-Nassr, Cristiano Ronaldo arriti të fitonte njëkohësisht Topin e Artë, çmimin e më të mirit në FIFA dhe Globe Soccer Award në vitet 2016 dhe 2017, duke vendosur një standard historik në futbollin modern.

Autor i një sezoni spektakolar 2024/25, Ousmane Dembele ka shkruar padyshim një nga kapitujt më të bukur të karrierës së tij, duke u konfirmuar si një nga futbollistët më vendimtarë dhe më të vlerësuar në botë./Telegrafi

PSG-ja s’i ndahet Barcelonës, ia “msyn” edhe yllit tjetër që po shkëlqen në “Camp Nou”



PSG po përgatit një lëvizje prej 50 milionë eurosh për një yll kyç të Barcelonës, në kuadër të planeve të avancuara për forcimin e skuadrës.

Bëhet fjalë për Marcus Rashford, sulmuesin anglez që po shkëlqen në formë huazimi te Barcelona, duke u shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të sezonit.

28-vjeçari ka shpërthyer me shtatë gola dhe 11 asistime në vetëm 24 paraqitje, duke regjistruar mesatarisht një kontribut vendimtar çdo 87 minuta. Performancat e tij kanë ardhur kryesisht nga krahu i majtë, ku ai ka marrë më shumë përgjegjësi gjatë mungesës së Raphinhas, duke i dhënë një impuls të ri sulmit të Barçës me shpejtësinë, konkretësinë dhe presionin e pandalshëm.

Megjithatë, e ardhmja e Rashford në “Camp Nou” nuk është aspak e sigurt. Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, por kufizimet e rrepta financiare dhe rregullat e Fair Play Financiar e bëjnë aktivizimin e kësaj klauzole jo të garantuar. Pikërisht kjo situatë ka hapur derën për interesimin serioz të Paris Saint-Germain.

Sipas “Mundo Deportivo”, PSG po monitoron nga afër situatën e Rashford dhe është e gatshme të paguajë ose edhe të tejkalojë shumën e opsionit të blerjes së Barcelonës.

Klubi parisien, i udhëhequr nga Luis Enrique, e sheh anglezin si një përforcim me potencial të lartë për repartin ofensiv, duke vlerësuar veçanërisht fleksibilitetin e tij, intensitetin dhe përvojën në nivelet më të larta të futbollit në Evropë.

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur disa herë me superlativa për Rashford, duke sinjalizuar dëshirën për ta mbajtur në skuadër. Megjithatë, rikthimi i Raphinhas nga lëndimi mund të reduktojë minutat e anglezit, faktor që mund ta shtyjë lojtarin të rishqyrtojë të ardhmen e tij.

Vetë Rashford ka shprehur publikisht dëshirën për të qëndruar afatgjatë në Kataloni, por tundimi i PSG-së dhe mundësia për një rol të rëndësishëm në një projekt ambicioz mund ta ndryshojnë situatën.

Kjo sagë kujton rastet e mëparshme kur PSG ka “peshkuar” yje nga Barcelona, si Neymar, Lionel Messi dhe Ousmane Dembele, duke rritur frikën te tifozët katalunas se edhe një tjetër emër i rëndësishëm mund të largohet drejt “Parkut të Princave” në një tjetër betejë të madhe merkatoje./Telegrafi

Antoine Semenyo këshillohet të mos i bashkohet Man Cityt, i thonë shko te Unitedi



Sipas një raporti të “The i Paper”, njerëzit e afërt të Antoine Semenyo besojnë se anësori mund të jetë duke bërë një gabim nëse vendos t’i bashkohet Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar dimëror.

Ylli i Bournemouthit raportohet se e ka bërë Cityn destinacionin e tij të preferuar, duke e lënë pas Manchester Unitedin në këtë garë. Megjithatë, ekzistojnë dyshime serioze nëse kjo do të ishte zgjedhja më e mirë për zhvillimin e tij.

Semenyo nuk pritet të ketë statusin e titullarit të garantuar në “Etihad”, diçka që, sipas burimeve, do të ishte shumë më e realizueshme në “Old Trafford”. Kjo është parë si një pikë kyçe në vendimmarrjen e tij, pasi minuta të rregullta loje konsiderohen thelbësore në këtë fazë të karrierës.

