Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ministrat e Kurtit në Prokurori/ Peci dhe Vitia “japin llogari” përpara drejtësisë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci është intervistuar  në cilësinë e të dyshuarit në Prokurorinë Speciale këtë të premte. Peci, ish ministër i bujqësisë gjatë mandatit Kurti 2, u mor në pyetje për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në kohën kur dikasteri drejtohej prej tij.

Prokuroria Speciale ka intensifikuar hetimet për “grantet” e Ministrisë së Bujqësisë, nga të cilat dyshohet se përfituan familjarë të pushtetarëve, përfshirë vëllain e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Në pyetje nga prokuroria është marrë edhe ministri në detyrë i shëndetësisë Arben Vitia. Jashtë prokurorisë ai nuk ka pranuar të jap detaje për “vizitën” në institucionin e drejtësisë.

Mollët europiane të kontaminuara me pesticide

Një studim i ri kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të Bashkimit Europian për pesticidet, duke argumentuar se ato analizohen në mënyrë të izoluar dhe jo duke u fokusuar te ndikimi i efektit “koktej”, pra kombinimi i disa mbetjeve pesticidesh të pranishme në fruta dhe perime.

Trembëdhjetë vende europiane po shesin mollë në tregje dhe supermarkete me një përqendrim shqetësues mbetjesh pesticidesh, të njohura zakonisht si “kokteje pesticidesh”, sipas një raporti të një OJQ-je që i bën thirrje Bashkimit Europian të rregullojë ekspozimin ndaj këtyre kimikateve.

Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Spanja dhe Zvicra kanë raportuar ndotje të mollëve, sipas raportit më të fundit të Pesticide Action Network (PAN) Europe, i cili kritikon procedurën e vlerësimit të rrezikut të BE-së për faktin se i trajton pesticidet në mënyrë të ndarë dhe shpërfill efektin “koktej”.

“Një nga rezultatet më tronditëse është se 85% e mollëve të testuara përmbanin disa mbetje pesticidesh,” tha Gergely Simon, aktivist në PAN Europe. “Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) u ngarkua 20 vjet më parë të zhvillonte një metodologji për të rregulluar efektet koktej të pesticideve, por ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor.”

Raporti thekson se, nëse këto mollë do të shiteshin si ushqim i përpunuar për foshnje, 93% e tyre do të tejkalonin kufirin ligjor të BE-së për nivelet e pesticideve për fëmijët nën 3 vjeç.

“Prindërit e rinj nuk janë të vetëdijshëm se ushqyerja e fëmijëve me fruta ose perime të freskëta konvencionale e rrit ndjeshëm ekspozimin e tyre ndaj pesticideve, ndonjëherë deri në 600 herë, tha Simon. Autoritetet publike duhet t’i informojnë ata dhe të promovojnë me prioritet ushqimin organik.”

Raporti kritik vjen në një kohë kur rregullat e BE-së për trajtimin e “koktejeve të pesticideve” mbeten pezull, me shumë grupe aktiviste që i bëjnë thirrje Komisionit Europian dhe EFSA-s të përshpejtojnë vlerësimin e rrezikut kumulativ të pesticideve.

Ndërsa çështja e vlerësimit të efekteve të kombinuara të disa pesticideve u pranua për herë të parë në vitin 2005, vetëm në vitin 2020 EFSA kreu një vlerësim pilot të efekteve të kombinuara mbi tiroiden dhe sistemin nervor.

Që nga viti 2021, Komisioni dhe EFSA kanë punuar për të zgjeruar vlerësimet kumulative të rrezikut për më shumë grupe pesticidësh, me synimin që t’i integrojnë plotësisht në legjislacion deri në vitin 2030. Një zëdhënës i EFSA-s tha se puna për të vlerësuar problemin e “koktejve të pesticideve” është “komplekse”, pasi përfshin grupe të mëdha të dhënash, mjete të reja softuerike dhe bashkëpunim të gjerë me partnerë europianë dhe ndërkombëtarë.

Pesticidet dhe “kimikatet e përjetshme”

Studimi shkencor i PAN Europe u zhvillua nga 1 deri më 20 shtator 2025, gjatë të cilit studiuesit përzgjodhën nga tre deri në pesë mostra të mollëve konvencionale të prodhuara lokalisht, nga supermarkete ose tregje, për një total prej 59 mostrash mollësh të prodhuara në nivel kombëtar, sipas raportit.

