Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Main stream

Qeveria teknike, s’ka koordinim mes grupeve parlamentare për ndryshimet ligjore

6 February 2026 at 20:47


Grupet parlamentare akoma nuk kanë një koordinim rreth draft ligjit për ndryshimin e ligjit për qeveri me të cilin rregullohet funksionimi i qeverisë teknike në zgjedhjet e ardhshme, pas riorganizimit të disa ministrive.

Sipas partisë në pushtet, për shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme nevojitet marrëveshje më e gjerë.

“Nuk kemi më Ministri për Punë dhe Politikë Sociale që të mund të zgjidhet ministër për Punë dhe Politikë Sociale. Nuk kemi më ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, këto dyja janë ndarë kështu që nuk mund të zgjidhet ministër. Këto ndryshimet janë të patjetërsueshme për të pasur qeveri teknike në zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi ynë të cilin duam ta harmonizojmë me të gjitha partitë politike është që pas zgjedhjeve të ardhshme, ta shfuqizojmë qeverinë teknike sepse e ka tejkalu edhe afatin edhe mandatin e ekzistencës”, deklaroi Brane Petrushevski, OBRM-PDUKM.

LSDM-ja mbetet kategorikisht kundër kurse VLEN-i është në të njëjtin qëndrim me partnerin e koalicionit, OBRM-PDUKM.

Për Frontin Evropian, disa nga ndryshimet e propozuara, posaçërisht neni që ka të bëjë me afatin e zbatimit të ndryshimeve, janë të paqarta. Megjithatë, ata thonë se shfuqizimi nuk mund të bëhet pa ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Në qoftë se Marrëveshja e Përzhinës është arritur që të finalizohet dhe të nënshkruhet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë, e njëjta duhet edhe të shfuqizohet me prezencën e komunitetit ndërkombëtarë. Në qoftë se do të jetë kështu siç qeveria aktuale e kërkon shfuqizimin e qeverisë teknike, ato e bëjmë me të vetmin qëllim që ta keqpërdorin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose cilatdo qofshin ato, ta keqpërdorin pushtetin dhe pozitën e tyre”, tha Rina Ajdari, Koordinatore e grupit parlamentar të Frontit Evropian.

Draft ndryshimet parashikojnë që ligji të hyjë në fuqi në ditën e tetë pas publikimit në Gazetën Zyrtare kurse dispozitat e tij do të zbatohen deri në ditën e publikimit të rezultateve përfundimtare dhe ndarjes së mandateve sipas njësive zgjedhore nga ana e KSHZ-së, për zgjedhjet e para me radhë për deputetë të mbajtura pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. /Alsat.mk

DPHM: Dhjetori i vitit 2025, ishte i ngrohtë mbi mesataren dhe me reshje shiu nën mesataren

6 February 2026 at 20:26


Dhjetori i vitit të kaluar ka qenë mbi mesataren i ngrohtë dhe nën mesataren me shi, sipas matjeve dhe vëzhgimeve të temperaturave mesatare ditore dhe reshjeve në stacionet meteorologjike në Maqedoni.

Krahasuar me temperaturat mesatare mujore të dhjetorit për periudhën tridhjetëvjeçare 1991 – 2020, në vitin 2025 temperatura e dhjetorit ka qenë 1,3 gradë më e lartë se mesatarja në nivel shtetëror, ndërsa sasia mujore e reshjeve ishte 50 për qind e mesatares krahasuar me vlerën mesatare të dhjetorit në periudhën 1991 – 2020, e cila ka qenë 65 mm.

“Dhjetori karakterizohet si një muaj normal i ngrohtë (me përjashtim të Mavrovës ku është shumë ngrohtë për këtë pjesë të vitit) dhe një muaj mesatarisht me shira në juglindje, i thatë në pjesën perëndimore dhe qendrore dhe shumë i thatë në Kriva Pallankë dhe Ohër, krahasuar me mesataren e vitit 1991/20. Temperatura mesatare mujore varionte nga 1.8°C në Mavrovë deri në 6.9°C në Gjevgjeli. Temperatura maksimale më e lartë u mat më 11 dhjetor në Gjevgjeli dhe ishte 16,7 gradë. Temperatura minimale më e ulët gjatë muajit u mat në Mavrovë, më 31 dhe ishte -11.,5 gradë. Në dhjetor 2025, sasia mujore e reshjeve në vend varionte nga 10 mm në Ohër deri në 101 mm në Gjevgjeli. Reshjet ishin nga shiu dhe bora. Sasia maksimale ditore e reshjeve prej 36 mm u mat në Gjevgjeli më 25 të muajit. Reshjet maksimale ditore të borës prej 16 cm u mat më datën 8 në Mavrovë”, informoi DPHM.

Rritja e pagave për 40 për qind, SPOGJ javën e ardhshme sërish do të ketë takim me përfaqësuesit e Qeverisë

6 February 2026 at 19:49


Për 95 për qind të organizatave sindikale është pranuar marrëveshja me Qeverinë për rritjen e pagave për 40 për qind, informojnë nga Sindikata.

