Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Chelsea në bisedime për transferimin e mbrojtësit francez për 50 milionë funte



Chelsea ndodhet në negociata për transferimin e qendërmbrojtësit të Rennes, Jeremy Jacquet.

Talenti 20-vjeçar i përfaqësueses franceze U21 ka tërhequr interes të madh me paraqitjet e tij këtë sezon.

“Blutë” raportohet se janë të gatshëm të paguajnë rreth 50 milionë funte, megjithatë Rennes po kërkon 55 milionë funte, çka ka krijuar një ngërç në bisedime mes dy klubeve.

Jacquet ka qenë titullar i rregullt gjatë këtij edicioni, duke lënë mbresa me forcën në fazën mbrojtëse dhe aftësinë për të avancuar topin nga prapavija. Ai ka kontratë me klubin francez deri në vitin 2029.

Chelsea e sheh Jacquet si një investim dhe opsion afatgjatë për repartin defensivë, ndërsa Rennes mbetet i vendosur të sigurojë vlerën maksimale për një nga talentet më premtues në zhvillim. /Telegrafi/

Carrick e ndalon largimin e yllit të skuadrës gjatë janarit



Sipas Fabrizio Romano, Kobbie Mainoo do të qëndrojë te Manchester United edhe gjatë këtij muaji, pavarësisht se më herët kishte shprehur dëshirën për t’u larguar në formë huazimi.

Mesfushori 20-vjeçar ishte lënë jashtë planeve nga Ruben Amorim, por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Michael Carrick në krye të skuadrës.

Mainoo u aktivizua si titullar në ndeshjen e tij të parë në Premier League nën drejtimin e Carrick dhe shkëlqeu në fitoren 2-0.

Manchester United nuk ka qenë kurrë plotësisht i bindur për idenë e largimit të talentit të ri, megjithatë do ta kishte konsideruar me hezitim një huazim vetëm në rast se ai do të mbetej vazhdimisht në stol.

Tani, klubi nga Liga Premier nuk ka asnjë arsye për të lejuar largimin e Mainoo, i cili gëzon besimin e plotë të Carrick.

Ky zhvillim vjen si një goditje për Napolin dhe klubet e tjera të interesuara, të cilat kishin pyetur për një huazim të mundshëm. /Telegrafi/

De Rossi i beson, talenti shqiptar debuton si 18 vjeçar në Serie A



Parma dhe Genoa ka qenë ndeshja e parë e ditës së diel në Serie A, teksa pas 90 minutave sfida u mbyll pa gola 0-0.

Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, por që në fund nuk solli fitues.

Megjithatë këtë ndeshje do ta mbajë gjatë në mend talenti shqiptar Joi Nuredini. Sulmuesi i talentuar shqiptar ka bërë debutimin e tij në Serie A me fanellën e Genoas.

🔁89'| Nel Genoa dentro Nuredini al posto di Colombo#ParmaGenoa 0⃣-0⃣
— Genoa CFC (@GenoaCFC) January 18, 2026

18-vjeçari është një nga futbollistët më të mirë të ri të Genoas, derisa legjenda italiane, Daniele De Rossi që është në stolin e Genoas i ka besuar atij duke i dhënë debutimin në Serie A.

Nuredini u fut në ndeshje në minutën e 88-të, derisa luajti deri në minutën e 94-të.

Sulmuesi i talentuar është pjesë e Kombëtares U19 të Shqipërisë, derisa është produkt i Akademisë së Genoas. /Telegrafi/

Senegali apo Maroku, kush do të jenë mbretërit e rinj të Afrikës?



Maroku dhe Senegali do të përballen sonte në finalen e madhe të Kupës së Kombeve të Afrikës, në një duel që pritet të dhurojë spektakël.

Finalja që do të zhvillohet në Rabat vë përballë dy përfaqësueset që kanë treguar më shumë gjatë gjithë turneut dhe, cilado skuadër që do të triumfojë, do ta meritojë plotësisht titullin.

Maroku, si vend organizator i këtij edicioni, e mbylli fazën e grupeve me shtatë pikë dhe më pas eliminoi Tanzaninë, Kamerunin dhe Nigerinë në fazën eliminatore, duke konfirmuar ambiciet për trofeun.

Edhe Senegali pati një rrugëtim të ngjashëm, duke grumbulluar shtatë pikë në fazën e grupeve, përpara se të linte pas Sudanin, Malin dhe Egjiptin në fazat vendimtare.

Edhe pse të dyja përfaqësueset janë të njohura për lojën ofensive dhe së bashku kanë shënuar 21 gola në turne, pritet që finalja në stadiumin “Prince Moulay Abdallah” të zhvillohet me kujdes të shtuar nga të dyja palët.


