Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Main stream

Rama: Xhelati i Gazës është Hamasi, nuk ka paqe derisa të çmontohet

26 January 2026 at 19:51

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama, mbajtoi sot një fjalim historik në Knesset, parlamenti i Izraelit, në një seancën plenare speciale.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal tek situata në Gaza, ku theksoi se Hamasi është “xhelati i Gazës” dhe se deri “sa të çmontohet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”.

Rama deklaroi më tej se Shqipëria është bërë Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes, një nismë e mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, me synim arritjen e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve në vendet e përfshira nga lufta.

“Askush më mirë sesa Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia më neveritshme ndaj Zotit. Nuk ka nder më të madh dhe as përgjegjësi më të rëndë, sesa të dëshmosh këtë të vërtetë, këtu në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gazë, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshëm si izraelite ashtu dhe palestineze ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.

“Nuk ka dyshim, një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet me faktin se vij pak ditë pasi parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar presidentit Trump, në përpjekjen e tij për paqen dhe zgjidhjen e konflikteve dhe për ta bërë Shqipërinë Anëtare Themeluese të Bordit të Paqes, ku do të kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese e begatie për popullin e Gazës dhe Rajonit”, tha Rama.

Në fjalimin e tij, Rama bëri një paralelizëm mes Gazës dhe historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, duke përmendur tunelet e ndërtuara nga sistemi komunist në Tiranë për të “torturuar armiqtë”, që sot janë kthyer në muze. Kryeministri tha se Hamasi mban peng popullin palestinez.

“Ka një tunel në zemër të Tiranës. U ndërtua për të torturuar të ashtuquajturit “armiqtë e popullit” dhe më së fundmi për t’i bërë ballë një sulmi nga ShBA apo Bashkimi Sovjetik, paranoja e derdhur nga një regjim që kishte frikë nga çdo rreze lirie dhe e mbante popullin e vet peng në një burg në qiell të hapur. Kjo kujtesë e gjallë më ka bërë gjithmonë të ndjej keqardhje për figura apo organizata ndërkombëtare, të respektuara me qëllime të mira që me të drejtë e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur, por kanë dështuar që të identifikojnë autorin e vërtetë të burgosjes së popullit të Gazës.

“Ata kanë ngatërruar gishtin me atë që gishti tregon, dhe kësisoj, duke bërë këtë, dështuan që të thonë se xhelati i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit. Ideologjia e tij e terrorit kundër vetë popullit të vet, më së pari, dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa shteti i Izraelit të asgjësohet, derisa hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë, derisa Hamasi të çmontohet e shpërbëhet plotësisht, 2 milionë të burgosurit e tij, nuk do të jenë kurrë të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jetë dot jetëgjatë”, tha Rama.

Rama iu referua tuneleve të ndërtuara nga Hamasi dhe krimeve të 7 tetorit 2023, duke propozuar që disa prej tyre të ruhen si dëshmi historike. Kreu i qeverisë shtoi se vetëm duke zhdukur në rrënjë shkaqet e terrorit, mund të parandalohet përsëritja e tmerreve të tilla.

“Sot ai tunel në Tiranë është shndërruar në një hapësirë që u kushtohet viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht këtë tunel dhe uroj me gjithë zemër që disa nga tunelet e panumërta të terrorit që Hamasi ndërtoi, ku pengjet e rrëmbyera të 7 tetorit u vranë, u përdhunuan, u torturuan dhe u katandisën në kapje njerëzore të shekullit të 21-të të burgosurve të kampeve naziste shfarosëse, të ruhen si pjesë e planit të ri të rindërtimit të Gazës dhe më pas si një dëshmi përcaktuese në favor të paqes së qëndrueshme midis dy shteteve në të ardhmen.

“Ato duhet të qëndrojnë si tunele të kujtesës kolektive dhe të shërimit të përbashkët, ku si vuajtja prej ferrit e pengjeve, ashtu edhe humbja e jashtëzakonshme e jetëve palestineze, të shndërruara në lëndën e parë të trupave njerëzore për sistemin më djallëzor të mbrojtjes të ndërtuar ndonjëherë nga mendja e ligë njerëzore, si një lëndë e parë, gurët e të cilëve kanë qenë trupat njerëzorë, të shërbejnë si qirinj të ndezur përjetësisht të faljes pa harrim dhe si thirrje e përhershme për të gjithë, që tmerre të tilla të mos ndodhin më kurrë e që kjo të ndodhë, shkaqet që çojnë këtu duhet të zhduken nga rrënjët”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama: Xhelati i Gazës është Hamasi, nuk ka paqe derisa të çmontohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në parlamentin izraelit: Do të hapim muze në Vlorë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve

26 January 2026 at 19:14

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama mbajtoi sot një fjalim historik në Knesset, parlamenti i Izraelit, në një seancën plenare të veçantë.

