Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Main stream

Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon

3 February 2026 at 22:52

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim në Uashington me kongresmenin Ritchie Torres, bashkëkryetar i “Albanian Caucus” dhe mbështetës i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe me kongresmenin William R. Keating, anëtar i lartë i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit, ministrja Spiropali i falënderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se angazhimi i vazhdueshëm amerikan në rajon mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe për zhvillimin demokratik.

Spiropali nënvizoi se angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, ku Shqipëria vijon të luajë një rol konstruktiv për stabilitetin, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë

3 February 2026 at 22:34

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar sot ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste, të ndërmarrë nga Kryeministri dhe të amplifikuar nga media, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.

Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata vlerëson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Shoqata thekson se nuk është në kompetencën e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por e konsideron të domosdoshme ndaljen e keqinformimit të opinionit publik dhe të presionit politik ndaj gjyqtarëve.

Sipas shoqatës, që prej vitit 2016, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku qeveria dhe Kuvendi, sipas shoqatës, kanë vepruar në kundërshtim me frymën e reformës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, përmes ndryshimeve ligjore, dispozitave tranzitore dhe referencave të pagave, disa prej të cilave janë shfuqizuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe spekulative narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për funksionimin e demokracisë, duke nënvizuar se veprimet e saj synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.

/gj.m/j.p/

The post Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale

3 February 2026 at 22:16

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kuvendi miratoi sot pr/ligjet në rendin e ditës, teksa me kërkesë të mazhorancës u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i projektvendimit për ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi mosshqyrtimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, në këtë seancë.

Ndërsa nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha se kërkesa e PD ka qenë e qartë, jo që të mos shqyrtohet, por tërheqja e këtij vendimi.

“Tërheqja tregon vullnet, nëse doni ta lini situatën as mish as peshk, atëherë doni ta bëni lojë. S’e keni ndarë mendjen, ndajeni ju mendjen”, tha ai.

Më pas Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.

Gjithashtu u miratua me 77 vota projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar.

Në seancën e sotme u miratua me 77 vota pro edhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”.

Gjithashtu u miratua me 77 vota pro Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për  programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024”.

Kuvendi miratoi me 77 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së  Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.

Deputetët miratuan me 76 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë,  Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet  Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024”.

Sot u miratua edhe me 77 vota pro edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro edhe projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Po ashtu sot u miratua me 78 vota pro edhe  Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

/gj.m/j.p/

The post PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan

3 February 2026 at 19:53

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua në Uashington me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veteranin e ushtrisë amerikane Brian Mast.

Spiropali nënvizoi se Kongresmeni Mast është aktivisht i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

Ministrja u ndal te bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, në misione të përbashkëta ushtarake nga Afganistani në Irak, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Është pikërisht ky lloj bashkëpunimi që sipas ministres, e bën aleancën mes dy vendeve edhe më të fortë.

Më herët, Spiropali u takua me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC), me fokus potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE

3 February 2026 at 19:23

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të përbashkët online me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe kolegët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus mbi zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) në hapësirën Schengen.

Sistemi EES synon të përshpejtojë procedurat në pikat kufitare, të reduktojë pritjet dhe të rrisë sigurinë përmes digjitalizimit të të dhënave.

Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me partnerët evropianë për të garantuar standarde që i shërbejnë qytetarëve dhe një lëvizjeje më të sigurt drejt vendeve të BE-së.

Sistemi i hyrjes/daljes (EES) i BE-së është një mjet digjital regjistrimi për vizitorët në Evropë.

Ai zëvendëson vulat e pasaportave me gjurmë gishtash dhe foto të fytyrës, falë një serie skanerësh të instaluar në aeroporte, porte dhe stacione hekurudhore në të gjithë kontinentin.

Qëllimi është të regjistrohen të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve jo BE që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër (90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke u lejuar autoriteteve të gjurmojnë automatikisht tejkalimet e afateve dhe refuzimet e hyrjes.

