Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Dramë te Barcelona, pesë yje kërkojnë sqarime



Barcelona po shkon drejt një situate të ndërlikuar në portë, pavarësisht faktit se ky repart konsiderohet si një nga më të mbuluarit në skuadër, raporton “Diario Sport”.

Transferimi i Joan Garcia ka siguruar të ardhmen, por rikthimet e shumta nga huazimet pritet të detyrojnë klubin të marrë vendime të vështira në fund të sezonit.

Garcia, i cili ka kontratë deri në vitin 2031, konsiderohet qartazi si portieri numër një i së ardhmes së Barcelonës. Brenda klubit pritet që ai ta mbajë këtë rol për shumë vite, duke qenë i vetmi portier me vend të garantuar titullari.

Në anën tjetër, Marc-Andre ter Stegen, i lidhur me kontratë deri në vitin 2028, nuk është më pjesë e planeve të klubit. Barcelona i ka komunikuar portierit gjerman se nuk do të ketë minuta loje, por ai nuk është i gatshëm të largohet, përveçse në rast se i vjen një ofertë bindëse.

Wojciech Szczesny ka rinovuar kontratën edhe për një sezon tjetër, por situata e tij mbetet e paqartë: kontrata mund të ndërpritet ose portieri polak mund të vendosë edhe për pensionim. Ndërkohë, Inaki Pena pritet të rikthehet nga huazimi te Elche, me vlerë të rritur në treg dhe interes nga disa klube.

Po ashtu, edhe Ander Astralaga dhe Aron Yaakobishvili do të kthehen te Barcelona, ndërsa Diego Kochen mund të ketë nevojë për një tjetër huazim për të vazhduar zhvillimin e tij.

Në klub pranojnë se mbipopullimi në portë është një problem real, por njëkohësisht shohin mundësi për të realizuar shitje, të cilat do të ndihmonin në gjenerimin e të ardhurave. Për Barcelonën, zgjidhja e këtij “nyje” në portë do të jetë një nga sfidat kryesore në planifikimin e sezonit të ardhshëm./Telegrafi

Mërgim Vojvoda asiston te supergoli i Nico Paz ndaj Lecce



Mesfushori Nico Paz ka shënuar një eurogol për t’i dhënë epërsinë Comos ndaj Lecces.

Argjentinasi shënoi nga mbi 30 metra distancë, ku goditja e tij u devijua nga mbrojtësi dhe përfundoi brenda rrjetës.

Megjithatë, pasimin tek Paz e bëri ylli i Kosovës Mërgim Vojvoda. Ani pse lojtari argjentinas kreu tërë punën, asisti i numërohet kosovarit.

Për më shumë shikoni golin:

🚨 SERIE A! 🇮🇹

NICO PAZ BREAKS THE DEADLOCK! 🇦🇷

Lecce 0-1 Como

🎥 @TheGoalsZone

pic.twitter.com/t1uF3EAPAP
— Polymarket FC (@PolymarketFC) December 27, 2025

Padyshim kjo do t’i ndihmojë Vojvodës për ta fituar vendin e titullarit, ku këtë herë po luan në pozitën e mesfushorit të djathtë./Telegrafi/

Rayan Cherki hero, Man City me vështirësi fiton ndaj Nottingham Forest



Manchester City ka shënuar fitore të madhe në udhëtim te Nottingham Forest, në kuadër të xhiros së 18-të në Ligën Premier.

“Qytetarët” zhvilluan një tjetër paraqitje solide për të triumfuar me rezultat 1-2.

Nottingham faktkikisht e nisi më mirë, për të rrezikuar me Callum Hudson-Odoi, por nuk e konkretizoi.

Ishte mesfushori Tijjani Reijnders që e zhbllokoi rezultatin pas një asistimi fantastik të Rayan Cherkit (48’).

Sidoqoftë, i menjëhershëm ishte reagimi i vendasve që e barazuan rezultatin falë Omari Hutichnson që e konkretizoi një pasim nga harkimi (54’).

Pavarësisht që u ndjenë në presion, City nuk gaboi për ta rikthyer epërsinë dhe njëkohësisht vulosur fitoren falë Rayan Cherkit, që shënoi supergol nga distanca (83’).

Man City tani rimerr kreun e Ligës Premier me 40 pikë, një mbi Arsenalin që ka një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Nottingham zë vendin e 17-të me 18 sosh./Telegrafi

“Është mundësi”, drejtori i gjigantit arab ia hap zyrtarisht derën afrimit të Vini Jr



Drejtori sportiv i Al-Ittihadit Ramon Planes, ish-zyrtar i Barcelonës, beson se Liga Profesionale e Arabisë Saudite mund të shndërrohet në një destinacion shumë tërheqës edhe për yje të nivelit të lartë si Vinicius Junior i Real Madridit, madje në kulmin e karrierës së tyre.

“Po, e shoh si një mundësi që lojtarë si Vinicius të vijnë këtu në Arabinë Saudite”.

“E shoh ligën duke u zhvilluar dhe është plotësisht e realizueshme që lojtarë të nivelit më të lartë, në kulmin e karrierës së tyre, të luajnë këtu”.

