Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shi me intensitet të ulët paradite, nga mesdita alternime kthjellimesh

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Ditën e hënë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, sipas njoftimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës.

Reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, në relievet malore shtrëngata afatshkurtra.

Prej orëve të mesditës e pasdite reshjet shiu me intensitet kryesisht të ulët humbasim territor duke mbetur prezente në relievet malore dhe në ndërprerjen graduale. Në zonën e Alpeve, dhe relievet e larta malore mbi 1000-1100 metra në verilindje-juglindje priten reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore era fiton me shpejtësi deri 10 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-2 ballë.

The post Shi me intensitet të ulët paradite, nga mesdita alternime kthjellimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karateistja shqiptare medalje të argjendtë në Europianin e Qipros

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Kombëtarja shqiptare e karatesë ka fituar sot medaljen e dytë në Kampionatin Europian në Limasol (Qipro), medalje që erdhi nga sportistja Lanika Rexhepi.

Federata Shqiptare e Karatesë njoftoi se Lanika Rexhepi është shpallur Nënkampione e Europës në kategorinë Cadet +61 kg, në Kampionatin Europian Cadet, Junior & U21.

Vajza nga Kosova, e cila garon për Shqipërinë, arriti të fitonte medalje argjendi në kategorinë e kadetëve për peshat +61 kg. Rexhepi spikati me paraqitjet e saj, teksa kaloi me radhë duelet, duke nisur me fitore 8-0 ndaj Malit të Zi, për të vijuar me të njëjtin rezultat edhe ndaj Gjeorgjisë, më pas 6-1 kundër Francës dhe 3-0 përballë Italisë.

Lanika Rexhepi u ndal vetëm në finale, pasi humbi 0-1 me rivalen nga Portugalia, pas një ndeshjeje shumë të luftuar.

Suksesi i parë për Shqipërinë erdhi ditën e shtunë nga Neevis Hasani, i cili fitoi medaljen e bronzit në kategorinë e kadetëve për peshat -52 kg. Një rezultat historik që vjen nga karateisti i talentuar i Tiranës, i cili prej 5 vitesh stërvitet në shtëpinë bardheblu nën drejtimin e trajnerit Bekim Basha.

Kujtojmë që Shqipëria u përfaqësua në Europianin e karatesë me 14 sportistë, të drejtuar nga trajnerët Mirandi Backa, Lirim Dedej dhe Jetmir Rexhepi.

Kombëtarja shqiptare e karatesë ka marrë pjesë në Kampionatin Europian në Limasol të Qipros, duke shënuar rezultate të rëndësishme, me dy medalje të fituara në kompeticionin ku garonin rreth 1195 sportistë nga 46 shtete.

medalistet shqiptare ne larate ne Europianin e Qipros
1 nga 6

The post Karateistja shqiptare medalje të argjendtë në Europianin e Qipros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestë më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

PRISHTINË, 8 shkurt /ATSh/ Platforma “Liria ka Emër” u bëri thirrje kryetarëve të komunave, përfshirë ata që tashmë kanë shprehur gatishmëri dhe mbështetje, që t’i bashkohen protestës së 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë”, e cila do të mbahet në Prishtinë.

Ata ftuan gjithashtu qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë marsh madhor, para se të jepet fjala përfundimtare në Hagë, për të dëshmuar, siç u shprehën, për historinë e Kosovës dhe sakrificën e ish-krerëve të UÇK-së, raporton KosovaPress.

