Një grua është gjetur në banesën e saj pa shenja jete.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën në Prizren.
Tutje thuhet se njësitet relevante kanë dal në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është gjetur në banesën e saj pa shenja jete. Njësitet relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me ekipin e tij, mirëpriti ekipin e misionit të asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Yunhui Zhao nga selia qendrore e FMN-së.
Misioni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve të BQK-së në parashikimin makroekonomik dhe analizën e politikave, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Projekti i asistencës teknike pason diskutimet e mëhershme të zhvilluara gjatë Takimeve Vjetore në Washington DC, ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) të FMN-së (përfshirë menaxhmentin e lartë të ICD-së), si dhe kërkesën formale të BQK-së për këtë mbështetje dhe misionin hyrës të realizuar në shtator 2025.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat e ndërmarra nga BQK-ja me qëllim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e efektivitetit të politikave.
Ai po ashtu paraqiti pritshmëritë e institucionit nga ky angazhim, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e kapaciteteve analitike dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Guvernatori Ismaili theksoi se asistenca teknike do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme të brendshme dhe në rritjen e mëtejme të cilësisë së kornizës së politikave makroekonomike, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.
Korniza analitike që do të zhvillohet do të forcojë kapacitetet analitike dhe parashikuese të BQK-së, përfshirë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave dhe testimet e stresit makro-financiar, duke mbështetur kështu procesin e politikëbërjes së BQK-së.
Zhao prezantoi objektivat e dakorduara të projektit shumëvjeçar të asistencës teknike, i cili synon kryesisht krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme analitike për të mundësuar parashikime të besueshme dhe analiza skenarësh që informojnë procesin e vendimmarrjes.
Në përfundim, BQK-ja dhe ekipi i FMN-së rikonfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.
BQK-ja vlerëson lart mbështetjen e FMN-së dhe njeh vlerën e konsiderueshme të projekteve të asistencës teknike në forcimin e kapaciteteve institucionale. /Telegrafi/
Pas incidentit që ndodhi në shkollën ShFMU “Pavarësia” në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar mësimdhënësin të dyshuar për sulm fizik.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është raportuar më 09.02.2026, rreth orës 11:40, brenda objektit të shkollës. Një mashkull kosovar ka njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga një tjetër mashkull kosovar, derisa ndodheshin në ambientet e institucionit arsimor.
“I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit kompetent, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Rrethanat e incidentit dhe motivet e tij mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/
Dy persona janë arrestuar pasi që njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të dyshuarin tjetër, i cili dyshohet se kishte kryer veprën penale të ngacmimit ndaj viktimës.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 10:55, në Fushë Kosovë.
Tutje bëhet e ditur se dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar fizikisht te dyshuarin tjeter, I cili dyshohet se kishte kryer vepren penale te ngacmimit ndaj viktimes femer kosovare. Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
E plotësuar: Qytetarët sot po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq gjatë protestës është arrestuar një nga protestuesit.
“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës
“Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, janë mbishkrimet në pankarta që qytetarët mbajnë në duar gjatë protestës për të kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë para objektit të KEDS-it.
Protestuesit në shenjë revolte kanë gjuajtur tymosës në drejtim të objektit të KEDS-it.
Ndërkaq kjo protestë është organizuar nga një grup aktivistësh nga Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Më poshtë Telegrafi ju sjellë fotografi të protestës të shkrepura nga fotoreporteri, Ridvan Slivova. /Telegrafi/
Shkëlqim Hajdari është emëruar sot prefekt i Tiranës gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Vendimi i qeverisë përforcon ndryshimet në strukturat e administratës shtetërore dhe vjen në kuadër të riorganizimeve të fundit në nivelin e prefekturave.
Hajdari do të udhëheqë administratën e kryeqytetit, ndërsa ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm, duke zëvendësuar vetë Hajdarin në këtë post. /Euronews.al/
Policia e Shkodrës këtë të premte ka vënë në pranga një 19-vjeçar pasi në banesën e tij u gjendën 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Livadhet 3”, në pranga ka rënë O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.
“Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale 'Vjedhja' dhe 'Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit', lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara 'Lvadhet 1' dhe 'Livadhet 2', shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025".