Sipas tij, filozofia e klubeve saudite ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara.

“Tendenca tani është të afrojmë lojtarë në një moshë shumë të mirë për karrierën e tyre futbollistike. Nuk bëhet më fjalë vetëm për futbollistë që janë në fazën përfundimtare të karrierës”.

E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të jetë objekt spekulimesh. Kontrata e tij me Real Madridin skadon në qershor të vitit 2027, por bisedimet për rinovim kanë hasur vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve financiare.

25-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve nga Arabia Saudite, ndërsa situata e tij kontraktuale po ndiqet nga afër. Edhe pse Real Madridi e konsideron brazilianin një pjesë kyçe të projektit sportiv, interesimi nga Lindja e Mesme mbetet real, duke e mbajtur të hapur një skenar që deri pak kohë më parë dukej i pamendueshëm./Telegrafi

Nuk kanë fituar trofe të madh në mbi 20 vite, Saliba entuziazmon tifozët: Sivjet mund ta fitojmë secilën garë



Mbrojtësi qendror i Arsenalit, William Saliba, ka shprehur bindjen se skuadra e tij është e aftë të luftojë për katër trofetë këtë sezon, duke paralajmëruar bashkëlojtarët se historia nuk do t’i mbajë mend nëse nuk e mbushin vitrinën me trofe.

Arsenali e kaloi Krishtlindjen në krye të tabelës së Ligës Premier për herë të tretë në katër vitet e fundit, por ende kërkon ta hedhë hapin final dhe ta fitojë realisht titullin nën drejtimin e Mikel Artetës.

Pavarësisht punës mbresëlënëse të trajnerit spanjoll, ai ka vetëm një trofe madhor në CV-në e tij si trajner i “Topçinjve”, FA Cup të sezonit 2019/20.

Një nga kritikat më të shpeshta ndaj këtij Arsenali ka qenë paaftësia për ta mbyllur me sukses garën në momentet vendimtare, por Saliba beson se ky sezon do të jetë ndryshe.

Fitimi i katër trofeve në një sezon nuk është arritur kurrë në futbollin anglez. Manchester United (1998/99) dhe Manchester City (2022/23) kanë fituar nga tre trofe, por Saliba pranon se guxon të ëndërrojë që Arsenali të bëhet skuadra e parë që e realizon këtë sukses historik.

“Sigurisht që mund t’i fitojmë disa trofe, sepse në çdo kompeticion ku luajmë, e dimë që kemi potencial për ta fituar”.

“Ne kemi qenë shumë pranë titullit në Ligën Premier në tre sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar ishim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe të Kupës së Ligës, kështu që e dimë se mund të fitojmë çdo garë”.

Arsenali ka ndërtuar me meritë reputacionin e një prej skuadrave më të mira në Evropë, por për Salibën kjo nuk mjafton pa trofe konkretë. Francezi nuk ishte pjesë e skuadrës që fitoi FA Cup pesë vite më parë dhe deri tani ka vetëm dy Superkupa të Anglisë.

Fitimi i trofeve ishte një nga arsyet kryesore pse ai vendosi të rinovojë kontratën me Arsenalin në shtator.

“Duhet ta tregojmë këtë në fushë dhe duhet të fillojmë të fitojmë trofe tani”.

“Jemi në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, kanë mbetur edhe tri ndeshje për ne dhe duhet ta bëjmë punën në janar kundër Chelseat. Do të jetë një ndeshje e madhe, një derbi i madh, prandaj duhet të vazhdojmë përpara. E dimë që jemi afër dhe duhet të nxjerrim mësime nga sezoni i kaluar”.

“Në fund të karrierës numërohen trofetë. Kupa e Ligës është një prej tyre dhe tani që jemi në gjysmëfinale, sigurisht që duam ta fitojmë këtë kompeticion, ashtu si çdo garë ku marrim pjesë”./Telegrafi

Ylli i Man Cityt kërkon kalimin te Barcelona



Mbrojtësi Nathan Ake është i hapur për t’u larguar nga Manchester City gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa Barcelona po e ndjek nga afër situatën e tij, raporton “Mundo Deportivo”.

Ylli holandez ka dalë si një nga objektivat e klubit katalunas për merkaton dimërore, me Barcelonën që synon të përforcojë repartin defensiv.

Nevoja është shtuar edhe më shumë pas lëndimit afatgjatë në ligamentin kryesor të gjurit së Andreas Christensen, si dhe pas pasigurisë rreth Ronald Araujo, për shkak të problemeve të tij të shëndetit mendor.

Ake ka rënë ndjeshëm në hierarkinë e Pep Guardiolës te Manchester City. 30-vjeçari ka qenë titullar vetëm dy herë në 10 ndeshje të kombinuara në Liga Premier dhe Ligën e Kampionëve, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rolin e tij brenda skuadrës.

Holandezi dëshiron të rikthehet te minutat e rregullta, me synimin për të siguruar një vend në kombëtaren e Holandës të drejtuar nga Ronald Koeman, në prag të Kupës së Botës 2026.