Gjetjet zbulojnë se 71% e mostrave të mollëve përmbanin të paktën një mbetje të kategorisë së pesticideve më toksike sipas BE-së, 64% përmbanin të paktën një mbetje të pesticideve PFAS, të njohura edhe si “kimikate të përjetshme”, dhe 36% përmbanin një pesticid neurotoksik.

Fludioxonil, një pesticid PFAS, u gjet në pothuajse 40% të mostrave, sipas raportit, i cili vëren se ky kimikat i rrezikshëm u klasifikua si çrregullues endokrin në BE në vitin 2024.

Propozimi do t’u lejonte gjithashtu vendeve të BE-së të shpërfillnin gjetjet më të fundit shkencore kur vlerësojnë rreziqet e pesticideve./Monitor

Kurti “harron” Osmanin: Ka ende kohë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit

“Jam takuar me Osmanin” por diskutimet për zgjedhjen e presidentit të ri janë në rend të katërt. Ky është rankimi që kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka bërë çështjes së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

“Sa i përket takimit me presidenten, padyshim që jemi në komunikim edhe jemi takuar, por ta keni parasysh që ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultateve, kemi nevojë për tre hapa paraprak, konstituimin e Kuvendit, kryetarit e pesë nënkryetarëve, pastaj është formimi i qeverisë dhe duhet të fillojmë menjëherë me marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Një qëndrim interesant e pati Kurti kur u pyet për Kosovën në Bordin e Paqes. Ai komentoi, duke deklaruar se dëshiron që Forcat Speciale të Kosovës të kenë një rol në Gaza, por nuk përmendi kontributin e presidentes aktuale të vendit.

“Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë. Kudo që ka nevojë për paqe në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë përmes forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme në botë”, tha Kurti.

Ndërsa për rinumërimin, Kurti u mjaftua me komentin se gabimet janë njerëzore. Më konstituimin e Kuvendit të ri, vendin e presin miratimet urgjente të tre marrëveshjeve ndërkombëtare për ti hapur rrugë fondeve nga Plani i Rritjes.

Zelensky: Ukraina e gatshme të ndalë sulmet nëse Rusia ndalon goditjet në sektorin energjetik

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi të premten se vendi i tij është i gatshëm të veprojë në mënyrë reciproke nëse Rusia ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë dhe kanë ekspozuar Kievin ndaj të ftohtit ekstrem”.

Ai theksoi se aktualisht nuk ekziston një armëpushim formal mes dy vendeve. Një ditë më parë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord të mos godiste Kievin për një javë, për shkak të kushteve të ashpra të motit.

Temperaturat në kryeqytetin ukrainas pritet të zbresin deri në minus 26 gradë celsius të dielën. Zelensky sqaroi se mundësia për uljen e tensioneve ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara gjatë bisedimeve trepalëshe për paqe, të mbajtura fundjavën e kaluar në Abu Dhabi.

Ai shtoi se data ose vendi ku do të mbahet raundi i ardhshëm i bisedimeve, aktualisht i planifikuar për këtë të diel në Emiratet e Bashkuara Arabe, mund të ndryshojë.

“Pala amerikane tha se dëshiron ta ngrejë çështjen e uljes së përshkallëzimit, me të dyja palët që do të ndërmarrin hapa konkretë për të shmangur përdorimin e kapaciteteve me rreze të gjatë veprimi, me qëllim krijimin e hapësirës më të madhe për diplomaci”, u shpreh Zelensky para gazetarëve në Kiev, sipas deklaratës së publikuar nga zyra e tij.

“Në këtë fazë, kjo është një nismë e palës amerikane dhe personalisht e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne e shohim atë si një mundësi, jo si një marrëveshje”, shtoi ai.

Kulmi i virozave/ Alarmi i mjekëve: Çdo ditë, 100 raste akute

Virusi vdekjeprurës Nipah i konfirmuar në Indi, ka ngritur alarmin në gjithë botën për mundësin e përhapjes së një pandemie të dytë, pas atij të COVID-19. Mjekët infeksionistë në QSUT, thonë se deri tani në Shqipëri nuk ka asnjë shenjë të këtij virusi.

“Nqs ka lënë diçka të mirë pandemia është sensibilizimi… Një sëmundje infektive nuk është asnjëherë larg për të ardh te ne. Nuk kemi konstatuar asnjë rast, nëse do vij jemi gati. Ngelet një virus që nuk ndryshon nga aspektet e gripit, ndoshta agresiviteti spikat në grupmoshë të caktuara, megjithatë varet edhe nga popullata. Raste nuk kemi, ende herët për të fol për mortalitetin”, tha ajo.

