Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia
Pretendimi: Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë. Trump është i tmerruar.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë, gjë që e ka “tmerruar” presidentin amerikan Trump.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk jepet asnjë provë, burim apo referencë.
Postimi i mësipërm i referohet një videoje në gjuhën italiane të botuar në Youtube nga një llogari që duket se poston video të shumta të ngjashme me ‘lajme’ sensacionaliste (dhe të pabesueshme) pro-Rusi.

Video 24-minutëshe nis me çfarë ajo quan një “fakt të thatë, por thelbësor” se “sistemet e kontrollit hapësinor të Shteteve të Bashkuara kanë regjistruar humbjen e komunikimit stabël me dy mjete hapësinore me përdorim ushtarak.”
Megjithatë, ky “fakt i thatë” mbetet i pakonfirmuar. Video nuk jep ndonjë burim, zyrtar ose jo, që vërteton këtë “fakt.”
Humbja e komunikimit me dy satelitë të orbitës së ulët nuk është njoftuar nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) amerikane, Departamenti i Mbrojtjes amerikan apo ndonjë institucion tjetër zyrtar.
Njësoj, asnjë lajm i tillë nuk është raportuar në mediat ndërkombëtare apo vendase. Logjikisht, nëse një veprim i tillë do të kishte ndodhur vërtet ai do të ishte raportuar gjerësisht.
Në vitin 2021, Rusia shkatërroi vërtet një satelit jo-funksional sovietik për të testuar një armë anti-satelit, duke lëshuar në hapësirë mbi 1500 copëza mbeturinash mjaftueshëm të mëdha për t’u gjurmuar dhe qindra mijëra copëza më të vogla.
Përpara operacionit, Rusia nxorri një njoftim për pilotët (NOTAM) që i paralajmëronte ata të qëndronin larg hapësirës ajrore mbi Kozmodromin Plesetsk, një strukturë në bregdetin verior të vendit që është e njohur për lëshimin e raketave anti-satelit.
Në 2007, Kina shpërtheu një nga satelitët e saj, duke prodhuar mijëra copëza mbeturinash. Shtetet e Bashkuara vazhduan në vitin 2008, duke shkatërruar një satelit zbulimi që po dështonte në një orbitë shumë të ulët, një ngjarje që rezultoi në rreth 400 copëza mbeturinash orbitale. India bëri të njëjtën gjë në Mars 2019, duke u bërë vendi i katërt që demonstroi atë që njihet si aftësi armësh kundërhapësinore. India qëllimisht shënjestroi një satelit në orbitën shumë të ulët të Tokës, dhe shumica e mbeturinave u dogjën në atmosferën e planetit pak më vonë. Vetëm tre copëza të gjurmueshme mbeten duke rrethuar planetin.
Sisteme të shumta anti-satelitore ose ekzistojnë ose janë në zhvillim. Disa shkatërrojnë në mënyrë aktive satelitët me shpërthim, ndërsa të tjerë i çaktivizojnë satelitët në mënyrë më pasive. Këto teknologji përfshijnë mikrovalë me fuqi të lartë që mund të prishin elektronikën, pajisje që bllokojnë sistemet e komunikimit dhe sisteme lazeri me bazë tokësore. Ekspertët e Projektit të Sigurisë Hapësinore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare raportojnë se sistemet anti-satelitorë të Kinës tani janë aq të fuqishme sa vendi “mund të kërcënojë çdo satelit amerikan në LEO, dhe ndoshta edhe orbitën mesatare të Tokës dhe GEO [orbitën gjeostacionare]”.
Rusia ka testuar sisteme anti-satelitore që nga vitet 1960, duke filluar me sisteme anti-satelitore bashkë-orbitale që takohen me dhe shkatërrojnë objektivat nga hapësira në vend të tokës. Ajo ka testuar raketa Nudol në hapësirë që nga viti 2014, pa goditur asgjë deri më tani.
The post Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia appeared first on Faktoje.al.