Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

GAZA – Izraeli rihap pjesërisht pikën kufitare te Rafahut për palestinezët

TEL AVIV/GAZA, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Izraeli ka rihapur pjesërisht pikën kufitare të Rafahut midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës për lëvizjen e njerëzve, raportuan sot televizioni egjiptian dhe burimet izraelite të sigurisë.

“Kalimi është zyrtarisht funksional për herë të parë në rreth një vit”, tha stacioni televiziv egjiptian i lidhur me shtetin al-Qahera News, ndërsa burime izraelite të sigurisë konfirmuan gjithashtu hapjen.

“Al-Qahera News” raportoi se palestinezët që hynin nga Egjipti kishin arritur në anën palestineze të pikës kufitare të Gazës deri të hënën pasdite.

Ky veprim pritet t’u lejojë palestinezëve të plagosur dhe të sëmurë të largohen nga territori bregdetar, i cili u shkatërrua në më shumë se dy vjet luftë pas sulmeve të 7 tetorit 2023. Palestinezët që ikën nga lufta gjithashtu do të jenë në gjendje të kthehen në Gaza.

Megjithatë, dërgesat e ndihmave nuk do të kalojnë ende nga Egjipti direkt në Rripin e Gazës.

Hapja e kufirit është hapi i fundit në një plan paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, sipas të cilit një armëpushim ka qenë në fuqi midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas që nga tetori.

Kalimi fillimisht ishte hapur “në një bazë prove” të dielën. //a.i/

The post GAZA – Izraeli rihap pjesërisht pikën kufitare te Rafahut për palestinezët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspertë të BE, vizitë këshillimore për emergjencat civile

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Gjatë dy javëve të fundit, Shqipëria priti një mision këshillimor të mbrojtjes civile për zjarret në pyje, të udhëhequr nga Departamenti i Komisionit Evropian për Operacionet e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare (DG ECHO), kuadri i BE-së që ndihmon vendet të bashkëpunojnë për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj fatkeqësive.

Ekipi përbëhej nga staf i ECHO dhe ekspertë kombëtarë: gjithsej 11 pjesëmarrës nga 8 shtete anëtare të BE-së.

Në koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u zhvilluan vizita informative në institucionet kyçe të emergjencave dhe mbrojtjes civile, përfshirë qendra operacionale, agjenci dhe shërbime zjarrfikëse e shpëtimi.

Delegacioni realizoi edhe vizita në terren në zona të prekura nga zjarret dhe u takua me autoritetet lokale për të vlerësuar dëmet, kapacitetet e reagimit dhe praktikat e menaxhimit të emergjencave.

Delegacioni vizitoi Bazën Ajrore të Farkës dhe diskutoi me përfaqësues të Forcave Ajrore Shqiptare dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për rolin e mjeteve ajrore në emergjenca: kërkim-shpëtim, evakuim mjekësor, transport të shpejtë të personelit dhe pajisjeve, si dhe gatishmëri 24/7 – një kapacitet që bëhet jetik gjatë fatkeqësive.

Përmes takimeve dhe vizitave në terren, ekspertët shkëmbyen pikëpamje, njohuri dhe përvoja, duke krijuar një pamje të qartë mbi koordinimin, gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

/gj.m/

The post Ekspertë të BE, vizitë këshillimore për emergjencat civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Genti Gazheli merr detyrën si zëvendësministër i Mjedisit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Genti Gazheli mori sot detyrën si zëvendësministër i Mjedisit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e prezantoi sot Gazhelin me stafin e ministrisë.

Jaupaj u shpreh se Gazheli me eksperiencën e tij të gjatë në administratën publike do të jetë një vlerë e shtuar në punën e përditshme, si për reformat në fushën e mjedisit ashtu edhe për avancimin e punës drejt integrimit europian.

Genti Gazheli u lirua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Doganave më 28 shkurt si dhe u emërua zëvendësministër i Mjedisit.

 

/k.s/j.p/

The post Genti Gazheli merr detyrën si zëvendësministër i Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Boçi: PD do të vijojë punën në komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi sot se PD nuk do të braktisë Komisionet për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, duke theksuar se forca politike që ai përfaqëson do të vijojë pjesëmarrjen aktive në këto procese.

