Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 January 2026Main stream

Deputetja britanike kërkon të takojë paqeruajtësit që shpëtuan dy vajza shqiptare në Kosovë më 1999

29 January 2026 at 22:30


Katër paqeruajtës britanikë u shndërruan në simbol humanizmi dhe guximi në ditët e para të pasluftës në Kosovë, menjëherë pas nënshkrimit të dorëzimit të forcave serbe në qershor të vitit 1999.

Bëhet fjalë për Lain Laidlaw, Martin Calder, John Potts dhe Gary Robertson, të cilët vetëm një ditë pas mbërritjes në Kosovë, më 16 qershor 1999, shpëtuan dy vajza të reja shqiptare që ishin kapur nga paramilitarë serbë dhe po përgatiteshin të dhunoheshin seksualisht para familjarëve të tyre.

Për këtë akt heroik, gazeta britanike The Mirror i kishte cilësuar ata si “heronj”, duke e bërë publik rastin vetëm një ditë pas ndërhyrjes së tyre vendimtare.

Pas më shumë se dy dekadash, kjo ngjarje është rikthyer sërish në vëmendje.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka bërë thirrje publike për t’i gjetur dhe për t’u takuar personalisht këta katër ish-paqeruajtës.

“Ju lutem ndani: A keni shërbyer në Kosovë në vitin 1999? Po përpiqem të gjej zotërinjtë e mëposhtëm që shpëtuan dy gra të reja në Kosovë”, ka shkruar Kearns në thirrjen e saj.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbi 13 mijë civilë shqiptarë u vranë, rreth 20 mijë gra dhe burra u dhunuan seksualisht, ndërsa mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.

Rasti i shpëtimit të dy vajzave shqiptare nga paqeruajtësit britanikë mbetet një nga shembujt më të fuqishëm të ndërhyrjes humanitare dhe të rolit që forcat ndërkombëtare luajtën në mbrojtjen e civilëve në ditët më të errëta të historisë së Kosovës./Telegrafi.

Please share: Did you serve in Kosovo in 1999? I’m trying to find the following gentlemen who saved a pair of young women in Kosovo.

Sergeant Iain "Spike" Laidlaw

Corporal Martin "Jock" Calder

Lance Corporal John "Potts" Potts

Private Gary "Robbo" Robertson

Thank you for… pic.twitter.com/x5BzSXcC4N
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) January 29, 2026

Deputeti gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në 99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

29 January 2026 at 21:50


Deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviq, ka mbajtur një fjalim të fortë në Parlamentin gjerman, ku ka folur për ngjarjet në Kosovë në vitin 1999, duke theksuar se mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Gjatë fjalimit, Ahmetoviq kritikoi ashpër përdorimin e vazhdueshëm të narrativit se bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999 kanë krijuar një precedent, duke theksuar se ky diskurs po përdoret shpesh, madje edhe nga e djathta ekstreme, për të legjitimuar shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Ai theksoi se ky narrativ përdoret edhe në debatet aktuale në Bundestag, përfshirë diskutimet mbi politikën e jashtme të kancelarit federal, dhe paralajmëroi se një qasje e tillë rrezikon të relativizojë luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës.

“Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Sa herë që e përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Shumë mijëra njerëz u bënë viktima të masakrave të Millosheviqit”, deklaroi Ahmetoviq.

Ahmetoviq shtoi se ndërhyrja humanitare e vitit 1999, e mbështetur edhe nga Bundestagu gjerman, ishte vendimtare për të parandaluar përsëritjen e një gjenocidi në Ballkanin Perëndimor.

Ai akuzoi disa deputetë për mbrojtje të narrativëve që, sipas tij, janë kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe mbrojtjen e figurave si Millosheviqi.

Për këtë fjalim, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka falënderuar publikisht deputetin Ahmetoviq, duke e vlerësuar qëndrimin e tij të qartë.

“Faleminderit, i dashur Adis, për qëndrimin tënd të qartë dhe fjalët e tua të drejtpërdrejta”, ka shkruar Ajeti./Telegrafi.

Bullgaria dërgon kontingjent të ri ushtarak në Kosovë për misionin e KFOR-it

29 January 2026 at 20:56


Me një ceremoni solemne të enjten në qytetin e Plevenit, Bullgaria dërgoi një kontingjent të ri ushtarak në Komandën Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-Ë) në Kosovë.

Formacioni, i komanduar nga Kapiteni Georgi Valkanov, përbëhet nga 97 pjesëtarë të forcave të armatosura bullgare.

Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes Radoslav Iliev, zëvendësshefi i Mbrojtjes gjeneral-lejtënant Krasimir Kanev, komandanti i Forcave Tokësore gjeneralmajor Deyan Deshkov, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta kundëradmirali Galin Manev, si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërore.

Në fillim të ceremonisë, Kanev shqyrtoi trupat, ndërsa Ati Krasimir Krastev nga Kisha e Trinisë së Shenjtë në Pleven kryesoi një bekim për shëndet dhe sukses në mision.

“Shërbimi i paqes është shërbim i Zotit”, tha prifti gjatë fjalës së tij.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Iliev theksoi rëndësinë e misionit: “Pjesëmarrja në operacionin e NATO-s në Kosovë është një detyrë shumë e përgjegjshme me rëndësi për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Misioni juaj është të siguroni, garantoni dhe demonstroni aftësitë e Aleancës për të ruajtur sigurinë dhe rendin në rajon”.