Në qendër të fjalës së tij kryeministri Rama vuri marrëdhëniet mes dy vendeve, harmoninë fetare shqiptare dhe rolin unik të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se në Vlorë do të hapet muzeu i parë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve.

Kryeministri kujtoi edhe vizitën historike të presidentit izraelit Isaac Herzog në Tiranë, si kreu i parë i shtetit izraelit që vizitoi Shqipërinë, gjatë së cilës vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit.

Duke u ndalur te toleranca fetare, Rama theksoi se në shumë familje shqiptare ndodh që të jenë edhe të feve të ndryshme, ndërsa bëhen së bashku për të festuar ditët e tyre të rëndësishme.

“E njëjta gjë vlen për të katër komunitet tona fetare, të cilët festojnë ditët e rëndësishme të njëri-tjetrit dhe për krerët e tyre të cilët mblidhen rregullisht, ashtu siç u mblodhën për të shoqëruar presidentin Herzog, kur ai vendosi një kurorë në Memorialin tonë të Holokasutit në Tiranë gjatë vizitës së tij historike si kreu i parë i shtetit izraelit që zbriti në tokën shqiptare”, tha Rama.

Rama theksoi se Shqipëria krenohet me 73 shqiptarë të të gjitha besimeve, të njohur si “Të drejtë midis kombeve”, emrat e të cilëve janë përjetësuar në Yad Vashem.

“Është një shpirt i farkëtuar përgjatë shekujsh vështirësish, pushtimesh e varfërie. Ishte i njëjti shpirt që i nxori shqiptarët e të gjitha besimeve në rrugë, për të pritur e përshëndetur papa Françeskun dhe me zërin tij korrigjoi termin që ne përdorim shpesh: “Jo, – tha Ati i Shenjtë, – juaja nuk është tolerancë fetare, është vëllazëri fetare, sepse nuk mbështetet te durimi, por te bindja e qetë se besimi nuk dobësohet nga prania e një besimi tjetër, por hapet prej tij”. Atij shpirti ne i detyrojmë krenarinë e njërit prej nderimeve më të mëdha morale, 73 shqiptarë të të gjitha besimeve, të njohur si “Të drejtë mes kombesh”, kujtimi i të cilëve ndriçon brenda mureve të dinjitetit njerëzor në Yad Vashem”.

“Me të njëjtën krenari së shpejti do të hapim muzeun tonë të parë kushtuar mbrojtjes e shpëtimit të hebrenjve, në qytetin e Vlorës, dikur qyteti më i madh mesjetar në Shqipëri, ku, pa gjejeni, në shekullin e 16-të hebrenjtë që iknin nga persekutimi në Perëndim përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë së tij”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “të rinjtë tanë dhe vizitorët e shumtë që vijnë nga e gjithë bota të vizitojnë vendin tonë, ku numri i turistëve izraelitë u rrit shumë më shumë se çdo vend tjetër, do të shohin me sytë e tyre dhe do të dëgjojnë me veshët e tyre sesi Shqipëria e vogël ka qenë një strehë e sigurt për hebrenjtë shumë kohë më parë, se si shqiptarët e zakonshëm e bënë këtë vend shumë të vogël të vetmin vend në hartën e Evropës që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj seç kishte kur hyri në të”.

Rama nënvizoi se “askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre, pa as edhe një hebre të dorëzuar”.

Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama në parlamentin izraelit: Do të hapim muze në Vlorë kushtuar mbrojtjes së hebrenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj

26 January 2026 at 17:50

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) riktheu në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj, i cili ishte shkarkuar nga Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) më 7 tetor 2024.

Vendimi u shpall sot nga trupi i gjykues i KPA i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Xhemal Saliaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Saliaj u shkarkua pasi sipas KPK-së u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

/m.q/a.f/

The post KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht

26 January 2026 at 16:29

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Libri i shkrimtarit Ahmet Prençi me titull “Brenga e Prokurorit” është botuar edhe italisht, me titull “Dentro la note di Martin Guri”. Njoftimi u bë nga shtëpia botuese “Rubbettino” në Itali dhe promovimi i librit do të bëhet më 3 shkurt në librarinë “Feltrinelli” në Kozenca (Cosenza).

