Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Ligji i ri për arsimin e lartë mbërriti në fazën e konsultimeve

2 February 2026 at 16:01


Propozim ligji i ri për Arsimin e Lartë, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve në ENER, pritet të sjell ndryshime rrënjësore ose siç janë shprehur nga Ministria e Arsimit një epokë të re për universitetet në vend. Megjithëse materiali i propozim ligjit është voluminoz, mesazhi duket se është i qartë kriteret për të mbajtur titullin “profesor” do të jenë më të vështira kundrejt atyre që ishin deri më tani.

Propozim ligji, i cili pritet të kalojë në filtrat e Kuvendit, konfirmon se autonomia e fakulteteve mbetet e paprekur. Ligji u jep njësive universitare të drejtën të veprojnë si persona juridikë, me llogari të veçanta bankare dhe pavarësi të plotë në menaxhimin e të ardhurave vetanake. Megjithatë, Ligji i ri vendos një filtër ndërkombëtar për avancimet. Për të marrë titujt shkencorë, akademikët do të detyrohen të publikojnë punime në revista me faktor ndikimi.

Çdo punim që nuk kalon recensionin e bordit editorial nga të paktën pesë shtete të ndryshme, nuk do të njihet si vlerë shkencore. Gjithashtu, Propozim ligji parashikon që pagat e stafit akademik dhe administrativ të llogariten sipas një koeficienti të caktuar bazuar në pagën minimale.

Kjo do të thotë se profesioni i profesorit nuk do të varet më nga vullneti politik apo marrëveshjet vjetore, por do të ketë një rritje të vazhdueshme, sa herë që rritet paga minimale në nivel shtetëror, automatikisht do të reflektohet rritja edhe në universitetet publike. Ligji parashikon mbrojtje strikte të hapësirës universitare. Policia nuk do të mund të shkelë në universitet pa lejen e Rektorit, ndërsa çdo lloj organizimi apo simboli partiak brenda mureve të dijes do të ndalohet me ligj.

Për studentët, lajmi i mirë është Arsimi dual dhe Mikro kualifikimet. Ky model i ri do të lejojë që diploma të mos mbetet vetëm teori në letër, por të jetë e kombinuar me praktikë të detyrueshme në kompani apo institucione, duke rritur shanset për punësim të menjëhershëm. Ky propozim-ligj mbetet i hapur për komente në ENER, ku komuniteti akademik dhe studentët kanë mundësinë e fundit për të korrigjuar apo plotësuar atë që do të jetë kushtetuta e re e dijes në vend. /Alsat/

Bozhinovska: Më së mirë është që Çebreni dhe Galishta të jenë investime të brendshme

2 February 2026 at 15:32


Brenda një ose dy muajsh do të dihet se si do të realizohet projekti Çebren dhe Galishtë– nëse do të jetë një investim i plotë shtetëror apo do të realizohet përmes partneritetit publik-privat.
Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, pajtohet se më së miri është që të jetë një investim i brendshëm, por thekson se bëhet fjalë për një investim të madh dhe duhet të shqyrtohen në mënyrë reale mundësitë financiare të Buxhetit.
“Pajtohem që është më së miri që projekti të jetë i ynë, por kur ta shohim Buxhetin dhe investimet kapitale do të shohim çfarë është reale. Bëhet fjalë për mbi një miliard euro në pesë vjet – kjo nuk është pak. Paralelisht, ka shëndetësi, transport dhe prioritete të tjera. Mendoj se brenda një ose dy muajsh do të kemi më shumë informacione”, deklaroi sot Bozhinovska pas konferencës për shtyp ku foli për Planin Vjetor për Ndërtimin e Projekteve Energjetike për këtë vit.
Nga Ministria e Energjetikës pohojnë se ka investitorë të interesuar për këtë projekt.

Albi Qamili në PodGo: Këtë mandat në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore

2 February 2026 at 14:55


Zv.kryetari i Tetovës Albi Qamili, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për pozitën e tij të re në Komunën e Tetovës, mandatin e ri, si dhe ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë.