Gjeneral-lejtënant Kanev shtoi se përvoja e fituar në misione ndërkombëtare do të jetë e vlefshme jo vetëm për detyrat në Kosovë, por edhe për karrierën e pjesëtarëve të kontingjentit.

“Në kontekstin e ndryshimeve gjithnjë e më dinamike në peizazhin politik dhe ekonomik global, përvoja në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit bëhet gjithnjë e më e rëndësishme”, theksoi ai.

Ceremonia përfundoi me një marshim solemn të kontingjentit përmes Sheshit Vazrazhdane. Kontingjenti do të vendoset në Kampin Villaggio Italia, pranë Pejës, në pjesën perëndimore të Kosovës.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, personeli ushtarak bullgar do të kryejë detyrat e tij si pjesë e elementit të mbështetjes kombëtare, duke përfshirë pozicione në selinë e Komandës Rajonale të KFOR-it-Perëndim dhe si kompani manovrimi me seksion logjistik dhe njësi mjekësore brenda batalionit shumëkombësh të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Ekspertët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë të suksesshëm në testin ndërkombëtar për ekzaminimin e armëve

29 January 2026 at 20:31


Dy ekspertë të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë në fushën e balistikës e kanë kaluar me sukses testin ndërkombëtar ‘Firearms Examination 2025-5262’ (Ekzaminim i armëve të zjarrit).

Fejsal Lutfiu dhe Lutfi Raci janë dy ekspertët e suksesshëm në testin ndërkombëtar.

“Pas publikimit zyrtar të rezultateve nga kompania ndërkombëtare Collaborative Testing Services (CTS), është konfirmuar se ekspertët e balistikës nga AKF kanë kaluar testin me rezultate të larta, duke dëshmuar nivel të lartë profesional, saktësi shkencore dhe përputhshmëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare në fushën e ekzaminimit të armëve të zjarrit” – thuhet në njoftimin e Agjencisë më 29.01.2026.

Sipas Agjencisë së Forenzikës, ky sukses përbën një dëshmi dhe përkushtim të vazhdueshëm të Agjencisë për rritjen e kapaciteteve profesionale, sigurimin e cilësisë së ekspertizës forenzike dhe forcimin e besueshmërisë ndërkombëtare në proceset e ekzaminimit balistik.

Agjencia ka shtuar se vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të stafit të saj, duke synuar zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë publike.

Kosova, vendi më i lirë për darkë në Evropë: Zvicra dhe Danimarka më të shtrenjtat

29 January 2026 at 20:17


Një studim i fundit mbi çmimet e darkës për dy persona në vendet e Evropës ka zbuluar se një darkë në një restorant mesatar, pa pijet, mund të kushtojë shumë ndryshëm në varësi të vendit ku gjendeni.

Sipas të dhënave për vitin 2026 nga portali Ferrygogo, çmimet mesatare të një darke për dy persona në Evropë variojnë nga rreth £17.35 (rreth 20 €) deri mbi £139.56 (rreth 160.86 €) — me diferencë të ndjeshme mes vendeve veri‑perëndimore dhe juglindore.

Në këtë listë, Kosova renditet si vendi me darkën më të lirë për dy persona në Evropë, me një mesatare prej rreth £17.35 (20 €) për një vakt tre‑kursesh në një restorant të nivelit të mesëm, raporton ferrygogo.

Në krye të listës së vendeve më të shtrenjta janë Zvicra dhe Danimarka, ku çmimet e një darke për dy persona janë ndër më të lartat në kontinent.

Çmimet në Evropë: nga më lirët te më të shtrenjtë

Vendet me darkën më të lirë (për dy persona):

Kosova – rreth £17.35 / 20 €

Maqedonia e Veriut – rreth £21.15 / 24.38 €

Moldavia – rreth £26.30 / 30.32 €

Bosnja e Hercegovina – rreth £26.68 / 30.75 €

Serbia – rreth £33.26 / 38.34 €

Vendet me darkën më të shtrenjtë (për dy persona):

Zvicra – rreth £93.04 / 107.24 €

Danimarka – rreth £81.29 / 93.69 €

Luksemburgu – rreth £78.08 / 90.00 €

Norvegjia – rreth £77.96 / 89.86 €

Holanda / Irlanda / Finlanda / Belgjika – rreth £69.41 / 80.00 €

Në qytete të caktuara, çmimet mund të jenë edhe më të larta: në Lugano dhe Zug të Zvicrës, një darkë për dy persona mund të arrijë deri në £139.56 (160.86 €).

Vlerësime të tjera për pushime dhe vlera turistike

Studimi sugjeron se disa vende të Mesdheut ofrojnë një kombinim të mirë midis çmimeve të ushqimit dhe eksperiencave turistike.

Për shembull, Portugalia, Spanja, Greqia, Shqipëria dhe Mali i Zi ofrojnë vlerë të mirë për turistët që dëshirojnë të shijojnë një darkë të këndshme pa çmime të larta, ndërsa vendet e veriut të Evropës mbeten më të kushtueshme për shpenzimet e restoranteve.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga hulumtimi i çmimeve mesatare të një darke tre‑kursesh për dy persona në restorante të klasit të mesëm, pa përfshirë pijet, në Europë për vitin 2026./Telegrafi.

KESCO kërkon rritje 21.3% të çmimit të energjisë, Kurti thotë se qytetarët “pëlqejnë të kenë shumë nxehtë”

29 January 2026 at 19:46


Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë për vitin 2026 të rritet për 21.3 për qind.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.

Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, derisa ishte duke folur për kursimin e energjisë, tha se qytetarët pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.

“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti.