Maroku mbështetet kryesisht te dyshja sulmuese Brahim Díaz dhe Ayoub El Kaabi. Díaz është golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, ndërsa El Kaabi ka realizuar tre.

Nga ana tjetër, Senegali ka shpërndarë në mënyrë më të balancuar golat e tij. Nga 12 golat e shënuar, Sadio Mané ka realizuar tre, ndërsa Nicolas Jackson, Pape Gueye dhe Chérif Ndiaye kanë kontribuar me nga dy gola secili.

Të dyja kombëtaret synojnë titullin e tyre të dytë në Kupën e Kombeve të Afrikës. Maroku do ta fitonte trofeun pas një pritjeje prej 50 vitesh, ndërsa Senegali ishte kampion i kontinentit në vitin 2021.

Finalja mes Marokut dhe Senegalit do të luhet sonte në Rabat, me fillim nga ora 20:00. /Telegrafi/

Prishtina e nis me fitore fazën përgatitore, shkëlqen transferimi i janarit



Skuadrat kosovare kanë zbarkuar në qytetin bregdetar turk të Antalyas, ku po zhvillojnë fazën përgatitore në prag të nisjes së sezonit pranveror.

Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë fazë, duke regjistruar fitore në ndeshjen e parë miqësore ndaj skuadrës nga Superliga e Çekisë, Banik Ostrava.

Kryeqytetasit treguan forcë dhe karakter përballë rivalit çek, duke triumfuar me rezultat 3-2 pas një paraqitjeje bindëse.

Sulmuesi Marijo Ilievski ishte ndër më të dalluarit, duke kontribuar me një gol dhe një asistim, ndërsa paraqitje shumë të mirë pati edhe transferimi i janarit, boshnjaku Harun Karic, i cili arriti të shënojë një gol.

Goli i parë i sfidës u realizua nga talenti Dren Zeqiri, i cili konfirmoi potencialin e tij edhe në këtë përballje.

Trajneri Afrim Tovërlani u dha minuta loje të gjithë futbollistëve të grumbulluar, ndërsa Prishtina dëshmoi se është në rrugën e duhur, duke treguar forcë dhe organizim ndaj një kundërshtari të fortë. /Telegrafi/

Perez e do te Reali, vjen përgjigja nga Jose Mourinho



Trajneri i Benfikës, José Mourinho, ka hedhur poshtë kategorikisht thashethemet që e lidhin atë me një rikthim të mundshëm te Real Madridi.

Së fundmi, disa raportime kanë pretenduar se presidenti i “Los Blancos”, Florentino Pérez, po shqyrton mundësinë e rikthimit të trajnerit portugez për një mandat të ri në stolin madrilen, por këto spekulime janë mohuar nga vetë Mourinho.

Special One e ka quajtur këtë si 'telenovelë' dhe ka hedhur poshtë mundësinë të marrë drejtimin e Realit.

“Mos u mbështetni tek unë për telenovela. Ka telenovela të mira, por janë shumë të gjata; nëse humbisni një ose dy episode, pastaj humbisni gjurmët. Mos u mbështetni tek unë, sepse unë nuk shikoj telenovela”, u shpreh ish-trajneri i Chelseat.

Trajneri portugez drejtoi Real Madridin për tre sezone, nga viti 2010 deri më 2013.

Pas aventurës me madrilenët, Mourinho ka qenë në krye edhe të Chelsea-t, Manchester United-it, Tottenham Hotspur-it, Romës, Fenerbahçes dhe aktualisht të Benfikës. /Telegrafi/

Muriqi flet për het-trikun ndaj Bilbaos dhe të ardhmen e tij



Vedat Muriqi është futbollisti i momentit te Mallorca, por edhe i javës padyshim në La Liga pas het-trikut ditën e shtunë ndaj Athletic Bilbao.

Futbollisti i RCD Mallorca, Vedat Muriqi, i cili shënoi një tregolësh në fitoren 3-2 kundër Athletic Club, ka konfirmuar se ndihet i lumtur në ishull dhe ka zbuluar se drejtori sportiv, Pablo Ortells, i kishte thënë se nuk do ta shiste.

“Jam i lumtur këtu, kam një kontratë dhe gjërat janë ashtu siç janë. Nëse një sulmues shënon shumë gola, natyrisht do të vijnë oferta, por unë jam i lumtur këtu dhe klubi ka vendosur për të ardhmen time", tha Muriqi pas ndeshjes, që shënoi tregolëshin e tij të parë me Mallorcën.

Reprezentuesi kosovar ka zbuluar edhe bisedën që kishte me drejtorin sportiv të Mallorcas.