Në një konferencë për media përfaqësuesi i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli Kosova ndodhet në javën e fundit para një vendimi historik, pasi më 9 të këtij muaji nis faza finale e gjykimit në Hagë, e cila ka rëndësi jo vetëm juridike, por edhe morale, historike dhe politike për vendin. Ai theksoi se kjo javë nuk është vetëm afat procedural, por koha kur po afrohet fjala e fundit dhe kur Kosova po vëzhgohet nga e gjithë bota.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi i tyre institucional janë dëshmi se kjo çështje po trajtohet me seriozitetin më të madh dhe përgjegjësi që e meriton. Ftojmë edhe kryetarët e tjerë të komunave që  të përfshihen në këtë mision kombëtar dhe patriotik duke dhënë kontributin e tyre në një moment vendimtar për dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Jemi në javën e fundit para një vendimi historik, me datën 9 të këtij muaj nis faza finale e gjykimit në Hagë, një fazë që nuk ka peshë vetëm juridike por edhe morale historike dhe politike për vendin tonë. Kjo javë nuk është thjeshtë një afat procedural, është java kur fjala e fundit po afrohet. Është java kur Kosova po shihet dhe po gjykohet në sytë e botës. Në këto momente heshtja nuk është neutralitet, është mungesë qëndrimi. Prandaj, “Liria ka Emër”, njofton dhe fton qytetarët në marshin më të madh që ka pasur ndonjëherë vendi ynë, një marsh qytetarë, paqësor e dinjitoz dhe gjithëpërfshirës. Një marsh për drejtësi dhe jo politikë, një marsh jo kundër dikujt, por për dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, tha Tasholli.

Pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë organizuar vitin e kaluar nga kategoritë e dala nga lufta. Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Protestë tjetër do të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dje Rexhep Selimit. /KosovaPress/

The post Protestë më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Milano Cortina 2026, pretendetja Lindsey Vonn dëmtohet gjatë garës së zbritjes së lirë

TIRANË, 8 shkurt /ATSh- ANSA/ Ëndrra e skiatores amerikane Lindsey Vonn për medalje në Lojërat Olimpike Milano Cortina 2026 mori fund, vetëm një javë pasi pësoi një dëmtim të rëndë në gju.

Kampionia amerikane në ski, një nga favoritet për medaljen e artë, humbi kontrollin vetëm pak sekonda pas nisjes sot në garën e zbritjes së lirë për femra, duke u përplasur me forcë në tokë, para pikës së parë të ndërmjetme të pistës.

Të gjithë pjesëmarrësit që ndiqnin garat ranë në heshtje për një minutë dhe trajneri Aksel Lund Svindal dukej shumë i shqetësuar, teksa në pistë dëgjoheshin vetëm rënkimet e skiatores së dëmtuar. Gara u ndal për më shumë se 10 minuta përpara se Vonn të transportohej me helikopter për në spitalin olimpik Codivilla në Cortina për kontrolle mjekësore. Dhe teksa helikopteri ngrihej në fluturim të pranishmit shpërthyen në duartrokitje inkurajuese për amerikanen.

Skiatorja amerikane Vonn ka qenë shumë herë e pafat, pasi u është nënshtruar dhjetëra operacioneve gjatë karrierës së saj në ski.

The post Milano Cortina 2026, pretendetja Lindsey Vonn dëmtohet gjatë garës së zbritjes së lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Legjionarët Ajeti dhe Seferi protagonistë absolutë në fitoren e ekipit turk

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Legjionarët kuqezinj Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi ishin protagonistë absolutë në fitoren e ekipit të tyre ditën e sotme.

Jo vetëm Arlind Ajeti, i cili shënoi sot një dygolësh (12’ e 43’), por te Bodrumspor po shkëlqen edhe Taulant Seferi, i cili po kalon një sezon fantastik. Sot shënoi dhe asistoi për ekipin e tij në transfertën e Adana Demirspor. Sulmuesi kuqezi ka realizuar gol në minutën e 76-të në sfidën në transfertë ndaj Demirspor, takim ky i fituar 0-5.

Seferi asistoi fillimisht në minutën e 69-të, më pas realizoi golin e tij vetëm shtatë minuta më vonë. Kështu tashmë është në kuotën e 13 golave dhe pesë asistimeve në Ligën e Parë turke, ndërsa janë 23 paraqitje nga ana e tij.

Ndërkohë dhe pse qendërsulmues, Seferi po shkëlqen edhe në krahun e majtë. Ish-lojtari i Tiranës nuk mori ftesë nga Kombëtarja në vitin 2025.

Bodrumspor është me pretendime në kategorinë e dytë për nga rëndësia. Klubi ku Seferi është kryefjalë, synon ngjitjen në elitën turke të futbollit.

