Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 January 2026Main stream

Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë: Vota nuk tjetërsohet

18 January 2026 at 19:56


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sonte lidhur me manipulime të supozuara të votës në disa komuna, duke akuzuar struktura të caktuara për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në dëm të kandidatëve të rinj dhe reformues.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se vota nuk është marrë kandidatëve të rinj për shkak të gabimeve të tyre, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk i përshtaten një politike të ndërtuar mbi interesa personale.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma”, shkruan ai.

Abdixhiku ka theksuar se LDK, krahasuar me partitë e tjera, ka më së paku parregullsi, por pikërisht për këtë ka përgjegjësi të dyfishtë ndaj qytetarëve dhe reformës brenda partisë.

Ai ka paralajmëruar se pas mbajtjes së Kuvendit të LDK-së do të ketë pasoja konkrete për ata që kanë cenuar procesin zgjedhor, jo vetëm në aspektin ligjor dhe publik, por edhe përgjegjësi politike brenda partisë.

“Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka kërkuar gjithashtu veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, duke theksuar se çdo shkelës i ligjit duhet të marrë përgjigjen e merituar.

“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, ka shkruar ai.

Në përfundim, Abdixhiku ka kërkuar rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, duke theksuar se vota nuk duhet të tjetërsohet dhe duhet të mbrohet.

“Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, ka përfunduar kryetari i LDK-së.

Quni distancohet nga manipulimi i votave: Rritja e votave në emrin tim është kriminale

18 January 2026 at 12:24


Deputeti dhe kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, ka reaguar lidhur me raportimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, duke u distancuar nga çdo rritje e votave në emrin e tij.

Në një deklaratë publike, Quni ka theksuar se çdo shtim i votave në emrin e tij është bërë pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, duke theksuar se nuk ka kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve.

“Çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore,” ka deklaruar Quni.

Ai ka vlerësuar se përfshirja e emrit të tij në këto parregullsi i ka shkaktuar dëm të madh personal dhe profesional, duke e cilësuar rastin si një operacion kriminal.

“Përmes këtij operacioni kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera ime politike. Përfshirja e emrit tim në skema manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite,” ka theksuar ai.

Quni ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të zbardhin tërësisht rastin, duke ngritur disa pyetje kyçe mbi motivin e manipulimit, përzgjedhjen e emrit të tij dhe personat përgjegjës në Qendrën e Numërimit.

Ai u ka kërkuar ndjesë publike kolegëve kandidatë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favor të tij, duke theksuar se garimi duhet të jetë i drejtë dhe se çdo votë duhet t’i takojë kandidatit që e ka fituar me meritë.

Në fund, Quni ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

“E vërteta është mbrojtja ime e vetme,” ka përfunduar Quni.


Mbi 800 vota më pak, reagon Selmanaj: Rinumërimi i të gjitha kutive është i domosdoshëm

18 January 2026 at 12:14


Driton Selmanaj, kryetar i Degës së LDK-së në Prizren dhe kandidat për deputet, ka reaguar pas procesit të rinumërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke denoncuar manipulime të përmasave shqetësuese në të gjithë Kosovën.

Në një postim në rrjetet sociale, Selmanaj thotë se rinumërimi në komunën e Prizrenit po nxjerr të dhëna shqetësuese.

“Rinumërimi në Prizren, po nxjerrë të dhëna tejet shqetësuese, ku të gjithë kandidatëve të të gjitha partive politike pa përjashtim i janë prekur apo ndryshuar votat. Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar”, ka shkruar Selmanaj.

Duhet theksuar se nga procesi i deritanishëm i rinumërimit të votave, Selmanaj ka minus 877 vota.

Selmanaj paralajmëron skenarë të mirorganizuar për abuzim masiv të votave dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet.

“Po e përsërisë atë që e kam thënë edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit, se KQZ,Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente, në kuadër të kompetencave ligjore dhe kushtetuese, duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta rikthejnë rregullsinë e procesit dhe me këtë abuzuesit të marrin dënimin e merituar. Vota e secilit qytetarë është e shenjtë dhe të gjithë pa përjashtim duhet të angazhohemi që ato të mbrohen me çdo kusht”, ka shkruar ai.