Sipas raportimeve, Barcelona po shqyrton mundësinë që ta transferojë Aken në formë huazimi, me një opsion blerjeje në fund të sezonit. Një lëvizje e tillë do t’i ofronte lojtarit vazhdimësi, ndërsa Barcelonës një zgjidhje të menjëhershme për mbrojtjen në një moment delikat të sezonit./Telegrafi

Igli Tare e sheh si të pazëvendësueshëm, AC Milani përgatit kontratën e re për yllin e skuadrës



AC Milani vazhdon të shpresojë se do ta blindojë portierin Mike Maignan me një kontratë të re, ndërsa raportimet nga “La Gazzetta dello Sport” bëjnë të ditur se kuqezinjtë kanë paraqitur një ofertë të përmirësuar për francezin.

Maignan, i cili ka zhvilluar 181 paraqitje zyrtare me fanellën e Milanit gjatë katër viteve e gjysmë të fundit, ndodhet tashmë në vitin e fundit të kontratës së tij në “San Siro”, e cila përfundon në fund të sezonit 2025/26.

Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri ende nuk ka arritur një marrëveshje përfundimtare me portierin 30-vjeçar, situatë kjo që ka vënë në alarm disa nga klubet më të mëdha të Evropës. Sipas raportimeve të fundit, në garë janë futur emra si Chelsea, Paris Saint-Germain dhe madje edhe Juventusi.

“La Gazzetta dello Sport” raporton se Milani po “bën gjithçka që mundet” për ta bindur Maignan që të zgjasë kontratën, ndërsa në klub mbizotëron optimizmi se portieri francez do të vendosë të firmosë marrëveshjen e re.

Raportet e publikuara gjatë festave të fundvitit bëjnë të ditur se Milani i ka ofruar Maignan një kontratë të re me vlerë rreth 7 milionë euro neto në sezon, përfshirë bonuset.

Me këtë pagë, Maignan do të renditej në të njëjtin nivel me Rafael Leaon, si lojtari më i paguar i klubit. Kontrata e re do të ishte e vlefshme deri në vitin 2029 ose 2030.

Megjithatë, thuhet se kërkesa e portierit francez nis nga 7.5 milionë euro neto në sezon, çka vazhdon të mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes mes palëve.

Në rast se Milani nuk arrin ta bindë Maignan për të rinovuar, në skenë janë shfaqur edhe alternativa. Sipas mediave italiane, klubi po monitoron portierin e Corinthians dhe të kombëtares së Brazilit, Hugo Souza./Telegrafi

Raheem Sterling nuk largohet nga Liga Premier, dy rivalët e kërkojnë me ngulm



Sulmuesi Raheem Sterling po lufton për të shpëtuar karrierën në Ligën Premier, teksa Fulhami dhe Crystal Palace po shfaqen si dy rrugët e vetme realiste për rikthimin në elitën e futbollit anglez.

Në moshën 31-vjeçare, reprezentuesi anglez është gjetur në periferi të futbollit, ndërsa afati kalimtar i janarit paraqet një mundësi vendimtare për ta ringjallur sezonin dhe karrierën. Sterling nuk ka luajtur asnjë minutë këtë edicion dhe nuk bën pjesë në planet e trajnerit Enzo Maresca te Chelsea.

Situata e tij në “Stamford Bridge” është edhe më domethënëse, pasi ai nuk ka as faqe profili në ueb-faqen zyrtare të klubit. Pjesën më të madhe të sezonit e ka kaluar duke u stërvitur i vetëm, ndërkohë që është përqendruar edhe në projekte personale jashtë fushës.

Megjithatë, pavarësisht gjendjes së vështirë, Sterling nuk është i gatshëm të largohet nga Chelsea me çdo kusht. Me një pagë prej rreth 300 mijë funtesh në javë, ai kërkon stabilitet për familjen, çka do të thotë se çdo transferim i mundshëm duhet të ketë kuptim si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.

🚨🔵 Enzo Maresca: “There’s NO way back into our squad for Axel Disasi and Raheem Sterling”. pic.twitter.com/TNKENYGozD
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) September 12, 2025

Një kalim te një tjetër klub londinez ka qenë prej kohësh preferenca e tij, pasi kjo do t’i mundësonte të mos zhvendosë familjen. Një transferim jashtë Anglisë do të merrej në konsideratë vetëm nëse kontrata e ofruar do të ishte mjaftueshëm afatgjatë për të justifikuar një ndryshim kaq të madh.

Transferimi i Sterlingut te Chelsea për 50 milionë funte nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Atij i kanë mbetur edhe 18 muaj kontratë, por mbetet i vendosur të dëshmojë se ende ka shumë për të dhënë në nivelin më të lartë të futbollit.