Anësori 25-vjeçar përshkruhet si një profil perfekt për sistemin e Ruben Amorim te Manchester United. Ai mund të përshtatet si mbrojtës i majtë krahu në skemën 3-4-3, ose si anësor klasik, nëse United vazhdon të luajë me katër mbrojtës, ashtu si në fitoren ndaj Newcastle.

Pavarësisht kësaj, Manchester City mbetet i bindur se e ka fituar garën për shërbimet e Semenyo. Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se Liverpooli mund të hyjë në lojë në momentet e fundit, duke tentuar ta përmbysë situatën dhe të rrëmbejë transferimin./Telegrafi/

Barcelona kthen sytë nga La Masia, Laporta përjashton afrimet e bujshme



Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është pyetur se kur klubi katalunas do të bëjë transferime të mëdha financiare, gjatë pjesëmarrjes së tij në Globe Soccer Awards.

Laporta praktikisht e ka përjashtuar mundësinë e afrimeve të bujshme, duke vënë theksin te filozofia e klubit dhe zhvillimi i talenteve nga akademia La Masia.

“Ne po punojmë për të prodhuar lojtarë nga La Masia dhe kemi shumë talente që janë të aftë të arrijnë ekipin e parë”.

“Jemi krenarë për filozofinë sipas së cilës punojmë. Në fakt, ka lojtarë nga La Masia që arrijnë ekipin e parë dhe, në të njëjtën kohë, ne duam edhe të transferojmë lojtarë të tjerë dhe t’i integrojmë së bashku”.

Laporta ka theksuar se projekti i Barcelonës nuk kufizohet vetëm te ekipi i meshkujve, duke përmendur edhe suksesin dhe rëndësinë e futbollit të femrave në klub.

“Ne kemi edhe ekipe të tjera, jo vetëm ekipin e futbollit të meshkujve; kemi edhe ekipin e futbollit të femrave. Jam shumë i lumtur për këtë, sepse këtu është një lojtare që përfaqëson futbollin e femrave”.

Me këto deklarata, Laporta ka bërë të qartë se Barcelona do të vazhdojë të mbështetet kryesisht te La Masia dhe zhvillimi i brendshëm, duke lënë në plan të dytë transferimet e mëdha me shifra të larta./Telegrafi

Cristiano Ronaldo nuk ndalet: Jam ende i motivuar, do ta arrij shënimin e 1 mijë golave



Sulmuesi Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se nuk po e mendon pensionimin dhe e ka bërë objektiv që të bëhet lojtari i parë në histori që shënon 1 mijë gola në karrierë.

Ylli portugez e fitoi çmimin “Lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme” gatë “Globe Soccer Awards”, ku ndër të tjera konfirmoi se nuk po e mendon pensionimin.

“Është vështirë për mua që të vazhdoj të luaj, por pasioni mbetet shumë i lartë për mua. Jam ende shumë i motivuar... për këtë arsye edhe po luaj”.

“Gjithmonë dua të luaj futboll, të fitoj trofe, të shënoj gola. Dua të vazhdoj tutje”.

“Ju e dini cili është synimi im. Dua të fitoj më shumë trofe dhe të arrij numrin që të gjithë e dini”.

“Do ta arrij atë numër sigurisht... nëse nuk kam lëndime, inshallah”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Ronaldo pritet të merr ftesë edhe nga Portugalia për Kupën e Botës 2026, trofeu i vetëm që pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk e ka shijuar./Telegrafi/

“Te Real Madridi mund të fitosh ndeshje dhe askush të mos jetë i kënaqur”, Kroos kërkon që Alonsos t’i jepet më shumë kohë​



Mesfushori Toni Kroos ka kërkuar që Real Madridi t’i japë kohë Xabi Alonsos, duke shprehur mirëkuptim për situatën e tij dhe duke theksuar se në klubin mbretëror “askush nuk është i kënaqur”, madje as kur skuadra fiton.

Xabi Alonso ka pasur një fillim të trazuar në krye të Real Madridit, me ekipin që ndodhet në vendin e dytë në La Liga në pushimin dimëror, katër pikë pas Barcelonës. Trajneri spanjoll e mori drejtimin e skuadrës para Botërorit të Klubeve, ku Reali arriti deri në gjysmëfinale, por u eliminua nga Paris Saint-Germain.

Në kampionat, pas gjashtë fitoreve radhazi në start, “Los Blancos” pësuan rënie në vazhdimësi, duke regjistruar formë të paqëndrueshme në 12 ndeshjet pasuese, me shtatë fitore, tri barazime dhe dy humbje.