Virusi, Nipah përhapet nga lakuriqët e natës, të cilët ushqehen me kafshë të tilla si derrat, ndërsa transmetohet te njerëzit nga frutat që ata bien në kontakt. Transmetimi nga njeriu te njeriu nuk është i lehtë, pasi zakonisht kërkon kontakt të zgjatur me njerëzit e infektuar.

Sa i takon simptomave shfaqet me ethe, dhe simptoma të ngjashme me ata të gripit. Ka një rrezikueshmëri të lartë vdekshmërie, 40-75% dhe nuk ka kurë, megjithëse vaksinat në zhvillim janë në fazën e testimit. Ndërsa, vendi ka arritur pikun e virozave dhe të gripit stinorë, rreth 100 pacientë paraqiten në një ditë në urgjencën e infektivit në QSUT për shërbim spitalor. Mjekja infeksioniste Migena Qato, thotë se 30-40 prej tyre, kërkojnë trajtim spitalorë, kjo për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

“Virozat edhe gripi janë kryefjala e diagnozave infective këtë periudhë. Shifrat janë shqetësuese, në 24 orë paraqiten me 100 raste. Simptomat janë n ga më të lehtat si temperaturë, dhimbje musuklare, deri tek bronkopneumonia, që kërkon hosoitalizim dhe kujdes të veçantë. 30-40% e tyre tërheqin vëmendjen që në paraqitjen e parë, kërkojn vëmendje për shtrim” u shpreh ajo. 

Sa i takon grupmoshës së shtrimeve spitalore, më të prekur janë të moshuarit dhe të sëmurët kronik.

“Nga adultët, pra 14 vjeç e deri te mosha e tretë. Për shkak të sëmundjeve kronik, të moshuarit mbajn peshën kryesore, por, edhe grupmosha mbi 50-vjeç, për shkak edhe të sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese që mund të kenë. Kjo sjell gjendje të rënduar për ta”, shtoi ajo.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm javën e fundit rreth 18. 500 persona me infeksione në rrugët e frymëmarrjes kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa mjekët vijojnë të apelojnë për marrjen e vaksinës kundër gripit, për ta kaluar sa më lehtë një gjendje gripale./abcnews.al

Qumësht toksik fëmijëve/ AKU bllokon dy lloje. Bën thirrje qytetarëve të mos i konsumojnë

Prindër nëse keni blerë këtë qumësht për bebe mos ia jepini  foshnjes tuaj, por kthejeni aty ku e keni marrë.

Bëhet fjalë për  aptamil 1 pronutra me paketim 800 gramë dhe datë skadence 10 nëntorin e  vitit  2026.

Apeli bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas njoftimit nga autoritetet europiane   se  pas kontrolleve të kryera në Gjermani në  këtë  product  është gjetur lëndë toksike.

Substanca cereulide  që prodhohet nga bakteri bacillus cereus  sipas specialistëve shkakton diarre, dhembje barku ndonjëherë dhe ethe të lehta  8 deri në 16 orë pas konsumimit.

“Aktualisht nuk kemi problematika të raportuara,  masë  parandaluese për ta tërhequr”

Ndërkohë   Autoriteti Kombëtar I Ushqimit thotë se  inspektorët në terren, po monitorojnë tregun dhe po tëheqin produktin.

“Sipas të dhënave të deritanishme janë importuar  648 njësi të këtij produkti,  362 në Kosovë dhe 267 njësi janë shpërndarë në rrjetin e zinxhirit të supermarketeve të roman lala. Sasia më e madhe është tërhequr nga tregu.  Kontrollet po vijojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër.”  

Sasia e qumështit të bllokuar do të asgjësohet. Pak ditë më parë  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  bllokoi  edhe  një  sasi të qumështit  për foshnje  “NAN 1 OPTIPRO” 800g  që gjeti  në treg. Kompania prodhuese Nestle kërkoi tërheqjen nga tregu  të produktit   si masë parandaluese  pas zbulimit të  bakterit cereluid në fabrikën  në Holandë./abcnews.al

Kontrolle kompanisë farmaceutike “Evita”/ Më urdhër të SPAK, dyshime për pastrim parash

Me urdhër të Prokurorise së Posacme, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle ne ambientet e kompanisë farmaceutike ‘Evita’ sh.p.k,.