/gj.m/j.p/

The post Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë

3 February 2026 at 19:19

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot në Kuvend se Gjykata Kushtetuese ndodhet përballë një momenti historik lidhur me shqyrtimin e çështjes për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Shehaj theksoi se për herë të dytë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë marrjen e vendimit, duke nënvizuar se kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e drejtësisë.

Ai deklaroi se rasti përbën një provë të drejtpërdrejtë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas meje, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Ky është një moment historik për vendin”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia kritikoi gjithashtu mazhorancën për sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen publike drejt debatit mbi pagat e gjyqtarëve.

“Problemi real nuk janë pagat e gjyqtarëve, por fakti që qeveria po përballet me një drejtësi që po vepron”, deklaroi ai.

Në përfundim, Shehaj theksoi se, sipas tij, qytetarët shqiptarë mbështesin SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë dhe kërkojnë që zyrtarët e akuzuar të përballen me ligjin pa ndikime politike.

/gj.m/j.p/

The post Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self

3 February 2026 at 18:34

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u takua sot në Uashington me kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit në Kongresin Amerikan, u vlerësua mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe u theksua forca e Partneritetit Strategjik Shqipëri–SHBA, si një shtyllë kyçe e marrëdhënieve dypalëshe.

Peleshi dhe Self diskutuan gjithashtu mbi angazhimin amerikan për reformat demokratike, si dhe kontributin e përbashkët për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, duke i cilësuar këto elemente thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në takim morën pjesë edhe deputetët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Ilir Pendavinji si dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe deputeti i PD, Belind Këlliçi.

/gj.m/j.p/

The post Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu replikë me Korreshin: Integrimi europian nuk është çështje batutash politike

3 February 2026 at 18:17

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu gjatë një replike në seancën plenare të Kuvendit pasditen e sotme me deputetin e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, theksoi se rruga drejt integrimit europian kërkon punë konkrete dhe jo “barcaleta”.

Korreshi deklaroi se Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian dhe se reformat e shpallura nga qeveria nuk reflektohen në realitetin e qytetarëve, duke përmendur problematika në drejtësi, shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë.

Gogu vuri në dukje nga ana e tij, se problemet zgjidhen me punë.

“Baltën e pastron ai që e sheh dhe që është atje për të pastruar baltën, siç pastruam baltën e drejtësisë që ti e shihje dhe i thoje prokurores së përgjithshme ‘lavire rrugësh’ dhe sot vjen dhe na tregon banalitetin e të keqes”, deklaroi ministri.

Sipas tij, progresi i vendit vlerësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kur vijmë sot, të gjithë emisarët e Europës sonë thonë se është përparim, progres mbresëlënës. Pse nuk e dinë ata që kanë baltë rrugët e Shqipërisë?”, shtoi ai, duke sjellë si shembull modernizimin e bujqësisë në Divjakë.

Gogu theksoi se integrimi europian nuk është çështje batutash politike.

/gj.m/

The post Gogu replikë me Korreshin: Integrimi europian nuk është çështje batutash politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përcaktohet kalendari për javët 23 dhe 24 të kampionatit dhe ndeshjet e para çerekfinale të Kupës

3 February 2026 at 16:57

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar kalendarin për dy javët e ardhshme të kampionatit “Abissnet Superiore”, si edhe për ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 23-të e kampionatit do të luhet të premten dhe të shtunën, më 6 dhe 7 shkurt. Ndërkohë, në mesjavë, më 10 dhe 11 shkurt, janë programuar të zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 24-t është planifikuar të luhet më 14 dhe 15 shkurt, duke nisur me përballjen FK Vora – Egnatia dhe duke u mbyllur me derbin e kryeqytetit, Partizani – Tirana.