Ka pasur edhe raportime për tensione mes Alonsos dhe disa lojtarëve, veçanërisht me Vinicius Junior, situatë që sipas burimeve duket se është qetësuar.

Megjithatë, Toni Kroos mbetet i bindur se Xabi Alonso është njeriu i duhur për të udhëhequr Real Madridin në të ardhmen.

“Gjëja më e vështirë për një trajner është të menaxhojë në Madrid. Është një lloj tjetër presioni. Këtu mund të fitosh ndeshje dhe prapë askush nuk është i kënaqur. Ka shumë pak klube të tilla”.

“Edhe kur barazon ose humbet, siç ka ndodhur së fundmi, reagimet janë ndryshe, sepse klubi nuk është mësuar me këtë dhe kritikat shtohen”.

“Gjithmonë të duhen rezultate, por unë jam i bindur se Xabi është një trajner shumë i mirë dhe ka cilësinë për ta menaxhuar Real Madridin; thjesht duhet t’i jepet kohë”.

“Por të gjithë e dimë se çfarë do të thotë Real Madridi, mbi të gjitha e di vetë Xabi, dhe ai e dinte çfarë mund të ndodhte para se të firmoste”, deklaroi ai.

Real Madridi rikthehet në aksion në La Liga më 4 janar, kur do të përballet me Real Betisin.

Aktualisht, Real Madridi konsiderohet favoriti i dytë për titull, me vetëm 19.5 për qind gjasa sipas superkompjuterit të Opta-s, ndërsa Barcelona kryeson bindshëm me 76.8 për qind.

Në Ligën e Kampionëve, madrilenët gjenden në zonën e kualifikimit direkt në një tabelë shumë të ngjeshur, por presioni mbi Alonson është rritur ndjeshëm, pavarësisht një përqindjeje fitoreje prej 71 për qind, për shkak të mungesës së stabilitetit në të gjitha garat./Telegrafi

Real Madridit i ofrohet shansi për të nënshkruar me yllin e Al Hilalit



Gjigantit të La Ligës, Real Madrid i është ofruar mundësia për të transferuar një mesfushor nga skuadra saudite Al-Hilal për sezonin e ardhshëm.

Kjo vjen në një kohë kur është mësuar se Ruben Neves po synon një rikthim në kryeqytetin spanjoll, duke pasur dëshirë të largohet nga futbolli arab dhe të rikthehet në skenën kryesore të futbollit në Evropë.

Mesfushori portugez aktualisht ka kontratë me Al-Hilal deri në verën e vitit 2026, por e ardhmja e tij duket gjithnjë e më e paqartë, teksa afati i marrëveshjes po shkon drejt fundit.

Drejtuesit e klubit saudit i kanë vendosur në tavolinë një ofertë rinovimi, megjithatë Neves nuk duket i bindur për të vazhduar aventurën e tij në Arabinë Saudite.

Sipas raportimeve, 28-vjeçari e ka të qartë synimin për t’u rikthyer në Evropë dhe beson se ende ka nivelin dhe përvojën e nevojshme për të qenë pjesë e një prej klubeve më të mëdha të kontinentit. Pikërisht për këtë arsye, ai është i gatshëm të shqyrtojë vetëm projekte të nivelit më të lartë.

Sipas një raporti të “Diario AS”, përfaqësuesit e Ruben Neves ia kanë ofruar atë Real Madridit, duke shpresuar se mesfushori mund të përshtatet në projektin sportiv të klubit mbretëror.

Megjithatë, Florentino Perez dhe stafi drejtues e kanë refuzuar këtë mundësi, duke mos e konsideruar Neves si një profil të domosdoshëm për skuadrën e ndërtuar nën drejtimin e Xabi Alonso.

Në këtë mënyrë, edhe pse dëshira e lojtarit për t’u rikthyer në Evropë mbetet e fortë, Real Madridi nuk duket se do të jetë destinacioni i tij i radhës, të paktën për momentin./Telegrafi

FC Prishtina përforcohet me top talentin që shkëlqeu në Ligën e Parë



Klubi i Prishtinës është përforcuar me mesfushorin ofansiv Arjol Bllaca.

Bllaca shkëlqeu në Ligë të Parë te Ramiz Sadiku, skuadër që iu bashkua shkaku i minutazhës së ulët te Ballkani ndërsa tani ka bërë hapin e madh.