Në njoftimin e shtëpisë botuese konfirmohet data e promovimit zyrtar me shënimin: “Në një kryeqytet të mbytur nga dimri dhe korrupsioni, ministri publik Martin Guri është gati të jetojë pasditen e fundit “normale” të ekzistencës së tij. Një takim i papritur me një grua enigmatike dhe magnetike shpërthen një të vërtetë të varrosur prej tridhjetë vjetësh, ndërsa në tavolinën e saj grumbullohen letrat e një bosi të fuqishëm të krimit të organizuar. Që nga ai moment, çdo siguri shkatërrohet.

Midis kërcënimeve, kujtimeve flakëruese dhe një dashurie absolute që rrezikon të shembet, Martini detyrohet të zgjedhë: t’i bindet ligjit ose të shpëtojë veten. Konflikti i tij bëhet ai i një shoqërie të tërë, ku kufiri midis drejtësisë dhe hakmarrjes është aq i hollë sa një frymëmarrje”.

Më tej, shkruan shtëpia botuese, “me librin “Brenda natës së Martin Gurit”, Ahmet Prençi nënshkruan një roman psikologjik dhe politik me intensitet të madh. Vizionar, i tensionuar, thellësisht njerëzor, stili i tij e ka bërë atë një nga autorët më të vlerësuar të vendit të tij, të arritshëm për traditën më të mirë të noir-it evropian dhe amerikanojugor. Një libër që gërmon në kujtesë, vë në pikëpyetje pushtetin dhe ekspozon brishtësinë e së vërtetës”.

Edhe autori Ahmet Prençi kërkon që këtë sukses ta ndajë me miq dhe të njohur, të cilët i fton të jenë të pranishëm në promovimin e librit.

/m.q/r.e/a.f/

The post Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Drejtoria e Burgjeve jep detaje për transferimin e 142 të dënuarve në burgjet e Peqinit dhe Durrësit

24 January 2026 at 21:02

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Në kuadër të procesit të rikonstruksionit të IEVP Fushë-Krujë , Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se ka realizuar me sukses transferimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve “gjatë këtij operacioni të mirëorganizuar janë transferuar gjithsej 142 persona, konkretisht 85 drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie , me angazhimin e forcave operacionale dhe speciale , punonjësve të specializuar dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara”.

“Në këtë operacion janë përfshirë 340 punonjës policie dhe 48 automjete. Operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore , sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve nënvizoi se kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale .

“Gjithashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës , si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar një bashkëpunim efikas ndërinstitucional”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

Të dyja autokolonat, sipas drejtorisë së Burgjeve, mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi .

“Ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të Sistemit të Burgjeve për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin me rigorozitet të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor”, njoftoi Drejtoria e Burgjeve.

/m.q/ /a.g/

The post Drejtoria e Burgjeve jep detaje për transferimin e 142 të dënuarve në burgjet e Peqinit dhe Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta e arriti qëllimin, të lirohen 25 protestuesit

24 January 2026 at 20:32

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, nga selia e PD  theksoi se policia “sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera”. Berisha tha se kryeministri Edi Rama kërkoi përleshje me protestuesit.

“Përkundrejt qëndrimit qytetar e guximtar të protestuesve, narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaze helmuese, me topa uji dhe me mjete të tjera.Rama kërkonte përleshjen e demonstruesve me policinë. E garantoj që demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën. Dhe t’i them këtu: mos ndërse policinë kundër protestuesve”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje efektivëve të policisë që mos të bëhen ushtarë e shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj as moral.

“Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së vet e ka të vjedhur. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari”, tha Berisha.

Berisha kërkoi lirimin e 25 protestuesve, të cilët sipas tij nuk kanë kryer asnjë akt dhune.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute me të gjithë dokumentacionin, nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty vetëm si akt urrejtje me urdhër të Edi Ramës. U kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë. Të mos zbatojnë asnjë urdhër që vjen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, tha Berisha.

Sipas tij protesta e sotme e arriti qëllimin, ndërsa shtoi se do të njoftojë protestën e radhës dhe variantet e saj.

