Rama mbërrin në Pallatin Apostolik të Vatikanit, pritet nga Prefekti i Shtëpisë Papnore
TIRANË, 5 shkurt/ATSh/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në Pallatin Apostolik të Vatikanit, nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe zotërinj të Shenjtërisë së Tij, papa Leone XIV.
Pritja i paraprin audiencës që kryeministri Rama do të ketë me papa Leonen XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, djali Zaho dhe delegacioni që e shoqëron, kryeministri Edi Rama ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë.
Rama u ndal dje në bazilikën e Genazzano-s, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.
Ndërkohë vizita e kryeministrit në Vatikan do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.
/m.m/a.f/r.e/
The post Rama mbërrin në Pallatin Apostolik të Vatikanit, pritet nga Prefekti i Shtëpisë Papnore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.