“Pas deklaratave të të gjitha organizatave sindikale, Sindikata e SPOGJ javën e ardhshme do të mbajë një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë, në të cilin do të dakordësohet për fushëveprimin dhe kushtet e marrëveshjes kolektive” thuhet në kumtesën e SPOGJ.

Dje, kryetari i SPOGJ, Trpe Deanoski, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, tha se Qeveria e ka pranuar kërkesën e SPOGJ, por jo të plotë, dhe se është e rëndësishme që është rënë dakord për të paguar shtesa në paga për punonjësit në administratën shtetërore dhe gjyqësorin.

“Siç e njoftuam vitin e kaluar, ato do të jenë për disa vite, në 3 këste, 8 përqind secila, për fat të keq, jo 10. Do ta përsëris, për fat të keq, nuk i morëm vitin e kaluar, megjithatë, Qeveria ka pranuar t’i paguajë që tani e tutje, duke filluar nga marsi, përmes një metode në të cilën të gjitha institucionet nga administrata shtetërore dhe gjyqësori, domethënë gjykatat, prokuroritë… do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë”, tha Deanoski.

Ai shpjegoi se që kjo të realizohet, teksti i këtyre marrëveshjeve kolektive duhet të përgatitet së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Sindikatës. Më pas, marrëveshjet duhet të hidhen në votim para organeve dhe trupave të Sindikatës.

Ai theksoi se nëse anëtarët i pranojnë marrëveshjet, do të mundet menjëherë të vazhdohet me nënshkrimin e tyre.
SPOGJ dje përmes kumtesës informon se rritja e pagave për të gjtihë të punësuarit në administratë dhe gjyqësor është më e madhe nga rritja tashmë e siguruar me Marrëvehsjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik si e drejtë më e favorshme për punonjësit.

“Përveç kësaj, në llogaritjen e pagave të punonjësve, paga minimale mbetet një komponent i pagës, lufta për rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët vazhdon derisa ajo të rritet, dhe me të edhe rritja e pagave të të gjithë punëtorëve që kanë pagën minimale në llogaritjen e pagës së tyre. Pagat në njësitë e vetëqeverisjes lokale mund të rriten përmes lidhjes së marrëveshjeve kolektive individuale”, thuhet në kumtesën nga SPOGJ.

Mickoski e vlerësoi takimin me SPOGJ-në si konstruktiv, duke theksuar se përfaqësuesve të Sindikatës u kanë prezantuar kushtet dhe rregullat për rritjen e pagave të administratorëve për 40 përqind, duke shtuar se tani pret një përgjigje prej tyre nëse e pranojnë propozimin nga Qeveria.

Mickoski: Përfaqësuesit e BE-së në RMV do të jenë vazhdimisht të informuar për zbatimin e Agjendës Reformuese

6 February 2026 at 18:59


Në kuadër të brifingut të dedikuar monitorimit të progresit në zbatimin e Agjendës Reformuese, i cili u mbajt në Qeveri dhe ku morën pjesë anëtarë të Qeverisë, ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, u bë një pasqyrë e detajuar e rezultateve të deritanishme dhe prioriteteve të ardhshme në fushat kyçe reformuese.

Në këtë ngjarje, fjalim mbajti edhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e cila u ndal në aktivitetet dhe rezultatet e Ministrisë në fushën e tranzicionit të drejtë, integrimit të tregut dhe avancimit të politikave energjetike në përputhje me standardet evropiane.

Ministrja informoi se strukturat drejtuese të parashikuara me Udhërrëfyesin për Tranzicion të Drejtë janë plotësisht funksionale dhe se është miratuar me sukses Plani Vjetor i Zbatimit për vitin 2026, i harmonizuar me dokumentet strategjike dhe prioritetet investuese të Qeverisë.

Theks i veçantë iu kushtua miratimit të Ligjit të ri për Energjetikë, me të cilin shteti bëri një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të plotë me Paketën për Integrimin e Energjisë Elektrike të Komunitetit të Energjisë, si dhe progresit në përgatitjen e akteve nënligjore nga ana e SHA MEPSO.

Në fjalimin e saj, ministrja theksoi gjithashtu gatishmërinë institucionale të operatorëve për zbatimin praktik të mekanizmave evropianë të tregut, si dhe njohjen ndërkombëtare përmes anëtarësimit në Italian Working Border Table.

Në aspektin e dimensionit social, u theksua se Ministria zbaton në mënyrë aktive masa për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, me një metodologji të miratuar për matjen e varfërisë energjetike dhe me mbështetje të siguruar për mijëra familje.
Gjithashtu, ministrja informoi për miratimin e Planit Trevjeçar për rinovimin e objekteve të Qeverisë Qendrore. Rezultatet e arritura, siç u theksua, përbëjnë një dëshmi të qartë të përkushtimit të institucioneve ndaj një tranzicioni të suksesshëm energjetik, integrimit të tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.