“Fola me Pablo Ortells dy ditë më parë dhe i lashë vendimin në dorë të tij. I thashë se nuk mund të flisja për negociata sepse sapo kishim rinovuar kontratat tona. Nëse klubi do të shpëtohej nga paratë e shitjes sime, atëherë ai duhet ta vendoste, por ai tha jo dhe unë jam i lumtur këtu”, vazhdoi tutje Muriqi.

Prizrenasi shkëlqeu me tre gola ndaj Bilbaos dhe shprehet shumë i lumtur me golat e shënuar.

“Jam shumë i lumtur. E dija që isha në një seri të mirë, por kjo nuk mjaftonte për të fituar ndeshjet. Tregolëshi im i parë me Mallorcën dhe tre pikët e fituara janë edhe më të rëndësishme”.

“Gjatë gjithë javës kemi folur për këtë, kemi rikthyer atë që na ka munguar të gjithëve – një ekip që lufton për çdo top. Kështu fitohen ndeshjet. I dimë gabimet tona, dhe këto tre pikë do të na ndihmojnë të përmirësojmë renditjen tonë", përfundoi ylli dardan. /Telegrafi/

Florent Hadergjonaj, lideri kosovar i Alanyaspor: Golat, asistimet dhe ndikimi në çdo ndeshje



Florent Hadergjonaj po kalon sezonin e tij të tretë në qytetin bregdetar turk, Alanya, ku me profesionalizëm dhe përkushtim po mbanë fanellën e Alanyaspor.

Mbrojtësi i djathtë kosovar është duke kaluar një formë të jashtëzakonshme këtë sezon, duke kombinuar stabilitetin dhe sigurinë në defensivë me kreativitet dhe impakt në sulm.

31-vjeçari ka zhvilluar 17 ndeshje deri më tani këtë edicion, duke kaluar një periudhë lëndimi dhe duke treguar një rikthim të fortë.

Hadergjonaj ka kontribuar drejtpërdrejt në shtatë gola, duke shënuar katër herë dhe duke asistuar tre të tjerëve, duke treguar se është një lojtar kyç në të dyja fazat e lojës.

Në ndeshjen e fundit të Kupës së Turqisë, Hadergjonaj shkëlqeu duke shënuar dy gola ndaj Karagumruk në barazimin 2-2 të Alanyaspor.

Forma e tij e lartë dhe performancat e vazhdueshme e bëjnë atë një nga futbollistët më të vlerësuar të skuadrës, dhe padyshim një aset të pazëvendësueshëm për përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, para ndeshjeve vendimtare të muajit mars.

Në verë, Hadergjonaj kishte oferta të shumta, por vendosi të vazhdojë kontratën me Alanyaspor deri në vitin 2027, duke treguar besnikëri dhe dashuri për klubin. Ish-anëtari i Young Boys, Ingolstadt, Huddersfield dhe Kasimpasa ka zhvilluar deri më tani 87 ndeshje me Alanyasporin, duke regjistruar 11 gola dhe 11 asistime – statistika që flasin shumë për ndikimin e tij në skuadër.

- YouTube www.youtube.com

Forma e Hadergjonajt, profesionalizmi i tij dhe aftësia për të bërë diferencën në çdo ndeshje e bëjnë atë jo vetëm një nga lojtarët më të respektuar të klubit, por edhe një figurë inspiruese për të rinjtë që ndjekin futbollin dhe talentin kosovar në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

Carrick e quan Old Trafordin si vend magjik: Duam t'i japim suksese tifozëve



Manchester United ka arritur një fitore spektakolare duke mposhtur rivalin lokal, Manchester Cityn, me rezultat 2-0 në Old Trafford.

Megjithatë, tre gola të tjerë të Djajve të Kuq iu anuluan gjatë ndeshjes.

Trajneri i përkohshëm i Man Utd, Michael Carrick, shprehu kënaqësinë e tij për performancën e skuadrës dhe e përshkroi Old Traffordin si një vend magjik.

“Është aq afër sa mund të kishim shpresuar. E thashë të premten se Old Trafford mund të jetë një vend magjik, dhe sigurisht që ishte ndaj Cityt. Të gjithë e ndjemë këtë,” tha Carrick.

“Kam pasur një ndjesi të veçantë gjatë ditëve të fundit, dhe veçanërisht para ndeshjes, se si lojtarët ishin të vendosur dhe të motivuar për të ndjerë atë atmosferë. Ne duam t’u japim sukses dhe emocione tifozëve, dhe e ndjeva vërtet këtë para ndeshjes", tha Carrick. /Telegrafi/

A po rrezikohet skijimi nga mungesa e borës? Flet kryetari i Federatës së Skitarisë



Ka pak garues, e as me buxhet nuk qëndron mirë, por Kosova mund të mburret me faktin se në rajon është e para për nga potenciali i hapjes së pistave të skijimit.

