Për 95 për qind të organizatave sindikale është pranuar marrëveshja me Qeverinë për rritjen e pagave për 40 për qind, informojnë nga Sindikata.
“Pas deklaratave të të gjitha organizatave sindikale, Sindikata e SPOGJ javën e ardhshme do të mbajë një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë, në të cilin do të dakordësohet për fushëveprimin dhe kushtet e marrëveshjes kolektive” thuhet në kumtesën e SPOGJ.
Dje, kryetari i SPOGJ, Trpe Deanoski, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, tha se Qeveria e ka pranuar kërkesën e SPOGJ, por jo të plotë, dhe se është e rëndësishme që është rënë dakord për të paguar shtesa në paga për punonjësit në administratën shtetërore dhe gjyqësorin.
“Siç e njoftuam vitin e kaluar, ato do të jenë për disa vite, në 3 këste, 8 përqind secila, për fat të keq, jo 10. Do ta përsëris, për fat të keq, nuk i morëm vitin e kaluar, megjithatë, Qeveria ka pranuar t’i paguajë që tani e tutje, duke filluar nga marsi, përmes një metode në të cilën të gjitha institucionet nga administrata shtetërore dhe gjyqësori, domethënë gjykatat, prokuroritë… do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë”, tha Deanoski.
Ai shpjegoi se që kjo të realizohet, teksti i këtyre marrëveshjeve kolektive duhet të përgatitet së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Sindikatës. Më pas, marrëveshjet duhet të hidhen në votim para organeve dhe trupave të Sindikatës.
Ai theksoi se nëse anëtarët i pranojnë marrëveshjet, do të mundet menjëherë të vazhdohet me nënshkrimin e tyre. SPOGJ dje përmes kumtesës informon se rritja e pagave për të gjtihë të punësuarit në administratë dhe gjyqësor është më e madhe nga rritja tashmë e siguruar me Marrëvehsjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik si e drejtë më e favorshme për punonjësit.
“Përveç kësaj, në llogaritjen e pagave të punonjësve, paga minimale mbetet një komponent i pagës, lufta për rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët vazhdon derisa ajo të rritet, dhe me të edhe rritja e pagave të të gjithë punëtorëve që kanë pagën minimale në llogaritjen e pagës së tyre. Pagat në njësitë e vetëqeverisjes lokale mund të rriten përmes lidhjes së marrëveshjeve kolektive individuale”, thuhet në kumtesën nga SPOGJ.
Mickoski e vlerësoi takimin me SPOGJ-në si konstruktiv, duke theksuar se përfaqësuesve të Sindikatës u kanë prezantuar kushtet dhe rregullat për rritjen e pagave të administratorëve për 40 përqind, duke shtuar se tani pret një përgjigje prej tyre nëse e pranojnë propozimin nga Qeveria.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski do të takohet me Sindikatën këtë pasdite. Takimi është planifikuar për në orën 16:45 dhe vjen pasi Mickoski bëri një ofertë për rritje page, të cilën Sindikata e quajti të pranueshme dhe do të diskutohej më tej brenda organizatave sindikale.
Në një deklaratë për mediat, Kryeministri tha se oferta ka qenë në tryezë për më shumë se një vit dhe se është i gatshëm të takohet dhe të nënshkruajë marrëveshjen kolektive.
Mickoski dje tha se me bisedimet aktuale për rritjen e pagës minimale dhe rritjen e pagave për punonjësit në administratën publike Qeveria ka formulën e vet për llogaritjen e pagave të punonjësve në administratë.
"Shumica e përfaqësuesve të sindikatave, si përfaqësues ashtu edhe ata të degëve, pajtohen me qëndrimin e Qeverisë, me disa përjashtime. Formula e ofruar nga Qeveria në lidhje me mënyrën se si do të ndiqet rritja e pagave për administratorët do të thotë të ardhura më të larta për ta në faza, dhe jo vetëm për aq sa do të rritet paga minimale", tha Mickoski.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80%.
Sipas propozimit të LSM-së, funksionarët në vend do të kishin pagë deri rreth 1.000 euro, në vend të 2.000 deri 3.000 eurove sa janë tani.