Siç paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, do të mbahen rregullisht cikle takimesh, përkatësisht brifingje, me përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë rezidente në vendin tonë, me qëllim informimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi hapat e ndërmarrë në zbatimin e Agjendës Reformuese.

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të vazhdojë me zbatimin e përgjegjshëm dhe transparent të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim sigurimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të drejtë.

Gjykimi ndaj “Shteklit”, u prezantuan ekspertizat mjeko-ligjore dhe analizat e ADN-së

6 February 2026 at 18:21


Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi debati kryesot për lëndën kundër Rade Trajkovski-Shtekli dhe të akuzuarve tjerë për prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike.

Në seancën e sotme u prezantuan dëshmi të materialeve, duke përfshirë procesverbale për bastisje, konfirmoi për gjërat e sekuestruara përkohësisht dhe ekspertizat mjeko-ligjore për substanca të gjetura narkotike dhe gjurmë biologjike.

Para gjykatës u paraqitën prova lidhur me bastisjen e automjetit motorik “Opel” me targa të Shkupit, të drejtuar nga njëri i akuzuar. Sipas materialeve të prezantuara, gjatë bastisjes nën sediljen e shoferit u gjet një kuti cilindrike dhe një qese me substancë të bardhë në pluhur.

“Raporti i ekspertizës nga 10.01.2025 konfirmon se substanca e bardhë në pluhur, e gjetur në sasi prej 31 gramë tek personi, është kokainë", u theksua nga ana e prokurores publike Verica Berzhetska Krstevska.

Në vazhdim të procedurës dëshmuese prokurorja publike prezantoi edhe rezultatet e analizës së ADN-së të gjërave të gjetura.

“Rasporti i ekspertizës, i cili përcaktoi gjurmë të gjakut, nga pjesa e sipërme e sipërfaqes së brendshme të njërës nga qeset, është një substancë pluhur, e lidhur me personin në profilin e ADN-së të njërit prej të pandehurve”, citoi Berzhetska Krstevska.

Për personin e njejtë është kryer një urdhër për bastisje në shtëpi, me ç’rast i është marrë edhe celulari.

Në lidhje me komunikimin mes të pandehurve, u prezantuan lista të bisedave telefonike të realizuara në gusht të vitit 2024. Sipas dëshmive, është regjistruar komunikim mes pjesës së të pandehurve, me ç’rast janë vendosur stacionet bazë në rajonin e lagjeve Keramidnica dhe Debar Maalo.

Ndër provat e paraqitura ishte një raport i gushtit të vitit 2024 mbi ekzaminimin e një personi në Shkup, të cilit, sipas akuzave, iu gjet një qese me lëndë bimore e fshehur në një prezervativ. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se bëhej fjalë për 16.5 gramë marihuanë. Përveç kësaj, u paraqitën prova për një substancë të bardhë të gjetur në një automjet “Leksus”, të cilën ekspertiza mjeko-ligjore e tregoi të ishte 4.17 gramë kokainë.

Grupi, sipas aktakuzës, ka vepruar midis janarit 2024 dhe janarit 2025 dhe ka qenë i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga prokurimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës.

Prokuroria pretendon se i pandehuri i parë, Rade Trajkovski-Shtekli, shfaqet si organizator dhe koordinator, i cili ka qenë në kontakt me individë të huaj dhe ndërmjetës vendas për prokurimin fillestar të kokainës, duke dhënë udhëzime për zgjerimin e rrjetit.

Sipas provave të Prokurorisë, droga është ruajtur në banesa me qira, ndërsa është shitur me çmim prej 4.500 deri në 6.000 denarë për një gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për një gram marihuanë. Komunikimi është zhvilluar përmes aplikacioneve për komunikim të mbrojtur si “Snapçat”, ndërsa dëshmi kyçe u siguruan përmes sistemit për analizë të celularëve.

Në fillim të procesit gjyqësor i pandehuri i parë Rade Trajkovski – Shtekli tha se nuk e kupton aktakuzën, ndërsa të pandehurit tjerë u shprehën se nuk ndjehen fajtorë.

Mbrojtja e Trajkovskit tha se do të dëshmojë se ai nuk ka formuar, as nuk ka organizuar grup kriminel dhe se nuk ekzistojnë prova se ka dhënë udhëzime që tregojnë se pretendimet e Prokurorisë bazohen në supozime.

Aktakuza fillimisht përfshinte 16 persona, nga të cilët disa tashmë lidhën marrëveshje dhe morën dënime me burg, ndërsa për katër të akuzuar procedura u nda pas pranimit të fajit.

Në vitin 2025 Kuvendi u vizitua nga 11,328 vizitorë

6 February 2026 at 17:42


Gjatë vitit 2025, Kuvendi u vizitua nga 11,328 vizitorë, që është numri më i madh i vizitorëve që nga futja e mundësisë së vizitave të organizuara në vitin 2014. Numri i vizitave të organizuara ishte 239, ku shumica e tyre u zhvilluan në maj.