/m.q/r.e/  /a.g/

The post Berisha: Protesta e arriti qëllimin, të lirohen 25 protestuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestuesit e opozitës hedhin molotov para Kryeministrisë, përplasje me policinë edhe para Kuvendit

24 January 2026 at 19:26

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Dhjetëra kokteje molotov u hodhën në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë, gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita.

Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ndodhej në podium gjatë kohës që hidheshin koktejet me molotovë, të cilat rrezikuan forcat e rendit që ishin mbledhur kordon, në ruajtje të institucionit.

Gjithashtu protestuesit hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë edhe një mori me fishekzjarrë.

Në përgjigje të lëndëve piroteknike të hedhura nga protestuesit, policia reagoi duke hedhur gaz lotësjellës si dhe ujë me presion përmes një autoboti, për të shpërndarë protestuesit.

Pas këtyre momenteve të tensionuara, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në drejtim të Kuvendit.

Pasi mbërritën para ambienteve të Kuvendit, pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, mes tyre edhe deputetë të PD-së si Luciano Boçi, Flamur Noka dhe Besart Xhaferri. Gjatë tensioneve, policia hodhi sërish gaz lotësjellës duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i bëri thirrje policisë që mos të prekë qytetarët.

“Mos merrni urdhra për të mbrojtur kartelet e drogës dhe korrupsionit, por bëhuni besnikë të qytetarëve dhe të ligjit dhe Kushtetutës. Çdo shërbim ndaj narkoshtetit është shërbim kundër shtetit. I bëj thirrje të bëjnë kujdes, mos të prekin asnjë qytetarë kjo është një protestë qytetare, është një revoltë qytetare. Arrestimet dhe shoqërimet tregojnë panik”, tha Noka.

Protesta e thirrur nga opozita përfundoi pas rreth tre orêsh ku pati edhe të shoqëruar nga policia pas akteve të dhunës.

Kjo ishte protesta e dytë kombëtare e PD-së në të cilën opozita kërkon largimin e qeverisë dhe krijimin e qeverisë teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

/m.q/r.e/ /a.g/

The post Protestuesit e opozitës hedhin molotov para Kryeministrisë, përplasje me policinë edhe para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të përmbysim këtë qeveri dhe të krijojmë një qeveri teknike

24 January 2026 at 19:24

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se po protestojnë për ndërgjegjen kombëtare si shqiptarë pasi “nuk duam që Shqipëria vithiset në honet e historisë, të shpopullohet dhe të ecë e sigurt drejt shkretimit nga banorët e saj”.

“Ne jemi këtu si ndërgjegje dhe dinjitet njerëzor, se nuk mund të pranojmë kurrë që për karrigen e krimit të Edi Ramës, zgjedhjet tona të shndërrohen në opozitë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita proteston “se nuk mund të pranojmë kurrë që pasuritë publike, taksat e shqiptarëve, të plaçkiten nga një grup qeveritarësh, kurse shqiptarët të zhyten çdo ditë e me thellë në varfëri dhe mjerim”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen dhe të përmbysin këtë qeverisë për të krijuar një qeveri teknike.

“Prandaj të dashur qytetarë dhe qytetare, sonte është thirrja e madhe, është ora jonë, të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja dhe të ndershme, për një vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për dinjitetin e tyre, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare, për ëndrrën e të rinjve shqiptarë në Shqipëri, për ligjin dhe Kushtetutën dhe barazinë para tyre.

“Për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Për Shqipërinë që ecën e sigurt drejt integrimit në Evropë. Edhe njëherë u ftoj të bashkohemi, të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë rrugën në kilometrin e fundit, kilometrin e fitores”, tha ai në mbyllje të fjalës së tij gjatë protestës.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Të përmbysim këtë qeveri dhe të krijojmë një qeveri teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, asgjë nuk na ndal drejt fitores

24 January 2026 at 19:28

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjatë fjalës së tij kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se sot opozita është në kilometrat e fundit dhe se asgjë nuk i ndal drejt fitores.

“Mesazhi im është ky, sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh, shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria”, tha Berisha.

Berisha i cilësoi vitet në opozitë si një “maratonë jo e lehtë”.

“Thuaj një kalvar-maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp-opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim.

“Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve.

“Ndaj dhe njëherë të dashur demokrate e demokratë, nuk jemi kurrë aty ku ishim, nuk jemi më në rrugë pa krye, nuk jemi në mjegullnajë, por jemi në kilometrin e fundit, jemi në agun e triumfit tonë.

“Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se Edi Rama nuk ikën me farsë zgjedhore.
Sot, shumica e shqiptarëve e kanë të qartë se diktatura nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore”, tha Berisha.

/m.q/r.e/

Protesta e PD, foto: Florian Abazaj & Andrin Hoxha
1 nga 6

The post Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, asgjë nuk na ndal drejt fitores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kreu i KLGj-së vizitë studimore në KiE dhe GjEDNj në Strasburg

24 January 2026 at 16:54

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, mori pjesë në një vizitë studimore të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg (Francë), në datat 20-22 janar. Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte marrja e përvojës lidhur me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjet mjedisore dhe zbatimin e vendimeve të GjEDNj-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë vizitës, Rusi zhvilloi takime me presidentin e Seksionit të Tretë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili mbulon çështjet për Shqipërinë, Ioannis Ktistakis, me kancelaren e kësaj gjykate, Marialena Tsirli, si dhe me gjyqtarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Darian Pavli.

Gjithashtu, Rusi pati një takim me drejtorin e Divizionit të Programeve për Bashkëpunim të Këshillit të Evropës, Giovanni Battista Celiento.

Çështjet e diskutuara në këto takime ishin adresimi i gjetjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, roli dhe marrja e masave nga KLGj-ja për uljen e çështjeve të prapambetura, si edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore në Shqipëri.

Gjithashtu, gjatë vizitës, Rusi mori pjesë në një seancë gjyqësore në Dhomën e Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo vizitë studimore, ndër të tjera, shërbeu edhe për njohjen dhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë.

1 nga 2

/m.q/r.e/

The post Kreu i KLGj-së vizitë studimore në KiE dhe GjEDNj në Strasburg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD protestë kombëtare para Kryeministrisë

24 January 2026 at 18:12

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e dytë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Një pjesë e protestuesve u grumbulluan tek selia e PD-së dhe së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkuan protestës duke marshuar drejt bulevardit.

Përballë godinës së qeverisë, në podiumin e ngritur për protestën, eksponentë të PD-së mbajtën fjalimet para qytetarëve, pasi u luajt edhe himni kombëtar.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij tha se po protestojnë sepse “Shqipëria nuk e duron dot faktin të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të bandave të krimit të organizuar dhe që tallet me fatet e shqiptarëve”.

“Duhet ta shembim këtë pushtet, aty nuk është vendi i qeverisë, po i hajnisë që kafshon paratë e shqiptarëve. Shembja e tyre është detyra para historisë dhe vendit. Jemi këtu me një numër të madh protestuesish për të shprehur këtë revoltë dhe zemërim”, tha ai.

Deputeti demokrat tha se “kryeministri Edi Rama është armiku i shqiptarëve”. Sipas tij vendi ka një alternativë dhe ajo është Partia Demokratike. Boçi nënvizoi se fitorja e PD-së nuk vjen nga qielli, as nga ndërkombëtarët dhe as nga drejtësia hibride, por nga rezistenca.

“Nga këmbëngulja jonë, nga lufta jonë dhe qëllimi i kësaj lufte për ta çuar deri në fund. Historia ndryshohet nga njerëzit që luftojnë”, tha ai.

Në fjalën e tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se kërkojnë liri, demokraci dhe një shtet ligjor me drejtësi të barabartë për të gjithë.

“Ky regjim që mbron interesat mafioze të pakicës, nuk mund të përfaqësojë më Republikën e Shqipërisë, ne do t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Sot jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik. Duhet ta kthejmë lirinë në misionin tonë kombëtar”, tha ai.

Në tubim e morën fjalën edhe aktivistja Eva Metaj, aktorja Juli Emiri dhe kreu i departamentin Brain Gain Tedi Kopliku.

Gjatë ditës së sotme, pati prani të shtuar të policisë dhe ndërprerje të trafikut në disa rrugë kryesore të Tiranës. Sipas medieve, 1350 efektivë janë në terren.

Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.

(Vijon…)

/m.q/r.e/

The post PD protestë kombëtare para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fushë-Studëni në Librazhd, destinacion i turizmit dimëror

24 January 2026 at 15:31

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Fshati Fushë-Studën në Librazhd, i mbuluar nga dëbora ofron një pamje piktoreske në këto ditë dimri.

I kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor, ky fshat t’i ofron të gjitha: ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje të mrekullueshme që vijnë nga Fushë-Studëni në Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Gjithashtu në pamje shihet edhe liqeni i Fushë-Studënit, i cili ka marrë një pamje spektakolare, ndërsa i rrethuar nga bardhësia e borës i ngjan një pikture natyrale fantastike.