Selmanaj thekson se LDK duhet të udhëheqë misionin për mbrojtjen e procesit zgjedhor.

“Mbrojta e rregullsisë së procesit ku përmes votës shprehet vullneti politik i qytetarëve tanë, është misioni më PATRIOTIK që sot mund t’i bëjmë vendit tonë. Pa asnjë dyshim Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta udhëheqë këtë mision!”, u shpreh Selmanaj.

Ai përfundon me apelin se rinumërimi i votave në gjithë Kosovën është i domosdoshëm për të rikthyer besimin e qytetarëve.

“Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën, është e vetmja mënyrë që zbardh të vërtetën dhe rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral. Në zgjedhjet e 9 shkurtit KQZ dhe subjektet politike nuk kishin vullnet, uroj që tani mos ta bëjnë të njëjtin gabim!”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Faturat e energjisë dhe çmimet e ushqimit: A po paguajmë edhe vezën edhe tortën? Flet Janina Ymeri

18 January 2026 at 10:00


Deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka paralajmëruar se kriza energjetike po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e faturave të rrymës dhe shtrenjtimin e produkteve bazë, duke goditur ekonominë familjare.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se importi milionësh i energjisë po krijon një efekt zinxhir që sapo ka nisur të ndihet nga qytetarët.

“Kjo ndikon në ekonomi, dyqind e pesëdhjetë milionëshin nuk e keni parë ende”, tha ajo, duke shtuar se pasojat do të thellohen.

Sipas saj, shpenzimet e larta për energji dalin fillimisht në pah në buxhetin publik, por përfundojnë në faturat e qytetarëve.

“Tash na bien faturat tona. E kur bien faturat, rritet gati çdo shërbim dhe çdo produkt”, theksoi Ymeri.



Ajo paralajmëroi se edhe subvencionet eventuale shtetërore për energjinë janë para publike që mungojnë në investime të tjera.

“Nëse subvencionohet me paratë tona, atëherë një investim tjetërkund ka me na mungu”, u shpreh ajo.

Duke e ilustruar efektin zinxhir në ekonomi, Ymeri mori shembull çmimet e ushqimeve.

“Kur rritet çmimi i vezës, rritet torta. Po e paguajmë edhe vezën, edhe tortën – dy herë çmimin në fund”, deklaroi Ymeri, duke theksuar se barra përfundimtare bie gjithmonë mbi qytetarët”.

Sipas saj, kolapsi energjetik po e gërryen ekonominë e Kosovës, ndërsa pasojat reale do të ndihen edhe më shumë në muajt në vijim nëse nuk ka ndërhyrje dhe planifikim serioz në sektorin e energjisë. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com


Kush janë kandidatët më të favorizuar dhe cilët u dëmtuan më shumë pas rinumërimit të gjysmës së votave

17 January 2026 at 23:34


Kur janë rinumëruar gati gjysma e kutive të votimit nga 914 që janë dërguar për verifikim, janë vërejtur ndryshime të dukshme në votat e kandidatëve për deputetë.

Nga tri partitë më të votuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shfaq më së shumti ndryshime në votat për kandidatët pas nisjes së rinumërimit të pjesshëm, raporton Telegrafi.

Në shumicën e rasteve, kandidatëve të caktuar u janë shtuar vota në masë të madhe, derisa pas rinumërimit ka pasur edhe kandidatë të dëmtuar me mbi 500 vota.

Në partitë tjera ndryshimet kanë qenë të vogla.

PDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Fetah Paçarizi: -4,416 vota

Nait Hasani: -2,416

Kujtim Gashi: -1,710

Arianit Çollaku: -1,434


PDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Uran Ismaili: +531 vota

Arian Tahiri: +464

Përparim Gruda: +379

Vlora Çitaku: +353


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Xhavit Uka: -1,105 vota

Driton Selmanaj: -773

Anton Quni: -440

Visar Azemi: -352


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Paris Guri: +150 vota

Gëzim Hazrolli: +112

Festim Kabashi: +89

Ukë Rugova: +82


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Arbër Rexhaj: -457 vota

Rea Krasniqi: -425

Valon Ramadani: -380

Dafina Alishani: -310


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Hajrulla Çeku: +111 vota

Alban Bajrami: +91

Driton Hyseni: +74

Hekuran Murati: +68

Procesi i rinumërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ-ja ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të verifikimit të të gjitha vendvotimeve të përfshira në këtë proces./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Reduktimet e rrymës, Ymeri: Heshtja e kryeministrit dhe ministres tregon problem serioz

17 January 2026 at 10:05


Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat së fundmi kanë prekur edhe Prishtinën, janë dëshmi e qartë e një krize serioze dhe e një kolapsi energjetik në vend, të shoqëruar me mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se Prishtina zakonisht konsiderohet zonë e privilegjuar për shkak të pranisë së institucioneve shtetërore, QKUK-së dhe funksioneve kyçe publike.

“Kur ka pasur reduktime edhe në Prishtinë, që është zonë e privilegjuar sepse i ka institucionet publike, QKUK-në dhe funksionet kyçe të vendit, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me qytetet tjera”, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.



Ajo shtoi se nga reagimet që ka marrë nga qytetarët, situata në komunat tjera është edhe më e rëndë.

“Po flas edhe nga komentet që i marr prej njerëzve, prej Ferizajt e deri te zonat më rurale, ku gjendja është edhe më keq”, u shpreh ajo.

Sipas Ymerit, fakti që reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin tregon se problemi është thelbësor dhe jo i rastësishëm.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se kjo gjendje është paralajmëruar prej kohësh dhe tani po manifestohet hapur.

“Kjo e tregon atë që po e themi prej një kohe të gjatë – është kolaps energjetik, vetëm se tash vetëdija është manifestu edhe në kushte dimri”, deklaroi Ymeri.

Ajo theksoi se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet punëtorëve teknikë, të cilët sipas saj janë nën presion të madh.

“Nuk duhet me ua lënë fajin zyrtarëve teknikë. Me të ra dy blloqe prej pesë është shumë, por kjo vjen si pasojë e vendimeve dhe mosveprimeve të instancave qeveritare”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike.

“Kur importohet gjysma e konsumit dhe kjo pranohet si normale, atëherë problemi është shumë më i thellë”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/


Lutfi Haziri për Lumir Abdixhikun: Ai ka marrë përgjegjësi dhe ka vepruar sipas statutit të LDK-së

15 January 2026 at 23:10


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i partisë ka vepruar në pajtim të plotë me statutin e partisë.

“Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje më 28 dhjetor. Statuti i LDK-së e njeh aktin e dorëheqjes si akt personal dhe Lumi në këtë rast e din çka ka bo. Ka dal e ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar në frymën e statutit të LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri në RTV Dukagjini.

Dorëheqjen e deputetes Hykmete Bajrami nga pozita e nënkryetares, Haziri e ka cilësuar si qëndrim personal të saj. Haziri ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.


“Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe kam qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut. Rrjedhimisht unë s’kam votuar për Lumir Abdixhikun në atë Kuvend. Dallimi me vota s’ka qenë i madh, por ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk i kemi shfaqur dallimet”, ka thënë Haziri ndër të tjera.


- YouTube youtu.be

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Standardi i dorëheqjes pas humbjes së thellë është i qartë

15 January 2026 at 20:06


Hoti paralajmëron dorëheqjen nga organet e partisë nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësi.

Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Në një shkrim në Facebook, Hoti theksoi se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi thirret për t’u njoftuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.

Hoti theksoi se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar.

"Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse", ka shkruar Hoti.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë e duhur, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë qëndrim një akt politik parimor dhe jo emocional.

Sipas Hotit, LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, dhe ky potencial duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Ai bëri thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe drejtimin e duhur të partisë./Telegrafi/


Nga po shkon LDK-ja?