Pas diskutimeve të zhvilluara në kryesinë e vogël të Partisë Demokratike, Boçi tha se qëndrimi zyrtar i PD-së është vijimi i punës në të dyja komisionet, në përputhje me agjendën e përcaktuar.

“Qëndrimi i shprehur i PD-së pas diskutimeve në kryesinë e vogël është që Partia Demokratike do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale dhe do të vazhdojë me agjendën e komisioneve”, u shpreh Boçi.

Ai theksoi se PD nuk do të bojkotojë komisionet dhe se do të njoftohet zyrtarisht gatishmëria e grupit parlamentar për të bashkëpunuar në një reformë që, sipas tij, është e rëndësishme për vendin.

Boçi bëri të ditur se brenda grupit parlamentar ka pasur diskutime dhe mendime të ndryshme, përfshirë edhe propozime për braktisje, por vendimmarrja është marrë në mënyrë demokratike.

“Duhet të ketë një dalje dhe ajo duhet të jetë konsensuale, përndryshe procesi rrezikon të perceptohet si i paravendosur”, deklaroi Boçi, duke shtuar se komisionet parlamentare, përfshirë Komisionin e Mandateve, mbeten thelbësore për funksionimin institucional.

/gj.m/j.p/

The post Boçi: PD do të vijojë punën në komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Persida Shkrepa, drejtore e re e Institutit të Ndërtimit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Zëvendësministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtoreshën e re të Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa.

Në takimin e organizuar me stafin e Institutit të Ndërtimit, Balluku i uroi suksese Shkrepës  në këtë detyrë dhe sfidë të re.

“Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, tha Balluku.

Instituti i Ndërtimit ka për qëllim kryerjen e veprimtarive kërkimore, shkencore, aplikative, zhvillimore, studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimit, si dhe kryerja e veprimtarisë shkencore e teknologjike për të tretë të tilla si oponenca, ekspertiza, kurse kualifikimi, vlerësime konformiteti dhe kontrolle për produktet e ndërtimit, që lidhen me sigurinë e jetës. /j.p/

 

/k.s/

 

The post Persida Shkrepa, drejtore e re e Institutit të Ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Kremlini konfirmon raundin e ardhshëm të bisedimeve me Ukrainën në Abu Dabi

MOSKË, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Kremlini ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi një përfundim të mundshëm të luftës do të zhvillohet më vonë këtë javë në Abu Dhabi, raportoi sot agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.

“Takimi fillimisht ishte planifikuar për të dielën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në Moskë, sipas agjencisë.

Megjithatë, Peskov tha se planifikimi i mëtejshëm nga të tre delegacionet kishte qenë i nevojshëm.

“Raundi i dytë do të zhvillohet tani të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi”, tha ai.

Kjo përputhet me datat e dhëna të dielën nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan në Abu Dhabi një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë.

Bisedimet, që synonin të eksploronin një rrugë drejt paqes pas pothuajse katër vitesh konflikti, u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit, Steve Witkoff.

Ndërsa ekipet negociuese i kanë përshkruar vazhdimisht bisedimet si konstruktive, një marrëveshjeje paqeje nuk është ende në horizont, me çështjet territoriale që mbeten një pikë kyçe ngërçi.

Rusia po kërkon që Kievi të tërhiqet nga disa pjesë të rajonit lindor të Donbasit të Ukrainës – një zonë e përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut – që mbeten nën kontrollin ukrainas. Zelensky ka refuzuar vazhdimisht lëshime të tilla territoriale.

Me kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, Rusia pranoi të ndërpresë përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri më 1 shkurt, për shkak të të ftohtit ekstrem dhe dëmeve të shumta në Kiev dhe qytete të tjera. Sulmet ndaj objektivave të tjerë kanë vazhduar.

Peskov tha se nuk kishte asgjë për të shtuar në faktin se armëpushimi i pjesshëm zbatohej vetëm deri të dielën. //a.i/

The post MOSKË – Kremlini konfirmon raundin e ardhshëm të bisedimeve me Ukrainën në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: OKB nuk po jep rezultatet e duhura

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AA/ – Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se OKB-ja “nuk po i zbaton veprimet ashtu siç duhet” dhe përsëriti nevojën për të zhvilluar një ligj ndërkombëtar me vendet që kërkojnë rend të bazuar në rregulla.