Andaj kreu Federatës së Skitarisë së Kosovës, Milaim Kelmendi, është optimist se ky sport ka të ardhme, pavarësisht kostos së lartë që ka ushtrimi i tij. Kelmendi:Kosova, kampione në Ballkan me potencialin e pistave të skijimit.

“Kosova ka potencialin më të madhin në Ballkan sa i përket pistave të skijimit. Do të thotë nuk asnjë shtet përreth nesh potencialin që e ka Kosova. Kështu që ne prapë po e potencoj që kemi arritur ta liçencojmë pistën e skijimit ‘Arxhena’ në Brod tri pista të skijimit, në Brezovicë kemi arritur t’i liçencojmë dy pista të skijimit, do të thotë ku edhe i plotësojnë kushtet, se pse aty hyn në rol edhe lartësia mbidetare ku është starti dhe ku është finishi. Do të thotë këto dy qendra të skijimit i kanë plotësuar kushtet për liçencimin e tyre”, bën të ditur Kelmendi.

Por, a ka Kosova hapësirë për të hapur edhe pista të tjera për skijim?

“Absolut po, do të thotë është Bjeshka e Belegut, është një pjesë e Shalës së Bajgorës atje, është pjesa e Brezovicës, zgjerimi i pjesës së anës së djathtë atje ku më duket që më herët ka filluar edhe të bëhet një studim i fizibilitetit, që pat qenë njëherë një zë që po vijnë disa francezë për investime në Brezovicë. Unë e di që janë bërë do studime atje për ta zgjeruar Brezovicën në anën e djathtë ku edhe lidhet me Prevallën atje. Do të thotë atje janë pista, kishin me qenë pista të jashtëzakonshme edhe më të gjata se këto që janë në Brezovicë”, vijon tutje Kelmendi.

- YouTube www.youtube.com

Vecse, kur bëhet fjalë për përmasat e ushtrimit të këtij sporti, del se Kosova ende është prapa vendeve të tjera, si për nga numri i skitarëve, ashtu edhe i klubeve.

“I kemi të regjistruar diku 18 klube, por 12 prej tyre janë aktiv. Edhe janë aktiv me plot kuptimin e fjalës. Kështu që garues prapë mund të themi që i kemi diku 65-70 garues, po prapë është numër i vogël sa i përket statistikave tona, duke llogaritur edhe vendet që janë më të zhvilluara që i kanë nga 300, 400, 500 garues. Por edhe në ato vende të zhvilluara edhe atje është ekonomia më e mirë, më stabile, por çka është më me rëndësi do të thotë është që e kanë edhe infrastrukturën. E kanë infrastrukturën tamam si duhet, do të thotë që ne na mungon edhe sot ajo. Qysh pas gati 28 viteve që u formuam edhe u bëmë si shtet, do të thotë mungon infrastruktura”, thotë fillimisht Kelmendi.

Por, a mund ta rrezikojnë këtë sport, ndryshimet klimatike dhe mungesa eventuale e borës? Kelmendi siguron se teknologjia moderne ofron alternativa artificiale, që mundësojnë skijim, madje edhe gjatë verës.

"Tani ka dalë edhe metoda më e re e cila do të thotë Serbia e ka arritur e vetmja njëherë e për njëherë në Ballkan që i ka, i ka shtruar tepihat e skijimit. Është një tepih, do të thotë, me fibër, e cila do të thotë mund ta zgjasësh sa të duash kilometra, është e rrëshqitshme edhe është e menaxhueshme me ski. Do të thotë mund në brekë të shkurta, në maicë edhe tërë verën me bërë ski. Kështu që është një kosto tani shumë më e madhe ajo, por unë mendoj që më së pari ne duhet të fokusohemi te skijimi tamam origjinal me borën natyrale, nëse s'kemi atëherë e bëjmë edhe artificialen sepse i patëm mundësinë edhe i kemi mundësitë. Kështu që nëse krejt këto dështojnë do të kalojnë te një gjë tjetër që është artificiale” A do të thotë që nuk rrezikohet? “Jo, absolut jo. Nuk e shoh të rrezikuar”, theksoi Kelmendi.

Kelmendi pranon se skijimi është një sport shumë i shtrenjtë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në numrin e vogël të garuesve.

Ai shpjegon se barrën kryesore financiare e mbajnë familjet, ndërsa përgatitja sezonale e një garuesi kërkon shpenzime të konsiderueshme, çka e bën këtë sport të paarritshëm për shumë fëmijë dhe të rinj. Skijimi mund të quhet “sport i të pasurve”.