Fulhami dhe Crystal Palace janë informuar tashmë për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, teksa të dy klubet po kërkojnë të përforcojnë repartet e krahut në janar. Edhe pse prioriteti i tyre është gjetja e lojtarëve më të rinj për këto role, Sterling shpreson që të vijë një hapje që t’i ofrojë edhe një shans të fundit në Ligën Premier./Telegrafi

“Çmendet” Man Unitedi, gati ofertën 200 milionëshe për Jude Bellingham



Manchester United po përgatit një ofensivë të madhe financiare për verën e ardhshme, me synimin për ta larguar Jude Bellingham nga Real Madridi.

Sipas raportimeve, klubi anglez është gati të ofrojë plot 200 milionë euro për mesfushorin anglez, megjithatë në Madrid ai konsiderohet si lojtar i “pashitshëm”.

Manchester United nuk po bën blof. Një nga klubet më të pasura në botë, pa llogaritur ato në pronësi shtetërore, e sheh Bellinghamin si figurën kryesore mbi të cilën dëshiron të ndërtojë projektin sportiv nga sezoni i ardhshëm, raporton "OK Diario".

“Djajtë e Kuq” janë të gatshëm t’i ofrojnë Real Madridit 200 milionë euro, ndërsa lojtarit një kontratë gjashtëvjeçare me pagë 15 milionë euro neto në sezon, pothuajse dyfishin e asaj që përfiton aktualisht në “Santiago Bernabeu”.

Jude Bellingham u transferua te Real Madridi në verën e vitit 2023, në një marrëveshje që, së bashku me bonuset e realizuara, i kushtoi klubit të Florentino Perez rreth 120 milionë euro.

Kur Bellingham firmosi me Real Madridin, ai nënshkroi një kontratë gjashtëvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2029. Klauzola e largimit të tij, ashtu si për yjet e tjerë të skuadrës, është 1 miliard euro.

Edhe pse Real Madridi mund të realizojë disa shitje të rëndësishme këtë verë, sidomos nëse sezoni përfundon sërish pa trofe, Bellingham konsiderohet një nga pesë lojtarët e paprekshëm të projektit sportiv.

Në këtë listë janë gjithashtu Thibaut Courtois, Eder Militao, Aurelien Tchouameni dhe Kylian Mbappe. Edhe nëse Manchester United e formalizon ofertën prej 200 milionë eurosh, përgjigjja e Real Madridit pritet të jetë negative./Telegrafi

Liverpooli e ‘harron’ Marc Guehin, ëndërron yllin që kushton mbi 80 milionë euro



Liverpooli ka nisur tashmë planifikimet për afatin kalimtar të janarit, por shqetësimet rreth repartit defensiv kanë filluar të shtohen gjithnjë e më shumë këtë sezon.

Trajneri Arne Slot nuk është plotësisht i bindur nga opsionet aktuale në mbrojtje. E ardhmja e Ibrahima Konates mbetet e paqartë, ndërsa në të njëjtën kohë Virgil van Dijk nuk ka arritur ende nivelin e tij të zakonshëm gjatë këtij sezoni.

Për këtë arsye, drejtuesit e Liverpoolit kanë nisur të shikojnë me vëmendje alternativa për përforcim. Klubi po kërkon një mbrojtës që mund të ketë ndikim të menjëhershëm dhe që është i aftë të përballojë kërkesat e larta të Ligës Premier.

Sipas Mick Brown, Liverpooli po monitoron nga afër një mbrojtës qendror që po shkëlqen në Serie A. Brown, i cili më parë ka punuar si shef i skautimit te Manchester United dhe Blackburn Rovers, vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me rrethet e rekrutimit në futbollin anglez.

Ai ka deklaruar për “Football Insider” se Liverpooli prej kohësh po ndjek Alessandro Bastonin e Interit, duke e parë atë si një përmirësim të mundshëm krahasuar me opsionet aktuale në skuadër. Megjithatë, realizimi i një marrëveshjeje nuk pritet të jetë i lehtë.

Sipas raportimeve, çdo lëvizje për Bastonin në janar do të kushtonte mbi 80 milionë funte, shifër kjo që ka krijuar dyshime nëse një transferim në mes të sezonit është realisht i realizueshëm. Për më tepër, Liverpooli nuk është i vetëm në garë.

Barcelona po ashtu është lidhur fuqishëm me Alessandro Bastonin përpara hapjes së afatit të janarit, duke e bërë konkurrencën edhe më të fortë.

Brown ka ndjekur Bastonin prej vitesh dhe më herët ka zbuluar se edhe skautët e Tottenhamit e kanë pasur nën vëzhgim. Sipas tij, mbrojtësi italian do t’i përshtatej shumë mirë futbollit anglez.

Liverpooli e sheh Bastonin si një lojtar që mund ta përmirësojë menjëherë repartin defensiv. Me pikëpyetjet që rrethojnë Konaten dhe Van Dijkun, klubi dëshiron të jetë i përgatitur për çdo skenar të mundshëm./Telegrafi

Sylvinho i sigurt: Jemi gati për Botëror, lojtarët janë mësuar me sfida të vështira



Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho beson se “Kuq e Zinjtë” mund të sigurojnë biletën për në Kampionatin Botëror 2026, sidomos pasi sipas tij lojtarët janë mësuar me ndeshjet e vështira.