Ai gjithashtu shtoi se menaxhimi i konsumit, sidomos për ngrohjen, është i rëndësishëm dhe se rritja ekonomike do të kërkojë përdorim më të madh të energjisë./Telegrafi.

Kurti nderon dëshmorët e Rogovës, Goden dhe Bishtazhit: Zbulohet Medaljoni për Ilir Merturin në Klinë

29 January 2026 at 19:33


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulesës së medaljonit të kujtesës për Ilir Merturin në qytetin e Klinës, në parkun që mban gjithashtu emrin e tij.

Ky akt u realizua në kujtim të viktimave të tragjedive të fundjavës së janarit 1999, kur forcat serbe vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës.

Sipas Kurtit, 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Vesel Avdylin, Naim Gashin dhe Ilir Merturin, ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërsa nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë.

“Medaljoni i kujtesës që zbuluam sot për Ilir Merturin është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është gjithashtu kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre”, tha Kurti.

Kryeministri u përkul me nderim para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe riafirmoi zotimin për dinjitet qytetar, drejtësi shoqërore dhe paqe të sigurt në Republikën e Kosovës.

“Lavdi dëshmorëve Merturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar! Nderim të gjithë martirëve të lirisë”, shtoi Kurti.

Ceremonia në Klinë shërben si një kujtesë e përhershme e sakrificës së dëshmorëve dhe përpjekjes për të ruajtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.

Rrëfim pas 25 vjetësh, si u vra 15 vjeçari nga sulmi i serbëve me granata në veri

29 January 2026 at 18:22


Në mesditën e 29 janarit të vitit 2001 në veri të Mitrovicës u hodhën dy granate dore, ku si pasojë kishte mbetur i vrarë 15 vjeçari, Gazmend Ibrahimi dhe ishte plagosur vëllai i tij, Armendi.

25 vite më vonë familjarët e Gazmend Ibrahimi, rrëfejnë për KosovaPress, se si sulmit i priu tensioni i vazhdueshëm mes serbëve dhe shqiptarëve për largimin e këtyre të fundit nga shtëpitë e tyre. Ata treguan se gjatë kësaj periudhe vetëm kishin filluar të bëjnë roje në këtë zonë.

Gazmendi nga familjarët kujtohet si një djalë i qet dhe me një vullnet të madh për jetën, ndërsa dëshira e tij e vetme ishte që gjithmonë të jetonte në vendlindje.

Disa ditë para rastit serbët e kishin larguar një familje shqiptare me forcë nga shtëpia në pjesën e epërme të rrugës, çka i shtyu banorët të organizohen dhe të bëjnë roje natë pas nate, nga frika e përshkallëzimit dhe tentimeve të tjera për dëbime.

“Kjo ka ndodhur më 29 janar...Kjo kishte ndodhur disa ditë më herët, disa serbë, një familje, e kanë larguar prej një pjesë më lart të rrugës, aty ku ka ndodhur ngjarja, veç një pjesë më lart e kanë larguar prej shtëpisë. Edhe këta banorët e lagjes filluan të organizohen, bënin roje për mos me ardh prapë deri tek largimi i familjes, sepse ata tentonin çdoherë të na largojnë prej lagjes, prej shtëpive, dhe kështu bënin roje çdo natë për mos me ardh prapë të ndonjë ekses, të ndonjë largimi të ndonjë familjeje. Kështu që deri më datën 29, kur ndodhi rasti, roje kanë bërë mirë, por serbët kanë qenë të organizuar dhe me numër të madh; një rrugë më lart kanë kaluar kjo masë e madhe dhe i kanë hedhur dy granata dore. Gazmendi është vrarë, janë plagosur edhe shumë, shumë banorë të lagjes, po ashtu edhe vëllai i Gazmendit, Armendi, ka qenë i plagosur në mesin e tyre”- tha Ibrahimi.

Familja e mori lajmin pak çaste pas shpërthimeve, pasi kishte dëgjuar granatat, por pa e ditur saktësisht çfarë kishte ndodhur, pasi në atë moment ndodheshin në shtëpi, në të njëjtën lagje ku ndodhi rasti.

“Po e kemi marrë vesh se e kemi dëgjuar edhe granatat kur janë hedhur, por s’kemi ditur saktë, se unë kam qenë në shtëpi këtu, në lagjen bash në atë vendin ku ka ndodhur, edhe kemi marrë vesh prej fqinjëve këtu. Na kanë lajmëruar në spital, mirëpo ka ndërruar jetë, edhe e kemi marrë vesh menjëherë. Lajmi i vështirë, por duhet me u pajtu, ka ndodhur kjo”– tha Agim Ibrahimi.

Ai thotë se pas djegies së shtëpive, familja nuk kishte ku të kthehej dhe për rreth tetë muaj qëndroi te miqtë, derisa rregulluan një dhomë të vogël dhe u kthyen në lagje.

“Po ka qenë dëshira me u kthyer në shtëpi, mirëpo shtëpitë, si shumica në Kosovë që kanë qenë të djegura, nuk kemi pas ku të kthehemi këtu. Mirëpo kemi qëndruar te miqtë, te dajtë e Gazmendit, rreth 8 muaj. Afro 8 muaj më vonë kam ardhur dhe e kam meremetuar, u ka bërë një dhomë të vogël aty tek një shtëpi e vogël, e kam rregulluar sa me u kthyer, dhe jemi kthyer këtu për të banuar. Me kalimin e kohës kështu ka vazhduar, derisa kemi filluar edhe ndërtimin e shtëpisë. Por vullnetin më të madh e ka pasur i ndjeri Gazmendi shumë për jetë, dhe ne të gjithë kemi qenë të vendosur të mbetemi këtu, mos me u larguar prej këtu. Në Shqipëri kemi qenë deri kur kanë filluar me u kthyer, kur kanë hyrë forcat e NATO-s, dhe ne jemi kthyer pas disa ditëve”- deklaroi Agim Brahimi babai i Gazmend Ibrahimit.