“Realisht po, të them të drejtën po, edhe pikërisht këtu e shohim ne mungesën, mangësinë pak edhe të garuesve, do të thotë sepse gjendja financiare edhe te prindërit sepse këtu është familja ajo që ka mundësi ta përballojë...Janë një 30% që janë një mesatare edhe që shpenzojnë për fëmijët e tyre në sportin e skijimit, 70% tjetër janë të pasur. Kështu që këta që janë më të varfër do të thotë s'kanë mundësi absolut për ta zhvilluar sportin e skijimit, me vetë faktin që diku për ta përgatitur një garues tamam si duhet çdo sezon, pa e llogaritur dëmtimin e pajisjeve aty, do të thotë 2500 deri në 3000 euro, megjithatë skija profesionale, do të thotë është sport i shtrenjtë, shumë e vërtetë”, zbulon Kelmendi.

Vecse ky sport sjell përfitime goxha të mëdha për ata që janë të suksesshëm.

“Realisht kur ke sukses atëherë është gjithmonë profitabil edhe ka mundësi të bëhesh edhe milioner prej saj sepse suksesi yt do të thotë të bën të ngritesh atje që më të paktën krejt bota të të afrojë gjithë ata sponzorë, për shembull qysh i ka Shiffrin-i, kjo e Shqipërisë tash që i ka bërë tash veç milionat me sponzorë. Kështu që me momentin që ti arrin kulminacionin, atëherë gjithë sponzorët edhe vijnë lehtë vetë”, tha në fund Kelmendi. Sipas Kelmendit, investimi në potencialin e skijimit, do të hapte rrugë për organizimin në Kosovë të kampionateve ballkanike e evropiane për këtë disiplinë sportive.

Ylli i Realit mes kampionatit turk dhe atij amerikan



Kontrata e David Alabas me Real Madridin skadon në verën e këtij viti dhe për të siguruar minuta të rregullta loje në prag të Kupës së Botës me përfaqësuesen e Austrisë, mbrojtësi po shqyrton seriozisht një largim që gjatë afatit dimëror.

Një klub i Superligës turke tashmë po tenton të veprojë shpejt.

Koha e David Alabas te Real Madridi pritet të përfundojë jo më vonë se vera e ardhshme, kur kontrata e tij aktuale skadon.

Lëndimet e shpeshta, disa prej tyre serioze, e kanë penguar ish-lojtarin e Bayern Munich që të ketë vazhdimësi te “Los Blancos”, duke bërë që ai rrallëherë ta veshë fanellën e bardhë në ndeshje zyrtare.

Megjithatë, 34-vjeçari vazhdon të jetë titullar i rregullt me kombëtaren austriake dhe ka nevojë për më shumë praktikë në nivel klubesh, në mënyrë që të mbetet konkurrues në arenën ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të medias turke Fanatik, Besiktas e ka vënë në shënjestër qendërmbrojtësin dhe tashmë ka nisur negociatat me përfaqësuesit e lojtarit. Kontakti zyrtar me Real Madridin pritet të ndodhë së shpejti, ndërsa klubi nga Stambolli raportohet se është i gatshëm të paguajë një tarifë të vogël transferimi për shërbimet e tij.

Besiktas synon të veprojë me shpejtësi për të kaluar konkurrentët e tjerë në garë, të cilët nuk mungojnë. Përveç Fiorentinës, interesim për Alabën kanë shfaqur edhe disa klube të MLS-së, përfshirë New York City FC dhe Charlotte FC. Ndërkohë, raportohet se agjenti i tij, Pini Zahavi, po e pozicionon lojtarin edhe në tregun e Arabisë Saudite. /Telegrafi/

Xabi Alonso mund të rikthehet në Bundesligë, një klub gjerman po mendon për emërimin e tij



Xabi Alonso është rikthyer në tregun e trajnerëve më herët se sa pritej. Trajneri bask u detyrua të largohej nga posti i tij te Real Madridi vetëm pak ditë më parë, duke u bërë menjëherë një emër shumë i kërkuar në Evropë.

Alonso ishte transferuar te Real Madridi gjatë verës nga Bayer Leverkusen, por aventura e tij në Madrid rezultoi jetëshkurtër. Tashmë shtrohet pyetja: a do të rikthehet ai në Bundesligë?

Sipas Bild, qarkullojnë thashetheme serioze për një transferim të mundshëm te Eintracht Frankfurt. Raportohet se drejtori sportiv i klubit, Markus Krösche, është i interesuar për një takim me Alonson për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.

telegrafi.com

Situata te Eintracht Frankfurt është e ndërlikuar. Trajneri aktual, Dino Toppmoller, ndodhet nën presion të madh pas katër ndeshjeve radhazi pa fitore dhe rënies së skuadrës në vendin e shtatë në tabelë.