Në një intervistë ekskluzive për podcastin e “ESPN Brasil”, tekniku brazilian komentoi planet e ekipit dhe për mundësinë historike kanë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës së ardhshme.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin. Që nga Kampionati Evropian kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet të ndjekim për të arritur objektivat tona”.

“Që nga janari do t’i monitorojmë lojtarët tanë më nga afër dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre”.

Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt ëndrrës së madhe të Kupës së Botës. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen vendimtare më 31 mars ndaj fituesit të përballjes Ukrainë–Suedi.

Ai theksoi se ndeshje të këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla.

“E njohim mirë Poloninë, kemi luajtur kundër tyre kohët e fundit. Ata kanë ndryshuar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe janë të një cilësie të lartë. Ata janë në një fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të qartë, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutave”.

“Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Kujtojmë, përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 26 mars 2026./Telegrafi/

Befasojnë gazetarët italianë: E vlerësojnë yllin e AC Milanit si lojtari më i mirë në Serie A



Reprezentuesi i SHBA-së, Christian Pulisic është aktualisht futbollisti me vlerësimin mesatar më të lartë në Serie A, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin e tij te Milani, Luka Modric.

Sipas vlerësimeve mesatare të dhëna nga gazetat sportive italiane, të përmbledhura nga “Fantacalcio”, ylli i Milanit po konsiderohet lojtari më i mirë i Serie A deri në këtë fazë të sezonit.

Pulisic kryeson renditjen mes futbollistëve që kanë zhvilluar të paktën 50 për qind të ndeshjeve në kampionat, një fakt që nuk shihet aspak befasues duke pasur parasysh paraqitjet e tij.

Ish-lojtari i Chelseat ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar dy asistime në vetëm 10 paraqitje në Serie A, duke qenë një nga faktorët kryesorë të kuqezinjve këtë sezon. Pas tij renditet Luka Modric, ndërsa vendin e tretë e mban talenti i Comos, Nico Paz.

Paz ka regjistruar gjithsej nëntë kontribute në gola, me pesë realizime dhe katër asistime, por i ka arritur këto shifra në 15 paraqitje, më shumë se Pulisic. Në mesin e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar bëjnë pjesë edhe dy portierë: Mile Svilar i Romës dhe Wladimiro Falcone i Lecces.

Falcone ka një vlerësim mesatar 6.47, vetëm pak më të lartë se portieri i Milanit, Mike Maignan, i cili vlerësohet me 6.46. Nga Juventusi, vetëm Kenan Yildiz ka arritur të futet në top 10, ndërsa Napoli përfaqësohet nga Frank Andre Zambo Anguissa.

Interi ka dy përfaqësues në këtë listë, Marcus Thuram dhe Federico Dimarco, ndërsa Alexis Saelemaekers plotëson renditjen e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar në Serie A deri tani.

Renditja e vlerësimeve mesatare:

Christian Pulisic – 6.7

Luka Modric – 6.6

Nico Paz – 6.57

Mile Svilar – 6.53

Marcus Thuram – 6.5

Kenan Yildiz – 6.5

Zambo Anguissa – 6.5

Federico Dimarco – 6.5

Alexis Saelemaekers – 6.5

Wladimiro Falcone – 6.47./Telegrafi

Allegri kërkon qendërmbrojtës, AC Milani synon yllin e Juventusit dhe ish lojtarin e Interit



Milani po shqyrton disa opsione për repartin defensiv përpara hapjes së afatit kalimtar të janarit, teksa Massimiliano Allegri synon të shtojë përvojë dhe thellësi në mbrojtje.

Një nga emrat që po merret në konsideratë është Federico Gatti, profil që Allegri e njeh shumë mirë nga koha e tyre e përbashkët te Juventusi.

Mbrojtësi 27-vjeçar kishte refuzuar një transferim te Napoli verën e kaluar, por situata e tij aktuale në Torino është bërë më e ndërlikuar si pasojë e lëndimeve dhe mungesave të shumta në prapavijën e bardhezinjve.

Juventusi po operon në kushte emergjente në qendër të mbrojtjes, me Daniele Rugani jashtë fushave për disa javë, ndërsa klubi nuk dëshiron të dobësojë edhe më tej një repart që tashmë është i tejngarkuar. Për këtë arsye, një largim i Gattit në janar, veçanërisht drejt një rivali direkt në garën për top katërshen, shihet si shumë pak i mundshëm.

Si rrjedhojë, Milani po monitoron edhe alternativa më me përvojë për ta përforcuar mbrojtjen.

Sipas "Sky Sport Italia", një nga sugjerimet është Milan Skriniar. Sllovaku ka kaluar shtatë vite në Serie A me Sampdorian dhe Interin, përpara se të largohej nga Italia në vitin 2023. Megjithatë, ai aktualisht mban shiritin e kapitenit te Fenerbahçe, gjë që e bën një marrëveshje të mundshme shumë të vështirë për t’u realizuar në mes të sezonit.