Ai synon të zë vend në skuadrën e Prishtinës, të cilët po synojnë ta fitojnë titullin kampion.

“Mirë se vjen Arjol”, shkroi ndër të tjera Prishtina duke publikuar një video të lojtarit.

Mbetet të shihet nëse Bllaca do të arrijë ta vazhdojë formën që kishte te Ramiz Sadiku, skuadër ku brenda këtij edicioni vjeshtor shënoi mbi 10 gola./Telegrafi/

Hojlund sërish heroi i Napolit, fitore komode te Cremonese



Napoli ka shënuar fitore komode në udhëtim te Cremonese, në kuadër të xhiros së 17-të në Serie A.

“Napolitanët” triumfuan me rezultat 0-2, që ishte ndeshja e parë pas fitimit të Superkupës së Italisë.

Rasmus Hojldund sërish ishte heroi i Napolit, ku këtë herë realizoi dy gola për ta ndihmuar klubin italian t’i merr pikët e plota.

Danezi fillimisht përfitoi nga një top i kthyer për ta zhbllokuar epërsinë (13’), kurse më vonë mori një asistim të bukur nga McTominay për ta vulosur fitoren (45’).

Cremonese nuk është që krijoi ndonjë rast të rrezikshëm, me kapitenin Amir Rrahmani, i cili sërish zhvilloi paraqitje solide për ta ndihmuar skuadrën ta mbajë portën e paprekur.

Napoli me këtë fitore shkon në kuotën e 34 pikëve ndërsa Cremonese qëndron në pozitën e 12-të me 21 sosh./Telegrafi

Kroos: CR7 më i miri që kam luajtur, Ancelotti trajneri i preferuar



Mesfushori Toni Kroos ka zgjedhur Cristiano Ronaldon si futbollisti më i mirë që ka luajtur, ndërsa Carlo Ancelottin si trajneri më i preferuar.

Kroos u pensionua vitin e kaluar ndërsa në një intervistë së fundi me Romarion, komentoi në pika të shkurtër karrierën.

“Lojtari më i mirë që kam luajtur ishte Cristiano Ronaldo. Cristiano shënoi më shumë gola sesa ndeshje që zhvilloi për Real Madridin, nuk ka asgjë për të shtuar”.

Kroos pastaj dha lëvdata të mëdha për Carlo Ancelottin, i cili po drejton kombëtaren e Brazilit.

“Ancelotti është trajneri më i mirë që kam punuar. Ai di si të menaxhojë një skuadër të madhe më mirë se të gjithë të tjerët, jo vetëm në perspektivën e futbollit por në të gjitha aspektet”.

Duke zgjedhur lojën më të mirë të karrierës, Kroos e përmendi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2017, ku Reali e demoloi Juventusin me rezultat 4-1.

Në fund, ai shtoi se gjithçka ka qenë si ëndërr dhe është krenar që ka luajtur për një dekadë në fanellën galaktike.

“Real Madridi ishte klubi më i madh për të cilin kam luajtur. Isha më fat që luajta për 10 vite aty. Ishte si një familje e madhe dhe shumë herë më e suksesshme. Gjithçka që kam pasur ka qenë sikur të ishte ëndërr”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, gjermani tani ka një shkollë futbolli ku iu mëson fëmijëve hapat e parë të karrierës./Telegrafi

Granit Xhaka dhuron asist maestral ndaj Leeds Utd



Mesfushori Granit Xhaka është duke vazhduar me formën mahnitëse në Ligën Premier, ku ka dhuruar një tjetër asistim.

Ylli shqiptar asistoi te goli i epërsisë së Sunderlandit ndaj Leeds Utd, ku Adingra e dërgoi topin në rrjetë.

Xhaka e gjeti për mrekulli Adingra të harruar nga mbrojtja mysafire, ku pastaj ky i fundit shënoi lehtësisht nga afërsia.

Për më shumë shikoni golin:

Sunderland score 1.0.andingra pic.twitter.com/CUv5Vvvrbx
— Barry Malaby (@malaby_barry) December 28, 2025

Për Xhakën ky është asistimi i pestë në Ligën Premier, kurse ka edhe një gol në proces./Telegrafi

Dramë te Barcelona, pesë yje kërkojnë sqarime



Barcelona po shkon drejt një situate të ndërlikuar në portë, pavarësisht faktit se ky repart konsiderohet si një nga më të mbuluarit në skuadër, raporton “Diario Sport”.