Një takim kritik është zhvilluar të shtunën, megjithatë përfundimet e tij nuk janë bërë ende publike.

Sipas burimeve të FT, drejtuesit e Eintracht kishin zhvilluar bisedime edhe me Edin Terzić që në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë, Bild përmend gjithashtu Marco Rose dhe Roger Schmidt si kandidatë të mundshëm për stolin e Frankfurtit. Të tre, ashtu si Xabi Alonso, janë aktualisht pa klub. /Telegrafi/

Spektakël në Teksas, Wembanyama shkëlqen në fitoren e Spurs



Victor Wembanyama realizoi një paraqitje spektakolare me 39 pikë dhe nëntë ribaunde, duke rrëmbyer edhe një ribaund vendimtar ofensiv në sekondat e fundit, për t’i dhënë San Antonio Spurs fitoren dramatike 126-123 ndaj Minnesota Timberwolves, pavarësisht 55 pikëve të jashtëzakonshme të Anthony Edwards.

Një trepikësh i Donte DiVincenzos i dha epërsinë Minnesotës 119-118 një minutë para fundit, por Wembanyama reagoi menjëherë me një gjuajtje nga distanca e mesme në aksionin pasues. Më pas, 13 sekonda para fundit, ai bllokoi një pasim të Joan Beringer, duke ruajtur avantazhin minimal të Spurs.

Kjo fitore ishte tejet e rëndësishme për San Antonion, ku edhe De’Aaron Fox dha kontribut të madh me 25 pikë dhe 12 asistime. Me këtë sukses, Spurs shmangën “spastrimin” në serinë me tre ndeshje ndaj Minnesotës këtë sezon.

Anthony Edwards ishte i jashtëzakonshëm në çerekun e fundit, ku shënoi 26 pikë, duke goditur 5 nga 7 tentime për tre pikë, dhe ishte pranë përsëritjes së skenarit nga përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave.

Më 11 janar, Edwards kishte shënuar një trepikësh vendimtar në sekondat e fundit, pasi Spurs kishin shpërdoruar një epërsi prej 19 pikësh në çerekun e katërt, duke humbur 104-103 në Minnesota.

Sulmi i vonë i Edwards ishte sërish kyç, por këtë herë Spurs kishin ndërtuar një avantazh të fortë më herët. San Antonio vendosi rekordin e vet sezonal në pjesën e parë, duke gjuajtur me 57 përqind nga fusha dhe duke realizuar 48 pikë në çerekun e dytë. Kjo ishte periudha më efikase ofensive e Spurs në një çerek që nga viti 1987 dhe performanca e katërt më e mirë ofensive në një çerek në historinë e klubit.

Wembanyama realizoi 3 nga 5 gjuajtje për tre pikë dhe shënoi 23 pikë në pjesën e parë, duke barazuar rekordin e tij sezonal për pikë të shënuara në një pjesë të vetme.

Ashtu si në përballjen e mëparshme, Timberwolves u rikthyen fuqishëm, duke fituar çerekun e tretë 40:27 dhe duke hapur çerekun e katërt me një seri 9:2. Rikthimi u kurorëzua me një trepikësh nga këndi, pas së cilit Edwards goditi gjoksin nën duartrokitjet e sallës së mbushur.

Wembanyama nuk shënoi në 10 minutat e para të çerekut të tretë, por e mbylli pjesën në mënyrë efektive me një kosh të fuqishëm në fund të aksionit.

Në ndeshjet e radhës, Timberwolves do të udhëtojnë drejt Utah të martën në mbrëmje, ndërsa Spurs do të presin Utah Jazz të hënën në mbrëmje.

Rezultatet:

Dallas – Utah 138:120


- YouTube www.youtube.com

Detroit – Indiana 121:78

New York – Phoenix 99:106

Miami – Oklahoma 122:120

San Antonio – Minnesota 126:123


- YouTube www.youtube.com

Golden State – Charlotte 136:116

Denver – Washington 121:115

Portland – LA Lakers 132:116


- YouTube www.youtube.com

Juventusi përgatitë ofertë për Matetan



Crystal Palace është në pritje të një propozimi zyrtar nga Juventusi për Jean-Philippe Matetën, pas diskutimeve inkurajuese të zhvilluara mes klubit italian dhe përfaqësuesve të sulmuesit.

Sipas Fabrizio Romano, Juventusi po përgatit një ofertë të strukturuar si huazim fillestar, me një klauzolë blerjeje të detyrueshme të përfshirë në marrëveshje.