Siç informon shërbimi për shtyp i Kuvendit, vizitat e organizuara u realizuan me nxënës, studentë, organizata qytetare, delegacione të huaja, si dhe grupe qytetarësh të organizuara në mënyrë të pavarur.

Kuvendi i vazhdon vizitat e organizuara edhe në vitin 2026, ndërsa prej sot, njofton, fillojnë “Ditët e hapura”, të cilat do të mbahen çdo të premten, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi për vizitë dhe njohje me punën e Shtëpisë Ligjvënëse.

“Kuvendi hapi dyert e tij për vizita të organizuara dhe ture edukative edhe në vitin 2025 dhe vazhdoi t’u mundësojë qytetarëve të njihen nga afër me ambientet dhe punën e Dhomës Ligjvënëse. Turet e organizuara janë të dedikuara për nxënësit, studentët, organizatat qytetare dhe grupet e tjera të interesuara dhe përfshijnë vizita njëorëshe me guidë në ambientet e Kuvendit, njohja me historikun e tij, kompetencat, funksionimin dhe rëndësinë e vetë institucionit”, citohet në kumtesë.

Vizitat shënuan nota të larta në pyetësorët e vlerësimit – vizitorët vlerësuan pozitivisht programin dhe informacionet e ndara, qëndrimin e guidës dhe vizitën në tërësi.

Salla më mbresëlënëse midis vizitorëve është Salla e Ohrit, e dekoruar me gdhendje me motive popullore, e cila përdoret nga Kryetari i Kuvendit për takime me koordinatorët e grupeve parlamentare, aktivitete protokollare, nënshkrimin e deklaratave dhe ngjarje të tjera.

“Vizitat e organizuara përfshijnë edhe vizita në Sallën Plenare, Sallën “Boris Trajkovski”, Sallën “Drugdhendje” (si pjesë e Kabinetit të Kryetarit), Sallën e Kristaltë, Sallën e Komisionit Kushtetues dhe salla të tjera të ndërtesës së Kuvendit. Kuvendi dhe Instituti Parlamentar i ftojnë të gjithë qytetarët, shkollat, fakultetet dhe organizatat e interesuara të shfrytëzojnë mundësinë për të vizituar dhe përjetuar Kuvendin nga brenda”, citon shërbimi për shtyp i Kuvendit.

Informacionet mbi paraqitjen dhe organizimin e vizitave janë të disponueshme në faqen e internetit të Kuvendit.

Së shpejti kamerat nga "Safe City" do të aktivizohen edhe në Strugë e Ohër

6 February 2026 at 17:00


Sistemi “Safe City” së shpejti do të funksionojë në Ohër dhe Strugë, me instalimin e gjithsej 40 kamerave të trafikut që do të zbulojnë shkeljet dhe do të shërbejnë si një mjet për disiplinë më të madhe në rrugë.

Një pjesë e infrastrukturës është tashmë në teren: katër kamera janë instaluar në seksionin e autostradës Ohër-Kërçovë, pranë Gorencit dhe Trebenishtës, si dhe pranë Botunit dhe Novo Sellës në Debrcë.

Për momentin, kamerat nuk vendosin sanksione – sistemi është në fazën e testimit teknik dhe kontrollit të pajisjeve.

SPB Ohër raporton se qëllimi është të zvogëlohen shkeljet dhe aksidentet e trafikut, veçanërisht gjatë periudhave të mbingarkesës më të madhe të trafikut dhe rrezikut më të lartë të drejtimit të pakujdesshëm, parkimit të paligjshëm dhe “tejkalimit” të shpejtë në autostrada dhe hyrje në zonat turistike.

Projekti “Qyteti i Sigurt” ka filluar tashmë në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, ku gjobat filluan më 1 shkurt 2026, pas periudhës së mëparshme të testimit nga 1 dhjetori 2025. Sistemi do të zgjerohet në të gjithë vendin, me një rritje graduale të mbulimit sipas vendndodhjes dhe llojit të veprës penale.

Qytetarët paralajmërohen se kamerat do të bëhen “aktive” pas përfundimit të testeve dhe lançimit zyrtar, dhe pikat më të rrezikshme do të jenë ato ku trafiku tradicionalisht është më intensiv.

SPB thekson se transparenca është po aq e rëndësishme sa teknologjia, me informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë të kamerave, llojin e veprave penale të sanksionuara, kalibrimin e pajisjeve dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Yesterday — 5 February 2026Main stream

ISHP: Neoplazmat malinje, shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekshmërisë në RMV

5 February 2026 at 13:14


Neoplazmat malinje janë ndër shkaqet më të shpeshta të vdekshmërisë në botë. Në vendin tonë, pas sëmundjeve të sistemit qarkullues, neoplazmat malinje përbëjnë shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjes. Në periudhën 2010–2024, shkalla e mortalitetit ka lëvizur nga 180,3 për 100.000 banorë në vitin 2010 deri 217,0%000 në vitin 2024, theksohet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik.

Shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje te meshkujt ka qenë më e lartë krahasuar me femrat.

“Në periudhën 2010–2024, shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje te popullsia mbi moshën 65 vjeç ka shënuar luhatje dhe lëviz nga 881,1 në vitin 2010 në 821,3 në vitin 2024 për 100.000 banorë”, shkruan në raport.

Shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje në grupmoshën mbi 65 vjeç ka qenë më e lartë te popullata mashkullore. Shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje në grupmoshën 0–64 vjeç ka qenë dukshëm më e ulët krahasuar me shkallën e mortalitetit mbi moshën 65 vjeç. Edhe në grupmoshën 0–64 vjeç, mortaliteti ka qenë më i lartë te meshkujt në raport me femrat.

“Te meshkujt, shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje në periudhën 2010–2024 është neoplazma malinje mushkërive, me një shkallë mortaliteti që varion nga 64,8 në vitin 2010, në 58,2 në vitin 2017, 56,1 në vitin 2021, 68,3 në vitin 2023 dhe 71,3 për 100.000 meshkuj në vitin 2024. Te femrat, shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje në periudhën 2010–2024 është neoplazma malinje e gjirit. Shkalla e mortalitetit ka lëvizur nga 30,0 në vitin 2010, 32,6 në vitin 2021, 38,5 në vitin 2022 dhe 39,4 për 100.000 femra në vitin 2024”, shkruan në raport.

Zjarri në Koçan, dëshmon zjarrfikësi: Arritëm në "Pulse" për pesë minuta, kishte shumë njerëz të bllokuar brenda në diskotekë

5 February 2026 at 12:40


Brigada e zjarrfikësve njoftimin për zjarr në diskotekën “Pulse” në Koçan e mori në orën 2:35 të mëngjesit, ndërsa zjarri u shua rreth orës 4 të mëngjesit.

Zjarrfikësi Bllagoj Paunov, i cili me një koleg tjetër mbërriti si automjeti i parë i zjarrfikës, në gjykimin e sotëm për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, dëshmoi se kur mbërritën në vendngjarje pesë minuta pas njoftimit, kishte shumë njerëz të bllokuar dhe vetëm pak tym që dilte nga sipër derës së hyrjes.

Paunov i cili ishte kujdestar atë natë, deklaroi para gjykatës se njoftim për zjarrin kishin pranuar në orën 2:35, pas çka për pesë minuta ishin në vendin e ngjarjes si automjet i parë me kolegun Dejan Georgiev, dhe filluan me nxjerrjen e personave të bllokuar në diskotekë. Pastaj si automjet i dytë kishte mbërritur edhe komandanti i ndërrimit dhe edhe një koleg, ndërsa pas tyre edhe kolegët e tjerë me edhe dy automjete.

“Me të mbërritur në vendngjarje, na drejtuan nëpunësit e policisë dhe na bënë vend për të parkuar menjëherë pranë diskotekës. Kur dolëm, kishte shumë njerëz në parking, shumë prej të cilëve kishin rënë. Kishte edhe njerëz që kishin rënë në shkallë, dhe disa njerëz të bllokuar te dera e përparme që kërkonin ndihmë”, deklaroi zjarrfikësi Paunov.

Kur mbërritëm në vend, thotë, kishte vetëm pak tym si dilte nga dera e hyrjes, ne nuk mundëm ta shihnim zjarrin. Nga përvoja mendoj ishte mbytës dhe për shkak të mungesës së oksigjenit nuk ka mundur të përhapej zjarri.

“Por procedura jonë standarde është se përparësia më e lartë është shpëtimi i jetëve njerëzore. Nuk pamë flakë, na u desh t’i nxirrnim njerëzit jashtë. Dhe kur mbërriti ekipi i dytë, ata i nxorën të parët jashtë, sepse nuk mund të linin radhën. Menjëherë filluam të nxirrnim njerëzit e bllokuar në derën e përparme. Kur nxorëm një person, na u desh të kërkonim ndihmë nga policia dhe dy roje sigurie dhe civilë. Dhe kështu në ekipe të përziera filluam të nxirrnim fëmijët. Ata më të dobëtit ishin më të lehtë, dhe ata më të mëdhenjtë ishin më të vështirë, dhe të gjithë reaguan ndryshe. Disa ishin të tërbuar, në shok dhe konvulsione, dhe na u desh t’i çonim në parking. Të tjerë, nga paniku, na shkelën ne dhe fëmijët e tjerë për të dalë. Kur e zvogëluam numrin, në atë moment vura re tashmë se kishte mbërritur ambulanca, si dhe më shumë civilë dhe se ata filluan t’i çonin në spital”, deklaroi dëshmitari.

Të gjithë të akuzuarit tjerë deklaruan se nuk ndjejnë faj për veprën për të cilën akuzohen.