Java 23

Bylis – Partizani, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Adush Muçaj”

Vllaznia – FK Vora, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Vora”

AF Elbasani – Teuta, 06.02.2026 16:30 Stadiumi “Elbasan Arena”

Flamurtari – Egnatia, 06.02.2026 19:00 Stadiumi “Flamurtari”

Tirana – Dinamo City, 07.02.2026 13:30 Stadiumi “Selman Stermasi”

Java 24

FK Vora – Egnatia, 14.02.2026 13:30 stadiumi “Vora”

Teuta – Bylis, 14.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Vllaznia – AF Elbasani, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Loro Boriçi”

Dinamo City – Flamurtari, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

Partizani – Tirana, 15.02.2026 19:30 stadiumi “Air Albania”

Kupa e Shqipërisë

Bylis-Vllaznia, 10.02.2026 13:30 stadiumi “Adush Muçaj”

Teuta-Egnatia, 10.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Tirana-Dinamo City, 11.02.2026 13:30 stadiumi “Selman Stermasi”

AF Elbasani-Partizani, 11.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

/gj.m/j.p/

The post Përcaktohet kalendari për javët 23 dhe 24 të kampionatit dhe ndeshjet e para çerekfinale të Kupës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurbin, forcim i bashkëpunimi institucional për sigurinë në shkolla

3 February 2026 at 16:50

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Në ambientet e bashkisë Kurbin u zhvillua sot një takim në kuadër të programit “Siguria në Shkolla”, me pjesëmarrjen e zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Arben Curri, shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve në Volum, Artur Cara, përfaqësuesve të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrës Arsimore Kurbin, sektorit të shërbimit psiko-social, punonjësve të policisë, drejtorëve të shkollave, punonjësve psiko-socialë dhe oficerëve të sigurisë.

Takimi u përqendrua në identifikimin e problematikave që lidhen me sigurinë në institucionet arsimore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e ngjarjeve që përfshijnë nxënësit, si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve shkollore.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e komunikimit të menjëhershëm dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si një element kyç për parandalimin e konflikteve dhe adresimin në kohë të çdo problematike që lidhet me nxënësit.

Gjithashtu, u ra dakord për një monitorim të vazhdueshëm të zonave përreth shkollave, në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë, oficerëve të sigurisë, stafit pedagogjik dhe aktorëve të tjerë lokalë.

Në këtë kuadër, po shqyrtohet edhe mundësia e vendosjes së kamerave të sigurisë në rrugët përreth institucioneve arsimore, për të garantuar një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe komunitetin shkollor.

Policia e Lezhës konfirmon angazhimin për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet arsimore dhe pushtetin vendor, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë, të sigurt dhe të mbrojtur për nxënësit dhe gjithë komunitetin shkollor.

/gj.m/j.p/

The post Kurbin, forcim i bashkëpunimi institucional për sigurinë në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fatjon Tafaj emërohet trajner i Kombëtares U-19, Armand Dama te Kombëtarja U-17

3 February 2026 at 16:49

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Federata e Futbollit ka vendosur të bëjë dy ndryshime në drejtimin teknik të kombëtareve të moshave, në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të futbollit të të rinjve.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Kombëtarja U-19 për djem do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Fatjon Tafaj, i cili më herët ka qenë në krye të Kombëtares U-17. Ndërkohë, drejtimin e Kombëtares U-17 do ta marrë trajneri Armand Dama.

Në muajin mars, Kombëtarja U-19 do të zbresë në fushë për ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Kampionatit Europian. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në grupin B4, së bashku me Norvegjinë, Luksemburgun dhe Maltën, dhe do të drejtohen nga trajneri Fatjon Tafaj në këtë fazë të rëndësishme të kompeticionit.

Ndërkohë, prova e parë për trajnerin Armand Dama në krye të Kombëtares U-17 do të jetë në muajin mars, me dy ndeshje miqësore që pritet të zyrtarizohen së shpejti. Në muajin prill, ai do të drejtojë Kombëtaren në turneun UEFA Development U-16 për djem, i cili do të organizohet nga FSHF në “Shtëpinë e Futbollit”, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Austrisë, Suedisë dhe Japonisë.