Ai tha se që i ri është angazhuar në çështjet shoqërore, ndërsa kujtoi edhe momentet kur është arrestuar nga policia. Qamili tha se në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që këshilltarët komunal të emërohen zv.kryetar të komunës.

- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

"Në aspektin juridik ka ekzistuar mundësia që njëri nga këshilltarët komunal të emërohet zv.kryetar, i cili do të ketë kompetenca të deleguara në rast të mungesë së kryetarit. Në aspektin praktik jam dora e djathtë e tij në punët e përditshme. E dini vëllimin e punëve të kryetarit Bilall Kasami dhe ai ka vlerësuar që të ketë një dorë të djathtë".

"Që i ri kam qenë i prirur për çështjet shoqërore. Vitet më të mira që i kujtoj dhe që më kanë formësuar më shumë si njeri janë ato vitet e opozitarizmit. Ju e dini se gjithë atë aktivitet që e kemi bërë, gjithë ato aksione guerile, bashkë me shokë shpesh kemi përfunduar në stacione policore, por kjo na ka bërë të vazhdojmë edhe më fortë. Madje i falënderoj ata për ato më kanë ndodhur", tha Qamili.

Sa i përket mandatit të ri të Bilall Kasamit në Komunën e Tetovës, Qamili tha se do të realizohen shumë projekte.

"Mandati i parë ishte për ta stabilizuar Tetovën nga ajo katrahurë që e la udhëheqësia e kaluar. Në katër vitet e ardhshme në Tetovë do të realizohen shumë projekte të mëdha infrastrukturore. Po ndërtohen dy shkolla të reja të mesme, që asnjëherë nuk ka ndodhur. Gjimnazi 7 Marsi dhe Shkolla Tekstile do të bëhen me objekte të reja. Prioritet është që të përfundohet stadiumi i qytetit, ku përfundimisht Shkëndija lojërat evropiane t'i luajë në stadiumin e qytetit. Po ndërtohen pishina të reja, ndërtohen salla sportive. Komuna e Tetovës është e vetmja që ka asfaltuar më shumë rrugë pas zgjedhjeve, sesa para zgjedhjeve. Tetova do të jetë me problemet bazë të rregulluara", tha Qamili.

Ai foli edhe për Komisionin për riemërtimin e rrugëve në Tetovë, tek i cili u zgjodh kryetar, ndërsa tha se emrat e rinj të rrugëve të Tetovës do të pasqyrojnë realitetin dhe identitetin e qytetit.

"Rrugët e Tetovës mbi të gjitha të pasqyrojnë realitetin e Tetovës, sepse emërtimet aktuale nuk pasqyrojnë asnjë realitet të Tetovës. Kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar, por edhe për atë maqedonas. Kemi në Tetovë rrugë të quajtur “Lenin”, shkollë të quajtur “Nikolla Shtejn”, që nuk përfaqësojnë askënd”, tha Albi Qamili./Telegrafi/

BDI: Kultura shqiptare nën majorizim institucional

2 February 2026 at 14:12


BDI në një kumtesë për media thotë se "të dhënat zyrtare për ndarjen e mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional ndaj kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut".

Nga BDI thonë se "në dramë, folklor dhe botime, kultura shqiptare trajtohet si prani dytësore".

"Këta sektorë që prodhojnë narrativë, memorie dhe identitet kulturor administrohen sipas një hierarkie të njëanshme, ku kultura maqedone ruan dominimin strukturor, ndërsa ajo shqiptare mbetet sistematikisht në periferi. Pabarazia bëhet e matshme në sektorët e tjerë strategjikë. Në muzikë, projektet shqiptare përfitojnë 2,518,000 denarë, ndërsa projektet maqedone 19,600,000 denarë, që përkthehet në vetëm 12% të mjeteve për shqiptarët. Këto mjete të kufizuara janë shpërndarë kryesisht përmes mekanizmave partiakë dhe klientelistë, duke e zhveshur financimin nga kriteret profesionale".