Kujtojmë se më 16 mars 2025, në diskotekën “Pulse” në Koçan, shpërtheu zjarr në të cilin vdiqën 63 persona dhe u lënduan mbi 200.

Kasami: Vijojnë bisedimet për bashkimin e VLEN-it në një parti të vetme politike

5 February 2026 at 12:10


Kryetari i Komunës së Tetovës, njëherazi dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar sot se bashkimi i VLEN-it në një parti të vetme nuk është vetëm çështje administrative, por është çështje e një strukturimi të brendshëm partiak të barabartë, informon Telegrafi Maqedoni.



Kasami tha se kanë pasur bisedime të vazhdueshme dhe se edhe një takim mes liderëve të VLEN-it do të ketë edhe gjatë kësaj jave.

“Kemi pasur takime, do të kemi edhe një takim deri në fund të kësaj jave. Kemi biseduar për lidershipin por edhe për strukturimin e VLEN-it në një parti poltiike. Jemi katër subjekte politike e poashtu edhe Vetëvendosja e cila do të duhet te jëte e inkorporuar brenda VLEN-it, poashtu edhe Lëvizjen Arbëria, ndaj kjo nuk është vetëm çështje administrative që do ta lejojë bashkimin në një parti, por duhet të jetë mundësi e hapur për të gjithë që jemi pjesëmarrës në VLEN”, tha Kasami.

Ai komentoi edhe ligjin për arsimin e lartë, sipas tij do të ketë organizim më të mirë drejt një kualiteti më të mirë.

Kasami ndër të tjera përmendi edhe procesin e reformave që Brukseli i ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut, e poashtu edhe realizimin e ndryshimeve Kushtetuese.

"Siç e dini edhe ju, tashmë Sofja po shkon në zgjedhje të parakoshme dhe çdo veprim që ndërmarrin ne drejt realizimin të ndryshimeve kushtetuese normalisht që lidhet edhe me Bullgarinë dhe momentin atje. Qeveria ka mbajtur mbledhje dhe është biseduar të përshpejtohet procesi reformues sipas kërkesave që i ka Brukseli", deklaroi Kasami. /Telegrafi

Siljanovska-Davkova përshëndeti vendosjen e regjimit pa viza mes RMV-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

5 February 2026 at 11:25


Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, ka takuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikun Mohammed bin Zayed Al-Nahyan.

Nga Presidenca thonë se gjatë takimit, Siljanovska-Davkova shprehu falënderim për mikpritjen dhe mundësinë për të marrë pjesë në samit, duke e vlerësuar atë si një platformë jashtëzakonisht të rëndësishme për përballimin e sfidave globale dhe rajonale dhe për zhvillimin e një dialogu të rëndësishëm me udhëheqës dhe partnerë të shquar nga e gjithë bota. Në fokus të bisedës, siç njoftoi Kabineti i Siljanovska-Davkovës, ishin perspektivat për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe u theksua nevoja për përmirësimin e kornizës ligjore.

“Presidentja përshëndeti vendosjen e regjimit pa viza mes dy vendeve, duke e vlerësuar këtë si një mundësi të shkëlqyer për lehtësimin e komunikimit të përgjithshëm midis dy shoqërive. Ajo shprehu bindjen se takimi, i cili realizohet para 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, do të japë një impuls të fortë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet tyre. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi çështjet globale aktuale dhe rëndësinë e përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve ekzistuese. Në këtë kontekst, presidentja përshëndeti rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili bazohet në parimet e paqes dhe tolerancës”, thonë nga Presidenca.

DPHM: Më ftohtë në Kodrën e Diellit, më ngrohtë në Gjevgjeli

5 February 2026 at 10:43


Temperatura më e ulët këtë mëngjes është matur në Kodrën e Diellit ku janë regjistruar -2 gradë Celsius.

Temperaturat prej një gradë u regjistruan në Mavrovë dhe Lazaropole, dy gradë në Krushevë dhe tre në Pozharan.

Në disa qytete në të gjithë vendin, temperatura minimale varionte midis katër dhe gjashtë gradëve, ndërsa më e ngrohta ishte në Strumicë, Demir Kapi, Shtip dhe Gjevgjeli me nëntë gradë.

Në 24 orët e fundit, më shumë reshje u regjistruan në Gjevgjeli, ku ranë 19 litra për metër katror. Në Strumicë u matën 12 litra, në Berovë 10, dhe në Demir Kapi, Kriva Palankë dhe Kodrën e Diellit nëntë litra për metër katror secila.

Në Manastir, Pozharan dhe Lazaropole u matën tetë litra, ndërsa në Tetovë dhe Mavrovë shtatë litra për metër katror.

Mickoski sot takon Sindikatat, do të shqyrtohen ofertat për rritjen e pagës minimale

5 February 2026 at 10:10


Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski do të takohet me Sindikatën këtë pasdite. Takimi është planifikuar për në orën 16:45 dhe vjen pasi Mickoski bëri një ofertë për rritje page, të cilën Sindikata e quajti të pranueshme dhe do të diskutohej më tej brenda organizatave sindikale.

