Koçiu: Policia u sulmua me molotov gjatë protestës së opozitës, veproi sipas ligjit
TIRANË, 27 janar /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu tha sot se Policia e Shtetit veproi në përputhje me ligjin gjatë protestës së organizuar nga opozita më 24 janar.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve, nga foltorja e Kuvendit, Koçiu nënvizoi se Policia e Shteti kreu detyrën e saj më së miri dhe me përpikëri dhe se nuk ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
“Ajo që ndodhi ishte se policia u përball me dhunën gjatë tubimit politik të thirrur nga opozita. Punonjësit e policisë së shtetit u sulmuan me molotov, me lëndë piroteknike dhe sende të forta në zemër të kryeqytetit para institucioneve publike të rëndësishme dhe si pasojë e këtyre akteve pati edhe lëndime, ku 11 punonjës të policisë së shtetit u lënduan dhe u trajtuan pranë strukturave spitalore”, theksoi ministrja e Brendshme.
“Policia e Shtetit ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave të ligjit të standardeve të profesionalizmit ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirre u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve e të policisë u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët gjithashtu ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore”, tha ajo.
Koçiu shtoi se akuza se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara.
Sipas saj çdo veprim është kryer mbi parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë ashtu siç e kërkon ligji.
“E drejta për protestë është një e drejtë kushtetuese dhe pacenueshme për këdo, por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve sulmi ndaj policisë dhe institucioneve nuk është protestë pro shkelje e ligjit dhe e cenimit të rendit demokratik”, tha ajo.
Koçiu shtoi se opozita duhet të dënojë dhunën e ushtruar dhe jo të mbrojë autorët.
“Sot duhet të kemi të gjithë guximin politik për të dënuar dhunën dhe mbrojtur rendin dhe sigurinë publike dhe jo të mbrohen autorët e dhunës apo të hodhën akuza ndaj punonjësve të policisë që kryen detyrën e tyre”, tha ajo.
Ministrja u ndal edhe tek shoqërimi i një të mituri në komisariat, ku sqaroi se ai është trajtuar siç e parashikon ligji për trajtimin e të miturve.
“Faktet janë këto, gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit, siç edhe është njoftuar, shërbimet kanë konstatuar një të mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë së shtetit, për këtë arsye për të mbrojtur jetën e efektivëve, por edhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim ashtu siç e parashikon ligji”, informoi ministrja.
“I mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshëm apo çnjerëzore, nuk është marrë në ambiente të përbashkëta me persona të rritur, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm për ta trajtuar me kujdes të plotë, në përputhje me garancinë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor i mituri është lënë i lirë”, tha Koçiu.
Ajo shtoi se “askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Të gjithë biem dakord që demokracia nuk ndërtohet me molotov, kush nxit dhe përdor dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë rendin e sigurinë dhe të mbrojë jetën e qytetarëve”.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi pas fjalës së Koçiut duke i konsideruar të pavërteta deklaratat e ministres.
“Kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare. Duhet të jeni të shqetësuar ku rrezikoni të helmoni njerëz, kur çoni në qeli e burgut minorenë”, tha ajo.
“Qytetarët atje kanë goditur një institucion që është institucioni më i korruptuar në vend siç është Kryeministria, dhe nuk kanë goditur policë të Policisë së Shtetit që ju me detyrimin tuaj i përdorët ndaj qytetarëve”, tha Zhupa.
/m.q/j.p/
The post Koçiu: Policia u sulmua me molotov gjatë protestës së opozitës, veproi sipas ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.