29-vjeçari Seferi ka luajtur 23 ndeshje në këtë sezon, ndërsa ka shënuar 13 gola dhe numëron 4 asiste. Seferi u transferua te Bodrumspor në gusht të vitit 2024 dhe ka kontratë deri në 2027-tën.

The post Legjionarët Ajeti dhe Seferi protagonistë absolutë në fitoren e ekipit turk appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik armësh nga Kosova, arrestohet 27-vjeçari

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Policia e Tiranës ka goditur ditën e sotme një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Barriera”, u sekuestruan 12 pistoleta “Glock” me municion luftarak dhe u arrestua në flagrancë një 27‑vjeçar nga Kosova.

Aksioni u zhvillua pas disa javë hetimesh me metoda proaktive, në bashkëpunim mes specialistëve të Komisariatit Nr. 4, Forcës Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, policia lokalizoi automjetin tip “Volkswagen” të drejtuar nga i riu dhe ndërhyri duke e ndaluar. Gjatë kontrollit, nën kofanon e mjetit u gjetën 10 pistoleta “Glock”, ndërsa në vijim u sekuestruan edhe 2 armë të tjera, duke e çuar totalin në 12.

Hetimet kanë zbuluar se armët do të shiteshin në zonën e “Freskut”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

The post Trafik armësh nga Kosova, arrestohet 27-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shitja e mishit në rrugë e rrezikshme për shëndetin, aksion në tregun e automjeteve

PRISHTINË, 8 shkurt /ATSh/ Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegalë, që shesin shpezë.

AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegalë në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.

Nga ana e AVUK-ut, shefi i zyrës për informim, Muharrem Shahini shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin, të pakontrolluara dhe antihigjienike.

Shahini theksoi se ky aksion nuk do të kufizohet vetëm për Komunën e Prishtinës por do të shtrihet në të gjitha komunat e vendit.

“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjencion dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht janë të pakontrolluara, mënyra se si theren, mënyra se si trajtohen është jo vetëm brutale po është anti-higjienike. Me shitjen në një ambient të hapur mish apo ushqime të tjera është e palejueshme. Kjo nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës, ky aksion do të zgjerohet edhe në komuna të tjera dhe nuk do të lejohet në mënyrë absolute qytetarët të konsumojnë ushqimin nëpër tregje të tilla”, shtoi Shahini.

Shitësit ilegalë që kishin ardhur nga komuna të ndryshme të Kosovës, nuk ishin dakord që t’u ndalohej të shisnin produktet e tyre.

Ata në shenjë proteste qëndruan në rrugë, para Policisë së Kosovës. /KosovaPress/

The post Shitja e mishit në rrugë e rrezikshme për shëndetin, aksion në tregun e automjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U kapën duke transportuar pesë emigrantë të paligjshëm, dy të rinj në pranga

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Strukturat e Policisë së Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Relay 6”, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar për transport të emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Siç njoftoi sot Policia e Shtetit, në kuadër të veprimeve për goditjen e kontrabandës së emigrantëve, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë kapën A. M., 24 vjeç, dhe I. V., 22 vjeç, banues në Kukës, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Kasharit”. Ata dyshohet se po transportonin me automjet 5 emigrantë, të cilëve u kishin kërkuar 2700 euro secili, me premtimin për t’i dërguar në Francë.

Si provë materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Sipas Policisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.

The post U kapën duke transportuar pesë emigrantë të paligjshëm, dy të rinj në pranga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjidhet formacioni dhe trajneri i Javës së 23-të të Superiores

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Pas përfundimit të ndeshjeve të Javës së 23-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës.

Formacioni i javës është ndërtuar sipas skemës 1-4-3-2-1.

Në portë është përzgjedhur Mario Dajsinani (Egnatia), i cili ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, duke e mbajtur portën të paprekur.

Mbrojtja përbëhet nga Paulo Buxhelaj (Partizani), Elmando Gjini (Vllaznia), Bruno Lulaj (AF Elbasani) dhe Usni Ismaili (Dinamo City).