Në një deklaratë për mediat, Kryeministri tha se oferta ka qenë në tryezë për më shumë se një vit dhe se është i gatshëm të takohet dhe të nënshkruajë marrëveshjen kolektive.

Mickoski dje tha se me bisedimet aktuale për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për punonjësit në administratën publike Qeveria ka formulën e vet për llogaritjen e pagave të punonjësve në administratë.

"Shumica e përfaqësuesve të sindikatave, si përfaqësues ashtu edhe ata të degëve, pajtohen me qëndrimin e Qeverisë, me disa përjashtime. Formula e ofruar nga Qeveria në lidhje me mënyrën se si do të ndiqet rritja e pagave për administratorët do të thotë të ardhura më të larta për ta në faza, dhe jo vetëm për aq sa do të rritet paga minimale", tha Mickoski.

Errësimi i xhamave të veturave, policia gjobitë 101 shoferë

5 February 2026 at 09:40


Ministria e Punëve të Brendshme informon se brenda një muaji, respektivisht nga 01.01.2026 deri më 31.01.2026, Policia ka kryer kontrolle trafiku në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që nuk i përmbushin kushtet e përcaktuara për errësimin e xhamave të automjeteve.

Janë dënuar 101 shoferë.

“Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 101 pjesëmarrës në trafik. Për të gjithë shkelësit janë përgatitur aktet përkatëse. Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat dhe ligjet e trafikut, për të kontribuar së bashku në rrugë më të sigurta“, thonë nga MPB.

LAMM: Mjegull në rrugën Kodra e Diellit-Lisec, shoferët të tregojnë kujdes të shtuar

5 February 2026 at 09:10


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte normale dimërore, me rrugë të lagura në disa pjesë.

Shoferët paralajmërohen të jenë shumë të kujdesshëm, veçanërisht në zonat më të larta dhe malore.

Në rrugën Kodra e Diellit - fshati Lisec është regjistruar dukshmëri e reduktuar për shkak të mjegullës, deri në rreth 30 metra, gjë që i ndërlikon më tej kushtet e drejtimit të automjeteve në këtë pjesë.

Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të rregullojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të monitorojnë gjendjen e rrugëve para se të nisen.

Regjistrohen dy tërmete në Maqedoninë e Veriut

5 February 2026 at 08:40


Dy tërmete më të dobëta u ndjenë mbrëmë në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë, njoftoi Observatori Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup.

Tërmeti i parë u regjistrua në orën 19:50 dhe u ndje në Ohër dhe zonën përreth me një intensitet prej III gradësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës.

Sipas të dhënave, epiqendra e tij ndodhej në territorin e Greqisë, rreth 100 kilometra në juglindje të Shkupit.

Tërmeti i dytë ndodhi në orën 23:10 dhe u ndje në Manastir, Ohër dhe zonat përreth, gjithashtu me një intensitet prej III gradësh sipas Shkallës Evropiane të Makroseizmikës.

Epiqendra e këtij dridhjeje e ka origjinën në Shqipërinë fqinje, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Shkupit, me një magnitudë lokale prej 3.7 gradësh në shkallën Rihter.

Observatori Sizmologjik tregon se këto janë tërmete me intensitet të ulët, të cilat janë të zakonshme për rajonin më të gjerë.

Before yesterdayMain stream

MPB: Mbi 50 mijë qytetarë kanë të paktën një ndalesë për të drejtuar makinën

4 February 2026 at 20:34


Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka statistika me shkelësit më ekstremë të rregullave në trafik. Vetëm në 4 vitet e fundit 55. 405 shoferëve u janë shqiptuar të paktën nga 1 ndalesë për drejtim të automjetit, prej tyre 677 shoferë kanë nga 4 ndalesa, 291 shoferë kanë nga 5 ndalesa, ndërsa dy shoferë kanë madje deri në 40 ndalesa për drejtim të automjetit për shkak të shkeljeve në trafik.

“Numri i qytetarëve që kanë vendim gjyqësorë për ndalesë për drejtimin e automjetit është 1.863. Me katër ndalesa janë 677 qytetarë, me pesë ndalesa janë 291 ndërsa dy janë me nga 40 ndalesa”, tha Goce Andreevski, MPB.

Për shumicën prej këtyre personave sipas ligjit të ri për kundërvajtje në trafik, parashikohet ndalesë të vlefshmërisë së lejes së vozitjes. Në nenin 4 paragrafin 4 të këtij ligji, ky sanksion vijon nëse brenda 4 vitesh shoferët akumulojnë të paktën 3 ndalesa për drejtim të automjetit.

Neni 4 paragrafi 5 “Gjykata do të shqiptojë sanksion ndalesë të vlefshmërisë së patentës së shoferit për shkeljen e bërë në trafik për të cilën është paraparë sanksion ndalesë për drejtimin e automjetit, nëse shoferi në katër vitet e fundit ka së paku 3 sanksione kundërvajtëse të plotfuqishme- ndalesë për drejtim të automjetit të të njëjtës kategori. Llogaritet nga dita e vendimit të plotfuqishëm për sanksionin e parë kundërvajtës.”