"Në artet vizuele, shqiptarët marrin 774,000 denarë, kundrejt 12,019,880 denarë për projektet maqedone, pra më pak se 6% të buxhetit – një përjashtim pothuajse total nga fusha e prezantimit bashkëkohor kulturor. Në projektet ndërkombëtare, kultura shqiptare përfshihet në mënyrë simbolike: 3,758,000 denarë për projekte shqiptare kundrejt 51,050,854 denarë për projekte maqedone, ose më pak se 7%. Në qendrat kulturore shtetërore në Nju Jork, Stamboll, Zagreb, Paris, Sofje dhe Tiranë, shqiptarët përfaqësohen me rreth 10 projekte, ndërsa kultura maqedone me mbi 100 projekte".

"Në festivalet dhe manifestimet, projektet shqiptare marrin 13,098,000 denarë, ndërsa ato maqedone 73,288,300 denarë, duke e mbajtur kulturën shqiptare në rreth 15% të mjeteve. Veçanërisht problematike është gjendja në sektorin e investimeve kulturore, ku institucionet shqiptare përballen me ndarje mizerabile, sporadike dhe pa peshë strukturore, duke mbetur jashtë projekteve kapitale dhe zhvillimit afatgjatë.

"Së fundi, duhet theksuar edhe një dimension i qëllimshëm i mungesës së transparencës: mjetet katastrofale që u ndahen institucioneve kulturore shqiptare për realizimin e programeve vjetore mbahen të fshehura dhe nuk publikohen nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Kjo praktikë jo vetëm që pamundëson kontrollin publik, por shërben për të maskuar nënfinancimin ekstrem dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale. Në total, nga 220,988,534 denarë të ndarë për kulturë, 30,436,000 denarë u janë ndarë projekteve shqiptare (13.8%), ndërsa 190,552,534 denarë projekteve maqedone (86.2%)", thonë nga BDI.

Më tej thonë se "këto shifra nuk janë gabim administrativ, por dëshmi e një sistemi të qëndrueshëm majorizimi, segregimi dhe mungese transparence, ku kultura shqiptare tolerohet si prani, por mohohet si subjekt i barabartë kulturor dhe institucional".

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni

2 February 2026 at 13:21


Komisioni Rregullator i Energjetikës, i Shërbimeve të Ujit dhe i Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturina Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 0,77 % në raport me vendimin e datës 26.1.2026.

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 nuk ndryshojnë. Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 0,50 denarë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 0,786 den/kg dhe do të jetë 33,885 den/kg.

Nga data 3.2.2026, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

  • Benzinë motori EUROSUPER BS - 95 72,00 (denarë/litër)
  • Benzinë motori EUROSUPER BS - 98 74,00 (denarë/litër)
  • Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 68,00 (denarë/litër)
  • Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 67,00 (denarë/litër)
  • Mazut М-1 SU 33,885 (denarë/kilogram).
Nga KRRE thonë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 3.2.2025. Shitësit me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës dhe të karburanteve për transport mund të vendosin çmime të veçanta për derivatet e naftës dhe të karburanteve për transport edhe më të ulëta se çmimet më lartë të përcaktuara.

Themelohet Këshilli Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, Mickoski: Hetohen 50 lëndë të korrupsionit të lartë

2 February 2026 at 13:00


“Sot po vendosim themelet e një sistemi në të cilin drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; në të cilin lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe në të cilin institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo në mbrojtje të individëve. Angazhimi ynë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit është i qartë, por kjo luftë duhet të përfundojë me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk guxon të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në hapje të seancës konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë.