Gjithashtu, në muajin qershor, Kombëtarja U-17 për djem do të zhvillojë ndeshjet e raundit të dytë kualifikues, ku Shqipëria do të përballet me Ukrainën dhe Letoninë.

/gj.m/j.p/

The post Fatjon Tafaj emërohet trajner i Kombëtares U-19, Armand Dama te Kombëtarja U-17 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Asllani tek Manaj, lojtarët e Kombëtares që ndryshuan skuadër në janar

3 February 2026 at 16:46

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Merkatoja e janarit solli ndryshime të shumta për disa prej futbollistëve të Kombëtares shqiptare, të cilët zgjodhën të vijojnë karrierën në kampionate të ndryshme evropiane dhe jashtë saj, në kërkim të më shumë hapësirave dhe objektivave të reja sportive.

Transferimi më i bujshëm ishte ai i mesfushorit Kristjan Asllani, i cili u largua nga Torino për t’u transferuar te skuadra turke e Beşiktaşit. Lëvizja u realizua me miratimin e Interit, klub që zotëron kartonin e futbollistit kuqezi.

Pas një muaji negociatash, zyrtarizimi i marrëveshjes erdhi vetëm një ditë para mbylljes së merkatos.

Në Turqi u rikthye edhe sulmuesi Rei Manaj, i cili mbylli përvojën e tij me Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendosi të vazhdojë karrierën te Sivasspor, skuadër ku kishte luajtur edhe më parë.

Një tjetër lëvizje e rëndësishme ishte ajo e Anis Mehmetit, i cili u largua nga Bristol City për t’u bashkuar me Ipsëich Toën, klub me ambicie të qarta për ngjitjen në Premier Ligë këtë sezon.

Mbrojtësi Klisman Cake la Shkëndijën e Tetovës për të provuar një eksperiencë të re në kampionatin rus, ku firmosi me Akhmat Grozny, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale.

Ndërkohë, Maldini Kaçuri u transferua nga Morecambe te Grimsby Toën, ndërsa talenti i ri Elton Fikaj u largua nga Panathinaikos në Greqi për të vijuar karrierën me Piast Gliëice në Poloni.

Në Itali, portieri Alen Sherri ndërpreu huazimin e tij te Frosinone dhe u rikthye te Cagliari në Serie A, ndërsa sulmuesi Marvin Çuni u huazua nga Sampdoria te Bari.

/gj.m/j.p/

The post Nga Asllani tek Manaj, lojtarët e Kombëtares që ndryshuan skuadër në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 February 2026Main stream

Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti

2 February 2026 at 22:15

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim dëgjese me fermerët e Dibrës, Klosit, Matit dhe Bulqizës, në kuadër të hartimit të Skemës Kombëtare 2026.

Gjatë bashkëbisedimit, fermerët parashtruan sugjerimet dhe nevojat e tyre konkrete, me synim orientimin e mbështetjes financiare drejt sektorëve ku nevoja është më e madhe.

Ministri Salla theksoi se viti 2026 do të shënojë një mbështetje rekord për bujqësinë, e cila do të jetë plotësisht në dispozicion të fermerëve, por do të kërkojë angazhim, aplikim dhe bashkëpunim në grupe, si pjesë e procesit të formalizimit të sektorit.

Ai bëri të ditur se mbështetja do të realizohet përmes subvencioneve direkte, skemave të granteve, garancisë shtetërore deri në 70 për qind dhe kompensimit të TVSH-së për të gjithë fermerët, për çdo produkt të shitur nga 1 janari 2026 e në vijim.

Sipas ministrit, dëgjesat me fermerët janë thelbësore për ndërtimin e një panorame të qartë mbi sfidat dhe potencialet e bujqësisë, në funksion të një skeme sa më efikase dhe gjithëpërfshirëse.