15 January 2026 at 17:01


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë më të vjetër në Kosovë, që nga paslufta.

Por, përballë këtij momenti vendimtar për të ardhmen e partisë, Radios Evropa e Lirë (REL) s’i folën shumë nga përfaqësuesit e LDK-së, si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu, Avdullah Hoti, Anton Quni, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Arben Gashi e Agim Veliu.

Për politologun Dritëro Arifi, kjo simbolizon “mbylljen” e LDK-së, që kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve, se ajo mori vetëm 13.23 për qind të votave.

Arifi shpreson që, të paktën, kjo kohë po shfrytëzohet për të menduar për “risitë që duhet të sjellë LDK-ja në strukturat e partisë”.

Për njohësen e zhvillimeve politike, Donika Emini, risia kryesore që i duhet LDK-së është ikja nga një lloj “gjumi letargjik”.

“Prej 2021 deri më 2025, partia nuk ka qenë aktive në mënyrë të qëndrueshme, dhe kjo ka pasur pasoja të dukshme në perceptimin e saj si forcë politike”, thotë Emini për REL-in.

Por, mbrëmjen e së mërkurës u shpërfaqën në Facebook disa mosmarrëveshje nga debati i brendshëm në LDK. Nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, dhe kërkoi që të njëjtën ta bënte edhe kryetari Abdixhiku.

Ky i fundit, duke kërkuar që të tjerët “të sillen pa dramë e pa protagonizëm”, përsëriti se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin për pranimin ose jo të saj do ta marrë Kuvendi i partisë.

LDK-ja përballë dy testeve të para

Një test i parë për të ardhmen e LDK-së pritet të jetë reformimi ose jo i udhëheqjes së saj.

“Derisa e kemi një kryetar, që thotë: ‘Unë po shkoj; por, nëse ju më besoni, unë mund të vazhdoj’… Kjo tregon që këtu nuk ka qasje [për të ardhmen e partisë]. Këtu ka më shumë interesa personale sesa partiake”, thotë Arifi për REL-in.

Një tjetër moment kyç që mund ta formësojë LDK-në është edhe bashkëpunimi ose jo me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit, që duhet të zgjidhet më 4 mars.

“Hapi më i mençur për LDK-në do të ishte ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos e bllokonte procesin e zgjedhjes së presidentit”, thotë Emini.

Ajo beson se nëse LDK-ja nuk tregohet bashkëpunuese, asaj mund t’i largohen deputetë drejt LVV-së, ose të pësojë rënie edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme.

Ku gaboi LDK-ja dhe si mund ta rikthejë besimin e elektoratit?

Rezultatet e veta më të mira, LDK-ja i gëzoi në vitet e para të pasluftës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Atëbotë, kjo parti fitonte rreth 45 për qind, por tani ka rënë në rreth 13 për qind.

Për Arifin, sinjale për rënien e LDK-së ka pasur mjaft.

“Këto janë gjëra që partitë nuk duan t’i pranojnë, jo që nuk i dinë”, thotë ai, duke shtuar se rënia e tillë tregon se ka dështuar e gjitha struktura e LDK-së në nivel vendi.

Një nga arsyet pse LDK-ja ka humbur besimin e shumë qytetarëve, thotë Arifi, është se ardhjet e fundit në parti e kanë përmirësuar listën për deputetë, por s’kanë sjellë shumë vota, pasi nuk janë integruar në udhëheqje të partisë.

Për Eminin, gabimi i LDK-së qëndron te “ngrirja në kohë” dhe insistimi në “frymën rugoviane”, ndërkohë që “votuesit kërkojnë zgjidhje të reja dhe përfaqësim të gjeneratave të reja”.

Por, ajo thekson edhe disa përçarje brenda partisë.

“Heqja e Agim Veliut nga lista ishte e kushtueshme politikisht. Veliu përfaqësonte një pjesë më tradicionale të LDK-së, dhe mungesa e tij ndikoi në rezultatin e partisë”, thotë Emini, duke shtuar se, në anën tjetër, njerëzit e rinj s’tërhoqën votat e të rinjve që kërkonin ide të reja.