Transferimi i Joan Garcia ka siguruar të ardhmen, por rikthimet e shumta nga huazimet pritet të detyrojnë klubin të marrë vendime të vështira në fund të sezonit.

Garcia, i cili ka kontratë deri në vitin 2031, konsiderohet qartazi si portieri numër një i së ardhmes së Barcelonës. Brenda klubit pritet që ai ta mbajë këtë rol për shumë vite, duke qenë i vetmi portier me vend të garantuar titullari.

Në anën tjetër, Marc-Andre ter Stegen, i lidhur me kontratë deri në vitin 2028, nuk është më pjesë e planeve të klubit. Barcelona i ka komunikuar portierit gjerman se nuk do të ketë minuta loje, por ai nuk është i gatshëm të largohet, përveçse në rast se i vjen një ofertë bindëse.

Wojciech Szczesny ka rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër, por situata e tij mbetet e paqartë: kontrata mund të ndërpritet ose portieri polak mund të vendosë edhe për pensionim. Ndërkohë, Inaki Pena pritet të rikthehet nga huazimi te Elche, me vlerë të rritur në treg dhe interes nga disa klube.

Po ashtu, edhe Ander Astralaga dhe Aron Yaakobishvili do të kthehen te Barcelona, ndërsa Diego Kochen mund të ketë nevojë për një tjetër huazim për të vazhduar zhvillimin e tij.

Në klub pranojnë se mbipopullimi në portë është një problem real, por njëkohësisht shohin mundësi për të realizuar shitje, të cilat do të ndihmonin në gjenerimin e të ardhurave. Për Barcelonën, zgjidhja e këtij “nyje” në portë do të jetë një nga sfidat kryesore në planifikimin e sezonit të ardhshëm./Telegrafi

Mërgim Vojvoda asiston te supergoli i Nico Paz ndaj Lecce



Mesfushori Nico Paz ka shënuar një eurogol për t’i dhënë epërsinë Comos ndaj Lecces.

Argjentinasi shënoi nga mbi 30 metra distancë, ku goditja e tij u devijua nga mbrojtësi dhe përfundoi brenda rrjetës.

Megjithatë, pasimin tek Paz e bëri ylli i Kosovës Mërgim Vojvoda. Ani pse lojtari argjentinas kreu tërë punën, asisti i numërohet kosovarit.

Për më shumë shikoni golin:

🚨 SERIE A! 🇮🇹

NICO PAZ BREAKS THE DEADLOCK! 🇦🇷

Lecce 0-1 Como

🎥 @TheGoalsZone

pic.twitter.com/t1uF3EAPAP
— Polymarket FC (@PolymarketFC) December 27, 2025

Padyshim kjo do t’i ndihmojë Vojvodës për ta fituar vendin e titullarit, ku këtë herë po luan në pozitën e mesfushorit të djathtë./Telegrafi/

Rayan Cherki hero, Man City me vështirësi fiton ndaj Nottingham Forest



Manchester City ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Nottingham Forest, në kuadër të xhiros së 18-të në Ligën Premier.

“Qytetarët” zhvilluan një tjetër paraqitje solide për të triumfuar me rezultat 1-2.

Nottingham faktkikisht e nisi më mirë, për të rrezikuar me Callum Hudson-Odoi, por nuk e konkretizoi.

Ishte mesfushori Tijjani Reijnders që e zhbllokoi rezultatin pas një asistimi fantastik të Rayan Cherkit (48’).

Sidoqoftë, i menjëhershëm ishte reagimi i vendasve që e barazuan rezultatin falë Omari Hutichnson që e konkretizoi një pasim nga harkimi (54’).

Pavarësisht që u ndjenë në presion, City nuk gaboi për ta rikthyer epërsinë dhe njëkohësisht vulosur fitoren falë Rayan Cherkit, që shënoi supergol nga distanca (83’).

Man City tani rimerr kreun e Ligës Premier me 40 pikë, një mbi Arsenalin që ka një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Nottingham zë vendin e 17-të me 18 sosh./Telegrafi

“Është mundësi”, drejtori i gjigantit arab ia hap zyrtarisht derën afrimit të Vini Jr



Drejtori sportiv i Al-Ittihadit Ramon Planes, ish-zyrtar i Barcelonës, beson se Liga Profesionale e Arabisë Saudite mund të shndërrohet në një destinacion shumë tërheqës edhe për yje të nivelit të lartë si Vinicius Junior i Real Madridit, madje në kulmin e karrierës së tyre.