“Iniciativa është në drejtim që edhe ata, ashtu si punëtorët, ashtu siç i bindin punëtorët se jetohet mirë me pagë minimale, të ndryshohet neni 11 i të njëjtit ligj dhe në vend që si deri tani baza për përllogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë paga mesatare, të jetë paga minimale. Për më tepër kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimit të pagave të përcaktuara me këtë ligj të ulet për 40 për qind, ose gjithsej 80 për qind ulje të pagave të funksionarëve”, tha Sllobodan Trendafilov nga LSM.
Nga LSM paralajmëruan bllokimin e rrugëve pranë institucioneve kyçe të vendit, në rast se kërkesa e tyre nuk pranohet.
TIRANE, 3 shkurt /ATSH/ – Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Evropë, falë bukurive natyrore, trashëgimisë historike dhe çmimeve konkurruese, shkruan faqja turistike ”Turisti per caso”.
Një udhëtim 7-ditor mjafton për të zbuluar esencën e vendit, duke përfshirë qytete historike, peizazhe malore dhe plazhe që rivalizojnë destinacionet më të famshme të Mesdheut. Tirana, porta hyrëse e turizmit shqiptar
Udhëtimi nis në Tiranë, kryeqytetin dinamik të Shqipërisë.
Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Bej dhe zonat kulturore si Blloku ofrojnë një panoramë të qartë të transformimit urban dhe historik të vendit.
Për turistët që kërkojnë natyrë, mali i Dajtit ofron pamje panoramike dhe ajër të pastër vetëm pak minuta nga qendra e qytetit.
Kruja dhe Shkodra, histori dhe identitet kombëtar
Vetëm një orë larg Tiranës ndodhet qyteti simbol i rezistencës shqiptare. Kalaja dhe pazari karakteristik osman mbeten ndër atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.
Në veri, Shkodra përfaqëson një tjetër shtyllë të rëndësishme kulturore, me kalanë e Rozafës, liqenin e Shkodrës dhe traditën e pasur artistike që e ka bërë këtë qytet një qendër historike të rëndësishme.
Berati dhe Gjirokastra, pasuri botërore e UNESCO-s
Itinerari vijon drejt jugut me ndalesë në Berat, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.
Lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan.
Gjirokastra, po ashtu pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq vizitorë me arkitekturën e saj unike prej guri, rrugicat karakteristike dhe kalanë madhështore që dominon qytetin.
Riviera Shqiptare, perla e Mesdheut
Pika kulmore e udhëtimit mbetet Riviera Shqiptare. Plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himara ofrojnë ujëra kristal, natyrë të paprekur dhe një atmosferë gjithnjë e më të zhvilluar turistike.
Kjo zonë po promovohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare si një alternativë cilësore ndaj destinacioneve të shtrenjta të Greqisë dhe Italisë.
Durrësi dhe Apollonia, fundi i udhëtimit
Në kthim drejt Tiranës, turistët mund të ndalen në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak dhe bregdetin e gjatë.
Një tjetër ndalesë me vlerë historike është Apollonia, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të vendit.
Turizmi në rritje dhe potenciali i pashfrytëzuar
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria ofron një përvojë të plotë brenda një territori të vogël, ku distancat janë të shkurtra dhe larmia e përvojave është e madhe.
Mikpritja tradicionale, kuzhina autentike dhe zhvillimi i infrastrukturës po e bëjnë vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët europianë dhe ndërkombëtarë.
Me një itinerar të balancuar mes kulturës, natyrës dhe relaksit, Shqipëria po afirmohet si një destinacion ideal për pushime intensive, duke u renditur gjithnjë e më lart në hartën turistike të Evropës. /os/
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të fillojë më 10 shkurt me një bllokadë në Kuvendin e Maqedonisë dhe vazhdojnë më 12 shkurt me bllokada para Odës Ekonomike.
Bllokada para Qeverisë është paralajmëruar për më 17 shkurt.
“Dje skadoi afati që mijëra punëtorë ua dhanë deputetëve në Kuvend për të bërë ndryshime të shpejta në Ligjin për pagën minimale, të cilët do ta rrisin atë në 600 euro, ndërsa të tjerat do të rriten me diferencën nga rritja e pagës minimale, pra me të paktën 6.000 denarë. Qëndrimi injorant i treguar nga deputetët ndaj punëtorëve na ka bërë që të kalojmë në fazën e dytë të aktiviteteve që po zbatojmë për rritjen e pagave të punëtorëve”, tha sot kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov.
Nesër, në orën 11:00, LSM do t’i paraqesë Kuvendit një nismë për ndryshime në Ligjin për pagat dhe shpërblimet e tjera të deputetëve të Kuvendit dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.