Ajo shton se me sfida të ngjashme përballet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Si dy partitë kryesore në vitet e para të pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës, tani këto dy parti po e kanë të vështirë të shfaqen si alternative serioze qeverësise ndaj LVV-së.

E, si mund të ndryshojë kjo? Duke u reformuar, thotë Emini.

Si hap i parë, shton ajo, është pranimi i realitetit: LDK-ja radhitet si partia e tretë më e madhe në vend, me vetëm 15 vende të fituara në Kuvend nga gjithsej 120.

Hapat e radhës i theksojnë po aq fuqishëm edhe Emini, edhe Arifi: LDK-ja duhet të bëjë matje e analiza se pse ka humbur, e pastaj të pozicionohet si opozitë sa aktive, po aq edhe konstruktive.

Duke qenë aktive në Kuvend, në raport me mediat, me shoqërinë civile, me pozitën e opozitën, Emini thotë se LDK-ja mund të paraqitet si forcë e madhe politike edhe me numër të vogël deputetësh./Radio Evropa e Lirë/

Abdixhiku: Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet

15 January 2026 at 10:54


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ishte i pranishëm në Reçak, në nderim të viktimave të masakrës së Reçakut, që ndodhi 27 vjet më parë.

Abdixhiku në një deklaratë për media tha se Reçaku nuk harrohet dhe se drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet.

“Sot shënojnë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të kontinentit të Evropës, së historisë moderne të Evropës. Në mëngjesin e hershëm, të 15 janarit 45 civilë burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar u masakruan nga forcat paramilitare serbe, duke dhënë kështu një tronditje jo veç në Kosovë, por edhe një tronditje ndërkombëtare e cila u dokumentua si krim njerëzor nga institucionet ndërkombëtare dhe në atë kohë nga ambasadori Walker”, tha ai.

Tutje, kryetari i LDK-së tha në këtë ditë kujtohen viktimat dhe nderohet sakrifica e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe për çlirim, për të drejtën për të jetuar të liri me dinjitet.

“Lavdi të rënëve për këtë liri, lavdi viktimave të Reçakut. Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet”, u shpreh Abdixhiku. /Telegrafi/

Zogaj: Vendimet në LDK merren në institucione, jo në rrjete sociale

14 January 2026 at 21:07


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Alban Zogaj, i cili nuk arriti të jetë pjesë e kësaj legjislature të Kuvendit, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke theksuar se LDK nuk është parti e rrjeteve sociale, por e institucioneve të saj.

Zogaj ka deklaruar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka ofruar dorëheqjen në mënyrën më korrekte dhe demokratike, përmes Kuvendit të LDK-së, duke respektuar procedurat dhe organet vendimmarrëse të partisë.

“Kjo është sjellje institucionale dhe e përgjegjshme”, ka theksuar Zogaj.

Ai ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta imponuar largimin e kryetarit përmes presionit publik, fyerjeve apo fushatave të orkestruara është e rrezikshme si për LDK-në, ashtu edhe për demokracinë e saj të brendshme.

Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për reflektim, analizë dhe unitet, e jo për linçim dhe përçarje, duke ritheksuar se vendimet merren në Kuvendin e LDK-së, ashtu siç i takon një partie serioze dhe institucionale.

Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së

14 January 2026 at 20:47

PRISHTINË, 14 janar /ATSh/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes në zgjedhjet e Kosovës. Vendimin e ka bërë publik përmes një statusi të gjatë, ku thekson se ky është akti më moral dhe më i përgjegjshëm që një kryetar partie mund të marrë.

Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”.

Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.

Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.

“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.

Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”.


/KosovaPress/

The post Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abdixhiku reagon pas dorëheqjes së Bajramit nga posti i nënkryetares së LDK-së

14 January 2026 at 18:55


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së partisë, duke ripërseritur deklarimin e së mërkurës se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit.

