Mbrojtja e biodiversitetit, veterineri Mustafai: Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për t’u kujdesur për kafshët e egra
\
TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Në zonat e mbrojtura, pyjet, liqenet dhe habitatet natyrore të Shqipërisë, punojnë njerëz që i kanë kushtuar jetën mbrojtjes së natyrës dhe kujdesit për biodiversitetin.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj solli solli sot historinë e Blondi Mustafait, veterinerit të kafshëve të egra, i cili i ka kushtuar profesionin dhe pasionin e tij kujdesit për faunën e egër dhe ruajtjes së një prej pasurive më të çmuara të Shqipërisë.
“Në çdo park kombëtar, në çdo pyll, liqen e rezervat natyror, ka njerëz që çdo ditë punojnë me përkushtim për të mbrojtur natyrën, biodiversitetin e vendit tonë dhe për të promovuar bukuritë që na janë besuar”, theksoi Jaupaj.
Blondi Mustafai, i diplomuar në vitin 2016 për mjekësi veterinare, prej afro 10 vitesh merret me trajtimin e kafshëve të egra, duke ndërhyrë në raste dëmtimesh, plagosjesh apo nevoje për rehabilitim.
“Duke qenë se në Shqipëri pak njerëz dhe pak organizata merren me problematikat që kanë kafshët e egra në veçanti, është dashur të bashkëpunoj shpesh herë me shumë organizata apo persona të ndryshëm për përkujdesjen e tyre të paktën në aspektin veterinar. Profesioni jonë deri diku i shërben dhe biologëve dhe zooteknikëve. Në Shqipëri informacioni është goxha i pakët te kjo pjesa e kafshëve tw egra. Ne vazhdojmë t’i shohim si rrezik. Do i këshilloja që normalisht duke qenë se këto kafshë të egra janë pjesë e pronës të përbashkët tonë që është fauna dhe flora e Shqipërisë që duke filluar nga pëllumbat e egër e deri arinjtë, ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për t’u kujdesur për ta”, theksoi Mustafai.
Ai tha se pjesa më e madhe e punës së tij zhvillohet brenda klinikës së kopshtit zoologjik, por normalisht dhe jashtë në terren.
“Kam mjaftueshëm mjete diagnostike për të kryer pothuajse të gjitha proceset veterinare, sidomos pjesën e urgjencës. Në këtë rast shfrytëzohet edhe për kafshë, të cilat janë gjendur në natyrë të plagosura qoftë nga qytetarë, qoftë nga shoqata të ndryshme. Kuptohet që në rast se kur mjekimi kalon me sukses dhe janë në gjendje që të rilëshohen normalisht ata rilëshohen në natyrë pak a shumë në vendin ku janë gjetur”, theksoi Mustafai.
Ai u shpreh se “flora dhe fauna është pasuri e të gjithëve dhe nuk mund të abuzohet nga dikush dhe t’i heqim mundësinë brezave të ardhshëm për të parë këto kafshë në natyrë”..
/k.s/j.p/
The post Mbrojtja e biodiversitetit, veterineri Mustafai: Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë për t’u kujdesur për kafshët e egra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.