Në mesfushë janë përzgjedhur Sherif Kallaku (Vllaznia), Albano Aleksi (Egnatia) dhe Serxho Vogli (Tirana).

Në repartin ofensiv, Rowan Human (Partizani) dhe Insa Boye (AF Elbasani) mbështesin në majën e sulmit Rrok Toma (Partizani). Të tre lojtarët ishin vendimtarë për skuadrat e tyre dhe gjetën rrugën e rrjetës.

Trajner i Javës është përzgjedhur Oltijon Kërnaja (Partizani). Të kuqtë u rikthyen te fitorja në kampionat në një ndeshje të fituar me përmbysje, duke reflektuar qartë punën dhe idetë e stafit teknik.

The post Përzgjidhet formacioni dhe trajneri i Javës së 23-të të Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi tjetër gol për Trabzonspor

TIRANË, 8 shkurt /ATSh/ Futbollisti kuqezi Ernest Muçi vazhdon formën e mirë sportive me paraqitje shumë të mira e vendimtare për ekipin e tij Trabzonspor në kampionatin turk.

Në javën e 21-të të Superligës së Turqisë, Trabzonspor arriti mbrëmjen e së shtunës një fitore 3-0 në transfertë kundër rivalit të tyre të përbetuar Samsunspor.

Trabzonspor po udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 90-të falë dy golave ​​të Paul Onuachu, kur iu dha një penallti, të cilën Muçi e goditi me mjeshtëri duke dërguar portierin dhe topin në kënde të kundërta, duke fiksuar fitoren 3-0.

Këtë sezon, Ernest Muçi ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 22 paraqitje për Trabzonsporin në të gjitha garat. Për më tepër, futbollistit shqiptar i duhet vetëm një gol për të tejkaluar sezonin e tij me më shumë gola të shënuar në karrierën e tij. Ai më parë kishte shënuar 12 gola në 27 ndeshje për Tiranën në sezonin 2019-20.

The post Ernest Muçi tjetër gol për Trabzonspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Finalja e 60-të e Super Bowl në NFL

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Në mesnatën mes 8 dhe 9 shkurtit me orën evropiane, do të zhvillohet edicioni i 60 i finales së Super Bowl në NFL, ngjarja më e madhe dhe më e ndjekur sportive në SHBA.

Ndeshja e shumëpritur e Super Bowl LX për të përcaktuar skuadrën më të mirë të sezonit fillon sot në orën 6:30 pasdite (ora lokale) në Kaliforni (ShBA), me Seattle Seahawks që përballen me New England Patriots.

New England po kërkon të bëjë histori duke u bërë skuadra e parë e NFL-së me shtatë fitore në Super Bowl. Herën e fundit që Seahawks luajtën në ndeshjen e madhe ishte kundër Patriots në vitin 2015 për Super Bowl XLIX, ku Seattle humbi një ndeshje shkatërruese 28-24. New England hyri në playoff si vendi i dytë i AFC-së, ndërsa Seattle hyri si vendi i parë i NFC-së.

Çfarë është Super Bowl?

Super Bowl përbën kulmin e sezonit në futbollin amerikan, një sfidë unike që në muajin shkurt të çdo viti dorëzon titullin e NFL mes 2 skuadrave më të mira të Konferencës së Lindjes dhe Perëndimit. Është sfida që përmbyll një rrugëtim të gjatë që nis me sezonin e rregullt dhe që me kalimin e viteve është shndërruar në një festë të vërtetë kombëtare jo zyrtare në ShBA. Në këtë ditë e gjithë Amerika ndalet totalisht teksa të gjithë mblidhen në shtëpi dhe lokale pët të ndjekur një ndeshje që është një sinonim i atletizmit të jashtëzakonshëm dhe patriotizmit të madh.

Gjithsesi të thuash që Super Bowl është thjesht një ndeshje është e gabuar, sepse ky event është cilësuar shtyllë e kulturës pop globale.