Abdixhiku tha se vendimi nuk pasqyron opinionin e tij personal, por është rezultat i një debati pesë orësh me pjesëtarët e partisë, ku janë diskutuar çdo kritikë, shqetësim dhe mendim.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së,” tha ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas “shtëpisë” së partisë, dhe bëri thirrje që debati dhe vendimmarrja të zhvillohen hapur në Kuvend, duke respektuar institucionet dhe demokracinë e brendshme të partisë.

“Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve,” përfundoi Abdixhiku.

Ndërkaq sot, Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s./Telegrafi.

Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, thotë se ka kërkuar edhe dorëheqjen e Abdixhikut

14 January 2026 at 17:57


Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.

Ajo theksoi se vendimi nuk është personal apo emocional, por një respektim i standardeve që partia ka ndërtuar ndër vite.

Bajrami gjithashtu vuri në dukje se sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit te një parti ose individ, duke shtuar se LDK-ja ka për qëllim mbrojtjen e shtetit, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke vendosur interesin e partisë dhe vendit mbi interesin personal.

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme dhe nuk na shpëton asnjë proces tjetër,” tha Bajrami, duke falënderuar gjithashtu mbi 126 mijë qytetarë që votuan LDK-në dhe mbi 57 mijë që i besuan angazhimin e saj politik.

Ajo konfirmoi se do të vazhdojë të punojë për LDK-në dhe për interesin e vendit si deputete e zgjedhur në mandatin e saj të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti. Vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes do të merret përmes votës së delegatëve.

Abdixhiku deklaroi pas një mbledhjeje disaorëshe me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë për vendimin për këtë çështje./Telegrafi.

Abdixhiku: Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj

By: redi
14 January 2026 at 19:26

Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij, duke thënë se ky është “hapi më moral që një kryetar mund ta marrë”. Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”, raporton KosovaPress. Abdixhiku tha se nuk i shmanget…

Source

“Energjia nuk është lluks” - Hoti reagon rreth situatës me rrymë

14 January 2026 at 14:56


Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar rreth situatës së krijuar me energjinë elektrike, ku sot ka nisur të ketë reduktime.

“Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv. Pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT del me njoftime për reduktime të energjisë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë.

“Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore”, u shpreh Hoti.

Hoti ka theksuar se çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik.

“Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, tha ai. /Telegrafi/

Abdixhiku takohet me Sorensen: Biseduam për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën

14 January 2026 at 13:05


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se me Sorensen ka biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

“Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje ai ka shkruar se: “Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”. /Telegrafi/


Reduktimet e rrymës, Ymeri nga LDK: Ndërkohë festohet 51 % me kryeministër, ministre e ZRRE në heshtje

14 January 2026 at 12:44


Vendi sot po përballet me reduktime të energjisë elektrike, gjersa u tha se 50 për qind e energjisë po importohet.

Lidhur me këtë ka reaguar Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se sot është një nga ditët me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje.

Lexoni të plotë postimin:

Kur një Qendër të Mjekësisë Familjare e humbim brenda ditës.

Kur një shkollë e humbim brenda ditës.

Kur një çerdhe e humbim brenda ditës.

Kur një Qendër për Pensionerë e humbim brenda ditës.

Kur e humbim jetën tonë me dinjitet si qytetar, nga importi i energjisë elektrike.

Sot e dje janë një nga ditët, me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje. /Telegrafi/


Dorëheqje apo reformë në LDK, flasin njohësit e çështjeve politike

14 January 2026 at 07:32


Zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit kanë qenë temë e diskutimit në emisionin RTK Prime.

Panelistët në studio diskutuan e analizuan deklarimet e liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku pas takimit që ky i fundit ka pasur me nënkryetarët e LDK-së, aty ku Abdixhiku përsëriti se dorëheqjen do ta ofrojë në organin më të lartë të partisë, kuvendin e LDK-së.

Artan Alijaj, ekspert për qeverisje dhe procese politike tha se po të donte Abdixhiku të jepte dorëheqje nga kreu i partisë, këtë do ta bënte të dielën e 28 dhjetorit pas rezultatit zgjedhor të LDK-së.

