Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun
TIRANË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Kuvendi u kthye në bunker për mbrojtjen e korrupsionit duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi tha se Kuvendi dështoi që të mbrojë pushtetin nga drejtësia.
“Ky parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshëm që ka si funksion të vetin të mbrojë pushtetin nga drejtësia. Sot kemi një mazhorancë të ngritur mbi paratë e pista të korrupsionit dhe karteleve të drogës që në vend të detyrës ka zgjedhur friken në vend të ligjit ka zgjedhur nënshtrimin ndaj Kryeministri. Sot përballemi me një pyetje shumë të thjeshtë është Kuvendi i Shqipërisë një institucion i ligjit apo një mburojë politike për korrupsionin dhe kundër drejtësisë”, tha Bardhi.
Sipas tij, që prej 19 dhjetorit Kuvendi kishte një detyrim shumë të qartë, të panegocueshëm, të vendoste pa vonesë për pranimin e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Kishte një detyrë të vetme të mos i fshihej drejtësisë, por Kuvendi dështoi që ta përmbushë këtë detyrim. Zëvendëskryeministrja e pandehur vazhdon detyrën sikur asgjë nuk ka ndodhur e akuzuar dhe nën hetim aktiv për 11 procedura prokurimi dhe koncesioni me vlerë totale 1.1 miliard euro”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, Kuvendi heshti ndaj kërkesë së prokurorisë, pari kryetari i Kuvendit nuk zbatoi ligjin por iu nënshtrua urdhrit politik të Kryeministrit.
“Bazuar në këtë dosje, kërkesa jonë ka qenë një dhe vetëm një mbledhja e Këshillit të Mandateve, për t’i hapur rrugë Kuvendit, për të vendosur mbi kërkesën e SPAK. Kërkuam këtë mbledhje 5 herë për kryetari i Kuvendit heshti, pasi kryeministri kishte shpallur injorimin e kërkesë së SPAK dhe të drejtësisë”, u shpreh Bardhi.
“Një kryetar Kuvendi ka vetëm një detyrë t’i shërbejë ligjit dhe jo Kryeministrit. Kur kryetari i Kuvendit nuk përgjigjet ndaj kërkesave zyrtare të Kuvendit, heshtja e tij shndërrohet në mburojë politike, jo për qytetarët, por për korrupsionin. Ky Kuvend është kthyer në bunker të korrupsionit, jo sepse mungojnë provat por se këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Kryeministrit”, tha Bardhi.
Bardhi tha se mazhoranca nuk ka mbrojtur Kushtetutën, “por e ka vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit”.
“Nuk kam asnjë iluzion që do të jepni dorëheqjen se integriteti kërkon pavarësi dhe liri. Për të mbrojtur karrigen, keni zgjedhur që të mbroni paligjshmërinë”, u shpreh Bardhi, teksa iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
/m.q/j.p/
The post Bardhi: Kuvendi po pengon drejtësinë për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.