Transmetimi i ndeshjes

Rrjeti televiziv “NBC” do të transmetojë këtë të diel një pjesë të programit të pragndeshjes Super Bowl në NFL nga Alkatrazi, ishulli ikonik në Gjirin e San Franciskos (Kaliforni), i njohur ndryshe si “Shkëmbi” (The Rock).

Mbulimi televiziv i ndeshjes, eventi më i ndjekur i vitit në Shtetet e Bashkuara, do të nisë rreth pesë orë para fishkëllimës së parë, me lidhje direkte edhe nga ky ishull historik, i cili deri në vitin 1963 shërbeu si burg për kriminelë të rrezikshëm , ndërsa sot është muze dhe atraksion turistik. Në transmetim do të marrin pjesë edhe ish-yjet e NFL-së, si Rodney Harrison, dy herë fitues i “Super Bowl”-it me Patriots, si dhe Tony Dungy, po ashtu dy herë kampion: një herë si lojtar me Pittsburgh Steelers dhe një herë si trajner i Indianapolis Colts.

Fakte dhe kuriozitete mbi stadiumin dhe shtetin

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Levi’s” në Santa Clara, Kaliforni, shtëpia e San Francisco 49ers.

Kjo është hera e dytë që “Levi’s Stadiums” pret një Super Bowl. Hera e parë ishte 10 vite më parë, Super Bowl 50, kur Denver Broncos mposhtën Carolina Panthers 24-10.

Ky është Super Bowl i 14-të i mbajtur në shtetin e Kalifornisë. Vetëm Florida (17) ka pritur më shpesh.

Fakte dhe kuriozitete mbi Patriots vs Seahawks

Patriots marrin pjesë në Super Bowl për herë të 12-të, më shumë se çdo ekip tjetër. Në fakt, asnjë ekip tjetër nuk ka më shumë se tetë paraqitje. New England është në kërkim të fitores së shtatë në Super Bowl, e cila do t’i lejonte që të kalonin Pittsburgh Steelers.

Dhjetë nga 12 paraqitjet e New England në Super Bowl kanë ardhur që nga viti 2000. Asnjë ekip tjetër nuk është paraqitur në më shumë se pesë Super Bowl gjatë kësaj periudhe.

New England është skuadra e parë që arrin në Super Bowl pasi ka humbur 13 ose më shumë ndeshje sezonin e kaluar.

Seahawks janë në Super Bowl-in e tyre të katërt, të tri finalet e tyre kanë ardhur pas vitit 2006. Bilanci i tyre në këto finale është negativ pasi mundur të fitojnë vetëm një herë.

Protagonistët e Super Bowl LX janë të njëjtët e Super Bowl XLIX. Atë ndeshje Patriots fituan 28-24, edhe pse ishin në disavantazh të dhjetë pikëve.

Kjo është finalja e 10-të e Super Bowl në historinë e NFL-së e cila luhet mes këtyre dy ekipeve, të cilat janë ndeshur më parë me njëra-tjetrën në aktin e fundit. Fituesit e takimeve të para kanë mundur që të fitojnë plot gjashtë herë edhe në takimet e dyta.

The post Finalja e 60-të e Super Bowl në NFL appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protokolli i vitit 1958 mes Shqipërisë dhe Greqisë për sigurinë detare

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Më 8 shkurt 1958 në Sarandë u nëshkrua protokolli për minat në Kanalin e Korfuzit.

Protokolli i 8 shkurtit 1958 midis Shqipërisë dhe Greqisë erdhi si pasojë e Incidentit të Kanalit të Korfuzit të vitit 1946, ku anijet britanike u përfshinë në dy incidente: fillimisht u qëlluan nga artileria bregdetare shqiptare dhe më pas u goditën nga mina detare, duke shkaktuar 44 viktima. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli Shqipërinë përgjegjëse për pasojat e incidentit, por qeveria shqiptare nuk e njohu këtë vendim.

Minat që gjendeshin në Kanalin e Korfuzit që prej Luftës së Dytë Botërore, nisën të spastroheshin sipas koordinatave të përcaktuara të ujërat territoriale të Shqipërisë dhe të Greqisë, bazuar në një protokoll dypalësh të nënshkruar më 8 shkurt 1958. Në emër të qeverisë së RPSH-së nënshkroi kapiteni i rangut të parë të Marinës, Abdi Mati, ndërsa për palën greke nënshkroi i barazvlefshmi i tij, Emanuel Dhimotaqis.