Agim Ibrahimi përfundon rrëfimin duke treguar se Gazmendi gjithmonë dëshironte të kthehej në shtëpi. Ai kishte një dashuri të madhe për jetën, ishte i hapur, i vendosur dhe me vullnet të fortë për gjithçka, veçanërisht për të qëndruar në vendlindjen e tij.

“Po shumë ka pasur fjalë, thoshte çdoherë: “Po, po kthehemi në shtëpi.” Ai çdo ditë vinte; ne kemi banuar në Tavnik. Ai shpesh vinte, e kishte shoqërinë e tij, dhe ne thoshim: “Jo, s’duam me u kthyer, jo s’duam me u kthyer.” Por ktheheshim, ktheheshim, dhe gjithmonë kishte vullnet për t’u kthyer këtu, ku ka jetuar dhe ku ka lindur. Gazi ka qenë shumë, shumë fëmijë, e ka dashur jetën, ka qenë i hapur dhe e ka dashur jetën shumë, shumë, shumë, e ka dashur gjithçka, ka pasur vullnet për jetën dhe për gjithçka“- ka përfunduar ai.

Me 29 janar 2001, nga hedhja e një granate u vra 15-vjeçari Gazmend Ibrahimi, ndërsa u plagos vëllai i tij, Armend Ibrahimi. Sot shënohen 25 vjet nga kjo humbje.

“Babai është bashkëpunëtor në krim”, avokati i rastit të Bleona Matës: Hetimet do të na çojnë edhe te i ati

29 January 2026 at 17:57


Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar një deklaratë të bujshme lidhur me rastin e zhdukjes së Bleona Matës, duke ngritur dyshime se babai i vajzës mund të ketë lidhje në zhdukjen e saj.

I ftuar në emisionin “Ftesë në 5” në Top Channel, Beqiri u shpreh se babai i Matës ka treguar indiferencë për çështjen dhe sipas tij, kjo e bën atë pjesë të “lojës”.

“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë ju a them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejtë do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, tha Beqiri.

Ai gjithashtu komentoi mungesën e reagimit të Bleona Matës pas 15 vitesh, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë se ajo ka ndërruar jetë.

“Për mua është gjallë. Por çdo gjë ndodh në këtë vend. Dikush thotë pse nuk del vajza të flasë. Tani është 21 vjeçe. Në atë moshë, trysnia dhe frika që ka përjetuar mund ta kenë bërë që një pjesë e kujtesës t’i eliminohet. Përdoren dhe medikamente të ndryshme që ta fshijnë kujtesën. Kjo është një enigmë në kuptimin e parë të fjalës. Nuk ka shpjegim të mos reagonte, duhet të reagonte patjetër”, tha Beqiri.

Avokati shtoi se nuk ka prova që mbështesin teoritë se vajza është vrarë nga kafshë të egra dhe theksoi se SPAK-u do të hetojë deri në fund.

Ai gjithashtu përmendi mundësinë që Bleona të ketë jetuar në Greqi dhe më pas të ketë shkuar në Gjermani, duke e bërë të besueshme që ajo vazhdon të jetojë.

“Edhe në Greqi dhe Gjermani një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë shqiptarë. Çdo version është hedhur, por të gjitha teoritë për kafshë që e kanë vrarë janë përralla. Kjo më bën të besoj se vajza jeton”, tha Beqiri.

Hetimet lidhur me zhdukjen e Bleona Matës vazhdojnë nën drejtimin e SPAK-ut, ndërsa shpresat mbeten të drejtuara drejt gjetjes së saj.

Paralajmërimi për rritje 21%, Bajrami: Albini dikur thoshte, është tepër shtrenjt kur rrimë mbi gjithë këtë energji

29 January 2026 at 17:45


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si përfitim për, siç tha ajo, “mafinë energjetike”, në kurriz të qytetarëve.

Në një reagim publik, Bajrami ka deklaruar se rritja e fitimeve të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat e qytetarëve, ndërsa kërkesa e fundit e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë, sipas saj, nuk është as e vetmja dhe as përfundimtare.

Ajo ka theksuar se kërkesa për rritje çmimi, sipas informatave të saj, kanë bërë edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS-in, KOSTT-in dhe KEK-un.

Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet, kur, sipas saj, ai kishte deklaruar se energjia do të lirohej, pasi Kosova, siç ishte thënë atëherë, qëndron mbi burime të mëdha energjetike.

Bajrami ka paralajmëruar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë.

Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ për qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.

Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe politikat sociale të Qeverisë, duke deklaruar se ndihmat financiare si 100 euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, fëmijë, të moshuar dhe studentë, nuk janë rezultat i zhvillimit ekonomik, por pasojë e varfërimit të qytetarëve.

Në fund, deputetja e LDK-së ka bërë thirrje që qytetarët të reagojnë kundër çdo vendimi që ajo e cilëson si të padrejtë nga institucionet publike dhe Qeveria./Telegrafi.


Ambasada amerikane paralajmëron shqiptarët për rregullat e vizave

29 January 2026 at 17:35


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë me përpikëri kushtet e vizave amerikane dhe afatet e lejuara të qëndrimit në SHBA, duke paralajmëruar për pasoja serioze në rast të tejkalimit të tyre.