“Kjo që u tha për mua është e pakuptimtë. Nuk ka nevojë të pritet Kuvendi dhe të jepet dorëheqje para Kuvendit dhe nuk ka nevojë ta pranojë askush atë dorëheqje. Nëse do të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit ka mundur të japë dorëheqje e të largohet menjëherë”, tha ai.

Politologu Melazim Koci, deklarimet e Abdixhikut i ka quajtur si tentim për të amortizuar, siç tha ai, kërkesat që i bëhen për të dhënë dorëheqje, raporton RTK.

“E dëgjova një pjesë ku pyetet nëse do të mbetet kryetar, nëse vendimi i Kryesisë dhe Kuvendit do të jetë që ai të mbetet, dhe ai thotë po, se ai do ta respektojë vendimin. Supozoj që Kryesia do ta refuzojë me shumicë dorëheqjen e tij. Nëse Kuvendi e miraton dorëheqjen e Abdixhkikut unë nuk e përjashtoj mundësinë që do të ketë dridhje të madhe brenda LDK-së e do të ketë largime të mëdha, sepse edhe janë në gjendje të rëndë. LDK-së i duhet një rifreskim, nuk do të mjaftojë vetëm dorëheqja e Abdixhikut”, tha Koci.

Profesoresha, Besa Luzha tha se LDK-ja duhet të analizojë problemin e vetë nga aspekti strukturor.

“Si ndodhi që me 9 shkurt të kishte një lloj ngritje dhe u vlerësua kaq shumë kontributi i këtij lidershipi e brenda një kohe të shkurtër pati rënie me po të njëjtin lidership. Këtu duhet të hyhet më thellë. Unë e pashë si një lloj obligimi moral që e ka ndierë. Të gjithë kanë pritur do të jepte atë ditë dorëheqje, por unë nuk kam pritur atë ditë të jepte dorëheqje. Unë personalisht kam menduar që atë ditë nuk ka qenë koha të ofrohet, sepse ka qenë shumë shok i madh edhe për të edhe për Kryesinë”, tha Luzha në RTK Prime.

Muhamet Hajrullahu analist tha se ka parë vullnet tek Abdixhiku për të dhënë dorëheqje.

“Unë pashë vullnet të Lumir Abdixhikut me dhënë dorëheqje, ka vullnet që e ka lënë në dorë të Kuvendit të partisë. Përgjegjësia vjen nga Abdixhiku dhe i gjithë lidershipi i partisë”, deklaroi Hajrullahu në RTK Prime.

Mori rezultat të dobët në zgjedhjet e fundit, Lumir Abdixhiku ofron dorëheqjen në Kuvendin e LDK

By: M C
13 January 2026 at 20:08

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në konferencën që mbajti për media pas takimit me nënkryetarët e partisë për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqje.

Lidhja Demokratike të Kosovës ka pranuar humbjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pasi rezultatet zgjedhore ishin dukshëm më të dobëta sesa pritjet e tyre.

“Trajtuam të gjitha çështjet politike dhe të ardhmen që na pret në vijim. Siç ju kam njoftuar edhe sonte, ju njoftoj se në konsultim kemi vendosur që të thërrasim kryesinë e LDK-së dhe pastaj Kuvendin e LDK-së, e kam obligim moral e politike që të marr përgjegjësinë dhe ta shtroj tutje organizimin politik të LDK-së, nëpërmjet ofrimit te Kuvendi i LDK-së dorëheqjen”, tha Abdixhiku.

Kosova zhvilloi më 28 Dhjetor zgjedhjet e dyta parlamentare, vetëm 9 muaj pas procesit të parë zgjedhor, të përsëritura si pasojë e dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë dhe krizës institucionale që e çoi vendin drejt kolapsit politik.

Sipas të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje kryesoi bindshëm me më shumë se 49.30% të votave; në vend të dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nën drejtimin e Bedri Hamzës, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e drejtuar nga Lumir Abdixhiku.

The post Mori rezultat të dobët në zgjedhjet e fundit, Lumir Abdixhiku ofron dorëheqjen në Kuvendin e LDK appeared first on Albeu.com.

❌
❌