Më herët, ministri Salla, së bashku me deputeten e PS, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim në Baldushk me fermerët e qarkut Tiranë. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi sugjerimet dhe nevojat e fermerëve për adresimin dhe përdorimin sa më efikas të mbështetjes financiare.

Ministri vuri në dukje se Skema Kombëtare 2026 po hartohet mbi bazën e kontributit të drejtpërdrejtë të fermerëve, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania” dhe ndërtimin e një bujqësie më të qëndrueshme, në përputhje me vizionin afatgjatë “Bujqësia 2030”.

/gj.m/j.p/

The post Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta kombëtare e 10 shkurtit, ditë kryengritjeje paqësore

2 February 2026 at 19:28

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.

Të pranishëm në protestë janë kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, si dhe mbështetës të PD-së.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë protestat deri në arritjen e objektivave të saj politike.

Ai u shpreh se tubimet janë pjesë e një beteje që, sipas tij, lidhet me dinjitetin qytetar dhe kombëtar, si dhe me kundërshtimin e asaj që e cilësoi si qeverisje të dëmshme për vendin.

Berisha akuzoi qeverinë për keqqeverisje, korrupsion dhe përkeqësim të kushteve të jetesës, duke theksuar se opozita do të bëjë “gjithçka për të përmbysur këtë të keqe të madhe”.

Sipas tij, protestat synojnë rikthimin e shpresës dhe besimit te Shqipëria, veçanërisht për të rinjtë.

“Ne do të dalim dhe do të vazhdojmë të dalim në protesta deri në fitore”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita është e vendosur të luftojë për ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët shqiptarë.

Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke e cilësuar atë si “ditën tjetër të kryengritjes paqësore” të opozitës kundër qeverisë.

Berisha ftoi çdo qytetar që beson te Shqipëria dhe potencialet e saj natyrore, historike dhe njerëzore, të marrë pjesë në protestë.

“10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes sonë paqësore. Shqiptarët nga të katër anët ftohen në rrugët dhe sheshet e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar këtij regjimi antishqiptar”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së e përqendroi thirrjen e tij veçanërisht te të rinjtë, duke theksuar se në momentet më kritike të historisë, sipas tij, ata kanë qenë forca vendimtare e ndryshimit.

Ai nënvizoi se opozita synon të përcjellë një mesazh të fortë brenda dhe jashtë vendit përmes protestës së 10 shkurtit.

Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se opozita do të vijojë aksionin e saj politik deri në arritjen e objektivave të shpallura.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Protesta kombëtare e 10 shkurtit, ditë kryengritjeje paqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD mbledh Foltoren para Kryeministrisë

2 February 2026 at 18:59

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.

Të pranishëm në protestë janë kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, si dhe mbështetës të PD-së.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

/gj.m/

The post PD mbledh Foltoren para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjidhet formacioni më i mirë i javës së 22-të të Superiores

2 February 2026 at 18:18

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Pas përfundimit të javës së 22-të të kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, sipas skemës 4-3-3.

Portieri më i mirë i javës është vlerësuar Igor Aleksovski i Flamurtarit. Gardiani i skuadrës vlonjate spikati me pritjet e tij vendimtare, duke mbajtur portën të paprekur në sfidën ndaj Vorës.

Në repartin e mbrojtjes janë përzgjedhur Andrey Yago (Vllaznia), Faton Neziri (Dinamo City), Aurel Marku (Bylis) dhe Marjus Kola (Partizani), të cilët u dalluan për paraqitjet e tyre të qëndrueshme dhe kontributin në fazën mbrojtëse.

Mesfusha përbëhet nga Sherif Kallaku (Vllaznia), Rafael (Tirana) dhe Klaus Kashari (Vora), që luajtën rol kyç në organizimin e lojës dhe ekuilibrin e skuadrave përkatëse.