“Siç dëgjuam, Kombet e Bashkuara definitivisht nuk po i zbatojnë veprimet ashtu siç duhet”, tha Kallas ndërsa po fliste në Konferencën e Sigurisë në Oslo.

Ajo pranoi se ka shumë vende që duan një rend të bazuar në rregulla, duke nënvizuar se rendi ndërkombëtar i mbron ato.

“Ne jemi në këtë situatë ku duhet ta zhvillojmë më tej këtë ligj ndërkombëtar me ato vende që duan rend të bazuar në rregulla”, tha Kallas.

Duke theksuar se parimet e Kartës së OKB-së janë “shumë të mira”, ajo tha se pjesa e llogaridhënies “mungon”.

– “Të kesh varësi po të bën të prekshëm”

Kallas gjithashtu theksoi nevojën që Evropa të ndërtojë mbrojtjen e vet, duke shtuar se të kesh varësi e bën bllokun “të prekshëm”.

“Ne e kemi mësuar me vështirësi se (…) të kesh varësi po të bën të prekshëm”, tha ajo.

Ndërkohë, Kallas gjithashtu tha se njerëzit që thonë se kanë nevojë për një ushtri evropiane “nuk e kanë menduar vërtet këtë praktikisht”.

“Kjo është arsyeja pse them se duhet të forcojmë mbrojtjen evropiane, e cila është gjithashtu pjesë e NATO-s. Është vërtet plotësuese për NATO-n. Le të mos e hedhim NATO-n nga dritarja”, tha ajo.    /os/

The post BRUKSEL – Kallas: OKB nuk po jep rezultatet e duhura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Kryeqytetit i shtohet një vendtakimi i të apasionuarëve pas kinematografisë, të cilët mund të ndjekin shfaqjet e kinemasë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Shfaqjet do të mund të shihen sipas një sistemi të ri tarifash, i cili do të vendoset për herë të parë për vizitorët dhe publikun.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i AQSHF-së, Eljan Tanini.

“Në kuadër të politikave nxitëse të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për turizmin kulturor, AQSHF po konsolidohet si një pol i vizitueshëm për studiues, dashamirës të kinemasë, profesionistë të fushës dhe turistë vendas e të huaj”, tha Tanini.

Përmes kinema “Drita”, vizitave të shpjeguara dhe programeve të posaçme, publiku do të ketë mundësinë të zbulojë nga afër trashëgiminë e filmit shqiptar dhe historinë e saj unike. Tarifat e reja dhe oraret e vizitave synojnë ta bëjnë këtë pasuri kulturore më të aksesueshme, duke e kthyer AQSHF-në në një hapësirë aktive dialogu mes arkivit, qytetit dhe publikut.

AQSHF thotë se çmimi i biletave për fëmijë deri në 18 vjeç do të jetë 100 lekë, ndërsa për publikun e rritur 200 lekë. /j.p/

The post Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AFP/ – Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministër i Italisë, ka bërë thirrje që Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u shndërruar në një fuqi të vërtetë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Lëvenit.

“Mes të gjithë atyre që sot janë të kapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen një fuqi e vërtetë”,  tha Draghi, duke kërkuar krijimin e një federate evropiane në çështje të mbrojtjes, politikës së jashtme dhe fiskalitetit.

“Duhet të vendosim: a duam të mbetemi vetëm një treg i madh, nënshtruar prioriteteve të të tjerëve apo duam të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u bërë një fuqi”, theksoi  Draghi..

“Përsa i përket mbrojtjes, politikës industriale apo çështjeve të jashtme, ne trajtohemi si një grup i shpërndarë shtetesh me madhësi mesatare, të cilat mund të ndahen dhe trajtohen sipas dëshirës së të tjerëve”, shtoi ekonomist gjatë fjalimit në një ceremoni, ku ai mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lëvenit.

Ai vuri në dukje se, që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ka treguar qartë për herë të parë se fragmentimi politik evropian i shërben interesave të saj.

“Ne përballemi gjithashtu me një Kinë që kontrollon nyjet kyçe të zinxhirit global të furnizimit dhe është gati të shfrytëzojë këtë avantazh”, vijoi ai.