Kontrollet janë ushtruar me urdhër të prokurores Dorina Bejko, pas dyshimeve per pastrim parash.

Përvec kompanisë “Evita”, kontrollet mësohet se janë bërë edhe në një banesë, që lidhet kompaninë  “EVita” në zonën e Selitës.

Në mbeshtjetje te agjenteve të BKH-së në kontroole po marrin pjesë dhe forcat e policisë së Shtetit./abcnews.al

Me molotov, jo reforma/ Berisha refuzon Schieder, sulmon Gonzaton

Në ditën kur në Tiranë, raporteri për Shqipërinë në PE kërkoi një hap para, për dialog në parlament, Berisha hodhi hapin pas, shpalli protestën e radhës në rrugë pas asaj me molotov.

“Të bashkohemi ne datën 10 shkurt në ora 5 në Tiranë për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën. Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral”, tha Berisha.

Berisha e shfaqi hapur respektin, por edhe pakënaqësinë ndaj raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Shider. Por shpresën e fundit e ka tek Partitë Popullore Europian

“Mendoj se, shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por presin nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin Europian, i cili standard edhe 12-13 vite më parë në këtë vend, detyronte ministrat për koincidentë dhe zv/kryeministrin që kërkohej nga prokuroria imuniteti, të dorëzonin imunitetin, para se të votonte parlamentin”, shtoi ai

Po për Berishën, më shumë faji është në Tiranë, në zyrat e BE.

“Zoti Schider, për fat të keq as edhe përfaqësuesi i BE-së, ambasadori Gonzato, madje Gonzato pak më thellë se zoti Schider, nuk e kërkuan këtë. Ndonëse theksoj se grupi popullor ka edhe ai reporterin në hije për Shqipërinë dhe pritet që dhe ai të vijë në Shqipëri”,- u shpreh Berisha.

Protestë do të ketë. Por reforma jo. Te enjten taulant Balla la afatin e së hënës për territorialen, dhe Bardhi e pranoi me kokën ulur thyerjen e bojkotit.

Sot Berisha refuzoi afatin, dhe Bardhi sërish duhet ta pranojë bojkotin e doktorit, po me kokën ulur. 

“Bllokimit që i bëjnë drejtësisë, bëjnë të pamundur çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj mazhorance,” – u shpreh Berisha.

Tabloja tashmë është qartë, jo vetëm për sytë e shqiptarëve, por dhe për sytë e BE.

Mazhoranca në një rrugë të re, qëndron brenda institucioneve, dhe punon për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.

“Nëse nuk vijnë deri të hënën, anëtarët e PS në Komision kanë firmosur dhe kërkesa Kuvendit i është çuar. Pra, puna nuk ndërpritet sepse jemi bllokuar pa nisur punën. Dhe jemi nën presion të madh për të kapur afatin e për ta miratuar”- tha Mazniku në Real Story./abcnews.al

Izraeli pranon viktimat/ Ushtria e Tel Aviv: Mbi 71 mijë palestinezë të vrarë

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër kjo e raportuar më herët nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Gazeta izraelite Haaretz shkruan se kjo shënon herën e parë që Izraeli pranon publikisht shifrat e dhëna nga autoritetet brenda enklavës palestineze, të cilat më parë ishin hedhur poshtë nga Tel Avivi zyrtar, duke u cilësuar si të pabesueshme dhe propagandë e Hamasit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga grupi militant palestinez, që nga nisja e ofensivës izraelite më 7 tetor 2023 janë regjistruar 71.667 viktima. Ushtria izraelite thekson se këto shifra nuk përfshijnë personat e zhdukur, të cilët dyshohet se mund të ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë njofton se të paktën 492 palestinezë kanë humbur jetën që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë raportuar se katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të grupeve militante palestineze.

Pas publikimit të lajmit nga Haaretz, një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë më tej, duke deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen vetëm nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit përmes kanaleve të tyre zyrtare të komunikimit.

Rusia përgënjeshtron Trump/ Kremlini: Armëpushimi në Ukrainë deri në 1 shkurt

Rusia përgënjeshtron presidentin amerikan Donald Trump. Pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se kishte rënë dakord me Vladimir Putin që Rusia të mos sulmonte Kievin dhe fshatrat përreth për një javë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Trump kishte kërkuar të ndaleshin sulmet deri më 1 shkurt, me qëllimin për të krijuar kushte të favorshme për bisedimet e paqes që do të mbahen këtë të dielë.