Fushë-Studëni ndodhet në njësinë administrative Stëblevë (Librazhd) dhe është një ndër atraksionet më të bukura të Parkut Kombëtar të Shebenikut.

/m.q/r.e/

The post Fushë-Studëni në Librazhd, destinacion i turizmit dimëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Botës në Ski, Colturi mbyll sllallomin gjigant në Çeki në vendin e 12-të

24 January 2026 at 14:59

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Lara Colturi u rendit e 12-ta sot në garën e radhës të Kupës së Botës për Ski Alpine për vajza. Në pistën e Spindleruv Mlyn në Çeki, 19-vjeçarja italo-shqiptare që përfaqëson ngjyrat kuqezi, rikuperoi lëshimin e dytë të disiplinës së Sllallomit Gjigant

Pas një lëshimi të parë jo të mirë ku u rendit e 21-ta, me kohën 1 minutë 14 sekonda e 37 të qindtat, Colturi rikuperoi në zbritjen e dytë, duke regjistruar kohën 1 minutë 13 sekonda e 36 të qindtat, çka i siguroi ngjitjen deri në vendin e 12-të. Në renditjen përfundimtare, ajo e mbylli garën me kohën totale 2 minuta 27 sekonda e 73 të qindtat.

Vendi i parë u sigurua nga Sara Hector e Suedisë që bëri një performancë të mrekullueshme, me emocionet që ishin të shumta deri në fundin e garimit. Në podium u ngjitën gjithashtu dy amerikanet, Paula Moltzan dhe Mikaela Shiffrin.

Ndërkohë të dielën (nesër) zhvillohet gara e sllallomit special, që është dhe disiplina më rezultative e Lara Colturit, rrëshqitjen e parë do ta ketë në ora 09:30 deri në 10:30, kurse rrëshqitjen e dytë në ora 12:15 deri në 13:15.

Aktualisht, Lara Colturi mban vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës për Ski, me 467 pikë të grumbulluara.

/m.q/r.e/

The post Kupa e Botës në Ski, Colturi mbyll sllallomin gjigant në Çeki në vendin e 12-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Do krijojmë komisionet tona për reformë territoriale dhe zgjedhore

23 January 2026 at 15:50

TIRANË, 23 /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se PD e ka ndërprerë bashkëpunimit me “narkomazhorancën”.

Gjatë një konference për mediet, teksa u pyet në lidhje me vijimin e punës për Komisionet e Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrativo-Territoriale, Berisha tha se do të “krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare”.

“Me media me të gjitha dhe ne krijojmë, paraqesim para shqiptarëve reformën tonë territoriale”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “do të bëjnë një reformë të vërtetë”.

“Janë deputetët tanë që do e bëjnë. Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi do të jenë ata që do të kryesojnë komisionet nga ana e PD, sepse do jetë bashkë me opozitën për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejë”.

/m.q/a.f/

The post Berisha: Do krijojmë komisionet tona për reformë territoriale dhe zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Certifikohen 17 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës pas trajnimit në Akademinë e Sigurisë

23 January 2026 at 14:55

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Shtatëmbëdhjetë punonjës të Shërbimit Zjarrfikës u certifikuan sot pas përfundimit me sukses të kursit të trajnimit në Akademinë e Sigurisë.

E pranishme në aktivitet ishte edhe ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, e cila vlerësoi rolin dhe përkushtimin e zjarrfikësve, duke theksuar rëndësinë e rritjes profesionale dhe forcimit të standardeve të shërbimit.

“Zjarrfikësit janë shembull i guximit dhe sakrificës, duke zgjedhur çdo ditë t’i shërbejnë vendit përmes një profesioni që kërkon jo vetëm aftësi teknike, por edhe forcë morale e ndjenjë të lartë përgjegjësie”, theksoi Koçiu.

Ministrja shtoi se certifikimi i punonjësve përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kapaciteteve profesionale dhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

“Sot në ceremoninë e certifikimit të 17 punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës, të cilët përfunduan me sukses kursin e trajnimit në Akademinë e Sigurisë, një hap drejt rritjes profesionale dhe standardeve të shërbimit”, shkruan ministrja Albana Koçiu në rrjetet sociale.