Në një njoftim zyrtar, autoritetet amerikane theksojnë se qëndrimi përtej “datës së pranimit” të përcaktuar në formularin I-94 mund të ketë pasoja të rënda ligjore, përfshirë heqjen e vizës, deportimin e mundshëm, si dhe vështirësi apo pamundësi për të aplikuar për viza në të ardhmen.

Sipas Ambasadës, tejkalimi i afateve të qëndrimit mund të ndikojë në mënyrë të përhershme në mundësinë për të udhëtuar, studiuar apo punuar në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve që të planifikojnë me kujdes udhëtimet e tyre dhe të sigurohen se po respektojnë rregullat e hyrjes dhe qëndrimit në SHBA, për të shmangur probleme të mundshme ligjore.

Ky paralajmërim vjen në një periudhë kur një numër i madh qytetarësh shqiptarë udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për arsye studimi, pune apo vizitash familjare, duke e bërë respektimin e afateve të qëndrimit një prioritet të rëndësishëm.

“Respektoni kushtet e vizës suaj amerikane dhe periudhën e lejuar të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi përtej datës së caktuar në formularin I-94 mund të sjellë pasoja të rënda, duke përfshirë heqjen e vizës, deportimin e mundshëm dhe pamundësinë për të marrë viza në të ardhmen. Qëndrimi i tejzgjatur mund të ndikojë në mënyrë të përhershme në mundësinë për të udhëtuar, studiuar ose punuar në SHBA”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë./Telegrafi.

Aksion antidrogë në Suharekë, konfiskohet kokainë dhe arrestohen tre persona

29 January 2026 at 17:11


Tre persona janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për shitje të narkotikëve, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Njësia Antidrogë në komunën e Suharekës.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.

Kryeprokurori Petrit Kryeziu, bëri të ditur se arrestimet janë realizuar pas aplikimit të masave të veçanta hetimore.

Sipas tij, gjatë aksionit janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme, si dhe dy vetura, të cilat dyshohet se janë përdorur si mjete për kryerjen e veprës penale.

“Janë arrestuar tre persona, të kapur në flagrancë me aplikimin e masave të veçanta hetimore, për shitje të narkotikëve. Janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme dhe dy vetura si mjete të kryerjes së veprës penale”, ka deklaruar Kryeziu.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar, ndërsa ndaj të dyshuarve pritet të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale në përputhje me ligjin.

Mijaçiq: Serbia nuk mund të shpëtojë në rastin "Banjska"

29 January 2026 at 16:57


Më shumë se dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Milan Radoiçiq është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.

Koordinatori i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian për Kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, ka deklaruar se Serbia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për rastin e konfliktit të armatosur në fshatin Banjska, duke e cilësuar këtë çështje si një detyrim ndërkombëtar dhe një njollë serioze për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Serbi.

Sipas Mijaçiqit, rasti i Banjskës nuk përbën vetëm një problem të pazgjidhur ligjor, por edhe një çështje që rëndon mbi autoritetet shtetërore serbe, pasi ende nuk është sqaruar pse ndodhi një incident i tillë dhe kush mban përgjegjësi konkrete.

Ai ka theksuar se nga këto detyrime dhe nga incidenti i ndodhur në Banjska, Serbia nuk mund të shpëtojë, pavarësisht përpjekjeve të disa qarqeve për ta relativizuar ose mbyllur këtë çështje.

Mijaçiq ka shprehur shqetësim edhe për faktin se prokuroria serbe ende nuk ka deklaruar nëse në këtë rast ekzistojnë elementë të veprës penale.

Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, Mijaçiq ka vlerësuar se ekziston mundësia që Serbia të mos jetë në gjendje t’i shmanget as përgjegjësisë për konfliktin mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it përpara ndërtesës së komunës së Zveçanit, i cili ndodhi në maj të vitit 2023.

Ai ka kujtuar se ky konflikt shpërtheu gjatë një proteste të banorëve lokalë kundër hyrjes së kryetarit shqiptar të komunës në objektin komunal dhe se, si pasojë, u plagosën 93 pjesëtarë të KFOR-it. Ky incident ishte cilësuar më vonë si i papranueshëm nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Mijaçiq ka theksuar se ende nuk janë sqaruar rrethanat në të cilat u plagosën pjesëtarët e KFOR-it, duke ngritur pyetje se si është e mundur që gjatë një proteste fillimisht paqësore të ketë pasur një numër kaq të madh të të plagosurve. Ai ka shtuar se gjatë këtij incidenti janë plagosur edhe disa protestues serbë, përfshirë Dragisha Galjakun, duke theksuar se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto ngjarje.

Sipas tij, një hetim serioz nga pala serbe do të ishte një mundësi për të sqaruar nëse ka pasur përdorim të mjeteve shpërthyese dhe nëse ekzistojnë elementë të veprës penale, duke nënvizuar se kjo çështje nuk duhet parë si presion ndaj Serbisë, por si një shans për të hedhur dritë mbi situata të rëndësishme për sigurinë e vazhdueshme të komunitetit serb në Kosovë.