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/
Pas autorizimit të Prokurorisë Themelore në Pejë për hetimet lidhur me procesin zgjedhor të numërimit të votave, një kryesuese është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, brenda afati ligjor prokurori shtetit do parashtroje kërkesë për sigurimin e prezencës në procedurë penale.
“Është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit edhe një kryesuese për rastin e procesit të numërimit të votimeve në Deçan. Brenda afati ligjor prokurori shtetit do parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës në procedurë penale”, ka thënë Nikçi. /Telegrafi/
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar shpenzimet tremujore (tetor-dhjetor 2025) të subjeketeve politike sipas rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Sipas njoftimit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson listën e shpenzimeve, me rreth 1 milion e 263 mijë euro të shpenzuara gjatë kësaj periudhe tremujore.
KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre të dhënave bëhet në kuadër të transparencës dhe monitorimit të financimit të subjekteve politike, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/
Shpërthimi i telekomanduar me eksploziv i një automjeti është parandaluar mbrëmjen e djeshme në Vrinë të Bashkisë Konispol.
Një qytetar me inicialiet M.Gj, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Sarandës se në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin Shëndëlli – Vrinë, ka dëgjuar zhurmë në mjetin e tij dhe pasi ka ndaluar ka konstatuar lëndë të dyshuar eksplozive.
Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektivë të shumtë të policisë dhe më pas edhe ekspertë të krimeve të renda nga Drejtoria e Policisë Vlorë dhe reparti anti-eksploziv i RENEA.
Nga informacionet e deritanishme, është mësuar së në mjetin tip “Nissan” me targa AA725LG, është konstatuar një sasi lëndë eksplozive e shpërndarë në sediljen e pasme të mjetit.
Ekspertët janë duke punuar për çaktivizimin e saj, ndërkohë që zona është rrethuar dhe kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.
Shtetasi M.Gj rezulton me precedentë penalë, i dënuar më parë. /Euronews.al/
Ka ndërruar jetë 76 vjeçari i cili është aksidentuar të enjten rreth orës 18:25 në rrugën “Ulqini”, në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se trupi i pajetë i viktimës, mashkull rreth 76-vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Më datën 05 shkurt 2026, rreth orës 18:25, në rrugën “Ulqini” në Mitrovicën e Jugut, është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet, ku një veturë ka goditur një këmbësor.
Si pasojë e aksidentit, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në SHSKUK. Më vonë, autoritetet spitalore kanë njoftuar se viktima ka vdekur.
Trupi i pajetë i viktimës, mashkull rreth 76-vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në panelin me temë “Sektori bankar dhe financiar i Kosovës: Një mundësi reale për investitorët francez”, i organizuar në kuadër të konferencës “Dita e Biznesit Francez”.
Konferenca u organizua nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropian, duke mbledhur përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe duke përfshirë katër panele tematike me fokus aktual.
Gjatë diskutimit në panel, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet kryesore në ekonominë e vendit, reformat e ndërmarra nga BQK-ja si dhe stabilitetin financiar.
Ai theksoi se sektori bankar i Kosovës mbetet ndër më të qëndrueshmit në rajon, i mbështetur nga nivele të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe nga një nivel i ulët i kredive joperformuese, duke luajtur një rol kyç në mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Më tej, Guvernatori Ismaili shpalosi angazhimin e BQK-së për forcimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, promovimin e produkteve dhe shërbimeve financiare inovative, si dhe avancimin e gjithëpërfshirjes financiare, me qëllim të krijimit të një sektori financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe të integruar me tregjet ndërkombëtare.
Stabiliteti financiar përforcohet nga korniza ligjore dhe rregullative e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian, si dhe nga përdorimi i euros si valutë zyrtare, të cilat garantojnë siguri juridike dhe kushte të barabarta konkurrence për bizneset dhe investitorët nga vendet e BE-së.
Në këtë kontekst, Guvernatori i BQK-së vuri në pah rëndësinë e inovacionit financiar dhe digjitalizimit si parakushte thelbësore për krijimin e një mjedisi tërheqës për investime të huaja.