Protokolli i nënshkruar u përpilua në përputhje me disa konventa që parashikonin marrëveshje të kësaj natyre, sikurse ishin: Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale dhe Konventa mbi detin e hapur. Për një periudhë afro katërmujore, prej datës 15 mars deri më 7 korrik 1958, secila prej palëve kreu punimet sipas detyrimeve. Pas përfundimit të kësaj kohështrirjeje, prej datës 30 korrik e deri më 2 gusht, përfaqësues të qeverisë shqiptare, së bashku me homologët e tyre në kabinetin grek, u mblodhën në qytetin e Sarandës për të shqyrtuar punimet e kryera.

Në një deklaratë të tyren të përbashkët, ata komunikuan nënshkrimin e një protokolli përfundimtar, i cili do të mundësonte që duke filluar nga mesdita e datës 4 gusht 1958, Kanali i Korfuzit të ishte “i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë mbeteshin të tensionuara për shkak të “gjendjes së luftës”, si dhe për pretendimet territoriale greke. Megjithëse mungonin marrëdhëniet diplomatike dhe të dyja vendet i përkisnin blloqeve ushtarake kundërshtare, NATO dhe Traktatit të Varshavës, nevoja për një lundrim të sigurt në Kanalin e Korfuzit i shtyu ato drejt bashkëpunimit teknik dhe nënshkrimit të Protokollit më 8 shkurt 1958.

Gjatë muajve mars–korrik, të dyja vendet çminuan ujërat e tyre territoriale dhe më 4 gusht 1958 kanali u hap zyrtarisht.

The post Protokolli i vitit 1958 mes Shqipërisë dhe Greqisë për sigurinë detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova përfaqësohet me dy skiatorë në Olimpiadën Dimërore Milano-Kortina

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSH/ Kosova do të jetë përsëri pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore, këtë herë në Milan – Cortina 2026, që kanë nisur sot, me 6 shkurt deri me 22 shkurt, duke u përfaqësuar nga dy skiatorët, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.

Kokaj do të regjistrojë debutimin e tij olimpik, ndërsa për Kryeziun kjo do të jetë paraqitja e dytë në Lojërat Olimpike, pasi ajo ka përfaqësuar Kosovën edhe në “Pekin 2022”.

Datat që do të performojnë skiatorët e Kosovës do të jenë 12, 15, 16 dhe 18 shkurt.

Kjo paraqitje do të jetë e treta për Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, ku të dy sportistët do të garojnë në disiplinën e skive alpine. /KosovaPress/

The post Kosova përfaqësohet me dy skiatorë në Olimpiadën Dimërore Milano-Kortina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Semire Dauti përfaqësuese e flamurit kuqezi në Milan-Cortina 2026

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Semire Dauti është një nga tri skiatoret e ekipit shqiptar, që së bashku me Lara Colturi-n dhe Lisa Brungën do të përfaqësojnë Shqipërinë në skitë alpine në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Milano-Kortina, që nisin pas dy ditësh.

Semire Dauti raportohet të jetë 18 vjeçe, duke e bërë atë një nga sportistet premtuese të Team Albania për Lojërat e 2026‑ës.

Ajo njihet si një talent me perspektivë në skitë alpine dhe bën pjesë në grupin e vogël, por në rritje, të sportistëve shqiptarë në këtë disiplinë.

Listimet zyrtare për kualifikim në Lojërat Olimpike 2026 tregojnë se Semire Dauti është e kualifikuar për garat e skive alpine, me pikë FIS të regjistruara për downhill, sllallom, sllallom gjigant dhe Super‑G.

Semire është pjesë e ekipit të skive alpine të Shqipërisë për Lojërat Olimpike 2026, një hap i rëndësishëm për sportet dimërore shqiptare, ndërsa vendi rrit numrin e sportistëve të tij në garat ndërkombëtare.