Mijaçiq ka rikujtuar se shumë qytetarë serbë i drejtohen KFOR-it, përkatësisht NATO-s, kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë, ndaj kërkesat për hetim dhe përgjegjësi nuk janë kërkesa të njëanshme të Aleancës, por kërkesa të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Në këtë kontekst, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikthyer në vëmendje çështjen e përgjegjësisë për incidentet e sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë rastet e Banjskës dhe Zveçanit, gjatë një diskutimi në Parlamentin Evropian mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Rutte iu përgjigj një pyetjeje të eurodeputetit Tonino Picula, duke theksuar se, ndonëse ka një marrëdhënie të gjatë personale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, NATO pret ende që autoritetet serbe të përcaktojnë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë në këto dy raste.

Ai bëri të ditur se Vuçiq i ka premtuar NATO-s një përcaktim të plotë të përgjegjësisë për incidentet në fjalë, duke shtuar se Aleanca vazhdon të mbështetet te autoritetet serbe për ta përmbushur këtë angazhim.

Sipas Rutte-s, NATO ka më shumë se dy vjet që kërkon në mënyrë të vazhdueshme që autorët e sulmeve në Zveçan dhe Banjska të dalin para drejtësisë për ngjarjet e vitit 2023.

Përveç NATO-s, interesim për zbardhjen e këtij rasti ka shfaqur edhe Bashkimi Evropian, pasi Banjska përmendet si një nga çështjet problematike edhe në raportet e Komisionit Evropian për Serbinë.

Sipas aktakuzës së ngritur në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe të tjerët të përfshirë në sulm, akuzohen për shkelje të rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit ligjor të Kosovës.

Aktakuza përfshin 45 persona, dhe vetëm tre prej tyre që u arrestuan në Kosovë, po gjykohen para gjykatës në Prishtinë.

Të tjerët janë në arrati dhe Interpol-i lëshoi fletarrestim për ta në dhjetor të vitit 2023.

Edhe pse Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, Beogradi refuzon t’i ekstradojë të akuzuarit, duke thënë se ata do të gjykohen në Serbi./Telegrafi.

Nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova drejt Malit të Zi

29 January 2026 at 16:24


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë njoftoi se pas heqjes së bllokadave ka nisur qarkullimi i kamionëve në drejtim të Malit të Zi më 29 janar.

Njoftimi vjen pasi Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.

Shoqata tha se pasi një takimi me përfaqësuesit e Qeverisë malazeze janë gjetur zgjidhje për një numër të konsiderueshëm problemesh dhe se për rrjedhojë ka filluar t’i tërheqë kamionët nga pikat kufitare, raporton Radio Televizioni i Malit të Zi.

"TVSH-ja po rimbursohet brenda afatit të përcaktuar me ligj. Kemi marrë garanci se periudha e transitit për mallrat e importuara nga Mali i Zi do të jetë 72 orë. Kemi marrë garanci se propozimi për përvojë pune preferenciale do t'i paraqitet Qeverisë për votim", u tha pas takimit.

Por, shoqata shtoi se problemi me akcizën e karburantit nuk është zgjidhur.

"Por, ne kemi marrë garanci se të gjitha temat kryesore me partnerët evropianë, përfshirë ETIAS dhe akcizën mbi naftën, do të diskutohen në mënyrë që të na stimulojnë. Rritja e orarit të punës së inspektorëve fitosanitarë do të zgjatet", theksuan përfaqësuesit e transportit.

Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi i bllokoi kufijtë për mallra pranë nëntë pikave kufitare: Debeli Brijeg, Ilino Brdo, Vraçenoviq, Rançë, Metelkë, Dobrakovë, Draçenovc, Kullë dhe Bozhaj, si dhe hyrjen dhe daljen nga Porti i Tivarit.

Gjatë protestës, pasagjerët dhe kamionët që bartnin ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë, u lejuan të kalonin.

Transportues nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja i bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Ata kërkojnë ndryshim të rregullores që përcakton se banorët e shteteve të treta mund të qëndrojnë në Zonën Schengen vetëm për 90 ditë në periudhën 180-ditore. Për ta, kjo periudhë është shumë e shkurtër dhe ua vështirëson punën.

Komisioni Evropian tha më parë se po punon për të gjetur një zgjidhje që do t'u lejonte transportuesve profesionistë të qëndronin më gjatë në zonën Shengen.

Transportuesit malazezë protestuan gjithashtu sepse Ministria e Financave nuk i ka pranuar kërkesat e tyre për të rritur shumën e rimbursimeve të akcizës për karburantet që kanë kolegët e tyre në rajon, dhe ata gjithashtu po kërkojnë një rimbursim më të shpejtë të TVSH-së në 30 deri në 60 ditë, sepse tani kanë vite që presin, si dhe të zgjasin punën e inspektimeve doganore dhe fitosanitare.

Bllokada prek edhe bizneset në Kosovë

Derisa transportuesit në Mal të Zi njoftuan përfundimin e bllokadës, kolegët e tyre nga tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë edhe duke protestuar.

Kosova, e cila nuk merr pjesë në protestë, po i ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë (REL), përballen me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.

Pronarët e të paktën dy kompanive kosovare thanë se biznesi i tyre është prekur nga bllokada.

Ramiz Gashi, drejtues i kompanisë “Relux”, i tha REL-it të mërkurën se kompania e tij - e cila prodhon ngjyra dhe fasada, po përjeton pasoja të menjëhershme pasi produktet e saj për në Britani të Madhe nuk kanë mundur të nisen sipas planit.

“Ne mund ta humbim këtë blerës, që është potencialisht më i rëndësishmi që kemi”, theksoi Gashi për REL-in.

Ruzhdi Rexhaj nga kompania “Kalaja Epox” i tha REL-it se porosia e rrëshirave epokside nga një kompani austriake, tashmë e paguar dhe e ngarkuar, mund të vonohet ose të dështojë.