Në repartin sulmues janë përzgjedhur Xhonatan Lajthia (AF Elbasani), Xhuliano Skuka (Partizani) dhe Serge Tabekou (Tirana). Në ndeshjen Partizani – AF Elbasani, e përfunduar në barazim spektakolar 2-2, Lajthia ishte protagonisti absolut me dy gola të shënuar, ndërsa Skuka realizoi për skuadrën kryeqytetase.

Trajneri më i mirë i javës së 22-të është shpallur Ardijan Nuhiu i Tiranës. Tekniku bardheblu ka rikthyer ekipin te rezultatet pozitive, me Tiranën që regjistron tre fitore dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.

/gj.m/j.p/

The post Përzgjidhet formacioni më i mirë i javës së 22-të të Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspertë të BE, vizitë këshillimore për emergjencat civile

2 February 2026 at 17:00

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Gjatë dy javëve të fundit, Shqipëria priti një mision këshillimor të mbrojtjes civile për zjarret në pyje, të udhëhequr nga Departamenti i Komisionit Evropian për Operacionet e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare (DG ECHO), kuadri i BE-së që ndihmon vendet të bashkëpunojnë për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj fatkeqësive.

Ekipi përbëhej nga staf i ECHO dhe ekspertë kombëtarë: gjithsej 11 pjesëmarrës nga 8 shtete anëtare të BE-së.

Në koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u zhvilluan vizita informative në institucionet kyçe të emergjencave dhe mbrojtjes civile, përfshirë qendra operacionale, agjenci dhe shërbime zjarrfikëse e shpëtimi.

Delegacioni realizoi edhe vizita në terren në zona të prekura nga zjarret dhe u takua me autoritetet lokale për të vlerësuar dëmet, kapacitetet e reagimit dhe praktikat e menaxhimit të emergjencave.

Delegacioni vizitoi Bazën Ajrore të Farkës dhe diskutoi me përfaqësues të Forcave Ajrore Shqiptare dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për rolin e mjeteve ajrore në emergjenca: kërkim-shpëtim, evakuim mjekësor, transport të shpejtë të personelit dhe pajisjeve, si dhe gatishmëri 24/7 – një kapacitet që bëhet jetik gjatë fatkeqësive.

Përmes takimeve dhe vizitave në terren, ekspertët shkëmbyen pikëpamje, njohuri dhe përvoja, duke krijuar një pamje të qartë mbi koordinimin, gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

/gj.m/

The post Ekspertë të BE, vizitë këshillimore për emergjencat civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Boçi: PD do të vijojë punën në komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

2 February 2026 at 18:02

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, deklaroi se PD nuk e bojkoton këtë komision dhe është e gatshme të marrë pjesë në mbledhjet e tij, për sa kohë ato thirren me dakordësi mes bashkëkryetarëve dhe në përputhje me rregullat parlamentare.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Boçi e cilësoi “nul” mbledhjen e zhvilluar sot nga mazhoranca, duke theksuar se ajo është thirrur pa njoftim, pa konsultim me bashkëkryetarin e opozitës dhe pa forum ligjor. Sipas tij, çdo vendimmarrje e dalë nga një mbledhje e tillë është e pavlefshme.

“Komisioni thirret në bashkëpunim mes bashkëkryetarëve. Unë, si bashkëkryetar, nuk jam njoftuar dhe nuk ka pasur asnjë konsultim. Në këto kushte, mbledhja dhe çdo plan pune i miratuar sot janë nul”, u shpreh Boçi.

Ai akuzoi mazhorancën për sjellje arbitrare dhe për tentativa të njëanshme për të avancuar procesin, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të ndryshuar përbërjen e komisionit pa konsensus do të shoqërohet me reagim të fortë nga Partia Demokratike.

Boçi theksoi se qëndrimi i PD-së, i dalë nga diskutimet në grupin parlamentar, është vijimi i pjesëmarrjes në komision, me synimin për një proces real dhe gjithëpërfshirës. “Reforma Territoriale është e rëndësishme dhe nuk duhet të paragjykohet. Ajo duhet të ketë një finalizim të vetëm dhe konsensual, jo variante të paracaktuara”, tha ai.

