Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 January 2026Main stream

BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

29 January 2026 at 19:01

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian planifikon të vërë në dispozicion 145 milionë euro (173 milionë dollarë) për ndihmë humanitare në Ukrainë, njoftoi sot krahu ekzekutiv i aleancës me 27 vende anëtare.

”Fondet synojnë të ofrojnë mbrojtje, strehim, ushqim si dhe qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore”, bëri të ditur Komisioni Evropian.

Sipas tij, edhe 8,0 milionë euro shtesë janë parashikuar për pritjen e refugjatëve të luftës në Moldavi.

Në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj furnizimit energjetik të Ukrainës, BE-ja po dërgon gjithashtu edhe 500 gjeneratorë emergjence.

Të premten e kaluar u dërguan 447 të tillë.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gati katër vjet më parë, Komisioni ka siguruar mbi 1,4 miliardë euro për programe ndihme humanitare në Ukrainë dhe Moldavi.

Po ashtu, të paktën tre miliardë euro janë vënë në dispozicion për sigurinë energjetike.

”Në total, BE-ja e ka mbështetur Ukrainën me 193,3 miliardë euro”, bëri të ditur Komisioni./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake

29 January 2026 at 18:18

MADRID, 29  janar /ATSH-DPA/ – Një flotilje anijesh të NATO-s po mblidhen sot në portin ushtarak spanjoll të Rotas, në kuadër të manovrave më të mëdha të aleancës transatlantike për këtë vit.

Manovrat, të quajtura “Steadfast Dart 26”, përfshijnë vendosjen e shpejtë të mijëra ushtarëve brenda Evropës, nga jugu dhe perëndimi drejt veriut dhe lindjes.

Manovrat po organizohen nga Gjermania.

Katër anije turke dhe dy spanjolle pritet të nisen nga Rota në ditët e ardhshme dhe pritet të arrijnë në portin gjerman të Kielit më 11 shkurt.

Anije shtesë nga Gjermania, Franca, Holanda dhe Polonia do t’i bashkohen flotiljes ndërsa po praktikohet edhe mbështetja ajrore për të siguruar anijet gjatë rrugës.

Manovrat  drejtohen nga gjenerali gjerman Ingo Gerhartz, komandant i “Allied Joint Force Command” në Brunssum, Holandë.

“Sidomos në këto kohë, është shumë e rëndësishme të tregojmë unitetin e aleancës sonë, NATO-s”, tha Gerhartz në Rota.

“Manovrat nuk kanë për qëllim dërgimin e kërcënimeve, por janë një mesazh 360-gradësh për gatishmërinë e lartë të NATO-s”, shtoi ai.

Në total, 11 shtete anëtare po marrin pjesë në “Steadfast Dart 26” me njësitë e ushtrisë, forcave ajrore, marinës dhe hapësirës.

Këto operacione ndodhin pak ditë pas shmangies së një ndarjeje të madhe brenda aleancës mbi të ardhmen e territorit pothuajse autonom të Arktikut, Groenlandës, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës./  /Ad.Ab./

The post SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE mund t’u ndalojë hyrjen ish-ushtarëve rusë që luftuan kundër Ukrainës

29 January 2026 at 17:41

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Qindra mijëra ushtarë rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës mund të ndalohen të hyjnë në Bashkimin Evropian, sipas një propozimi të paraqitur nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.

Duke folur sot në një takim të BE-së në Bruksel, Tsahkna tha se ekzistojnë informacione sipas të cilave shumë ushtarë rusë synojnë të vijnë në Evropë pas një përfundimi të mundshëm të luftës.

“Kjo do të ishte e pamundur t’u shpjegohej qytetarëve”,  tha ministri estonez, duke i cilësuar ata si “persona shumë të rrezikshëm”.

Një dokument shoqërues i propozimit  thekson se rreth 1,5 milionë shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacione luftarake që nga viti 2022, ndërsa rreth 640 mijë prej tyre janë ende të angazhuar aktivisht.

Sipas dokumentit, këta persona kanë karakteristika të përbashkëta si përvoja luftarake dhe përdorimi i dhunës, si dhe përfshirje të mundshme në krime lufte dhe mizori të tjera ndaj popullsisë ukrainase.

“Prania e tyre e mundshme në territorin e BE-së nuk përbën vetëm rrezik për krime të dhunshme, por edhe një kanal të rëndësishëm për infiltrimin e krimit të organizuar, lëvizjeve ekstremiste dhe operacioneve armiqësore shtetërore në Evropë” , thuhet në dokument.