”Pa një reagim të vendosur, Evropa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e ndarë dhe e deindustrializuar. Dhe një Evropë që nuk mund të mbrojë interesat e saj nuk do të ruajë për shumë kohë vlerat e saj”, paralajmëroi Draghi./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA: Një nismë humane kthen gjobat e parkimit në ndihmë për macet e braktisura

MUNCIE, Indiana / 2 shkurt/ ATSH – Në qytetin Muncie, një nismë e pazakontë ka kthyer gjobat e papaguara të parkimit në një akt solidariteti dhe dashurie për kafshët. Në vend që të shlyenin detyrimet me para në dorë, qytetarëve iu dha mundësia të dhuronin ushqim për mace, ushqim për kotele ose rërë higjienike, në ndihmë të strehës lokale Muncie Animal Care & Facilities, e cila po përballet me mbipopullim të rëndë.

Aktualisht, strehëza kujdeset për mbi 350 mace, shumë më tepër se kapaciteti normal, duke e bërë të vështirë sigurimin e kushteve optimale për çdo kafshë. Përballë kësaj situate, autoritetet lokale dhe shërbimet e kujdesit për kafshët vendosën të ndërmarrin një qasje kreative, duke i dhënë komunitetit një mënyrë konkrete për të ndihmuar.

Përgjigjja e qytetarëve ishte mbresëlënëse. Banorë të shumtë u paraqitën për të shlyer gjobat e tyre me donacione, ndërsa shumë të tjerë, edhe pse nuk kishin asnjë detyrim parkimi, zgjodhën të kontribuonin vullnetarisht. Qese me ushqim, kuti me rërë për mace dhe ndihma të tjera mbërritën çdo ditë, duke lehtësuar ndjeshëm barrën e strehës.

“Ky ishte një shembull i shkëlqyer se si një ide e thjeshtë mund të krijojë ndikim të madh,” u shprehën përfaqësues të strehës, duke theksuar se donacionet e mbledhura do të ndihmojnë në kujdesin ditor të kafshëve, në ushqim, higjienë dhe mirëqenie.

Nisma jo vetëm që ndihmoi kafshët në nevojë, por forcoi edhe ndjenjën e bashkësisë në Muncie, duke treguar se empatia dhe kreativiteti mund të shndërrojnë një problem administrativ në një histori frymëzuese.

Ky rast dëshmon se, ndonjëherë, ndryshimi i madh fillon me gjeste të vogla – dhe se një gjobë parkimi mund të kthehet në shpresë për qindra kafshë të pambrojtura. 🐾

The post SHBA: Një nismë humane kthen gjobat e parkimit në ndihmë për macet e braktisura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Momente të paharrueshme nga ceremonia e çmimeve Grammy

LOS ANXHELES, 2 shkurt /ATSH/ – Në mbrëmjen e djeshme të ceremonisë së 68-të të Grammy Awards në Los Anxheles, pati disa momente të paharrueshme, sipas AP.

Bad Bunny bën histori

Bad Bunny fitoi çmimin e Albumit të Vitit me albumin e tij ”Debí Tirar Más Fotos” duke u bërë i pari artist me album në gjuhë spanjolle që merr këtë çmim të rëndësishëm.

Ai tha në fjalimin e pranimit të çmimit se Puerto Rico është më i madh se sa mendohet dhe falënderoi të gjithë që besuan te ai.

Performanca të fuqishme

Bruno Mars dhe Rosé (nga BLACKPINK) hapën mbrëmjen me energji të madhe dhe këngën ”APT.” duke ndezur atmosferën që në fillim.

Lady Gaga performoi ”Abracadabra” me një stil ekstravagant dhe më vonë fitoi çmimin për ”Best Pop Vocal Album”.

Justin Bieber në një skenë ndryshe

Një nga momentet më të komentuara të natës ishte kur Justin Bieber performoi ”Yukon” vetëm me një palë pantallona të shkurtëra të hapura dhe çorape, pa kitarë apo dekor teatral.

Ky interpretim minimalist ngjalli reagime të shumta.

Sabrina Carpenter dhe artistët e rinj

Sabrina Carpenter bëri një performancë teatrale me temë aeroporti për këngën “Manchild”, ndërsa segmenti i Artistit të Ri të Vitit përfshiu emra të rinj, ku fituese u shpall Olivia Dean.