“Po, e shoh si një mundësi që lojtarë si Vinicius të vijnë këtu në Arabinë Saudite”.

“E shoh ligën duke u zhvilluar dhe është plotësisht e realizueshme që lojtarë të nivelit më të lartë, në kulmin e karrierës së tyre, të luajnë këtu”.

Sipas tij, filozofia e klubeve saudite ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara.

“Tendenca tani është të afrojmë lojtarë në një moshë shumë të mirë për karrierën e tyre futbollistike. Nuk bëhet më fjalë vetëm për futbollistë që janë në fazën përfundimtare të karrierës”.

E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të jetë objekt spekulimesh. Kontrata e tij me Real Madridin skadon në qershor të vitit 2027, por bisedimet për rinovim kanë hasur vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve financiare.

25-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Arabia Saudite, ndërsa situata e tij kontraktuale po ndiqet nga afër. Edhe pse Real Madridi e konsideron brazilianin një pjesë kyçe të projektit sportiv, interesimi nga Lindja e Mesme mbetet real, duke e mbajtur të hapur një skenar që deri pak kohë më parë dukej i pamendueshëm./Telegrafi

Nuk kanë fituar trofe të madh në mbi 20 vite, Saliba entuziazmon tifozët: Sivjet mund ta fitojmë secilën garë



Mbrojtësi qendror i Arsenalit, William Saliba, ka shprehur bindjen se skuadra e tij është e aftë të luftojë për katër trofetë këtë sezon, duke paralajmëruar bashkëlojtarët se historia nuk do t’i mbajë mend nëse nuk e mbushin vitrinën me trofe.

Arsenali e kaloi Krishtlindjen në krye të tabelës së Ligës Premier për herë të tretë në katër vitet e fundit, por ende kërkon ta hedhë hapin final dhe ta fitojë realisht titullin nën drejtimin e Mikel Artetës.

Pavarësisht punës mbresëlënëse të trajnerit spanjoll, ai ka vetëm një trofe madhor në CV-në e tij si trajner i “Topçinjve”, FA Cup të sezonit 2019/20.

Një nga kritikat më të shpeshta ndaj këtij Arsenali ka qenë paaftësia për ta mbyllur me sukses garën në momentet vendimtare, por Saliba beson se ky sezon do të jetë ndryshe.

Fitimi i katër trofeve në një sezon nuk është arritur kurrë në futbollin anglez. Manchester United (1998/99) dhe Manchester City (2022/23) kanë fituar nga tre trofe, por Saliba pranon se guxon të ëndërrojë që Arsenali të bëhet skuadra e parë që e realizon këtë sukses historik.

“Sigurisht që mund t’i fitojmë disa trofe, sepse në çdo kompeticion ku luajmë, e dimë që kemi potencial për ta fituar”.

“Ne kemi qenë shumë pranë titullit në Ligën Premier në tre sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar ishim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të Kupës së Ligës, kështu që e dimë se mund të fitojmë çdo garë”.

Arsenali ka ndërtuar me meritë reputacionin e një prej skuadrave më të mira në Evropë, por për Salibën kjo nuk mjafton pa trofe konkretë. Francezi nuk ishte pjesë e skuadrës që fitoi FA Cup pesë vite më parë dhe deri tani ka vetëm dy Superkupa të Anglisë.

Fitimi i trofeve ishte një nga arsyet kryesore pse ai vendosi të rinovojë kontratën me Arsenalin në shtator.

“Duhet ta tregojmë këtë në fushë dhe duhet të fillojmë të fitojmë trofe tani”.

“Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, kanë mbetur edhe tri ndeshje për ne dhe duhet ta bëjmë punën në janar kundër Chelseat. Do të jetë një ndeshje e madhe, një derbi i madh, prandaj duhet të vazhdojmë përpara. E dimë që jemi afër dhe duhet të nxjerrim mësime nga sezoni i kaluar”.

“Në fund të karrierës numërohen trofetë. Kupa e Ligës është një prej tyre dhe tani që jemi në gjysmëfinale, sigurisht që duam ta fitojmë këtë kompeticion, ashtu si çdo garë ku marrim pjesë”./Telegrafi

❌