Sipas autorëve, Ish-luftëtarët janë gjithashtu veçanërisht të lehtë për t’u rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse.

Dokumenti vëren gjithashtu se në Rusi tashmë ekziston një lidhje mes ish-luftëtarëve dhe rritjes së dhunës.

Shumë prej të kthyerve kanë kryer krime të rënda, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre arriti nivelin më të lartë në 15 vitet e fundit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Sipas të dhënave, deri në 180 mijë të dënuar penalë janë rekrutuar drejtpërdrejt në njësi të posaçme ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – BE mund t’u ndalojë hyrjen ish-ushtarëve rusë që luftuan kundër Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DANIMARKË – Rasmussen: Bisedimet me SHBA-në për Groenlandën i janë rikthyer normalitetit

29 January 2026 at 17:07

KOPENHAGË, 29 janar /ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen ka përshëndetur sot bisedimet shumë konstruktive të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e Groenlandës, duke theksuar se procesi diplomatik është rikthyer në binarë, sipas Reuters.

Deklaratat u bënë në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në një moment kur tensionet për ishullin arktik kanë qenë në rritje javët e fundit.

Bisedimet në Uashington, ku morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës, synuan të zbusnin krizën diplomatike të shkaktuar nga deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi marrjen e kontrollit të Groenlandës.

Rasmussen tha se takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe se janë planifikuar takime të tjera për të vazhduar dialogun.

”Gjërat kishin filluar të përshkallëzoheshin, por tani jemi sërish në rrugën e dakordësuar dy javë më parë në Uashington”, u shpreh ministri danez, duke shtuar se megjithëse ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ai është më optimist se një javë më parë.

Sipas tij, rikthimi te dialogu institucional është një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Qëndrimi më i moderuar vjen pasi Trump, javën e kaluar, u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane dhe për herë të parë përjashtoi përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën./  /Ad.Ab./

 

The post DANIMARKË – Rasmussen: Bisedimet me SHBA-në për Groenlandën i janë rikthyer normalitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla

29 January 2026 at 08:37

STOKHOLM, 29 janar /ATSH-AFP / -Suedia planifikon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme për të siguruar që fëmijët të përqendrohen në mësim gjatë orës së mësimit, njoftoi qeveria.

Ky ndalim do të thotë se nxënësit deri në klasën e nëntë ose të moshës 15–16 vjeç, do t’i dorëzojnë telefonat e tyre në mëngjes dhe do t’i marrin përsëri në fund të mbarimit të mësimit.

“Sipas studimeve, nxënësit suedezë shpërqendrohen nga mjetet digjitale gjatë klasës më shumë se sa mesatarja e nxënësve në vendet të tjera të Evropës”, tha qeveria në një deklaratë. “Prandaj qeveria propozon një ndalim të telefonave celularë gjatë gjithë ditës së shkollës”, shton deklarata.

“Rreth 80 për qind e shkollave fillore dhe të mesme suedeze tashmë kanë ndalime për përdorimin e telefonave celularë brenda klasës, të vendosura sipas vullnetit të drejtorëve”, sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT.

Ministrja e Arsimit, Simona Mohamsson, tha në një konferencë për shtyp se një ndalim kombëtar është i nevojshëm për të siguruar që të gjitha shkollat të jenë zona pa telefona celularë.

“Kjo do të ulë shpërqendrimet në klasë”, tha ajo, duke e përshkruar si “një fitore për mësimdhënien dhe shëndetin mendor”.

Nëse miratohet nga parlamenti, ndalimi do të hyjë në fuqi në fillim të semestrit të vjeshtës në gusht 2026./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës

28 January 2026 at 22:38

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e përkohshme e Venezuelës ka rënë dakord t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratim një buxhet mujor, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Duke folur në një seancë dëgjimore të një komisioni të Senatit, Rubio tha se qeveria amerikane vendos se për çfarë mund dhe nuk mund të përdoren fondet, në kuadër të asaj që ai e quajti një “mekanizëm afatshkurtër”.

“Në fakt, ata janë zotuar të përdorin një pjesë të konsiderueshme të këtyre fondeve për të blerë ilaçe dhe pajisje drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se drejtuesit e Venezuelës kanë qenë shumë bashkëpunues.