Ky organ, tha kryeministri, nuk është formalitet, por një mesazh i qartë dhe i padiskutueshëm se shteti më në fund qëndron fuqishëm, sistematikisht dhe pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kjo Qeveri e ka nisur luftën kundër krimit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht janë në përpunim mbi 50 raste për korrupsion të lartë – raste që për vite me radhë janë fshehur, zvarritur ose injoruar. Por ky nuk është fundi, është fillimi. Presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thelluara dhe rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve në shtet dhe në institucione. Dua ta them qartë dhe me zë të lartë: nuk ka drejtësi selektive, nuk ka të mbrojtur, nuk ka të paprekshëm”, theksoi Mickoski.

Megjithatë, siç nënvizoi ai, që kjo luftë të jetë e suksesshme, është e domosdoshme forcimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë, në aspekt institucional, kadrovik dhe funksional, sepse “vetëm një gjyqësor dhe prokurori e fortë, e pavarur dhe profesionale mund ta çojnë këtë luftë deri në fund dhe të sigurojnë që drejtësia të mos jetë as e ngadaltë, as selektive, por efikase dhe e drejtë”.

“Jam për masa të përforcuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë nuk përfundon me procedura penale. Ajo duhet të përmbyllet me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk duhet të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit. Pikërisht për këtë arsye i vendosim këta mekanizma dhe sot e konstituojmë këtë Këshill. Konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve të paligjshme nuk është hap i thjeshtë; është një proces shumëdimensional dhe kompleks, që përfshin disa faza të ndërlidhura, ku marrin pjesë institucione të shumta me kompetenca dhe përgjegjësi të qarta”, tha kryeministri.

Sipas tij, Strategjia për periudhën 2025–2028, duke ndjekur fazat e procedurës për kthimin e pasurisë, përcakton qartë tri fusha prioritare veprimi: Së pari, gjetja, identifikimi dhe ndjekja e pasurisë dhe përfitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mekanizmave bashkëkohorë të hetimit financiar. Së dyti, sigurimi i përkohshëm dhe konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe në përputhje me ligjin, pa hapësirë për manipulime, zvarritje apo keqpërdorime. Së treti, menaxhimi efikas i pasurisë së konfiskuar dhe të sekuestruar, përfshirë ripërdorimin e saj për qëllime sociale, sepse pasuria kriminale e konfiskuar duhet të marrë një vlerë të re shoqërore dhe t’u kthehet qytetarëve. Ky Këshill, nën udhëheqjen e zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, ka rol kyç në koordinimin, mbikëqyrjen dhe orientimin strategjik të të gjitha këtyre proceseve".

“Pres nga ju profesionalizëm, guxim dhe integritet, por mbi të gjitha rezultate. Sot po vendosim themelet e një sistemi ku drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; ku lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe ku institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo për mbrojtjen e individëve. Kjo është luftë për shtetin e së drejtës, kjo është betejë për besimin, kjo është luftë për dinjitetin e qytetarëve dhe ne nuk do të heqim dorë nga kjo betejë”, deklaroi Mickoski.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, tha se kjo seancë konstituive e Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë përfaqëson një pikë kthese në trajtimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky Këshill nuk është krijuar për të shtuar edhe një strukturë tjetër, por për të vendosur drejtim politik dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional atje ku zbatimi ka qenë i fragmentuar. Formimi i këtij Këshilli në shtator të vitit 2025 dhe seanca e sotme janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një orientimi të qartë institucional – procesi normativ ekziston, por nevojiten rezultate konkrete dhe të forta, gjë që kërkon koordinim të fuqishëm dhe mbikëqyrje të vazhdueshme politike”, tha Fetai.

Sipas tij, Strategjia Kombëtare për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pasurisë 2025–2028, si dhe Plani i Veprimit 2025–2026, ofrojnë një kornizë të qartë dhe janë në përputhje me standardet evropiane.