Një tjetër emër në radarët e kuqezinjve është Eric Dier, i cili u transferua te Monaco nga Bayern Munich verën e kaluar. Mbrojtësi anglez është rikthyer së fundmi nga një lëndim muskulor dhe Milani po vlerëson nëse ekziston hapësirë për manovrim në bisedimet me klubin e Ligue 1.

Me afrimin e muajit janar, Milani po përpiqet të gjejë ekuilibrin mes ambicies dhe realizmit, duke synuar ta përforcojë mbrojtjen e Allegrit pa shkaktuar tronditje në tregun e transferimeve./Telegrafi

Granit Xhaka rikujton incidentin kur ishte te Arsenali: I thashë Artetas se nuk mund ta vesh më këtë fanellë



Mesfushori Granit Xhaka është rikthyer të flet për kohën kur ishte te Arsenali, më saktësisht për incidentin në vitin 2019.

Ai u fishkëllye nga tërë tifozët vendas e pastaj zhveshi edhe fanellën duke e gjuajtur në tokë, ku ishte pranë largimit por Mikel Arteta ia ndryshoi mendjen, me këtë të fundit që u bë ndër të preferuarit pak vite më vonë.

Xhaka në një intervistë të fundit konfirmoi se donte largimin, si dhe babai i tij, Ragipi – gjithashtu e këshilloi të përshëndetet me “Emirates”.

“Valixhet ishin gati. Babai im, që gjithnjë ka qenë kritikues gjatë karrierës dhe thoshte “Sapo të ikësh njëherë, do të ikësh gjithnjë”, por në këtë situatë më këshilloi: “Duhet të largohesh nga aty. Kur tifozët janë kundër teje është gjëja më e keqe në futboll. Nuk ke asnjë shans”.

“Pse qëndrove? Shkaku i trajnerit. E njihja Mikel Artetan vetëm nga emri, jo si person. Kur mori drejtimin në Krishtlindje, menjëherë kërkonte ta dëgjonte pjesën time të historisë. Pastaj i thashë: “Mikel me gjithë respektin për ty, nuk mund ta mbaj më këtë fanellë”.

“Ai erdhi ditën tjetër sërish dhe më tha “Granit më nevojitesh. Më jep gjashtë muaj që të të bindi se je personi i duhur. Nuk mund të të bëj më kapiten, por do ta ndërtojë skuadrën përreth teje. Nëse dështojë, atëherë do të jem i pari që të ndihmon të largohesh”.

“Kurrë nuk do ta harroj atë bisedë, ende më jep dridhje trupi kur e mendoj. Fjalët e tij ishin shumë të fuqishme. E shikova, e përqafova dhe thashë “Në rregull, do të qëndroj”. Ishte vendimi i vetëm që e mora pa familjen”.

I pyetur pastaj pse kaloi te Leverkuseni, Xhaka e pranoi se kishte të bënte me kontratën afatgjatë që ia kishte ofruar gjiganti gjerman.

“Bayer Leverkuseni më ofroi kontratë të gjatë, doja të rikthehesha në gjermani dhe u ndjeva se ishte koha perfekte për t’u larguar. Doja gjithashtu të bëja hapësirë për lojtarët e rinj te Arsenali. Me Declan Rice, klubi kishte gjetur pasuesin adekuat”./Telegrafi

Granit Xhaka i jep mbështetje Florian Wirtz: Është i pakrahasueshëm



Në verën e vitit 2025, Granit Xhaka u largua nga Bayer Leverkusen dhe u transferua te Sunderland, skuadër që sapo ishte ngjitur në Ligën Premier. Mesfushori 33-vjeçar ka folur së fundmi për “Suddeutsche Zeitung”, ku është pyetur nëse i mungon bashkëpunimi me yllin e madh të futbollit gjerman, Florian Wirtz.

Xhaka nuk ka hezituar ta vlerësojë ish-bashkëlojtarin e tij, duke pranuar se bëhet fjalë për një futbollist të veçantë, por njëkohësisht ka theksuar se sot prioritetet janë krejtësisht të tjera, të lidhura më shumë me rolin udhëheqës dhe ndikimin që dëshiron të ketë te brezi i ri i lojtarëve në Sunderland.

“Florian Wirtz është i pakrahasueshëm, këtë duhet ta pranojmë”.

Megjithatë, kapiteni i kombëtares së Zvicrës ka sqaruar se nuk ndjen nostalgji për të kaluarën, duke nënvizuar se kënaqësia e tij aktuale buron nga zhvillimi i lojtarëve të rinj në ekipin e tij të ri.

“Aktualisht e gjej shumë më përmbushëse nëse pas disa vitesh del një lojtar i madh nga skuadra ime e Sunderlandit dhe unë kam mundur të jap një kontribut të vogël në këtë proces, sesa të shënoj vetë 50 gola ose të jem i rrethuar nga yje”.

Xhaka, i cili tashmë ndodhet në fazën e fundit të karrierës së tij si futbollist aktiv, ka theksuar se përvoja dhe mosha e kanë ndihmuar të shohë futbollin nga një këndvështrim tjetër, më i thjeshtë dhe më njerëzor.