Certifikimi i punonjësve nga drejtoritë vendore të MZSH-së, të cilët sot marrin gradën “Inspektor Zjarrfikës”, përfaqëson një hap tjetër të rëndësishëm drejt rritjes profesionale, forcimit të kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimit të standardeve të shërbimit zjarrfikës, në funksion të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe përballimit më efikas të emergjencave.

/m.q/r.e/a.f/

The post Certifikohen 17 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës pas trajnimit në Akademinë e Sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK: Nuk ka filluar procedim penal për 671 kallëzime, telefoni i Prodës nuk është sekuestruar

23 January 2026 at 14:32

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve për informacion në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme.

Një ndër pyetjet e adresuara ishte nëse Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar celularin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, me urdhër të SPAK.

Në përgjigjet e kthyera nga Prokuroria e Posaçme theksohet se “Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”.

Një tjetër pyetje e adresuar kishte të bënte me numrin e çështjeve ndaj të cilave SPAK nuk ka nisur hetimet që nga vitit 2019.

Sipas SPAK në lidhje me kallëzimet penale për të cilat është vendosur mosfillim procedimi penal, rezulton se për periudhën 2019 deri në 24 dhjetor 2025, janë 671 kallëzime penale.

“Konkretisht për periudhën 2019-2020 është vendosur mosfillim procedimi penal për 73 kallëzime penale. Për vitin 2021 është vendosur mosfillim procedimi penal për 121 kallëzime penale. Për vitin 2022 është vendosur mosfillim procedimi penal për 60 kallëzime penale. Për vitin 2023 është vendosur mosfillim procedimi penal për 113 kallëzime penale. Për vitin 2024 është vendosur mosfillim procedimi penal për 127 kallëzime penale. Për vitin janar 2025 deri datë 24 dhjetor është vendosur mosfillim procedimi penal për 177 kallëzime penale”, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Në lidhje me kërkesat për pushimin e procedimit të dërguara në Gjykatë, sipas SPAK, rezulton se nga vitit 2019 deri në 24 dhjetor 2025 janë pushuar 227 çështje.

Konkretisht “për periudhën 2019-2020 janë dërguar në gjykatë 28 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2021 janë dërguar në gjykatë 37 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2022 janë dërguar në gjykatë 38 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2023 janë dërguar në gjykatë 29 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për vitin 2024 janë dërguar në gjykatë 41 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes. Për periudhën janar 2025 deri datë 24 dhjetor janë dërguar në gjykatë 54 procedime penale, me kërkesë për pushimin e çështjes”.

/m.q/a.f/r.e/

The post SPAK: Nuk ka filluar procedim penal për 671 kallëzime, telefoni i Prodës nuk është sekuestruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike

23 January 2026 at 14:07

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Në të gjithë territorin e vendit vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike”, shkruan Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e një ndërtese të ndërtuar pa leje.

E nisur në muajin korrik të vitit të kaluar, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 18 065 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 13 947 raste, ndërsa 4 118 të tjera janë në proces shqyrtimi.

Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët profesionistë

23 January 2026 at 12:52

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Në komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u diskutua sot lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal.

Në fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes.

“Sa i përket 120-ës, që është shpifja. Këtu pastaj duhet të ndajmë ça janë gazetarë: Kush janë gazetarët? Po vure një bexh dhe vetëshpallesh gazetar, në asnjë vend të Evropës nuk je gazetar. Dhe është shtuar paragrafi, dhe ju lutem ndiqeni fjalë për fjalë, në atë që ka bërë në një zgjidhje tepër të mirë qeveria. Kjo që po lexoj unë është konfirmuar 100 për qind nga Komisioni Europian. Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht se si apo vendi ku e ushtron aktivitetin, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes.

“Sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, të çdo informacioni tjetër përmes shtypit, mediave audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, kur: 1, qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm; 2, në momentin e publikimit ai nuk ka dhe, në rrethana konkrete, në mënyrë të arsyeshme nuk kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre; dhe, pasi të jetë informuar nga personi i tretë, pra personi i prekur, ose autoritetet kompetente, se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, ose për t’i hequr ato, për ta çaktivizuar aksesin në to.

“Për qëllimet e këtij neni, përhapja me mirëbesim do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë dhe bëhet në përputhje me rregullat etike profesionale të gazetarisë dhe mbi baza faktike të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet kritike dhe interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme”, tha Balla.

Balla tha më tej se “për efekt të referencës së diskutimeve në këtë komision të nderuar, e theksoj, t’ju kujtoj se ndër vendet e Bashkimit Europian që vazhdojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia.