Një segment ”in memoriam” më i gjallë

Në vend të klithmave tipike, pjesa ”in memoriam” i legjendave të muzikës përfshiu një tribut energjik për Ozzy Osbourne me versionin e ”War Pigs” dhe për artistë të tjerë si D’Angelo dhe Roberta Flack, me performanca nga emra të njohur si Ms. Lauryn Hill, John Legend dhe Chaka Khan.

Në përgjithësi, Grammys ka qenë një natë e mbushur me histori, performanca energjetike, momente të pazakonta dhe shumë emocione, me Bad Bunny duke bërë një hap të madh për muzikën në spanjisht./  a.jor.

The post MUZIKË – Momente të paharrueshme nga ceremonia e çmimeve Grammy appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat Tokësore trajnim me Gardën Kombëtare të ShBA-së në “Call for Fire – Artillery”

TIRANË, 2 shkurt/ATSh/ Efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Forca Tokësore zhvilloi trajnimin “Call for Fire – Artillery”, në bashkëpunim me New Jersey National Guard, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, informoi se trajnimi synon rritjen e aftësive operacionale, ndërveprueshmërisë dhe përvetësimin e standardeve më të avancuara të NATO-s, duke forcuar më tej kapacitetet profesionale të Forcave të Armatosura.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën dhe u stërvitën mbi teknika bashkëkohore të komandimit, komunikimit dhe koordinimit në kushte reale operacionale, duke shkëmbyer përvojë profesionale me homologët amerikanë.

Trajnimi është një tjetër dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, si dhe të forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të sigurisë rajonale dhe kolektive.


/e.i/a.f/r.e/

The post Forcat Tokësore trajnim me Gardën Kombëtare të ShBA-së në “Call for Fire – Artillery” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim

OSLO, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Djali i princeshës norvegjeze Mette-Marit, Marius Borg Hoiby, është arrestuar sot një ditë para fillimit të gjyqit të tij për akuza për përdhunim, bëri të ditur avokati i tij për agjencinë e lajmeve NTB.

Hoiby, 29 vjeç, akuzohet për 38 vepra penale, duke përfshirë përdhunimin, dhunën në familje dhe sulmin fizik.

Gjyqi i tij pritet të nisë nesër në Oslo.

Ai është djali i Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, para se ajo të martohej me princin e Kurorës Haakon.

Hoiby nuk mban titullin princ dhe nuk është anëtar zyrtar i familjes mbretërore norvegjeze.

Gjatë verës së vitit 2024, Hoiby pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj ish të dashurës së tij nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës si dhe kishte shkatërruar sende në apartamentin e saj.

”Megjithatë, ai mohon fuqishëm akuzat për vepra seksuale”, tha më vonë një nga avokatët e tij mbrojtës./   /Ad.AB./ a.jor.

The post NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërcënon me padi komedianin Trevor Noah për shakanë lidhur me Epstein

LONDËR, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka kërcënuar të padisë prezantuesin e Grammy-t, Trevor Noah, pas një shakaje që ai bëri për financierin Jeffrey Epstein në skenë.

Trump e kritikoi komedianin si një “humbës total”, duke shtuar “do t’i dërgoj avokatët e mi të padisin këtë patetik, pa talent dhe budalla dhe ta padisin për shumë para'”.

Trump kritikoi shakanë e Noah, të bërë pasi u shpërnda çmimi i këngës së vitit në ceremoninë e së dielës në mbrëmje.

Duke shkruar në Truth Social Trump tha se “Noah tha… se Donald Trump dhe Bill Clinton kaluan kohë në ishullin e Epstein. GABIM!!!”.

“Nuk mund të flas në emër të Billit, por unë nuk kam qenë kurrë atje, as diku afër…, nuk jam akuzuar kurrë se kam qenë atje… Noah, një humbës total, më mirë t’i sqarojë faktet dhe t’i sqarojë shpejt”.

”Përgatitu Noah, do të argëtohem pak me ty!”, thekson Trump.

Trump gjithashtu e kritikoi ashpër ceremoninë duke thënë se ”çmimet Grammy janë MË TË KËQIAT, praktikisht të pashikueshme! CBS është me fat që nuk i ka më këto mbeturina”.

Kjo ishte një referencë e dukshme për Disney që mori të drejtat e transmetimit për ceremoninë e ndarjes së çmimeve duke filluar vitin e ardhshëm.