“Themelët janë vendosur, por faza e radhës kërkon vullnet politik, më shumë investime, dhe pikërisht për këto arsye është themeluar ky Këshill. Roli i tij nuk është të zëvendësojë institucionet operative, por të sigurojë që ato të veprojnë drejt objektivave të qarta dhe me përgjegjësi të matshme. Ky Këshill Kombëtar ka rol dhe përgjegjësi shumë të rëndësishme për të garantuar mbështetje të fortë politike dhe llogaridhënie. Roli ynë këtu nuk është operativ, por politik – të përcaktojmë prioritete të qarta, të eliminojmë pengesat sistemore, të sigurojmë që burimet financiare t’i ndjekin politikat dhe të kërkojmë rregullisht rezultate”, tha Fetai.

Si zëvendëskryeministër dhe kryesues i këtij Këshilli, Fetai e cilësoi atë si një forum kyç për kalimin nga, siç u shpreh ai, “kakofonia institucionale” drejt veprimit të detyrueshëm dhe të koordinuar ndërmjet institucioneve.

MPB: Në muajin janar janë regjistruar 15.943 shkelje në trafik, janë arrestuar 74 persona

2 February 2026 at 12:32


MPB Maqedoni njofton se në periudhën nga 01.01.2026 deri më 31.01.2026, si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të kryera nga oficerët e policisë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, nga gjithsej 15,943 urdhërpagesa të lëshuara, 3,683 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk kanë respektuar kufirin e shpejtësisë së përcaktuar.

"74 persona u privuan nga liria për drejtim mjeti të pakujdesshëm në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, nga të cilët 67 për vozitje nën ndikimin e alkoolit, një për vozitje nën ndikimin e drogës dhe substancave psikotrope ose prekursorëve, një shofer për vozitje në drejtim të ndaluar, një për vozitje me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar në një zonë të ndërtuar, katër për vozitje me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar jashtë një zone të ndërtuar".

"Për më tepër, sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore, gjatë muajit janar, u regjistruan 4,233 shkelje për parkim të papërshtatshëm, u vendosën 1,611 masa ndaj shoferëve që drejtonin automjet pa patentë shoferi, si dhe 474 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit".

"Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, u sanksionuan 16 shoferë motoçikletash për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, dhe u sanksionuan gjithashtu 184 këmbësorë dhe një shofer skuteri elektrik. U sanksionuan gjithashtu 1,093 përdorues të rrugës që nuk përdorën rripin e sigurimit. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, u hoqën nga trafiku 310 automjete për shkak se nuk ishin të regjistruara, dhe 141 për mosfunksionim teknik. 90 shoferë u sanksionuan gjithashtu për mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (fleta), dhe një shofer për instalim dhe përdorim të paautorizuar të pajisjeve për dhënien e sinjaleve të veçanta të dritës dhe zërit në automjete (fenerë)", thonë nga MPB.

"Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë në ditët në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë së bashku për rrugë më të sigurta", përfundojnë nga MPB./Telegrafi/

Në aferën Epstein, Maqedonia përmendet si burim i transportit të trurit të njerëzve për eksperimente

2 February 2026 at 11:55


Dokumentet e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si pjesë e hetimit për Jeffrey Epstein zbulojnë akuza tronditëse për përfshirje të mundshme të një shtetasi të Maqedonisë, profesor në Universitetin e Kolumbias - në prokurimin dhe eksportimin e trurit të njerëzve nga Maqedonia për eksperimente shkencore në Shtetet e Bashkuara.

Sipas dokumenteve, kjo përfshinte rreth 1,000 tru njerëzor, disa prej tyre nga njerëz që kryen vetëvrasje. Hetimi nuk përmban asnjë informacion nëse familjet e të ndjerëve në Maqedoni dhanë pëlqimin e tyre për një përdorim të tillë të organeve, as nëse institucionet e Maqedonisë ishin në dijeni ose dhanë leje për një eksport të tillë.

Një nga emailet e publikuara, e datës 5 shkurt 2019, diskuton kërkime që lidhen me shkaqet dhe aspektet biologjike të vetëvrasjeve. Në dokumente përmenden gjithashtu shkencëtarë nga disa universitete të njohura amerikane, duke përfshirë Pittsburgh, Columbia, New York dhe Yale.