Duke iu referuar deklaratave të mazhorancës për ndryshime të mundshme të njëanshme, Boçi nënvizoi se ligji parashikon konsultime me pushtetin vendor dhe banorët, përfshirë edhe pranueshmërinë e qytetarëve në rast bashkimesh të njësive vendore.

Në lidhje me mundësinë që mazhoranca të votojë në seancë plenare ndryshimin e formulës së komisionit, Boçi u shpreh se një veprim i tillë do ta vendoste procesin jashtë çdo standardi demokratik.

“Nëse sillen në mënyrë arbitrare, do të ketë reagim të fortë. Ne do të mbrojmë të drejtën tonë dhe do të ftojmë edhe qytetarët të reagojnë ndaj mënyrës se si po tentohet të imponohet Reforma Territoriale”, deklaroi ai.

Sipas Boçit, Reformat Territoriale dhe Zgjedhore janë procese të ndërlidhura dhe mbi interesat partiake, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në jetën politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë.

/gj.m/j.p/

The post Boçi: PD do të vijojë punën në komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Drejt përfundimit dy fusha të reja sportive në Prrenjas

27 January 2026 at 14:34

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ndërtimi i dy fushave të reja sportive në Prrenjas po shkon drejt përfundimit, duke sjellë një tjetër investim konkret në zhvillimin e infrastrukturës së futbollit.

Një nga fushat ndodhet në fazën finale të shtrimit të tapetit artificial, ndërsa mini-fusha pritet të nisë së shpejti me të njëjtin proces.

Ky projekt po realizohet falë bashkëpunimit mes FSHF-së dhe Bashkisë së Prrenjasit, në kuadër të strategjisë për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin.

Fushat e reja do t’u shërbejnë të rinjve, shkollave dhe komunitetit lokal, duke krijuar kushte moderne për stërvitje dhe aktivitete sportive.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Drejt përfundimit dy fusha të reja sportive në Prrenjas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarran takon Xhafajn: OSBE, mbështetje hartimit të projektplanit strategjik të Kuvendit

27 January 2026 at 14:04

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran u takua dje me kryetarin e komisionit të ri parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj.

Tarran dhe Xhafaj vlerësuan pronësinë e fortë institucionale të komisionit, ekspertizën e nivelit të lartë dhe bashkëpunimin e gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ambasadori ripohoi angazhimin e OSBE-së për të vijuar mbështetjen për zbatimin, monitorimin dhe ndjekjen e mëtejshme, duke theksuar rolin qendror të Kuvendit në mbikëqyrje dhe llogaridhënie.

Ambasadori Tarran, gjithashtu, përshëndeti paketën përfundimtare të dokumenteve të përgatitura nga ish-komisioni i posaçëm për reformat, duke vënë në dukje procesin njëvjeçar, profesional dhe transparent që qëndron pas hartimit dhe miratimit të Planit Kombëtar të Veprimit.

Në takim u diskutua edhe për Projektplanin Strategjik të Kuvendit 2026–2030, ku Xhafaj shprehu mirënjohje për mbështetjen e Prezencës gjatë procesit të hartimit dhe për rolin kyç të Komisionit në miratimin, zbatimin dhe ndjekjen e planit.

Në takim u eksploruan, gjithashtu, mundësi bashkëpunimi për forcimin e nismave qytetare dhe proceseve të pjesëmarrjes së qytetarëve, ku Prezenca ofroi asistencë të vazhdueshme teknike.

Ambasadori Tarran theksoi se, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështesë veprime konkrete pasuese dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Komisionin dhe anëtarët e tij gjatë gjithë kësaj legjislature.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Tarran takon Xhafajn: OSBE, mbështetje hartimit të projektplanit strategjik të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