Vendimi përfundimtar tani i takon Crystal Palace, të cilët pritet të japin përgjigjen e tyre sapo të qartësohet e ardhmja e menjëhershme e trajnerit Oliver Glasner në klub.

Mateta ka qenë një figurë kyçe për Palace dhe çdo lëvizje e mundshme do të varet nga planet sportive të klubit, si dhe nga drejtimi i ardhshëm menaxherial. /Telegrafi/

Dzeko drejt një rikthimi befasues në futbollin gjerman



Schalke 04, që aktualisht kryeson tabelën në Bundesligën e dytë, po synon rikthimin në elitën e futbollit gjerman dhe për këtë arsye po mendon për një goditje të madhe në tregun e transferimeve.

Emri i Edin Dzekos mbetet shumë i njohur për tifozët në Gjermani. Sulmuesi boshnjak ka shkëlqyer më herët me fanellën e VfL Wolfsburg, ku realizoi 85 gola në 142 paraqitje, duke u bërë një nga sulmuesit më të spikatur në historinë e klubit.

Pas aventurës në Bundesligë, 39-vjeçari ka vazhduar karrierën në ligat më të forta evropiane, duke fituar edhe disa trofe të rëndësishëm.

Sipas raportimeve të Sky, Schalke 04 ka nisur bisedimet me sulmuesin e Fiorentinës për një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar dimëror.

Pas barazimit pa gola ndaj Hertha BSC, mediumi gjerman bëri të ditur se diskutimet janë aktive, ndërsa kontrata e Dzekos me klubin italian skadon në verë.

Megjithëse Schalke nuk mund të konkurrojë financiarisht me klubet e tjera të interesuara, gjasat për realizimin e marrëveshjes vlerësohen si “50-50”.

Për të konkretizuar transferimin, klubi gjerman pritet që t’i ofrojë një projekt sportiv bindës, ndërsa Dzeko do të duhet të pranojë një ulje page. Në garë për shërbimet e sulmuesit veteran është edhe Paris FC. /Telegrafi/

Arda Guler donte ta shfrynte zemërimin e tij me një shishe ujë pas humbjes, por e pësoi keq në fund



Barcelona fitoi mbrëmë Superkupën e Spanjës pasi mposhti Real Madridin me rezultatin 3-2 në finalen e zhvilluar në Jeddah.

Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, një moment i Arda Guler u kthye në një nga temat më të përfolura në rrjetet sociale.

Mesfushori i ri i Real Madridit u gjet në qendër të vëmendjes, jo për shkak të paraqitjes së tij në fushë, por për reagimin pas humbjes.

ESTOY LLORANDO CON ARDA GULER 😭😭😭 pic.twitter.com/RP1pd6DUlf
— Jeff (@JeffFcb14) January 11, 2026

Vetëm pak sekonda pas vërshëllimës së fundit, Guler, dukshëm i zhgënjyer, filloi të godiste me shqelm një shishe me ujë pranë stolit, por në atë moment rrëshqiti dhe ra me shpinë.

Pas incidentit, ai u ngrit menjëherë dhe u drejtua drejt dhomës së zhveshjes, duke shpresuar që askush të mos e kishte parë momentin e tij të ngathët.

Megjithatë, e gjithë skena u filmua nga një tifoz nga tribunat dhe videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u bërë virale. /Telegrafi/

Xherdan Shaqiri paralajmëron largimin nga Baseli dhe nuk përjashton kalimin te klubi ku ka blerë aksione



E ardhmja e Xherdan Shaqirit mund të jetë larg Baselit, me yllin më të madh kosovaro-zviceran që nuk e përjashton mundësinë të luajë për Rapperswil Jona, klubin ku tashmë zotëron një pjesë të aksioneve.

Gjatë një interviste të gjatë për “Blick”, Shaqiri ka folur për përfshirjen e tij në klubin zviceran Rapperswil, i cili garon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran.

“Unë nuk jam përfshirë në Rapperswil pa arsye. Kemi plane të mëdha për klubin. Është një hap i mirë për të parë nga afër aspekte të ndryshme të drejtimit të një klubi, por gjithashtu përfshin shumë punë. Mundohem të përcjell çdo ndeshje në shtëpi, kur është e mundur”, ka deklaruar Shaqiri.

telegrafi.com

Ylli kosovar tha se ende nuk e di nëse do të drejtojë ndonjë klub në të ardhmen, por konfirmoi se po punon për t’u pajisur edhe me licencat e trajnerit. Megjithatë, ai është i sigurt se do të mbetet pjesë e futbollit edhe pasi ta përfundojë karrierën si futbollist.