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026 (6-22 shkurt) Shqipëria do të përfaqësohet nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

The post Semire Dauti përfaqësuese e flamurit kuqezi në Milan-Cortina 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Kategoria Superiore mbylli pasditen e së dielës Javën e 22-të me dy ndeshjet e fundit, ku Vllaznia dhe Tirana dolën triumfuese në transfertat respektive.

Në stadiumin “Niko Dovana”, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Teutës, duke vijuar momentin pozitiv dhe duke kryesuar tashmë e vetme renditjen me 42 pikë, tre më shumë se Egnatia dhe AF Elbasani. Shkodranët gjetën rrugën e rrjetës që në pjesën e parë dhe më pas administruan avantazhin deri në fund të takimit.

Në “Egnatia Arena”, Tirana arriti një sukses të rëndësishëm 1-0 përballë kampionëve në fuqi të Egnatias. Një fitore me peshë për bardheblutë, që vazhdojnë serinë pozitive dhe ngjiten në vendin e nëntë me 20 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të tetë.

Takimet e së shtunës u mbyllën me barazime. Përballja mes Vorës dhe Flamurtarit përfundoi 0-0, në një ndeshje të luftuar dhe të balancuar. Barazim 2-2 u regjistrua edhe në “Arena e Demave” mes Partizanit dhe AF Elbasanit, në një sfidë me ritëm të lartë dhe gola nga të dyja skuadrat.

Pa gola u mbyll edhe takimi mes Dinamo City dhe Bylisit në stadiumin “Air Albania”, ku të dyja ekipet ndanë nga një pikë pas një përballjeje të fortë.

Abissnet Superiore Java 22
1 nga 2

The post Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muaji shkurt nis me mot të paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëborë

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ditën e diel vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, kryesisht në pjesën e parë të ditës, njofton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente që në orët e para të 24-orëshit me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, e lokalisht shtrëngata afatshkurtra në jug.

Gjatë orëve të mesditës e pasdites reshjet e shiut parashikohen të karakterit lokal, me ndërprerje dhe me intensitet të ulët, në verilindje e jug të vendit, ndërsa pas orëve të pasdites parashikohet ndërprerje e reshjeve në të gjithë vendin.

Në Alpe dhe relievet malore verilindje-juglindje mbi 600-800 metra, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të jetë me drejtim kryesor nga kuadrati i lindjes me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare. Në zonat luginore era do të jetë me shpejtësi deri në 15 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 9/10 Diell re shi
Kukës 4/6 Diell re shi/borë
Lezhë 9/10 Diell re shi
Dibër 3/6 Diell re shi/borë
Durrës 9/11 Diell re shi
Tiranë 9/11 Diell re shi
Elbasan 8/10 Diell re shi
Berat 4/12 Diell re shi
Vlorë 6/12 Diell re shi
Korçë 1/7 Diell re shi/borë
Gjirokastër 4/14 Diell re shi
Sarandë 9/14 Diell re shi

 

The post Muaji shkurt nis me mot të paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëborë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VAR anulon golin e vetëm, Dinamo e Bylis ndajnë nga një pikë

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Ndeshja mes Dinamo City-t dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 22-të të Superiores është mbyllur në një barazim pa gola në përballjen që dy skuadrat zhvilluan në “Air Albania”.

Pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja ekipet asnjë nuk e gjeti rrugën e golit.

Të vetmin “gol” të shënuar, VAR e anuloi. Në minutën e 67-të Neziri nga e majta bën një veprim spektakolar duke kaluar në fundore, pasimi i tij gjen Koma i cili çon sferën në rrjetë. Por goli më pas anulohet pasi topi kishte dalë jashtë vijës fundore.

Ky është barazimi i tretë ditën sotme, pas atyre të Vora-Flamurtari dhe Partizani-Elbasani.

Me pikën e marrë sot Dinamo City shkon në kuotën e 34 pikëve, ndërsa Bylisi në atë të 20 pikëve, një pikë nga vendi i parafundit.