Peskov refuzoi të komentonte më tej nëse Trump kishte gënjyer kur përmendi afatin prej një jave, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi këtë të premte se nëse Putin do të thyente armëpushimin e pjesshëm, ushtria e vendit të tij do të kundërpërgjigjej.

Një valë e të ftohtit ekstrem ka goditur Ukrainën, me temperaturat që brenda kësaj jave pritet të arrijnë deri në minus 30 gradë Celsius.

Rusia, e cila ka shënjestruar vazhdimisht objektivat energjetikë të Ukrainës duke lënë miliona civilë pa ngrohje, ka vrarë përmes këtyre sulmeve edhe qindra persona të pafajshëm.

Moska ka provokuar sërish presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky duke thënë se nëse vendi i tij do paqe, ai mund të udhëtojë drejt Moskës për bisedime, por Zelensky thotë se duhet të jetë Putin ai që duhet të shkojë në Kiev, ndërsa refuzoi ftesën e Kremlinit.

Fundi i luftës në Ukrainë, konfliktit më të madh të Europës Lindore që prej Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një ndër prioritetet kryesore të Donald Trump, por kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dështuar deri më tani t’i japë fund kësaj lufte nën pretendime të ndryshme, duke përmendur mungesën e vullnetit mes palëve.

Drejtori i FBI shkakton skandal diplomatik/ Flet publikisht për një operacion sekret në Meksikë

Drejtori i FBI‑së, Kash Patel, ka shkaktuar një skandal diplomatik pasi zbuloi publikisht pjesëmarrjen e agjentëve të këtij agjencie në një operacion të fshehtë në Meksikë, ku u arrestua ish‑olimpisti, Ryan Wedding.

FBI së bashku me policinë meksikane kreu aksionin e arrestimit të Weddingit, por përfshirja e agjentëve amerikanë duhej të mbetej e fshehtë për shkak të ligjeve në Meksikë që ndalojnë operacionet e zyrtarëve të huaj në territorin e tyre, raporton wallstreetjournal.

Megjithatë, menjëherë pas arrestimit Patel publikoi në rrjetet sociale se ekipet e tij kishin punuar “me profesionalizëm dhe bashkë me partnerët meksikanë” për të sjellë Weddingun para drejtësisë – deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në Meksikë.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum u përpoq të ulte tensionet, duke thënë se nuk ka pasur përfshirje të SHBA‑s për operacionin dhe se agjentët amerikanë ligjërisht janë të kufizuar në Meksikë. Ajo shtoi se zyrtarët amerikanë i thanë autoriteteve meksikane se bëhej fjalë për një dorëzim vullnetar.

Avokati i Weddingut, Anthony Colombo, kundërshton këtë version dhe thotë se klienti i tij është kapur me pranga nga agjentë të FBI‑s dhe është dërguar në Kaliforni.

Kjo çështje ka tensionuar marrëdhëniet mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, sidomos në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe janë të ndjeshme për shkak të politikave të fuqishme të sigurisë dhe çështjeve të tjera rajonale.

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina po i vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare me Bashkimin Evropian për të pestën ditë me radhë.

Ndërkohë, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë hequr dorë prej këtyre masave më 29 janar, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.

Terminalet për mallra janë bllokuar në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

Transportuesit e mallrave janë duke protestuar kundër atyre që i konsiderojnë procedura të ashpra për të hyrë në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian. Ata kërkojnë që periudha e qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

Paralajmërimet fillestare ishin që bllokadat të zgjasnin për të paktën shtatë ditë, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, ka thënë në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor që u shkaktohet ekonomive të Ballkanit Perëndimor shkon në rreth 100 milionë euro.

Strategjia e re e vizave, që është miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar parasheh që institucioni të punojë nga afër me vendet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike” dhe të miratojë zgjatje të qëndrimit për disa kategori të shtetasve që vijnë nga shtetet e treta.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të premten se mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të rajonit, referencë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, ka thënë mes tjerash Dhoma e Tregtisë e Kosovës përmes një komunikate për media.

Kosova nuk ka marrë pjesë në protestë, mirëpo i ka vërejtur pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ditëve të fundit janë përballur me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.

Shiste produkte me logo false/ Tiranë, arrestohet pronari i dyqanit

Zbulohet një tjetër subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje. Në këtë subjekt, gjatë kontrolleve, u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false.

Policia arreston pronarin e dyqanit në rrugën “Sulejman Delvina”. Sekuestrohen mallrat.

