TID në Durrës, banorët flasin në Komision: Nuk jemi pyetur. Na kanë dhënë çmime qesharake për pronën
Nga Gazeta ‘SI’ – Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua sot seancë dëgjimore për diskutimin e projektit TID (Durrës) me përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe një grup përfaqësuesish të komunitetit të banorëve të Durrësit.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, AADF që është zhvilluese e këtij projekti, ka refuzuar të jetë i pranishëm dhe të japë llogari publike para Kuvendit të Shqipërisë, për menaxhimin e një prone publike dhe interesit publik.
“Sot jemi përballë faktit që Kuvendi i Shqipërisë nuk detyron dot një institucion privat që t’i vijë në dëgjesë dhe kjo tregon atë që ka thënë opozita që kur AADF-ja filloi të fuste duart, këmbët dhe kokën në pasuritë publike shqiptare: te koncesioni i Butrintit, te Piramida, Elbasani, Gjirokastra, Ohri”, tha Zhupa.
Në komision, Zhupa ngriti shqetësimi se interesi publik i është lënë privatit për ta mbrojtur dhe s’ka më asnjë mekanizëm që privati të detyrohet që minimalisht të përgjigjet në komision.
Entela Koja, arkitekte dhe urbaniste, një nga pronaret e banesave të prekura nga projekti TID Durrës, tha se projekti ka shkelje të rënda në të drejtat qytetare, në të drejtat e pronësisë dhe në mënyrën se si është bërë.
“Deri në daljen e VKM-së së shpronësimit, në muajin gusht, ne nuk jemi pyetur”, tha Entela Koja, e cila përmendi ligjin 169 të vitit 2020, i përmendur edhe në Planin e Menaxhimit, i cili thotë se konsultimet bëhen me listëprezencë dhe marrje mendimesh nga banorët të cilat merren në konsideratë nga grupi i projektimit.
Banoret thanë se, janë bërë projekte mbi objektet e tyre, pa i vënë kush në dijeni. Banorët u shprehën se, nuk janë kundër projektit por në fakt po mbrojnë shtëpitë e tyre.
“Do prishet shtëpia ime për dy stola. Ky është turp. Në këtë zonë do të shkatërrohen 18 banesa. Dhe nuk ka lidhje fare me amfiteatrin. Është larg amfiteatrit. Shpronësimi i banesës është bërë 47 mln lekë të vjetra. E turpshme dhe qesharake. Ndërsa një vlerësuese gjykate e vlerësoi 420 mijë euro pronën ku prindërit e mi banojnë. Nuk e di si e ka blerë. Prindërit e mi janë 76 – 74 vjec. Vlerësimi është shumë qesharak”, tha njëra nga banoret e pranishme në komision.
Projekti TID Durrës parashikon të rijetëzojë bulevardin Epidman dhe ta zgjerojë atë, duke prekur 74 banesa të zonës më të populluar të qytetit.
The post TID në Durrës, banorët flasin në Komision: Nuk jemi pyetur. Na kanë dhënë çmime qesharake për pronën appeared first on Gazeta Si.