Trump është i njohur për paditë e tij dhe ka ndërmarrë veprime ligjore kundër BBC-së për montazhin e një programi Panorama.

Ai është përfshirë gjithashtu në veprime ligjore me ”New York Times”, ”Associated Press” dhe ”Wall Street Journal”.

Noah, 41 vjeç, është një komedian dhe personalitet televiziv i lindur në Afrikën e Jugut./ a.jor.

The post SHBA – Trump kërcënon me padi komedianin Trevor Noah për shakanë lidhur me Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministria e Financave zhvilloi sot, ankandin e instrumentit obligacione 15-vjeçare. Shuma e shpallur nga Ministria ishte 2 miliardë lekë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se kërkesa e investitorëve rezultoi rreth tri herë më e madhe se shuma e shpallur për emetim, duke reflektuar besim të shtuar në stabilitetin makroekonomik dhe në perspektivën afatmesme të financave publike.

Obligacionet 15-vjeçare, të emetuara nga qeveria shqiptare, konsiderohen instrumente me risk minimal, të përshtatshme për investime afatgjata nga institucionet financiare, fondet e pensioneve dhe investitorë të tjerë që kërkojnë siguri dhe kthime të qëndrueshme.

Tejkalimi i ofertës në ankand tregon se tregu është i gatshëm të financojë borxhin publik në maturitete më të gjata, duke ulur presionin e rifinancimit në afat të shkurtër.

“Këto obligacione të emetuara nga qeveria shqiptare ofrojnë siguri dhe risk zero, duke i bërë një zgjedhje tërheqëse për investime afatgjata”, deklaroi Malaj.

Interesi i lartë për këtë obligacion lidhet edhe me rënien graduale të yield-eve të titujve qeveritarë gjatë dy viteve të fundit. Kjo prirje është nxitur nga kërkesa më e moderuar për huamarrje nga ana e qeverisë dhe nga përmirësimi i perceptimit të riskut sovran, faktorë që kanë rritur pjesëmarrjen si të investitorëve vendas, ashtu edhe të atyre ndërkombëtarë.

Sipas projeksioneve fiskale, borxhi publik bruto pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke zbritur në rreth 53,6% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa në afat më të gjatë synohet një nivel rreth 46,4% në vitin 2031. Ky konsolidim fiskal forcon më tej besueshmërinë e instrumenteve afatgjata si obligacioni 15-vjeçar.

Në këtë kontekst, ankandi i suksesshëm i obligacionit 15-vjeçar shërben jo vetëm si burim financimi për buxhetin e shtetit, por edhe si një indikator i qartë i besimit të tregut në politikat fiskale dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

/a.f/r.e/

The post Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platformë të re online për revistat shkencore

TIRANË, 2 shkurt/ATSh/ Revistat shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh) tani gjenden në një platformë të re online.

AShSh njoftoi hapjen e faqes së re online të revistave shkencore, ku revistat janë të aksesueshme në një platformë të unifikuar dhe moderne. Faqja e re synon të rrisë aksesueshmërinë, transparencën dhe ndërkombëtarizimin e botimeve shkencore të akademisë, duke ofruar informacion të plotë mbi revistat, numrat e publikuar dhe thirrjet për artikuj.

AShSh e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të komunikimit shkencor dhe promovimit të kërkimit akademik shqiptar.

Faqja e re online është e ndërtuar në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Përmes linqeve ajo ofron akses në revistat: “Iliria”, “Albanian Journal of Natural and Technical Sciences”, “Studia Albanica”, “Antropologji”, “Studime Historike”, “Studime Filologjike”, “Candavia”, “Albanian Studies” dhe “Studime për Artin”.

https://journals-akad.gov.al/

/r.e/a.f/

The post Platformë të re online për revistat shkencore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Bolonja ka shprehur interesim për mbrojtësin e majtë të Kosovës, Dion Gallapenin. Klubi italian synonte të forconte skuadrën në ditën e fundit të afatit të transferimeve dimërore dhe kishte në shënjestër lojtarin e kombëtares së Kosovës.

Transferimi konsiderohet i pamundur për shkak të kërkesave financiare të vendosura nga klubi polak.