“Ato që e kanë hequr janë vetëm Qipro, Estonia, Irlanda. Rumania është gjysmë për gjysmë”, tha ai.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve, theksoi në vijim Balla, është mbrojtja e publikut dhe garantimi i standardeve evropiane në fushën e informimit.

/m.q/a.f/

The post Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët profesionistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fusnin lëndë narkotike në burgun e Elbasanit, tre të arrestuar

23 January 2026 at 12:37

TIRANË, 23 janar /ATSh/ Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB), pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka finalizuar me sukses një operacion kundër veprimtarisë kriminale në burgun e Elbasanit.

SHKBB njoftoi se u ekzekutua masa “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim: Ndriçim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan, Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri dhe Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan

Sipas SHKBB “hetimi, i zhvilluar me metoda speciale, zbuloi një skemë bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike në institucion me qëllim përfitimin financiar”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/m.q/a.f/

The post Fusnin lëndë narkotike në burgun e Elbasanit, tre të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë i plotë

23 January 2026 at 12:20

TIRANË/ 23 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme ndryshimet në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku tha se grupi i ekspertëve, në konsultim me organizatat e shoqërisë civile dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian, ka propozuar dekriminalizimin e plotë të fyerjes dhe shpifjes, përmes shfuqizimit të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal.

Tabaku nënvizoi se qeveria shqiptare është ndalur vetëm në ndryshime të pjesshme dhe ka lënë të paprekur nenin 119, që lidhet me fyerjen.

“Unë kam propozuara ashtu siç grupi i ekspertëve i ka sjellë komisionit, ashtu siç është konsultuar me organizata të shoqërisë civile, ashtu siç edhe Komisioni Evropian thotë, dekriminalizmin e plotë, pra shfuqizimin e nenit 119 dhe nëntit 120, për sa i përket fyerjes dhe shpifjes dhe këtu ndahemi me propozimin që ka sjellë qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare mendon se mund t’i fyeje gazetarët dhe ka lënë nenin 119 ashtu të paprekur”, tha Tabaku.

Duke iu referuar ndryshimeve të propozuara për nenin 120, Tabaku theksoi se ato janë praktikisht të pazbatueshme.

“Qeveria ka shkruar për nenin 120 disa ndryshime të pjesshme, ku referohet, kur një gazetar për shkak të detyrës çohet në gjykatë dhe ka padi ndaj tij për shpifje, qeveria shqiptare ka sjellë një propozim dhe këtu ndahemi, i cili thotë për të gjitha ato organizata që janë të regjistruara dhe sot ka 0 të regjistruara. Propozimi që ka sjellë qeveria shqiptare nuk zbatohet. Kur ke 0 të regjistruar, ligji nuk zbatohet. Ju jeni në dijeni edhe për vendimet dhe rekomandimet që ka marrë Këshilli i Evropës. Është vendosur dekriminalizimi i shpifjes, jo vetëm për gazetarët, por ndaj çdo qytetari, si pjesë e lirisë së shprehjes”, tha Tabaku.

Tabaku theksoi se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit në këtë drejtim dhe se procesi i integrimit evropian kërkon reforma reale dhe jo thjesht ligje formale.

Deputetja theksoi se ndryshimet ligjore duhet të shoqërohen me masa konkrete për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.

“Mendoj se këto sugjerime që ka sjellë Komisioni Evropian të grupit të punës që ne kemi punuar bashkërisht, i cili thotë, përjashtimi plotë i dënimit për të gjithë qytetarët, si një e drejtë bazë dhe element bazë dhe si një detyrim, jo vetëm në procesin e integrimit, por edhe detyrime që ne kemi si anëtarë të Këshillit të Evropës. Jemi pas të gjithë vendeve të rajonit. Nuk mund të bëjmë ndryshime gjysmake. Procesi i integrimit nuk është për të bërë ligje në letër, por është për të sjellë ndryshime reale për të gjithë qytetarë. Duhet miratuar kuadri ligjor dhe rregullator shoqërues.

Këto janë propozime fillestare, duhet të punojmë dhe për paditë kundër gazetarëve. Duhet të punojmë dhe për sigurinë e gazetarëve. Është pjesë e një kuadri të gjerë”, tha Tabaku.

Në fund të shqyrtimit, Komosioni për Evropën dhe Punët e Jashtme rrëzoi projektligjin e propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

/m.q/a.f/

The post Tabaku: Dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë i plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