“Me këtë nismë, po e ndryshojmë nenin që përcakton bazën për llogaritjen e pagave, në mënyrë që në vend të pagës mesatare aktuale si bazë për llogaritjen e koeficientit të kompleksitetit, baza të jetë paga minimale për koeficient kompleksiteti. Në këtë mënyrë, po u japim atyre mundësinë të tregojnë se nuk do të lejojnë një rritje shtesë të inflacionit në Maqedoni dhe se janë të gatshëm të ulin pagat e tyre me 40 për qind vetëm duke ndryshuar këtë dispozitë ligjore, dhe gjithashtu të ulin koeficientët e kompleksitetit me 40 përqind”, tha Trendafilov.
Nëse nuk e bëjnë këtë, LSM po nis një nismë për të mbledhur 10,000 nënshkrime për t’u bërë propozues i autorizuar i ndryshimeve të tilla ligjore. Një grevë e përgjithshme njëzet e katër orëshe mbetet një mundësi, dhe nuk përjashtohet mundësia e organizimit të një proteste tjetër si ajo e mbajtur të mërkurën e kaluar.
Lidhur me heqjen e seksionit të pagave nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, LSM thotë se nuk do t’u lejojë punëtorëve të heqin dorë nga një e drejtë e fituar dikur e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, ka deklaruar se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale.
Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj dialogut social trepalësh në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social (KES) dhe se është e hapur për diskutim transparent për të gjitha çështjet.
“Sipas zgjidhjes sistematike që është miratuar në kuadër të KES-it dhe me mbështetjen e Lidhjes së Sindikatave, paga minimale rregullohet sipas një formule të miratuar disa vite më parë. Atëkohë, kjo zgjidhje u paraqit si një fitore e madhe, duke garantuar rritje të pagës minimale pa ndërhyrje administrative apo politike. Sot, i njëjti subjekt ka ndryshuar plotësisht narrativën, duke kërkuar rritje prej 50 për qind jashtë kësaj formule ligjore, pavarësisht stabilizimit të ekonomisë dhe inflacionit prej 4 për qind. Këto kërkesa, pa marrë parasysh produktivitetin e punës si tregues kyç ekonomik, janë pa logjikë ekonomike,” deklaroi Risteski.
Ai shtoi se krahasimet e thjeshta me shtetet e tjera mund të krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar, pasi çdo ekonomi ka strukturën dhe veçoritë e saj. Ai vlerësoi se zgjidhja e çështjeve ekonomike kërkon një qasje serioze.
“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut karakterizohet nga një strukturë specifike, ku mbi 90 për qind e kompanive janë mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarë dhe tregtarë individualë, të cilët punësojnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore dhe do të preken drejtpërdrejt nga këto vendime. Po ashtu, sektorët intensivë të punës, si industria e tekstilit dhe ajo e lëkurës, ku paga minimale është më e përhapur, mund të rrezikohen seriozisht nga rritje të pamenduara. Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar në zbatimin e politikave që forcojnë ekonominë dhe rrisin standardin jetësor, por kjo nuk arrihet përmes vendimeve ad-hok apo ndërhyrjeve administrativo-politike. Paga minimale duhet të rritet në mënyrë sistematike, të qëndrueshme dhe në përputhje me realitetet ekonomike,” deklaroi Risteski.
Sindikata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve DOJSH, e konfirmoi se të enjten në orën 16:45 në Qeveri do të ulen në tryezën e negociatave lidhur me kërkesat e Sindikatës për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë.
Nga Sindikata e DOJSH-së, mes tjerash, theksojnë se Qeveria, sipas tyre, menjëherë ka dalë me ofertë për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë pas protestës së mbajtur më 28 janar.
“Theksojmë se të punësuarit kanë të drejtë për të drejtat e fituara, të caktuara me marrëveshjet kolektive dhe rritjen e re të rrogave nënkuptojnë të drejta materiale shtesë, për çka angazhohet Sindikata e DOJSH-së”, qëndron në kumtesën e DOJSH-së.