Klubi polak Widzew Lodzi në të cilin shërben Gallapeni i ka kërkuar 8 milionë euro, shifër kjo që nuk është e përballueshme për Bolonjan.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e Gallapenit në tregun e transferimeve është 2.5 milionë euro.

21-vjeçari iu bashkua Lodzit në verën e kaluar nga Prishtina për 250 mijë euro, ku është paraqitur në 12 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Ndryshe, Gallapeni është pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe deri më tani ai ka bërë nëntë paraqitje për Dardanët por ende nuk e ka gjetur rrugën e golit.

/KosovaPress/

The post Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff

TEHERAN, 2 shkurt  /ATSH-DPA/-  Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të zhvillojë sot bisedime me të dërguarin  e posacëm amerikan, Steve Witkoff, raportoi sot agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

SHBA-ja ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e Witkoff.

Agjencia Tasnim njihet si e afërt me Gardën Revolucionare Islame (IRGC), forca elitare ushtarake e Iranit.

Takimi vjen pas javësh tensionesh të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për përgjigje ushtarake ndaj shtypjes brutale të protestuesve nga forcat e sigurisë iraniane në fillim të këtij viti.

Që atëherë, Trump ka vendosur anije luftarake në rajonin e Gjirit, por ka lënë të kuptohet mundësia e negociatave në fundjavën e kaluar.

Presidenti amerikan ka tentuar herë pas here të detyrojë Teheranin të ndërpresë programin e tij bërthamor, por bisedimet janë bllokuar vitin e kaluar, përpara se Izraeli të ndërmerrte sulme kundër Iranit./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open”

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka shënuar një paraqitje shumë të suksesshme në garën ndërkombëtare “European Open”, duke u kthyer nga Sofja me tri medalje bronzi dhe disa rezultatet të larta, në një turne ku konkurrenca për medalje ishte më e madhe se kurrë.

Në këtë garë, sportistët kosovarë fituan tri medalje të bronzta përmes Erza Muminoviqit në kategorinë deri në 48 kilogramë, Fatjona Kasapit në 52 kilogramë dhe Flaka Loxhës në 57 kilogramë. Krahas medaljeve, Laurina Gashi (52 kg), Dardan Cena (73 kg) dhe Shpati Zekaj (100 kg) u renditën në vendin e pestë, ndërsa Enise Zijade (57 kg) përfundoi në vendin e shtatë.

Edhe pse pa medalje, Sidorela dhe Anesi regjistruan fitore të rëndësishme gjatë garës, duke dëshmuar potencialin e tyre për të ardhmen dhe

Paraqitja në Sofje vlerësohet si një provë shumë e mirë dhe nxemje ideale për sfidën e radhës, Grand Slamin e Parisit, që do të zhvillohet javën e ardhshme, ku xhudistët kosovarë pritet të synojnë rezultate të tjera të mëdha në arenën ndërkombëtare.

/KosovaPress//r.e/

The post Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhixho kërkon seancë pyetje-përgjigje me Kumbaron: Mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga

TIRANË, 2 shkurt /ATSh/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga nga 2 mijë deri në 6 mijë lekë.

Përmes një deklarate për mediet, deputetja e PL-së theksoi se “11 172 mësues shqiptarë janë përballur me uljen e pagës”, pasi “janë penalizuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 26 qershor 2024”.

“Kjo VKM dhe në mënyrë të veçantë Lidhja nr. 4, e cila përcakton shtesën e nivelit të kualifikimit, cenon disa të drejta të punonjësve të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

“Mësuesit e prekur janë trajtuar për vite me radhë në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa ndryshimi i njëanshëm i kësaj trajtese përkeqëson kushtet e tyre të punës dhe cenon paga të fituara ligjërisht”, tha ajo.

Në lidhje me këtë çështje, Xhixho ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.

“Duke reflektuar shqetësimin e qindra mësuesve dhe të Sindikatës së Bashkuar të Mësuesve, i jam drejtuar Kuvendit me një kërkesë për një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Arsimit. Në mbështetje të kërkesave të tyre të drejta, sindikatat dhe punonjësit e arsimit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe hapjen e një dialogu institucional serioz, që garanton trajtim të barabartë, respektim të të drejtave të fituara dhe dinjitet për mësuesit”, tha Xhixho.

/m.q/r.e/a.f/

The post Xhixho kërkon seancë pyetje-përgjigje me Kumbaron: Mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