“Në këtë moshë bëhet fjalë për të hequr dorë nga çdo lloj arrogance dhe për t’u rikthyer te kujtimet e kohës kur ishe vetë i ri – kur kishe nevojë për mbështetje nga të tjerët”./Telegrafi

Van Basten thotë se ylli i Barcelonës është i miri në botë: Nuk ka asnjë dyshim



Legjenda e futbollit holandez, Marco van Basten ka mbushur me lavde yllin e Barcelonës dhe Spanjës, Lamine Yamal duke e cilësuar adoleshentin si lojtarin më të mirë në botë në këtë moment.

Duke folur për ndikimin dhe nivelin e 18-vjeçarit, Van Basten ka qenë i prerë në vlerësimin e tij për statusin e Yamalit në futbollin botëror, pavarësisht moshës së re.

“Pa asnjë dyshim, Lamine Yamal është futbollisti më i mirë në botë aktualisht”.

Ish-sulmuesi legjendar ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes dhe menaxhimit të kujdesshëm të një talenti kaq të jashtëzakonshëm, në mënyrë që ai të ketë një karrierë sa më të gjatë në nivelin më të lartë.

“Shpresoj vetëm ta shijojmë në fushë për sa më gjatë të jetë e mundur”.

Këto komente forcojnë edhe më shumë bindjen në rritje në botën e futbollit se Lamine Yamal është një talent i rrallë, i aftë të përcaktojë një epokë të re në futbollin ndërkombëtar.

Yamal përndryshe ishte afër edhe ta fitonte Topin e Artë për vitin 2025, duke u renditur vetëm pas Ousmane Dembele./Telegrafi

Egzon Gjuka dhe Tina Hetemi shpallen më të mirët e vitit në hendbollin kosovar



Në praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) të premten, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ka mbajtur ceremoninë tradicionale “Laureatët 2025”.

Çmimet kryesore të mbrëmjes u fituan nga Egzon Gjuka dhe Tina Hetemi.

Gjuka u shpall për herë të pestë radhazi hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ai udhëhoqi Rahovecin drejt titullit të kampionit dhe u dallua gjithashtu me paraqitje të shkëlqyera edhe në Kombëtaren e Kosovës.

Ndërkohë, Tina Hetemi u shpall hendbollistja më e mirë e vitit për herë të parë. Ajo pati paraqitje shumë të mira gjatë gjithë vitit me Samadrexhën, ndërsa kontribuoi me sukses edhe në ndeshjet e Kombëtares.

Ceremonia nisi me fjalimin përshëndetës të Presidentes Osmani, e cila foli për sfidat e sportit kosovar dhe sukseset e sportistëve, me theks të veçantë te hendbollistët. Më pas, Presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, prezantoi të arriturat e federatës gjatë vitit 2025, si dhe jubile të rëndësishme institucionale.

Si zakonisht, u ndanë edhe çmime dhe shpërblime të shumta individuale e kolektive. Lojtarët më të mirë të Kombëtares u shpallën Leonard Gegaj dhe Mirjeta Bytyqi.

Në shtatëshen më të mirë te hendbollistët, përveç Egzon Gjukës, u përzgjodhën edhe: portieri Olt Kabashi (Besa Famgas), aloja e majtë Lulzim Shabani (Rahoveci), fundori i majtë Deniz Terziqi (Besa Famgas), lojtari i vijës Jeton Bislimi (Kastrioti), fundori i djathtë Arbios Mushkolaj (Rahoveci) dhe aloja e djathtë Enis Kuleta (Prishtina).

Ardit Tafilaj nga Rahoveci u shpall lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa Jon Vokshi i Besa Famgas fitoi çmimin e golashënuesit më të mirë me plot 255 gola.

Te hendbollistet, shtatëshja më e mirë përbëhet nga: Marisa Berisha (portiere – Shqiponja), Arjeta Imeraj (alo e majtë – Tereza), Amanda Toledo Abreu (fundore e majtë – Samadrexha), Tina Hetemi (qendër – Samadrexha), Suzana Ujkiq (lojtare e vijës – Istogu), Sevdanur Ozkan (fundore e djathtë – Ferizaj) dhe Dijana Ujkiq (alo e djathtë – Istogu).

Fetane Uzunlar e Ferizajt u shpall lojtarja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Alma Nivokazi e Shqiponjës fitoi çmimin e golashënueses më të mirë të vitit me 175 gola.

Klubet më të mira të vitit u shpallën Rahoveci në konkurrencën e meshkujve dhe Istogu te femrat. Ndërkohë, klube të tjera të vlerësuara ishin: Besa Famgas (juniorë, kadetë), Deçani (pionierë), Prizreni (fatosë); Samadrexha (kadete), Vushtrria (pioniere) dhe Besa (fatose).

Faruk Shala i Istogut u shpall trajneri më i mirë i vitit në konkurrencën e femrave. Genc dhe Getoar Bujupi u vlerësuan si dyshja më e mirë e vitit te gjyqtarët, ndërsa Fisnik Jashari i Kastriotit u shpall Punëtori Sportiv i Vitit 2025.