Në fillim të janarit, forcat amerikane sulmuan Venezuelën dhe kapën udhëheqësin e saj autoritar, Nicolas Maduro, si edhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke e futur vendin e Amerikës së Jugut në një fazë trazirash politike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të ringjallë industrinë e madhe të naftës në Venezuelë dhe ka premtuar fitime të mëdha si për veten e tij, ashtu edhe për popullin venezuelian.

Menjëherë pas grushtit të shtetit, presidenti Trump njoftoi gjithashtu synimin për ta drejtuar Venezuelën në mënyrë tranzitore, pa sqaruar saktësisht se si e parashikonte këtë proces.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me zëvendëspresidenten e Maduros, Delcy Rodríguez, e cila ka marrë detyrën si presidente e përkohshme e vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump

28 January 2026 at 22:00

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz hodhi poshtë sot dyshimet mbi aftësitë e presidentit amerikan Donald Trump për të qeverisur, ndërsa thashethemet për shëndetin e 79-vjeçarit vazhdojnë të qarkullojnë.

“Në bazë të takimeve që kam pasur me presidentin Trump, nuk kam asnjë arsye çfarëdolloj qoftë për të dyshuar në shëndetin e tij”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve.

“Kam përshtypjen se ai është, po, plotësisht i aftë për të kryer detyrat e tij. Nuk kam asnjë tregues që kjo të jetë ndryshe”, shtoi kancelari Merz.

Pavarësisht sigurimeve të përsëritura nga Shtëpia e Bardhë, shëndeti i Trumpit mbetet një temë e shpeshtë debati, me pyetje nëse presidenti po shfaq shenja normale të plakjes, simptoma të lodhjes si kreu i një shteti shumë të angazhuar apo diçka më serioze.

Mavijosje në dorën e tij, të mbuluara dukshëm me grim, janë vënë re në evente publike.

Trump ia ka atribuar këto shenja përdorimit të shtuar të aspirinës, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte deklaruar më herët se ato ishin shkaktuar nga shtrëngimet e shpeshta të duarve.

Raporte mediatike kanë kapur së fundmi Trumpin duke mbyllur sytë gjatë paraqitjeve publike, por presidenti ka hedhur poshtë pretendimet se e kishte zënë gjumi duke thënë se po pushonte ose ishte i mërzitur./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 28 January 2026Main stream

FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike

28 January 2026 at 21:57

NJU JORK, 28 janar /ATSH-DPA/ – Çmimet e naftës kanë rritur në nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, me një fuçi nafte “Brent” të Detit të Veriut për dorëzim në mars që u tregtua rreth 68,41 dollarë sot, 84 cent më shumë se një ditë më parë.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate”  (WTI)  u rrit me 97 cent, duke arritur në 63,36 dollarë për fuçi.

Këto rritje i çuan të dyja referencat kryesore të naftës në nivelet më të larta që nga fundi i shtatorit.

Shkaku kryesor i rritjes duket të jenë tensionet gjeopolitike, ndërsa investitorët janë përqendruar te zhvillimet në Iran, një vend anëtar i grupit të prodhuesve të naftës OPEC.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin për shtypjen e protestave të fundit kundër udhëheqjes autoritare të vendit dhe ka shtuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.

Sipas ekspertëve të tregut të mallrave në Standard Chartered, ndjenja në tregun e naftës ka ndryshuar, me pritshmëri për luhatje më të mëdha të çmimeve sesa ishte parashikuar më parë.

Çmimet e naftës bruto janë faktori kryesor që ndikon në koston e karburanteve dhe të naftës për ngrohje, ndaj kjo rritje mund të përkthehet në shpenzime më të larta për konsumatorët./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë

28 January 2026 at 21:14

KIEV, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë, tha sot këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov.

“Rusia kurrë nuk e ka përjashtuar një takim të tillë”, tha Ushakov për televizionin shtetëror.

“Nëse Zelensky është vërtet i gatshëm për bisedime, ai mund të vijë në Moskë”, shtoi Ushakov, duke theksuar se Putin e ka thënë këtë disa herë më parë.

“Një takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe të fokusohet te rezultatet”, nënvizoi ai.

”Rusia do të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas”, shtoi Ushakov.

Megjithatë, Ukraina e konsideron të papranueshëm një udhëtim të Zelenskyt në Moskë për arsye sigurie.

Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, kishte deklaruar më parë se Zelensky është i gatshëm të negociojë çështje të ndjeshme drejtpërdrejt me Putin, si pjesë e përpjekjeve për të ndalur luftën e Rusisë.

“Çështjet më të ndjeshme në kërkimin e një marrëveshjeje paqeje ende nuk janë zgjidhur,” tha Sybiha në një intervistë për portalin ukrainas “European Pravda”.

Këto përfshijnë pyetje territoriale dhe centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e  Rusisë.

Zelensky ka bërë disa herë thirrje për një takim me presidentin rus, ndërsa Moska ka qenë vazhdimisht e rezervuar.

Një takim mes dy liderëve ka qenë gjithashtu një temë e shpeshtë në bisedat telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Fundjavën e kaluar, negociatorë nga Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedime direkte, për herë të parë pas disa muajsh, në Emiratet e Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Bisedimet pritet të vazhdojnë të dielën në Abu Dabi./  /Ad.Ab./

The post RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA

28 January 2026 at 20:20

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot për një vendim përfundimtar në mosmarrëveshjen lidhur me marrëveshjen doganore mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në Berlin përkrah kryeministrit rumun Ilie Bolojan, Merz tha se “tashmë janë hedhur themelet që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi”.

Megjithatë, kancelari paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të hedhin më dyshime” mbi marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.

Merz iu referua kërcënimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, tashmë i tërhequr, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kenë interes që marrëveshjet të respektohen dhe të mos vihen në pikëpyetje nga ‘njoftime të përditshme’,” tha Merz.

“Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë një përkeqësim të kësaj marrëveshjeje”,  theksoi kancelari gjerman.

Megjithëse marrëveshja BE–SHBA u arrit vitin e kaluar, ajo ende ka nevojë për miratimin e Parlamentit Evropian për t’u bërë zyrtare.

Parlamenti e vendosi formalisht marrëveshjen në pritje javën e kaluar, ndërsa tensionet për Groenlandën u përshkallëzuan.

Plani parashikon që mallrat industriale amerikane të importohen në BE pa tarifa doganore. Në këmbim të këtyre angazhimeve nga BE-ja, Trump pranoi të mos vendosë tarifa të posaçme.

Merz vuri në dukje se negociatat me Uashingtonin vazhdojnë ende në dy sektorë të ndjeshëm: çelikun dhe aluminin./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore

28 January 2026 at 19:40

ROMË, 28 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi deklaroi sot se oficerët nga agjencia amerikane e imigracionit ICE, që do të jenë të pranishëm gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, nuk do të kenë ndonjë autoritet operativ jashtë misioneve diplomatike amerikane dhe nuk do të veprojnë në territorin italian.

Ai theksoi se vetëm Italia është përgjegjëse për sigurinë jashtë hapësirave diplomatike, duke i qetësuar disa nga shqetësimet rreth pranisë së tyre.

Vendimi për të përfshirë ICE-në në sigurinë që lidhet me Lojërat Olimpike, të cilat fillojnë më 6 shkurt, u njoftua dje nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Sipas DHS-së, një njësi do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, dhe nuk do të kryejë veprime të zbatimit të ligjit të imigracionit gjatë ngjarjeve.

Kjo nismë ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të ashpra në Itali, sidomos pas një periudhe të tensionuar në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës ku oficerë të ICE-së u përfshinë në dy incidente që rezultuan me vrasjen e dy qytetarëve amerikanë nga oficerë federalë në Mineapolis, MinnEsota.

Këto ngjarje kanë nxitur protesta të gjera dhe debate në SHBA mbi taktikat e ICE dhe përdorimin e forcës nga agjencitë e zbatimit të ligjit.

Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka qenë kundër pranisë së një force të tillë amerikane në qytetin e tij.

Ai e quajti ICE një “forcë policore private që vepron në mënyrë të paligjshme”, duke iu referuar incidenteve të fundit në SHBA, dhe tha se nuk dëshiron që kjo njësi të jetë prezent në Milano.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, e cila njihet si një aleate e ngushtë e presidentit amerikan Donald Trump, ka tentuar të zbusë reagimet duke theksuar se roli i ICE-së do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar këtu në Itali.