Tutje, Guvernatori Ismaili elaboroi mbi nevojën për diversifikimin e burimeve të financimit përtej sektorit bankar, përfshirë avancimin e skemave garantuese dhe zhvillimin e tregut të kapitalit, me qëllim të zgjerimit të mundësive për tregti dhe investime, si dhe rritjes së konkurrencës në ekonomi.
Ai foli gjithashtu për agjendën e digjitalizimit dhe integrimeve në sektorin financiar, duke përfshirë modernizimin e infrastrukturës së pagesave përmes projektit të pagesave të shpejta TIPS Clone, progresin drejt anëtarësimit në SEPA, bankingun e hapur, si dhe iniciativat rajonale që synojnë rritjen e efikasitetit dhe ndërveprueshmërisë së sistemeve financiare.
Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian dhe projektet e tjera me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat pritet të ratifikohen nga Kuvendi, janë gjithashtu në funksion të arritjes së këtyre objektivave.
Krahas nxitjes së inovacionit, BQK po forcon mbikëqyrjen e ofruesve të shërbimeve financiare, standardet e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke siguruar që modernizimi i sistemit financiar të shoqërohet me ruajtjen e plotë të stabilitetit financiar.
Në përfundim, Guvernatori Ismaili nënvizoi se sektori financiar i Kosovës kombinon stabilitetin, modernizimin dhe inovacionin brenda një kornize konkurruese të harmonizuar me Bashkimin Evropian.
Me një sistem bankar stabil dhe konkurrues, infrastrukturë moderne, potencial në rritje në fushën e fintech-ut dhe një mjedis tatimor tërheqës, Kosova ka potencial të shndërrohet në një destinacion strategjik investimi, me perspektiva të qarta për rritje afatgjatë dhe integrim evropian.
BQK mori pjesë në këtë konferencë në kuadër të rolit të saj proaktiv për nxitjen e dialogut profesional dhe promovimin e bashkëpunimit, në funksion të ndërtimit të sistemeve financiare më të qëndrueshme, më të sigurta dhe më të integruara në rajon, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së. /Telegrafi/
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një postim në rrjetet sociale është shprehur se qeveria shqiptare ka për qëllim që të rrisë pagat për ushtarakët në mesataren e NATO-s deri në vitin 2029.
Sipas tij, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes në këtë mënyrë: 60-70% për nivelet bazë dhe 30-40% për nivelet e larta të komandimit.
“Forcimi i kapaciteteve njerëzore nuk vjen vetëm përmes trajnimeve, por edhe përmes pagave që reflektojnë përgjegjësinë, profesionalizmin dhe sakrificën.
Në këtë kuadër, pagat do të vijojnë trajektoren e rritjes:
60–70% për nivelet bazë
30–40% për nivelet e larta të komandimit”. /Euronews.al/
Gjatë patrullimit është ndaluar një veturë të cilën e drejtonte i dyshuari kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën “Kalim i paautorizuar i kufirit”.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 06:40 në fshatin Jarinje të Leposaviqit.
Tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në veturë janë gjetur 8 bidonë me mjaltë, të cilat janë dërguar në terminal doganor për procedura të mëtutjeshme, ndërsa i dyshuari në konsultim me prokurorin, është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Italinë dhe komunitetin shqiptar, pas humbjes së jetës së katër anëtarëve të familjes Kola në banesën e tyre në Porcari, pranë Luccës.
Familja dyshohet se është helmuar nga monoksidi i karbonit, një gaz i padukshëm dhe vdekjeprurës.
Sipas mediave italiane, alarmi u dha nga djali 22-vjeçar, i cili telefonoi qendrën e emergjencës 112, duke thënë fjalët dramatike:
“Motra ime është sëmurë, nuk e dimë çfarë ka”.
Gjatë telefonatës, i riu arriti të japë edhe adresën, por për shkak të gjendjes së rënduar, ngatërroi numrin e banesës. Para se të humbiste frymën, ai tha një adresë por tregoi gabimisht numrin e shtëpisë (tha 168 në vend të 186), që bëri që ambulanca të vinte rreth e rrotull për të gjetur shtëpinë. Si pasojë, ambulanca u drejtua fillimisht në adresën e gabuar dhe ndihma mjekësore mbërriti rreth dy orë me vonesë. Kur ekipet e emergjencës arritën më në fund në banesën e saktë, të katër anëtarët e familjes ishin pa shenja jete.