FHK-ja ndau gjithashtu mirënjohje për Shpresat e Vitit, si dhe mirënjohje Post Mortem për personalitete të shumta që kanë dhënë kontribut të çmuar në hendbollin kosovar, duke nderuar trashëgiminë dhe punën e tyre ndër vite./Telegrafi

Eurogoli i Dorgu bën dallimin, Man Utd fiton derbin ndaj Newcastle



Manchester United ka marrë një fitore të madhe në shtëpi në derbin ndaj Newcastle.

“Djajtë e Kuq” zhvilluan një tjetër paraqitje solide për të fituar me rezultat minimal 1-0.

Unitedi e nisi nga fillimi me disa aksione të shpejta, ku Sesko dhe Cunha kishin raste shënimi por që nuk i finalizuan.

Megjithatë, ishte Patrick Dorgu që realizoi një eurogol vollej për ta vulosur fitoren e Unitedit (24’).

A BIG WIN ON BOXING DAY! 🔥🥊
— Manchester United (@ManUtd) December 26, 2025

Unitedi lehtë mund të shënonte edhe një gol të dytë megjithatë Sesko ishte i pafat, për ta goditur traversën.

Newcastle ishte më kërkuese pas minutës së 60-të, ku rrezikuan me Lewis Hall dhe Fabian Schar mirëpo nuk i konkretizuan.

Pas kësaj fitore, Man Utd zë pozitën e pestë me 29 pikë ndërsa Newcastle qëndron në pozitën e 11-të me 23 sosh./Telegrafi

“Do të luftojmë për të”, komenti prekës i Granit Xhakës për tifozin e Sunderlandit që humbi babanë bëhet viral në rrjetet sociale



Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka bërë një koment që ka prekur zemrat e shumë njerëzve në rrjetet sociale, duke treguar edhe një herë anën e tij njerëzore jashtë fushës së blertë.

Mesfushori shqiptar i ka dhënë mbështetje morale një tifozi të Sunderlandit, të cilit i ka ndërruar jetë babai, duke lënë një mesazh që u shpërnda me shpejtësi në platforma të ndryshme sociale.

Në muajin prill, Ross Appleby, një përkrahës ikonë i Sunderlandit, vdiq pas një sëmundjeje të rëndë. Djali i tij, Ray, kishte shprehur dhimbjen për humbjen e babait përmes një postimi në TikTok, duke përmendur edhe rikthimin e Sunderlandit në Liga Premier dhe paraqitjet e shkëlqyera të skuadrës këtë sezon.

Megjithatë, ai nuk e kishte pritur reagimin e kapitenit të ekipit. Në postimin e Rayt, Granit Xhaka la një koment të fuqishëm dhe emocionues:

“Ne do të luftojmë për të në çdo ndeshje”.

Ky mesazh u prit me shumë emocione nga djali i tifozit të ndjerë, i cili falënderoi publikisht Xhakën për gjestin e tij, duke vlerësuar mbështetjen dhe respektin e treguar.

Ndërkohë, Xhaka pritet t’u japë një motivim të madh edhe bashkëlojtarëve të tij për ndeshjen e radhës ndaj Leedsit, e vlefshme për xhiron e 18-të të Liga Premier.

Përndryshe, Xhaka është shndërruar në një nga transferimet më të suksesshme të verës në futbollin anglez, pasi iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni. Më herët, ai kishte kaluar shtatë vite te Arsenali, ndërsa për katër sezone kishte veshur fanellën e Borussia Monchengladbachut./Telegrafi

Robert Lewandowski zbulon prapaskenat e çmendura: Pyesja vetën nëse bën të shënoja, Barcelona shikonte çdo euro



Sulmuesi i Barcelonës Robert Lewandowski ka zbuluar një prapaskenë të çmendur, duke mos i mohuar spekulime se klubi katalunas i ka kërkuar të mos shënojë gola shkaku i bonusit në marrëveshje me Bayern Munich.

Barcelona ishte në gjendje të rëndë financiare kur nënshkroi me polakun, ndërsa ishte i përfshirë në marrëveshje ku katalunasit duhet të paguajnë ekstra në rast që ky i fundit e arrin një numër të caktuar të golave.

Lewa në intervistën e fundit e konfirmoi se shpesh herë mendonte se nëse duhet të shënonte, pasi Barcelona i shihte secilën euro.

“Ka disa gjëra që nuk dua të flasë. E respektoj Barcelonën dhe të gjithë që punojnë këtu”.

“Isha në dijeni të situatës së klubit. Shumë gjëra duhet të rizgjidhen për të mirën e klubit. Në përgjithësi, ishte bonusi”.

“Në një moment, Barcelona po shikonte secilën euro. Nuk ishte gjë e vogël. Për mua nuk kishte ndryshim, nuk e kisha problem por pyesja vetën nëse duhet të shënoja ose jo”, deklaroi ai.

Ndërkohë, thuhet se Barcelona dëshiron të mos ia vazhdojë kontratën Lewas, por ky i fundit është i etur për të qëndruar në “Camp Nou”./Telegrafi

❌