Kryeministri Hristian Mickoski të enjten pasdite do të takohet me Sindikatën e DOJSH-së. Takimi është caktuar për në orën 16:45, ndërsa vjen pasi që Mickoski dha ofertë për rritje të rrogave për çka DOJSH tha se është e pranueshme dhe do të bisedohet plotësisht në suaza të organizatave sindikale.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka njoftuar se punëtorët teknikë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë nuk janë paguar në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
FSPTSPK-ja, thekson se vendimi i kryeministrit i marrë më 31 tetor 2025 parasheh që paga minimale nga 1 janari 2026 të jetë jo më e ulët se 425 euro, ndërsa nga korriku i vitit 2026 të rritet në 500 euro.
Megjithatë, sindikata bën të ditur se punëtorët teknikë në QKMF të Klinës kanë marrë vetëm 350 euro pagë, çka sipas tyre përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit qeveritar dhe të të drejtave të punëtorëve.
Federata ka paralajmëruar se do të njoftojë Inspektoratin e Punës, ndërsa nuk përjashtohet as ndjekja e rrugëve ligjore, përfshirë adresimin e çështjes në Gjykatë.
“Këta punëtorë sot morën 350 euro pagë, pra në kundërshtim me vendimin e kryeministrit të Kosovës. Për këto shkelje, Sindikata do të njoftojë Inspektorin e Punës dhe nëse ka nevojë edhe Gjykatën”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka komentuar kërkesën e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale.
Ai tha se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale por shtoi se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.
“Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se LSM kërkon pagë minimale prej 600 eurove, ndërsa gjithë pagat e tjera të rriten për 6.000 denarë.
LSDM paraqiti Ligjin për Rritjen e Pagës Minimale në 600 Euro, duke vlerësuar se është një masë realiste dhe e nevojshme për të mbrojtur standardin e jetesës së punëtorëve, në përputhje me kërkesat e qarta të sindikatave dhe kushtet aktuale ekonomike në vend.
Partia thekson se ligji është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përkeqësimit dramatik të standardit të jetesës në një vit e gjysmë të kaluar, një periudhë në të cilën inflacioni, rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë elektrike, ngrohjes dhe shërbimeve bazë kanë ulur seriozisht fuqinë blerëse, veçanërisht tek qytetarët që jetojnë me pagën minimale.
Sipas LSDM, për mijëra familje paga minimale është burimi i vetëm ose dominues i të ardhurave, prandaj shteti është i detyruar të sigurojë fonde për rritjen e saj në 600 Euro.
"Nuk mund të ketë para për tendera kriminalë, dhe mund të pretendohet se nuk ka fonde për punëtorët", reagon LSDM, duke përmendur një sërë shembujsh të prokurimeve dhe kontratave publike që, sipas tyre, ngrenë dyshime serioze për abuzim.
Në deklaratë thuhet se qytetarët dëgjojnë çdo ditë për qindra tenderë të dhënë kompanive individuale, miliona dollarë për kompani me një numër minimal punonjësish, si dhe kontrata të lidhura me kompani të afërta me koalicionin qeverisës OBRM-PDUKM – ZNAM.
“Kjo është zgjedhja e qeverisë – skema tenderësh në vend të punëtorëve”, thotë LSDM, duke shtuar se të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, ndërsa Qeveria njëkohësisht po importon fuqi punëtore të huaj me pretekstin e mungesës së personelit.
Nga arka e buxhetit shtetëror të Kosovës, nga 100 euro tashmë kanë përfunduar në llogaritë e dhjetëra mijëra studentëve.
Në vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka shpërndarë një varg ndihmash të tilla financiare për kategori të ndryshme të shoqërisë - nga familjet me fëmijë e lehonat, te studentët e pensionistët.
Këto masa janë prezantuar si përgjigje ndaj krizave të njëpasnjëshme, si pandemia COVID-19 e inflacioni, dhe si dhurata për fundvit e fillim të vitit shkollor.
Por, pyetjet se çfarë efekti real kanë pasur ato dhe nëse po çojnë drejt një reforme më të gjerë të sistemit të mirëqenies sociale, mbeten të hapura.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse ka bërë matje të efektit të këtyre ndihmave dhe nëse është menduar që ato të shndërrohen në reforma më të gjera të sistemit të mirëqenies sociale, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
Sipas Visar Ymerit, drejtues i Institutit “Musine Kokalari” për çështje sociale, problemi nuk është vetë ekzistenca e ndihmave, por mënyra se si ato janë konceptuar.
“Shtesat e njëhershme mund ta lehtësojnë një moment krize, por nuk e ndryshojnë realisht pozitën ekonomike të familjeve”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se pa një vizion transformues, këto masa mbesin më shumë gjeste politike sesa politika sociale.