Piantedosi gjithashtu u takua me ambasadorin amerikan në Romë për të diskutuar këtë çështje dhe për të sqaruar rolin e zyrtarëve amerikanë në lidhje me sigurinë e Lojërave Olimpike./  /Ad.Ab./

The post ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Tension në rritje amerikano-iranian mbi çështjen bërthamore

28 January 2026 at 19:00

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë përfshirë sërish në një përshkallëzim të tensioneve, këtë herë për shkak të programit bërthamor iranian dhe mundësisë së ndërhyrjes ushtarake amerikane në Teheran.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur retorikë të ashpër, duke paralajmëruar se një “armatë masive” e forcave amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, është duke u zhvendosur drejt Lindjes së Mesme për të rritur presionin mbi Iranin.

Trump ka theksuar në postimet e tij në platformën Truth Social se koha për një marrëveshje pa armë bërthamore po mbaron dhe se Irani duhet “të ulet në tryezë” dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse Irani refuzon, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për veprime ushtarake edhe më të ashpra sesa sulmet ndaj objektivave bërthamore iraniane që ndodhën në qershor 2025.

Autoritetet iraniane kanë refuzuar kërkesat e SHBA-së për kufizime ndaj programit të pasurimit të uraniumit.

Kreu i programit bërthamor iranian, Mohammad Eslami, tha se Irani ka të drejtën për përdorimin e teknologjisë bërthamore për qëllime civile dhe se kërkesat amerikane për kufizime janë të papranueshme.

Irani ka insistuar prej vitesh se programi i tij bërthamor është vetëm për përdorim civil, ndërsa SHBA-ja dhe disa vende evropiane e akuzojnë Teheranin për synime bërthamore ushtarake.

Në përgjigje të kërcënimeve të presidentit Trump, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka deklaruar se diplomacia e kombinuar me kërcënime ushtarake “nuk është as efektive e as e dobishme”.

“Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga kërcënimet dhe kërkesat e paarsyeshme nëse duan të zhvillojnë negociata” tha ai.

“Është e papranueshme dhe nuk mund të quhet diplomaci nëse njëra palë kërkon të arrijë qëllimet e saj me forcë”, shtoi Araghchi.

Analistët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm, duke paralajmëruar se një konfrontim ushtarak mes SHBA-së dhe Iranit do të kishte pasoja serioze për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për tregjet globale të energjisë.

Situata mbetet e paqëndrueshme, teksa tensionet brenda Iranit vazhdojnë për shkak të protestave të brendshme të shtypura me dhunë.

Ekspertët e politikës së jashtme po vëzhgojnë me kujdes zhvillimet e ardhshme, duke theksuar se çdo lëvizje e pamatur mund të çojë në një krizë më të gjerë ndërkombëtare.

Ndërkohë, diplomacia mbetet e sfiduar përballë kërcënimeve ushtarake dhe qëndrimeve të forta të të dyja palëve./ /Ad.Ab./

The post KOMENT – Tension në rritje amerikano-iranian mbi çështjen bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën

28 January 2026 at 17:39

PARIS, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për forcimin e qëndrimit mbrojtës të Evropës në Arktik, mes tensioneve që lidhen me Groenlandën, duke e përshkruar situatën si një zgjim strategjik për të gjithë Evropën.

Macron i bëri këto deklarata të mërkurën në Paris, gjatë pritjes së kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrit të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.

“Duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë në veriun e largët, praninë ekonomike të Kinës dhe pasojat strategjike të këtij afrimi, ne biem dakord se duhet të forcojmë pozicionin tonë mbrojtës në Arktik”, tha Macron.

Ai vuri në dukje se disa shtete evropiane, përfshirë Francën, kanë nisur tashmë hapa konkretë në këtë drejtim, me kërkesë të Danimarkës, në kuadër të manovrave të përbashkëta ushtarake “Arctic Endurance” në Groenlandë.

Sipas Macronit, Evropa duhet të riafirmojë sovranitetin e saj dhe kontributin në sigurinë e Arktikut, duke intensifikuar njëkohësisht përpjekjet për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.

“Ne gjithashtu mbështesim një angazhim më të fortë të NATO-s në Arktik përmes krijimit të një aktiviteti të zgjeruar vëzhgimi”, tha ai, duke shtuar se Franca është e gatshme të marrë pjesë.

Misioni i propozuar i vëzhgimit, i njohur si “Arctic Sentry”, ishte diskutuar nga vendet anëtare të NATO-s edhe përpara se tensionet rreth Groenlandës të përshkallëzoheshin, pas kërkesave të presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të blinin ishullin më të madh në botë.