“Çfarë t’u themi klientëve? U kemi thënë tashmë se malli i porositur, ngarkohet më 27 janar dhe vjen deri në fund të javës. Tani, nuk e dimë se kur do të arrijë këtu, ndërkohë që kemi edhe projekte që i kemi filluar, duke shpresuar në këtë material”, tha Rexhaj.

Për më tepër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës iu drejtua me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se protesta njëjavore mund të shkaktojë pasoja të mëtejshme për kompanitë kosovare - përfshirë rrezikimin e kontratave me partnerët evropianë.

Kaçanik: Vodhi televizorin në vlerë 1800 euro dhe pastaj e shiti, arrestohet

28 January 2026 at 23:42


Në dhjetor të vitit 2024, policia e stacionit në Kaçanik ka pranuar një informatë për “Vjedhje të rëndë” nga një qytetar me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit, i cili kishte raportuar se persona të panjohur, me përdorimin e forcës, kishin depërtuar në shtëpinë e tij në fshatin Dubravë, duke vjedhur një televizor Samsung, në vlerë rreth 1800 euro.

Policia njofton se “pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Njësia e Hetimeve në Kaçanik, janë siguruar informacione se televizioni i vjedhur gjendej tek personi R.B., i cili gjatë intervistimit ka deklaruar se atë e kishte blerë nga personi B.B..

Ndaj R.B. është iniciuar rast për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale””, njofton policia.

“Më 28.01.2026, është arrestuar dhe intervistuar i dyshuari B.B., i cili ka pranuar kryerjen e vjedhjes dhe shitjen e televizorit dhe me vendim të prokurorit të rastit, është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh për veprën penale “Vjedhje e rëndë””, njofton policia.

“Pas përfundimit të procedurave policore dhe verifikimit, ankuesi është njoftuar dhe ka pranuar pronën e tij në stacionin policor Kaçanik”, thuhet në njoftim.

Telegrami i vitit 1943, ministri Mirakaj kërkonte që hebrenjve t’u jepet pasaporta shqiptare

28 January 2026 at 22:49


Është publikuar një telegram i vitit 1943 i shkruar nga ministri i asaj kohë, Kol Bib Mirakaj.

Teksa po trajtohej tema në Euronewsal lidhur me hebrenjtë dhe mbrojta e tyre në Shqipëri, u diskutua edhe lidhur me këtë telegram.

Telegrami i përket 31 gushtit 1943 ku ministri kërkon që hebrenjve tu jepet pasaportë që të udhëtojnë për në Itali.

“Lutemi që gjithëve hebrenjve nënshtetas shqiptar që kërkojnë pasaportë për Itali tu lëshohen pa u sjellë asnjë pengim për ta dhe familjet e tyre.

Të porositën koesturët që të shkapërcejnë, tejkalojnë formalitetet se pasi çështja ka rëndësi politike. Për vizon nga delegacioni italian të interesuarit të kujdesen vetë”, shkruhet në telegram.

Historiania, Nevila Nika theksoi se kjo nuk ndodhi realisht pasi telegrami u dërgua pak para se italianët të largoheshin nga vendi.

Premton rikthimin e të larguarve nga LDK-ja, Hoti: Mund t’i bashkoj copat e partisë

28 January 2026 at 22:28


Avdullah Hoti, i cili ka konfirmuar ambicien e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të kësaj partie, është shprehur i bindur se mund ta rikthejë unitetin brenda LDK-së, përfshirë edhe anëtarët dhe strukturat që janë larguar nga partia ndër vite.

Sipas tij, të gjithë akterët politikë janë ende pjesë e LDK-së, por mungon funksionaliteti dhe bashkëveprimi i nevojshëm për të prodhuar rezultate konkrete.

“Aty janë të gjithë, por nuk janë, si me thënë, në mënyrë funksionale duke bashkëvepruar për të prodhuar një rezultat në këtë drejtim”, ka deklaruar Hoti.

Duke folur për rezultatin e vitit 2021, ish-kryeministri Hoti tha se atëherë ka pasur dorëheqje dhe në parti është krijuar standardi për të marrë përsipër përgjegjësinë e rezultatit.

“Sigurisht që kam pasë përgjegjësi edhe unë, edhe atëherë edhe tash kam përgjegjësi. Ne nuk jemi duke e vënë para një trupi gjykues kryetarin e LDK-së, ne duhet të mësohemi me standardin që është vendosur në vitin 2021, kryetari i LDK-së ka marrë përsipër rezultatin që kemi pasur atëherë dhe ka dhënë dorëheqje”, tha ai.

Sipas tij, në çdo rezultat zgjedhor, përgjegjësia fillon nga kryetari i partisë, e deri tek anëtarët e nëndegëve.

“Në çdo rezultat zgjedhor përgjegjësi kanë, duke filluar prej kryetarit të partisë, e deri te anëtari i kryesisë së nëndegës, të gjithë kanë përgjegjësi në krejt këtë zinxhir të strukturës hierarkike të LDK-së, dikush më shumë, dikush më pak, por drejtimin e politikave të LDK-së ia jep kryetari dhe në fund përgjegjësia shkon te kryetari i LDK-së”, u shpreh Hoti.

Ndërkohë, më 31 janar, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku pritet të vendoset për drejtimin e ardhshëm të partisë.

Në këtë kuvend do të shihet nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në.