“Në një vend demokratik, politikat sociale duhet të diskutohen nga perspektiva afatgjate. Nga njëra anë, ato shërbejnë për të zbutur vështirësitë momentale, por, nga ana tjetër, duhet të kenë një qasje transformuese”, shton Ymeri.
Në fund të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro për të moshuarit dhe fëmijët, vendimi është kritikuar se përkonte me kohën e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale vitin e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është kritikuar se ndarja e shtesave të ngjashme për studentë, është bërë me qëllim të “blerjes së votave”.
Të dyja këto vendime janë arsyetuar nga Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje - partia e vetme e madhe në Kosovë që i takon krahut të majtë politik - duke u thënë se janë bërë edhe në vitet paraprake, kur nuk ka pasur fushatë elektorale.
Një pjesë e madhe e ndihmave është shpërndarë përmes shtesave për lehona dhe për fëmijë. Qeveria i ka paraqitur këto masa si investim në familje dhe në mirëqenien e fëmijëve.
Edhe pse Ymeri, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e tani drejtor ekzekutiv në “Musine Kokalari”, në parim e përkrah idenë, ai mbetet i pakënaqur nga mosbërja e dallimit mes familjeve që janë në nevojë të thellë dhe atyre që kanë të ardhura më të qëndrueshme.
Sipas Ymerit, politikat universale mund ta kenë përparësi thjeshtësinë e zbatimit, por rrezikojnë ta humbin efektin aty ku nevoja është më e madhe.
“Familjet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, që nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet bazë, si: energjia, ushqimi dhe edukimi i fëmijëve, duhet të trajtohen ndryshe. Megjithatë, Qeveria ka zgjedhur masën e sheshtë, e cila i ka anët e veta pozitive, për shkak të thjeshtësisë, por edhe anët negative, sepse nuk i targeton mjaftueshëm ata që janë më në nevojë”, shpjegon Ymeri.
Gjatë kësaj periudhe, ndihmat financiare kanë përfshirë edhe studentët, të cilëve u janë ndarë pagesa të njëhershme ose mbështetje për përballimin e kostove të jetesës dhe studimeve në fillim të vitit akademik.
Po ashtu, janë rritur pensionet dhe paga minimale, si pjesë e përpjekjeve për të zbutur goditjen e inflacionit.
Megjithatë, sipas Ymerit, rritjet nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta ruajtur fuqinë blerëse të qytetarëve, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Ai thotë se mungesa e analizave publike, e bën të vështirë vlerësimin e ndikimit real të këtyre masave.
“Ne nuk e dimë nëse këto transfere financiare e kanë ulur varfërinë, nëse e kanë zbutur pabarazinë apo nëse, thjesht, e kanë shtyrë problemin për disa muaj”, thotë Ymeri.
Ai thekson se futja e parave në treg, pa një plan të qartë, mund të ketë edhe efekte inflacioniste, duke e neutralizuar në fakt përfitimin për qytetarët.
Kosova me mbi 1.5 milion banorë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë qindra-mijëra qytetarë.
Sipas një publikimi të Bankës Botërore në prill të vitit të kaluar, shkalla e varfërisë vlerësohet të ketë qenë rreth 19.5 për qind në vitin 2023.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, vetë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se është rritur numri i “familjeve të cenueshme” që përfitojnë nga subvencionet e energjisë elektrike për rreth 25 për qind.
Subvencionimi i energjisë elektrike është një program që synon t’i ndihmojë familjet me të ardhura të ulëta për të përballuar fatura më të larta të energjisë, veçanërisht në muajt e dimrit kur konsumimi dhe kostoja e energjisë shpesh rriten.
Ndërkohë, debati për shtesat për lehona dhe fëmijë ka hapur edhe diskutime të tjera.
Nga një perspektivë feministe, Ymeri vëren se këto politika mund të kenë pasoja të padëshiruara, nëse nuk shoqërohen me masa për integrimin e grave në tregun e punës.
“Nëse mbështetja financiare nuk lidhet me politikat e punësimit, kujdesit për fëmijët dhe shërbimeve sociale, ajo mund të përforcojë role tradicionale dhe varësi afatgjate”, thotë ai.
Ymeri u referohet ankesave nga organizatat e ndryshme feministe në vend, se ky lloj i shtesave mund të përforcojë modelin tradicional të familjes, ku kujdesi për fëmijët mbetet kryesisht barrë e grave.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për vitin 2024, vetëm 25.9 për qind e grave në moshë pune janë aktive në tregun e punës, krahasuar me 60.6 për qind të burrave.