“Bashkimi Evropian duhet të japë kontributin e vet në këto përpjekje, përfshirë edhe rishikimin e strategjisë së tij për Arktikun gjatë këtij viti”, tha presidenti francez.

Trump e ka justifikuar qëndrimin e tij për Groenlandën me argumente sigurie, gjë që ka shtyrë liderët evropianë të zotohen për forcimin e mbrojtjes së ishullit, në përpjekje për të zbutur krizën./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BM: Mund të përdorim naftën e sekuestruar ruse për të ndihmuar Ukrainën

28 January 2026 at 07:37

LONDËR, 28 janar /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe mund të përdorë naftën e sekuestruar nga cisternat e flotës hije ruse për të financuar përpjekjet e luftës së Ukrainës, ka sugjeruar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

”Po shqyrtohen opsione të tjera ushtarake për të goditur anijet që shmangin sanksionet dhe që ushqejnë makinerinë ruse të luftës”, tha Healey.

Ai ngriti mundësinë që të ardhurat nga nafta e marrë nga anijet e sekuestruara të devijohen drejt Kievit.

Deklaratat vijnë pasi Britania e Madhe ka ndihmuar së fundmi forcat amerikane dhe ushtrinë franceze në sekuestrimin e cisternave ruse, të cilat Moska i ka përdorur për të anashkaluar sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës që nga pushtimi i plotë i Ukrainës.

“A duhet të bëjmë më shumë kundër transportit hije? Po, duhet, dhe tani kam identifikuar opsione të tjera ushtarake që mund të përdorim për të goditur këtë transport hije”, tha Healey duke folur para Komitetit të Mbrojtjes të Dhomës së Komuneve.

“Po i diskutoj këto me kolegët e kabinetit”, theksoi ai.

Britania e Madhe do të presë së shpejti një takim të vendeve të JEF (Forca e Përbashkët Ekspedicionare), së bashku me ekspertë ligjorë ushtarakë, për të shqyrtuar bazën ligjore mbi të cilën mund të veprojmë kundër transportit hije dhe anijeve të sanksionuara si edhe opsionet ushtarake që mund të përdorin.

“Kjo është pjesë e rritjes aktive të veprimeve kundër transportit hije që keni parë të ndërmarrim me aleatët në javët e fundit. Dhe është pjesë e sigurimit që Putin të mos jetë në gjendje të financojë kaq lehtë makinerinë e tij të luftës në Ukrainë përmes shitjes së naftës së sanksionuar”, shtoi ai.

Healey theksoi se gjatë vitit të fundit janë sanksionuar 250 anije, ndërsa të ardhurat ruse nga nafta janë ulur me një të katërtën në këtë periudhë./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – BM: Mund të përdorim naftën e sekuestruar ruse për të ndihmuar Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani do t’i konsiderojë armiqësore vendet fqinje nëse territori i tyre përdoret për sulme

27 January 2026 at 22:44

TEHERAN, 27 janar /ATSH-AFP/ – Irani do t’i konsiderojë armiqësore vendet fqinje nëse “toka, hapësira ajrore ose ujërat e tyre përdoren” për sulme kundër vendit, paralajmëroi sot një zyrtar i lartë në forcat detare të Gardës Revolucionare, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.

“Ky mesazh është përcjellë te vendet në rajon”, shtoi Mohammad Akbarzadeh, duke kërcënuar se, në rast të një sulmi, Irani do të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një kalim kyç për transportin e energjisë.

“Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet ta dinë se ndërsa siguria e ushqimit, energjisë dhe tregtisë së tyre është siguruar nga ky kalim (…) ne mund ta transformojmë të njëjtën siguri në pasiguri”, shtoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post TEHERAN – Irani do t’i konsiderojë armiqësore vendet fqinje nëse territori i tyre përdoret për sulme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA manovra ushtarake ajrore në Lindjen e Mesme

27 January 2026 at 22:35

UASHINGTON, 27 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot se do të zhvillojë manovra ushtarake ajrore disaditore në Lindjen e Mesme, në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani janë në përplasje lidhur me shtypjen vdekjeprurëse të protestave antiqeveritare në Iran.

Një ditë më parë, ushtria amerikane kishte bërë të ditur mbërritjen në rajon të aeroplanmbajtëses ”Abraham Lincoln”.

“Manovrat do do të demonstrojnë aftësinë për të dislokuar, shpërndarë dhe mbajtur fuqi ajrore luftarake në të gjithë Lindjen e Mesme”, thuhet në një deklaratë të komponentit ajror të Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane (Centcom).