​Vetura godet një fëmijë në Zhabar, dërgohet në QKUK

28 January 2026 at 22:24


Një aksident trafiku ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në segmentin rrugor në fshatin Zhabar, ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai tha se i mituri i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Sipas Zahitit, aksidenti ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, në fshatin Zhabar, ku një veturë ka goditur një këmbësor të mitur.

Ndërkohë, nga Shërbimi Emergjent i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri” është bërë e ditur se fëmija ka pranuar ndihmë mjekësore emergjente në orën 18:07.

Sipas konfirmimit të spitalit pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë Tomografinë e Kompjuterizuar (CT të kokës), i mituri është referuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tek specialistët e neurokirurgjisë.

Nga spitali kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, por mbetet nën monitorim deri në përcjelljen për në QKUK.

Yesterday — 28 January 2026Main stream

UBT në TOP 100 institucionet më të mira në botë në fushën e arkitekturës

28 January 2026 at 21:23


UBT është renditur në TOP 100 institucionet më të mira në botë në INSPIRELI World Architecture University Ranking, duke u pozicionuar në vendin e 33-të nga 1,444 institucione ndërkombëtare.

Ky vlerësim prestigjioz dëshmon përkushtimin, kreativitetin dhe cilësinë akademike të studentëve dhe stafit të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët përmes projekteve inovative kanë arritur rezultate të shkëlqyera në nivel global.

Ky vlerësim i rëndësishëm është rezultat i punës së palodhshme, përkushtimit dhe kreativitetit të studentëve, të cilët përmes projekteve inovative arkitektonike dhe planifikuese kanë dëshmuar ide të avancuara, qasje bashkëkohore dhe zgjidhje kreative për sfidat e mjedisit të ndërtuar.

Projektet e realizuara nga studentët e UBT-së janë vlerësuar për originalitetin, funksionalitetin dhe ndikimin e tyre në zhvillimin hapësinor, duke e pozicionuar universitetin në mesin e institucioneve më të suksesshme në këtë fushë.

Një rol kyç në këtë sukses ka pasur edhe stafi akademik dhe profesional, i cili ka mbështetur vazhdimisht studentët gjatë këtij rrugëtimi, duke i udhëzuar në zhvillimin e projekteve, në aplikimin e standardeve ndërkombëtare dhe në ndërtimin e një qasjeje kritike e inovative ndaj arkitekturës dhe planifikimit hapësinor.

Renditja në INSPIRELI World Architecture University Ranking dëshmon se UBT po ndërton një mjedis akademik që nxit ekselencën, kreativitetin dhe angazhimin praktik, duke përgatitur arkitektë dhe planifikues të rinj të aftë për të konkurruar dhe kontribuar në nivel global.

Dyshime për dronët “Made in Kosova”, Haradinaj kritikon Kurtin për “showbiz politik”

28 January 2026 at 20:50


Vizita e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në nëntor të vitit 2025 në Gjilan, ku u prezantua prodhimi i dronëve ushtarakë “Made in Kosova”, ka rikthyer në vëmendje të opinionit publik çështjen e industrisë vendore të mbrojtjes, pas ngritjes së dyshimeve të fundit rreth këtyre projekteve.

Gjatë asaj vizite, Kurti kishte deklaruar se Kosova po ndërton themelet e industrisë së saj të mbrojtjes dhe po shndërrohet në vend prodhues të teknologjisë ushtarake. Ai kishte bërë të ditur se në Gjilan kishte vizituar kompani që, sipas tij, prodhojnë dronë ushtarakë “Skifteri”, si dhe dronë civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.

Sipas Kurtit, droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi deri në 180 kilometra në orë dhe lartësi deri në 2,500 metra, ndërsa droni “Skifteri” operon në lartësi deri në 5,000 metra, me rreze operimi prej 20 kilometrash dhe shpejtësi deri në 270 kilometra në orë. Ai kishte theksuar gjithashtu se Kosova ka investuar në siguri duke blerë dronë Bayraktar TB-2, Puma dhe Skydagger, ndërsa prodhimi vendor i dronëve luftarakë ishte paraqitur si hap i ri strategjik.

Megjithatë, në janar të vitit 2026, këto pretendime janë vënë në pikëpyetje, duke nxitur reagime nga opozita dhe interesim të mediave.

Para disa ditësh, një person me emrin Rdivan Aliu, i cili prezantohet si pronar i kompanisë “Future Minds Academy”, publikoi dy video në profilin e tij në Facebook, ku pretendonte se kompania e tij, në bashkëpunim me partnerë, po prodhon dhe shet dronë ushtarakë, të cilët, sipas tij, janë testuar dhe kanë rezultuar shumë efikasë.

Por, sipas raportimeve të mëvonshme mediatike, videot e publikuara për testimin e dronëve rezultuan të jenë materiale të marra nga kompani kineze, ku shfaqeshin testime të dronëve të prodhuar nga ato kompani, e jo nga ndonjë prodhim vendor në Kosovë.

Në këtë kontekst, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë testim të dronëve me emrin “Skifter K1”, apo të ndonjë droni tjetër.

Ministria ka bërë të ditur se, bazuar në njohuritë e saj, asnjë institucion i Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, duke e akuzuar për, siç u shpreh ai, “showbiz politik”.

Sipas Haradinajt, etja për promovim dhe paraqitje publike, pa bazë reale, është shndërruar në tipar të qeverisjes aktuale, duke e cilësuar rastin e prezantimit të dronëve si një tjetër skandal në radhë.

"Etja për foto dhe showbiz është mania e këtij pushteti. Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti. Kur do të ndaleni një herë o të mjerë", shkroi Haradinaj./Telegrafi.

❌
❌