Krahasuar me Kosovën, vendet me sisteme më të konsoliduara të mirëqenies sociale e kanë ndërtuar ndihmën shtetërore si pjesë të një strukture të qëndrueshme.
Në Danimarkë, për shembull, mbështetja për familjet dhe individët nuk jepet kryesisht përmes pagesave të njëhershme, por përmes një sistemi të rregullt që përfshin ndihma për fëmijë, leje prindërore, sigurim shëndetësor universal dhe shërbime publike cilësore.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sistemi është më i fragmentuar, por gjithashtu i strukturuar rreth programeve afatgjate. Pensionet dhe ndihmat për të moshuarit bazohen në kontributet e paguara gjatë jetës në punë, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta përfitojnë nga programe të veçanta për ushqim, shëndetësi dhe strehim.
Sipas Ymerit, dallimi kryesor mes këtyre vendeve dhe Kosovës qëndron te mungesa e një vizioni të qartë për të ardhmen e shtetit.
“Pyetja nuk është nëse duhet të ketë ndihma, por çfarë modeli të mirëqenies duam të ndërtojmë”, thotë ai.
“Në përgjithësi, politikat sociale në Kosovë janë ndërtuar më shumë si reagime të momentit, sesa si pjesë e një vizioni afatgjatë transformues. Kjo mund të çojë në disbalancë ekonomike dhe buxhetore, sepse të hyrat zvogëlohen ndërsa obligimet rriten”, shton Ymeri.
Për këtë, ai thotë se është shumë e rëndësishme që ndihmat e ndryshme sociale të mos merren si vendime të Qeverisë së Kosovës, por të përcaktohen me ligj si të drejta që u takojnë qytetarëve. Kështu, shton ai, ndihmat s’do të shihen si barrë apo lëmoshë.
Nëse lihen vetëm si vendime qeveritare, Ymeri sqaron se me ardhjen e një qeverie të re, këto ndihma mund të reshtin së ekzistuari fare lehtë.
“Këto çështje nuk zgjidhen me vendime të izoluara. Nevojitet dialog me sindikatat, inspektim më i fortë i tregut të punës, rritje e kapaciteteve institucionale dhe reforma të pagave e kontratave kolektive sipas sektorëve”, thotë Ymeri.
Për të, zgjidhja afatgjatë më e mirë do të ishte ndërtimi i një sistemi që bazohet në tregun e punës, shërbime publike cilësore dhe skema sociale të qëndrueshme. Për këtë, ai e merr shembull sistemin në Holandë.
“Mirëqenia përmes punës ruan dinjitetin njerëzor dhe zvogëlon varësinë nga skemat sociale, të cilat në çdo vend kanë edhe një dimension stigmatizues”, thotë Ymeri.
Megjithatë, ai shton se pa investime serioze në arsim, shëndetësi dhe punësim, shtesat financiare do të mbeten vetëm zgjidhje të përkohshme.
“Pyetja kryesore mbetet: ku po i shpenzojmë paratë publike dhe a po i përdorim ato në mënyrën më të drejtë dhe më të qëndrueshme?”, përfundon Ymeri.
Lidhja e Sindikatave ka njoftuar itinerarin e plotë për protestën më 28 janar.
Qëllimi kryesor i protestës është rritja e pagave të punëtorëve në 600 euro.
Protesta fillon më 28 janar 2026 në orën 17:00 para Qendrës së Punëtorëve (ndërtesa e LSM në Mirce Acev 6) në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Dhomës së Tregtisë dhe Qeverisë së Maqedonisë (Duke lëvizur përgjatë Mirce Acev, Filipit të dytë, 11 Tetori, Dame Gruev, Bulevardi OBRM dhe duke përfunduar në Bulevardin Ilinden para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë) – njoftoi në Facebook Ivan Peshevski nga LSM.
Nga LSM thanë e nuk do të heqin dorë nga protesta për rritjen e pagës mininmale, pasi standardi jetësor është rritur dhe punëtorët po punojnë për mbijetesë.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro.
Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë.
“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat.
“Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.