“Ndoshta do të luaj për Rapperswilin edhe vetë. Kjo qartë është një mundësi. Klubi do të jetë 100-vjeçar në vitin 2028. Tani e dini synimin tim për të ardhmen”, ka thënë Shaqiri duke qeshur.

Shaqiri zbuloi gjithashtu se verën e ardhshme planifikon të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndjekur disa nga ndeshjet e Kupës së Botës në futboll, ndoshta edhe finalen. /Telegrafi/

Huffman shkëlqen me dyshifror të dyfishtë dhe shpallet MVP, më të mirët e xhiros së 14-të në Superligë



Java e 14-t e ProCredit Superligës, që shënon edhe fundin e gjysmës së garave solli shumë përballje interesante.

Sfidë emocionuese u zhvillua në Therandë, ku Golden Eagle Ylli fitoi ndaj Rahoveci 029, me vendasit që kishin deri në 24 pikë epërsi, kurse mysafirët ngushtuan shifrat në një pikë, por në momentet vendimtare, therandasit ishin më të mirë për të shënuar fitore shumë të rëndësishme.

Basketbollisti i ndeshjes ishte Brandon Huffman. Qendra e Yllit u dallua me dyshifror të dyfishtë me 25 pikë e dhjetë kërcime. Huffman ishte i pandalshëm, duke u shpallur MVP i ndeshjes dhe javës.

Trepça fitoi derbin ndaj Sigal Prishtinës bindshëm, ku te mitrovicasit më të mirët ishin Mustapha Amzil me 23 pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime dhe Dardan Kapiti me 20 pikë, pesë kërcime dhe dy asistime.

Bora fitoi dramën në Prizren ndaj Bashkimit, ku Alex Hunter shënoi trepikëshin vendimtar, në sekondat e fundit. Hunter e mbylli ndeshjen me 19 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime.

Fitore shumë të rëndësishme shënoi Vëllaznimi ndaj GO+ Pejës, ku te kuqezinjtë u dallua i zakonshmi Jericole Hellems me 21 pikë, një kërcim dhe katër asistime.

MVP

Brandon Huffman (Golden Eagle Ylli) 25 pikë, 10 kërcime, / asistime, 31 indeksi

Top 5

Brandon Huffman (Golden Eagle Ylli) 25 pikë, 10 kërcime, / asistime, 31 indeksi

Mustapha Amzil (Trepça) 23 pikë, 7 kërcime, 3 asistime, 25 indeksi

Dardan Kapiti (Trepça) 20 pikë, 5 kërcime, 2 asistime, 22 indeksi

Alex Hunter (Bora) 19 pikë, 5 kërcime, 3 asistime, 21 indeksi

Jericole Hellems (Vëllaznimi) 21 pikë, 1 kërcim, 4 asistime, 19 indeksi

Yamal publikon pamje që nuk duhej nga dhomat e zhveshjes - Szczesny shihet duke pirë duhan



Lamine Yamal u paralajmërua ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në Instagram festën në dhomën e zhveshjes së Barcelonës pas fitimit të Superkupës.

Sulmuesi anësor spanjoll hyri “Live” në Instagram dhe, në një moment, e ktheu kamerën në anën tjetër të dhomës.

Gjatë transmetimit, Yamal regjistroi Wojciech Szczęsny duke pirë duhan, ndërsa një zë në sfond u dëgjua duke e paralajmëruar: “Kjo nuk mund të regjistrohet”.

🗣️ "ESO NO SE PUEDE GRABAR"

A Lamine Yamal se le apareció Wojciech Szczęsny fumando mientras grababa un Live tras ganar la Supercopa al Real Madrid 😅 pic.twitter.com/iOfAbdsqe5
— ESPN.com.mx (@ESPNmx) January 12, 2026

Szczęsny, i cili nuk ngurron të festojë sukseset e tij në futboll duke konsumuar duhan, e ka pranuar edhe publikisht dashurinë e tij për duhanin.

Edhe pse Yamal e largoi shpejt pamjen, tifozët arritën ta regjistronin momentin, dhe pamjet e Szczęsnyt duke pirë duhan u bënë virale në rrjetet sociale. /Telegrafi/

​Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar personalitetin botëror të sportit, Hasan Arat, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në sportin ndërkombëtar, si dhe të rolit dhe përkushtimit të tij në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Osmani theksoi se Arat ka dhënë kontribut të çmueshëm në promovimin e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kulmuar me angazhimin e tij që Kosova ta fitojë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Nga ana e tij, Arat u shpreh se ndihet i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale, duke shtuar se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, derisa tha se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.

Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare.

Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj.

Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash. /Telegrafi/

❌