"Gjykata shqipton ndalesë së vlefshmërinë e patentës nëse janë bërë 3 ndalesa për drejtim brenda 4 vitesh
Këta shkelës janë tashmë të evidentuar në sistem, dhe në momentin që do ta dalin në trafik në mënyrë automatike do të detektohen nga sistemi inteligjent “Safe City” .

Për të gjithë këta persona ka dosje me numra referent, por mbetet e paqartë nëse të njëjtat do të interpretohen direkt si padi penale, nëse shkojnë te policia e qarkullimit rrugorë apo direkt në stacionin policor ku kapen e ku rrjedhimisht hapet lëndë nga prokurori. /Alsat.mk

Osmani në SHBA: Presioni që ushtrohet përmes vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, mund të çojë në destabilizim

4 February 2026 at 19:46


Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në një fjalim të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ngriti alarmin për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Ai përmendi tentativën për prekjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se sot presioni nuk ushtrohet më vetëm me mjete ushtarake, por përmes narrativave politike dhe institucioneve, duke përmendur konkretisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut si pjesë e një klime që mund të çojë drejt destabilizimit.

Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë e hapësirës së konkurrencës strategjike dhe se integrimi rajonal, infrastruktura dhe bashkëpunimi politik janë elemente kyçe të parandalimit modern. Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe Iniciativën e Korridorit 8, të cilën e cilësoi si projekt sigurie për krahun jugor të NATO-s.

Ai apeloi që rajoni të mos trajtohet vetëm si hapësirë për menaxhimin e krizave, por si investim strategjik në arkitekturën euroatlantike të sigurisë, duke paralajmëruar se injorimi i këtyrezhvillimeve sot mund të prodhojë pasoja serioze në të ardhmen.

Protesta për konfiskimin e automjeteve për shoferët pa leje, MPB paralajmëron masa

4 February 2026 at 19:03


Qindra qytetarë të prekur nga masa e sekuestrimit të automjeteve për drejtim pa dhënë provimin e vozitjes protestuan në Shtip, Koçan, Strumicë, Prilep, Manastir dhe Resnjë, për shkak të marrjes së automjeteve të tyre, në përputhje me nenin 297 të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik”.

Në Shtip, një grup qytetarësh dogjën goma në rrugë, pas çka ndërhyri Shërbimi i Zjarrfikësve për të shuar zjarrin dhe për të normalizuar gjendjen.

Në Koçan, qytetarët u mblodhën në lagjen Trajanovo Trllo. Në Manastir u bllokua rruga magjistrale drejt Resnjës, pranë lagjes Bair, ndërsa protesta vazhdoi edhe sot nëpër rrugët e qytetit. Motivi i përbashkët i të gjitha protestave është pakënaqësia ndaj konfiskimit të automjeteve, të cilat, sipas qytetarëve, kanë qenë mjeti i tyre kryesor i punës dhe burim jetese për familjet e tyre.

Nga MPB njoftuan se nuk ka pasur prishje të rendit dhe qetësisë publike në protestat e mbrëmshme, por në koordinim me Prokurorinë Publike, po ndërmerr masa dhe aktivitete për veprim të mëtejshëm.

Misajllovski në samitin REAIM: Është konfirmuar gatishmëria e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit maqedono-spanjoll në mbrojtje

4 February 2026 at 18:23


Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski sot ka marrë pjesë në hapjen e Samitit të tre global për inteligjencë artificiale në mbrojtje – REAIM, që po mbahet në A Korunja, Mbretëria e Spanjës.

Ngjarja organizohet me ftesë të ministres spanjolle të Mbrojtjes, margarita Robles Ferndandes.

Në samit, në të cilin marrin pjesë ministra, përfaqësues shtetërore nga vendet anëtare të OKB-së, bashkësia akademike dhe organizatat ndërtkombëtare, diskutohet për zhvillimin përgjegjës të inteligjencës artificiale në konteskt ushtarak dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare.

Në kuadër të ngjarjes, siç njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes, Misajllovski ka realizuar takim dypalësh me ministren Robles, në të cilën është konfirmuar gatishmëria e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje mes dy vendeve.

Dy ministrat kanë biseduar për më shumë aktivitete të mundshme të përbashkëta dhe për përgatitjen e një Plani të ri për bashkëpunim.

Ministri Misajllovski theksoi se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë mbrojtëse kërkon bashkëpunim të fortë midis aleatëve për të siguruar sigurinë dhe stabilitetin. Sipas tij, ftesa për në REAIM është një konfirmim shtesë i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe me Spanjën.

Në deklaratën e tij, Misajllovski kujtoi se në nëntor 2024, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë kandidat nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Partneritetin e sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të japë një kontribut të fortë në sigurinë rajonale dhe kolektive.

❌
❌