29-vjeçari nuk kishte fatura mbi origjinën e mallrave. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Rama ndan prononcimin e zyrtarit të KiE: Arrestimi me burg pa gjyq, ka sjellë rezultate skandaloze. Më shumë të paraburgosur se sa të burgosur

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale prononcimin e Drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europë, Gianluca Esposito, i cili tha gjatë fjalës së tij se burgu pa gjyq në Shqipëri, e cila është kthyer në një praktikë normale ka sjellë rezultate skandaloze.

Ai ngriti alarmain se në vendin tonë ka më shumë ka më shumë të paraburgosur se sa të burgosur.

“Arresti me burg pa gjyq si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës.

Pjesë nga prononcimi i djeshëm në Tiranë i Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europë”, citon kryeministri Rama.

“PD, e rrezikshme ka bërë gjithë të zezat”, Berisha kërkon të mbulojë krimin me krim

Për analistin Frrok Çupi, PD është qenia më e rrezikshme, më e keqe që ka prodhuar Shqipëria politikisht dhe jo politikisht. Në studion e Neës Line në ABC, Cupi u shpreh se PD me Berishën në krye, ka bërë gjithë të zezat ndaj vendit.

“Ka bërë ndaj vendit të gjitha të zezat. Ka disa njerëz që bashkohen te një strumbulluar që quhet Berisha. Kjo situatë e krijuar, ku Berisha edhe një herë u kap në flagrancë nga Europa, sot ka mbledhur të tijët se ka frikë se do vijnë ta burgosin në zyrë, varet cdo u thotë se këta janë të tërë eunukë, i lëpihen. Ca nuk pret prej tyre, mund të nisin sërish me molotove në parlament, duan të mbulojnë krimin me krimin.” U shpreh ai, ndërsa komentoi edhe një herë sjelljen e kreut të PD, një ditë më parë në Parlamentin Europian.

“Sjellja e Berishës dje ne PE, në ato rrethana PE i tha mbylle gojën dhe ik se nuk njohim atë Shqipëri, po na sjell një fyerje të rëndë që nuk e pranojmë. Sot i dërguari i PE e tha shqip është tjetër gjë Shqipëria dhe tjetër gjë ky që hedh baltë në ekrane. Situata e PD ka vdekur, nuk e njeh një politikë normale kudo të jetë, madje as politika e Honolulusë,” -tha Çupi.

Irena Gjoka i kalon ILD-së, Çupi: Përrallë e Berishës me organizata ekstremiste greke

Analisti Frrok Çupi komentoi në studion e News Line, vendimin e KLGJ për mos nisur verifik ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke ia kaluar cështjes ILD-së. Çupi e konsideroi cështjen një shpifje të sajuar nga disa organizata ekstremiste të ndaluara në Greqi që në bashëkpunim me Berishën.

“Është një veprim procedurë, normal realisht duket i thjeshtë. KLGj nuk është organ hetimor, mendoni cfarë absurdi ka. Është një mish mash, një konfuzion që dëshmon se këto organe duhet të përparojnë ose të shpallim që nuk ka drejtësi.

Është një punë e sajuar një shpifje e ndërtuar me mjete gjasme ligjore, nga disa organizata ekstremiste të ndaluara në Greqi që në bashëkpunim me Berishën kanë ndërtuar një përrallë të rrezikshme ligjore. Nuk ka patur asgjë që konsiderohet ligjore në raport me këtë gjë. Dëshmon se këtu ka hyrë ai që ka hyrë me molotov, ai që po nxit Shqipërinë në Strasburg”,-u shpreh Çupi./abcnews.al 

EMRI/ Vrau një të mitur në Gramsh, arrestohet në Greqi shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm

Arrestohet në Greqi me qellim ekstradimi një shtetas shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm. I arrestuari është Kostandin Nishku alias Baki Duzha, i ditëlindjes 17.10.1965, nga Gramshi. Akuza “vrasje për shkak të cilësive të veçanta”.

Më 19 mars te vitit 1997 ai ka vrare me armë zjarri një djalë 9 vjeç ne Gramsh. Ka shkuar në shtëpinë e tij qe të kërkonte vëllain e të miturit dhe e ka kërcënuar të miturin se do ta vriste në rast se nuk tregonte.

Kur 9-vjecari nuk ka treguar e ka qëlluar për vdekje. Me 10 shtator te vitit 1998 është dënuar në burgim të përjetshëm.

❌