Nesër në orën 16:30 do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të Javës së 22-të të Superiores, Teuta-Vllaznia dhe Egnatia-Tirana.

The post VAR anulon golin e vetëm, Dinamo e Bylis ndajnë nga një pikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani debuton te Beshiktash, jep asist dhe del me karton të kuq

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Kristjan Asllani ka bërë sot një debutim të pazakontë në radhët e skuadrës së Beshiktashit, në Superligën turke.

Mesfushori i kombëtares shqiptare e nisi takimin ndaj Koniaspor nga stoli, në një ndeshje ku skuadra e tij po vuante. Ndaj trajneri vendosi ta hidhte në fushë në minutën e 76-të të takimit, kur shifrat ishin 1-1.

Mesfushorit iu deshën pak sekonda lojë për të lënë shenjën e tij, pasi me një harkim nga e djathta e çoi topin te Kokçu, i cili shënoi golin e avantazhit 2-1.

Por, debutimi i pabesueshëm do të vazhdonte vetëm dy minuta më vonë me episodin e radhës, kur Asllani kreu një faull pranë zonës së tij, teksa po mundohej të dilte në kundërsulm.

Gjyqtari fillimisht dha vetëm goditje dënimi, por u ftua nga VAR të shihte pamjet dhe aty nuk hezitoi t’i tregonte kartonin e kuq, duke e larguar menjëherë nga fusha.

Për fatin e mirë të Asllanit, shifrat nuk ndryshuan më dhe Beshiktashi fitoi me rezultatin 2-1.

Beshiktashi prezantoi dje, me një postim në rrjetet sociale, transferimin e ri, mesfushorin kuqezi Kristjan Asllani. Videoja e publikuar nga klubi bardhezi, me fjalët e Asllanit, tërhoqi vëmendjen e tifozëve. Asllani e shprehu motivimin e tij për Beshiktashin me fjalët: “Kam lindur shqiponjë, është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë. Do ta tregoj këtë. Kam lindur për të fluturuar. Jam krijuar për të luftuar. Pa frikë. Pa justifikime. Me zemër, me përqendrim maksimal. Kam lindur shqiponjë. Gjithmonë shqiponjë”.

Mesfushori 23-vjeçar, me origjinë nga Elbasani, nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit tek Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.

Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.

The post Asllani debuton te Beshiktash, jep asist dhe del me karton të kuq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rey Manaj rikthehet te Sivasspor, tifozët e presin me entuziazëm

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Pas mbylli aventurën te Sharjah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, sulmuesi i Shqipërisë Rey Manaj, nuk ka humbur kohë dhe ka zgjedhur destinacionin e ri.

Ashtu siç ishte paralajmëruar që ditën e premte, sulmuesi i kombëtares u bashkua sërish me Sivassporin, nga ku u largua për të provuar eksperiencën arabe.

Pasditen e kësaj të shtune ai mbërriti në qytetin e Sivas për t’iu bashkuar skuadrës së tij dhe tifozët i kishin rezervuar sulmuesit kuqezi një pritje të zjarrtë. Manaj i qeshur në fytyrë u ndal për t’i përshëndetur tifozët e madje dha autografë e bëri edhe foto selfie me ta.

Rei Manaj është pritur si hero nga tifozët e Sivasporit. Rikthimi i tij ka parë qindra tifozë, që të zhvendoseshin në aeroport.

FIFA zhbllokoi merkaton e klubit turk vetëm dy ditë më parë. Kështu Manaj do të jetë i gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit, pasi vendosi të ndajë rrugët me Sharjah.

Manaj kishte kërkuar dy mijë tifozë në aeroport për rikthimin e tij. Për pjesën e mbetur të këtij sezoni, objektivi kryesor i ekipit në fjalë do të jetë ngjitja në Superligën turke, pasi ndodhen në Ligën e Parë.

The post Rey Manaj rikthehet te Sivasspor, tifozët e presin me entuziazëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lumir Abdixhiku mbetet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

PRISHTINË, 31 janar /ATSH/ Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. KosovaPress njofton se 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.

Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut – Po, Jo”.

LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

The post Lumir Abdixhiku mbetet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