Nuk janë bërë të ditura data apo vendndodhje të sakta për zhvillimin e këtyre manovrave.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar disa herë se do të godasë Iranin si përgjigje ndaj shtypjes së protestave në janar, por më pas ka dhënë shenja tërheqjeje, pasi deklaroi se Teherani kishte pezulluar ekzekutimet e planifikuara të disa protestuesve./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – SHBA manovra ushtarake ajrore në Lindjen e Mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Frederiksen: Danimarka gati të bëjë gjithçka për marrëveshje me SHBA-në, por pa dorëzuar Groenlandën

27 January 2026 at 21:34

BERLIN, 27 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka synon të bëjë gjithçka që mundet për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës lidhur me Groenlandën, por pa dorëzuar territor, deklaroi sot kryeministrja Mette Frederiksen.

E pyetur nëse territori i Groenlandës mund t’i kalonte SHBA-së, Frederiksen tha se ”një veprim i tillë është i paimagjinueshëm”.

”Jo, nuk mund të imagjinohet një gjë e tillë”, u shpreh ajo në një intervistë për programin ”Maischberger” të transmetuesit publik gjerman ARD.

Pasi kishte këmbëngulur se SHBA-ja kishte nevojë të zotëronte ishullin kryesisht autonom danez, presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar përjashtoi përdorimin e forcës për ta marrë Groenlandën dhe tha se ekziston një ”kornizë për një marrëveshje të ardhshme lidhur me Groenlandën”.

Deklaratat e tij erdhën pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

”Tani kemi një kanal diplomatik me amerikanët dhe duhet të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, shtoi kryeministrja daneze.

Frederiksen nuk pranoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve me SHBA-në dhe tha se nuk është e qartë se sa do të zgjasin negociatat.

”Paralelisht me bisedimet që po zhvillojmë tani me amerikanët, ne evropianët duhet të jemi të qartë me veten se bota e vjetër ka marrë fund”, tha ajo.

”Nuk besoj se ajo do të kthehet. Për ne evropianët, për këtë arsye, është tejet e rëndësishme që të mbështetemi te riarmatimi”, përfundoi Frederiksen./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Frederiksen: Danimarka gati të bëjë gjithçka për marrëveshje me SHBA-në, por pa dorëzuar Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Arrin në 30 numri i viktimave nga moti i paprecedentë

27 January 2026 at 21:10

NJU JORK, 27 janar /ATSH-AFP/ – Më shumë se gjysmë milioni amerikanë u zgjuan sot pa energji elektrike, ndërkohë që  temperaturat e ulëta përfshinë zona të gjera të vendit në një stuhi të fuqishme që ka shkaktuar të paktën 30 viktima.

Një masë ajrore arktike jashtëzakonisht e ftohtë dhe kërcënuese për jetën mund të vonojë rikuperimin, ndërsa bashki nga Nju Meksiko deri në Maine përpiqeshin të përballonin pasojat e stuhisë, e cila solli një përzierje të rrezikshme dëbore të dendur dhe erërash të forta, si edhe shi të ngrirë dhe dëborë të imët.

Parashikuesit paralajmëruan se pjesa më e madhe e gjysmës veriore të vendit do të përjetojë temperatura vazhdimisht nën zero deri më 1 shkurt, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) në një postim në X.

”Temperatura rekord të ulëta  u regjistruan edhe në shtetet jugore, të cilat nuk janë mësuar me dimra kaq të ashpër”, shtoi ai.

Ndërsa qielli nisi të pastrohej në disa zona, reshjet e pandërprera në verilindje bënë që pjesë të Konektikatit të regjistronin mbi 56 centimetra dëborë, ndërsa në Boston dhe Masaçusets më shumë se 40,6 centimetra dëborë.

Energjia elektrike nisi të rikthehej gradualisht në jug, por deri të martën në mëngjes më shumë se 540 000 konsumatorë ishin ende pa rrymë, sipas faqes Poweroutage.com.

Tenesi,Teksasi, Misisipi dhe Luiziana ishin veçanërisht të goditura.