Viktimat janë:
• Arti Kola, 48 vjeç
• Jonida Kola, 43 vjeçe
• Hajdar Kola, 22 vjeç
• Xhesika Kola, 15 vjeçe
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i ngjarjes ka qenë rrjedhja e monoksidit të karbonit, ndërsa disa prej personave të ndihmës që hynë në banesë pas ngjarjes shfaqën gjithashtu shenja helmimi dhe u trajtuan nga mjekët.
Ngjarja ka hapur debat në Itali mbi menaxhimin e thirrjeve të emergjencës dhe rrezikun e madh që paraqesin pajisjet ngrohëse pa standarde sigurie. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që i mori jetën një familjeje të tërë. /Euronews.al/
Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të mbeten ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore, ndërsa identifikimi i faktorëve të rrezikut dhe zakoneve të dëmshme është thelbësor për parandalimin e tyre.
Gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, Fjolla Zhubi Bakija, specialiste e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë ka përmendur disa faktorë madhorë që ndikojnë drejtpërdrejt në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
“Faktorë të rrezikut madhor janë hipertensioni, diabeti, duhani, mbipesha, gjenetika dhe yndyrat e larta në gjak”, thekson Zhubi Bakija.
Ajo sqaron se këta faktorë shpesh nxiten nga zakonet e përditshme, të cilat me kalimin e kohës çojnë në probleme serioze shëndetësore.
Sipas saj, mungesa e aktivitetit fizik përbën një nga zakonet më të dëmshme.
“Mos aktiviteti fizik është një zakon, jeta sedentare, ushqimi i pashëndetshëm edhe duhani”, shprehet ajo, duke i cilësuar këto si tri ndër zakonet më problematike për shëndetin e zemrës.
Në veçanti, Zhubi Bakija ndalet te rëndësia e ushqyerjes së shëndetshme, duke paralajmëruar për rreziqet që vijnë nga konsumimi i ushqimeve të pashëndetshme.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 11:35, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore.
“Raportohet se në banesën e tij viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës iu është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, Fjolla Zhubi Bakijës, specialiste e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë ka thënë se simptomat e infarktit nuk paraqiten gjithmonë në të njëjtën mënyrë dhe jo çdo rast shoqërohet me dhimbjen klasike të gjoksit.
Zhubi Bakija ka thënë se infarkti paraqitet më së shpeshti me simptomën tipike që është dhimbja shtrënguese e gjoksit, siç tha "por jo gjithmonë".
"Dhimbja tipike zakonisht lokalizohet në mesin e gjoksit dhe mund të përhapet në krahun e majtë, në nofullën e poshtme, në shuplakën e majtë, në shpinë apo në shpatulla. Kjo dhimbje ka karakter shtrëngues, përkeqësohet gjatë aktivitetit fizik dhe zakonisht lehtësohet gjatë pushimit, ndonëse në rastet më të avancuara të sëmundjeve të arterieve koronare mund të shfaqet edhe në qetësi".
Megjithatë, kardiologia thekson se infarkti i miokardit nuk manifestohet gjithmonë me këto simptoma tipike.
Zhubi-Bakija tha se infarkti i miokadrit paraqitet me simptomë tipike të dhimbjes së gjoksit, sidomos te femrat dhe te personat me diabet.
“Ata kanë më shumë prirje të paraqesin lodhje ekstreme të theksuar, djersë të ftohta, vështirësi në frymëmarrje, marramendje apo thjesht një ndjesi se diçka nuk shkon”, shprehet ajo.
Zhubi Bakija këshillon që çdo simptomë e re dhe e pashpjegueshme, si lodhja e theksuar, vështirësia në frymëmarrje apo djersitja e papritur, duhet të merret seriozisht.
Më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë këtij takimi ka theksuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike.
“Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. E falënderova Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike”, ka shkruar ai.
Tutje Haradinaj ka shkruar se “Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik”. /Telegrafi/