Ai tha se vitin e kaluar nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë, sipas tij, politika të tilla bëjnë që personeli i kualifikuar të largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale, duke vlerësuar se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale janë qëllime të drejta dhe të nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë, AKB shpreh shqetësim për mënyrën se si është marrë ky vendim, duke theksuar se ai është miratuar pa dialog me sektorin privat, pa konsultime paraprake dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar, veçanërisht për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.
Sipas AKB-së, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojmë që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, sidomos për bizneset e vogla”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Në të njëjtën kohë, Aleanca shpreh indinjatë që edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.
AKB i bën thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale./Telegrafi/.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, vendim që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.
“Paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, zbatimi i këtij vendimi do të realizohet në dy faza, me qëllim lehtësimin e përshtatjes së punëdhënësve.
“Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.”
Faza e dytë e rritjes është paraparë për mesin e vitit.
“Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Ministria vlerëson se kjo rritje është e rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.
“Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës. Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
TIRANË, 15 janar/ATSh/ Bashkia e Shkodrës ka hapur zyrtarisht aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve”, duke ftuar të gjithë qytetarët dhe subjektet e interesuara që të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Aplikimi kryhet online, ku subjekti duhet të paraqesë një kërkesë të argumentuar me shkrim, të shoqëruar nga një plan rilevimi i sipërfaqes së poseduar, i hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.
Për të provuar lidhjen me pasurinë, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumente që vërtetojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik ose përdorimin e vazhdueshëm të saj, si dokumentacion tatimor, fatura shërbimesh të lidhura me pasurinë, deklarata apo dëshmi nga banorë dhe autoritete vendore që konfirmojnë posedimin për një periudhë të paktën 10-vjeçare, si edhe fotografi, ortofoto apo prova të tjera materiale.
Aplikuesit kanë mundësi të paraqesin edhe çdo dokument tjetër që forcon provën e lidhjes së tyre me pasurinë.
Në mbështetje të qytetarëve gjatë këtij procesi, Bashkia Shkodër bën me dije se Zyra me Një Ndalesë e-Albania do të ofrojë asistencë dhe orientim për aplikimin, duke synuar lehtësimin e procedurave dhe informimin e plotë të çdo të interesuari.
Aplikimet kryhen përmes linkut zyrtar të e-Albania, duke garantuar një proces transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë.
“Paketa e Maleve” është një politikë zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.
Ajo synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë theksuar se do të këmbëngulin në zbatimin e vendimit për pagën minimale.
FSPTSPK kërkon nga kompanitë private në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Lexoni të plotë njoftimin:
Për herë të dytë, paralajmërojmë kompanitë publiko-private se do të këmbëngulim në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për pagën minimale, që nënkupton 425 euro për punëtorët e këtyre kompanive.
Në këtë drejtim, kërkojmë nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Ju njoftojmë se nëse pagat e Janarit nuk dalin më rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet tjera arsimore.
Andaj, ju ftojmë të reagoni me kohë dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/
TIRANË, 1 janar/ATSH/ Nga sot, 1 janar 2026, hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Rritja e pagës minimale reflekton vijimësinë e politikave për rritjen graduale të të ardhurave dhe mbrojtjen e punëmarrësve.
Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.
Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale arrin në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.
Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.
Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.
Nga sot, 1 janar 2026, hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë. Rritja e pagës minimale reflekton vijimësinë e politikave për rritjen graduale të të ardhurave dhe mbrojtjen e punëmarrësve. Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale. Nga 24 mijë lekë në…
Ditën e sotme, në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama, foli për një rritje ekonomike pozitive.
Gjithashtu, kreu i shtetit u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve.
Sipas kreut të qeverisë në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.
Rama tha se rritja e pensioneve që nis në janar është përtej indeksimit.
Sipas tij, pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj nga janari i 2026 dhe keshtu do te vazhdojë te dyfishohet, trefishohet, katërfishohet vit pas viti.
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj dhe pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj.
“Ndërkohë që bizneset e reja janë shtuar me 20%, investimet e huaja në 3 mujorin e 3 kanë pasur rritje mbi 10%. Stoku i investimeve të huaja është domethënës dhe më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm
Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro.
Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti.
Duke filluar nga janari pensionet do rriten përtej indeksimit. Rritja që ne do të bëjmë do të jetë domethënëse vit pas viti.
Kështu pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Do të dyfishohet në janarin 2027, trefishohet në janarin e 2028, katërfishohet në janarin e 2029 e kështu me radhë.
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj
Pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj
Pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj
Pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj”, tha Rama.