Më shumë se 9 000 fluturime u ndërprenë, ndërsa stuhia paralizoi transportin në të gjithë vendin./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Arrin në 30 numri i viktimave nga moti i paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Charles III dhe Camilla takojnë të mbijetuar të Holokaustit në Ditën Përkujtimore

27 January 2026 at 18:28

LONDËR, 27 janar /ATSH-DPA/ – Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla u takuan me të mbijetuar të Holokaustit dhe ndezën qirinj përkujtimi me rastin e përvjetorit të çlirimit të kampit nazist të shfarosjes Auschwitz-Birkenau në vitin 1945.

Mbreti pa nga afër portrete të shtatë të mbijetuarve të Holokaustit, përfshirë atë të Helen Aronson, 98 vjeçe, një nga rreth 750 personat e mbijetuar nga getoja e Lodzit në Poloninë e pushtuar nga nazistët, nga gjithsej rreth 250 mijë njerëz të dërguar atje.

Aronson i tha mbretit se portreti i saj, realizuar nga artisti Paul Benney dhe porositur nga Charles III kur ishte princ i Uellsit, ishte i mrekullueshëm.

Aronson ishte vetëm 12 vjeçe kur ushtria gjermane mbërriti në shtëpinë e saj.

Ajo mbijetoi bashkë me nënën dhe vëllain, ndërsa babai i saj u vra në kampin e shfarosjes Chelmno, në Poloninë e pushtuar nga nazistët.

Lu Lawrence, vajza e të mbijetuarit Zigi Shipper, tha se do të kishte dashur që i ati, i cili vdiq në vitin 2023, të ishte i pranishëm në ceremoninë e sotme për të parë portretin e tij në Ditën Përkujtimore të Holokaustit.

”Ata janë në shpirtin tonë”, tha mbreti Charles III duke iu referuar të mbijetuarve që nuk jetojnë më.

Shipper, i cili vdiq në moshën 93-vjeçare, i mbijetoi getos së Lodzit, kampit të shfarosjes Auschwitz-Birkenau, kampit të përqendrimit Stutthof dhe një marshimi vdekjeje, gjatë të cilit u ndihmua nga Manfred Goldberg, i nderuar gjithashtu me një portret në Pallatin Buckingham.

Mbreti u takua edhe me stërnipin dyvjeçar të Shipperit, Zigi Harrod, i cili mban emrin e tij.

Charles vlerësoi gjithashtu praninë e Anita Lasker-Wallfisch, 100 vjeçe, e mbijetuara e fundit e Orkestrës së Grave të Auschwitzit, e cila luante violonçel në kamp dhe mbijetoi për gati një vit, përpara se të dërgohej në Bergen-Belsen me avancimin e ushtrisë ruse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – Charles III dhe Camilla takojnë të mbijetuar të Holokaustit në Ditën Përkujtimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së

27 January 2026 at 17:49

MILANO, 27 janar /ATSH-AFP/ – Një divizion i Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) do të jetë i pranishëm në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina (6-22 shkurt) për të kontribuar në sigurinë e ngjarjes, por duke shkaktuar reagime të forta në Itali.

“Në Lojërat Olimpike, Shërbimi i Sigurisë Kombëtare (HSI) i ICE-së do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe vendin pritës, në vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me organizatat kriminale transnacionale”, njoftoi ICE në një deklaratë.

“Natyrisht, ICE nuk kryen operacione imigracioni jashtë vendit”, deklaroi agjencia, duke theksuar se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.

Mijëra agjentë të ICE u vendosën nga presidenti Donald Trump në disa qytete amerikane si pjesë e një fushate kundër imigracionit të paligjshëm.

Veprimet e tyre kanë shkaktuar protesta të gjera, dhe vrasjet e fundit nga agjentët e tyre të dy qytetarëve amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, të dy 37 vjeç, në rrugët e Minneapolis (veriu i Shteteve të Bashkuara), kanë provokuar zemërim.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ICE-së, i cili do të mobilizohet gjatë Lojërave Olimpike Milano-Cortina, lufton ndërkombëtarisht, veçanërisht kundër trafikut të drogës dhe terrorizmit, sipas faqes së internetit të ICE-së.

Agjentët e akuzuar për dhunë në Shtetet e Bashkuara i përkasin një divizioni tjetër (Operacionet e Zbatimit dhe Largimit), përgjegjës në veçanti për deportimet, por kjo nuk ka parandaluar polemikat në Itali.

“Ata nuk janë të mirëpritur në Milano, nuk ka dyshim për këtë”, deklaroi kryebashkiaku i qytetit, Giuseppe Sala, në radion RTL 102.5./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