Në pjesën për Maqedoninë, thuhet se "vendi i vogël ballkanik Maqedonia siguron tru të njerëzve falë një anëtari të fakultetit të Universitetit të Kolumbias i cili vjen nga atje dhe ndihmoi në organizimin e të gjithë procesit".

Sipas përshkrimit, organet janë dërguar menjëherë pas heqjes, janë transportuar me aeroplan nën eskortë speciale dhe u dërguar me anije për rreth 7,500 kilometra në Shtetet e Bashkuara. Atje, ata kanë përfunduan në kuti speciale, të shënuara me kode QR, me seksione të indeve të disektuara të etiketuara sipas anës dhe datës së marrjes.

Këto pretendime tërheqin edhe një herë vëmendjen ndaj rrjetit të kontakteve dhe aktiviteteve të lidhura me Jeffrey Epstein, i cili u dënua në Florida në vitin 2008 për nxitjen e të miturve në prostitucion dhe në vitin 2019 u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual.

Në gusht 2019, Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork dhe vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje - një rast që vazhdon të gjenerojë polemika dhe dyshime./Telegrafi/

Ndalohet një zyrtar policor në Dellçevë, kapet duke vozitur pa leje

2 February 2026 at 11:33


MPB Maqedoni njofton se sot (02.02.2026) në orën 06:45 në Bulevardin "Maqedonia" në Delçevë, zyrtarë policorë nga Sektori i Punëve të Brendshme në Delçevë e privuan nga liria S.D. (23) nga fshati Trabotivishte, rajoni i Delçevës.

"Gjatë një kontrolli rrugor, oficerët e policisë ndaluan një automjet pasagjerësh "Volkswagen Golf" me targa të Delçevës, të cilin ai e drejtonte, dhe u konstatua se ai e drejtonte automjetin pa fituar paraprakisht të drejtën për të drejtuar automjet, pra pa patentë shoferi".

"Është njoftuar prokurori publik, me udhëzimet e të cilit është sekuestruar automjeti, dhe personi është privuar nga liria. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihen akuza përkatëse", thonë nga MPB.

Sekuestrohet drogë, ndalohen dy persona në Manastir

2 February 2026 at 11:03


MPB Maqedoni njofton se sot (02.02.2026), zyrtarë policorë nga SPB Manastir kanë privuar nga liria dy persona për posedim të lëndëve narkotike.

"Rreth orës 02:00, në rrugën “Partizanska”, u arrestua M.R. 18-vjeçar nga Manastiri, tek e cila u gjet një substancë pluhur. Me urdhër të Gjykatës Themelore të Manastirit, u krye kontroll edhe në banesën e saj, ku u sekuestrua marihuanë".

"Po të njëjtën ditë, rreth orës 01:05, në rrugën “Ilindenska”, u arrestua O.N. 40-vjeçar nga Manastiri. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi substanca narkotike, sende metalike me mbetje droge, peshore digjitale dhe objekte të tjera të lidhura me veprimtari të paligjshme".

"Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj dy personave do të ngrihen kallëzime përkatëse", thonë nga MBP.

MASH: Studentët mund të aplikojnë për subvencione për ushqim deri më 5 shkurt

2 February 2026 at 10:30


Studentët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për ushqim të subvencionuar studentor për vitin akademik 2025/2026 kanë ende disa ditë për të aplikuar, ka njoftuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve skadon më 5 shkurt 2026.

"E drejta për ushqim të subvencionuar studentor është e destinuar për studentët e studimeve të plota universitare me të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto, si dhe për studentët e regjistruar në studime pasuniversitare dhe të integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend", thonë nga MASH.

MASH thekson se studentët që plotësojnë kushtet dhe ende nuk kanë aplikuar mund të dorëzojnë një aplikim elektronikisht përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk.

Kushtet dhe kriteret për ushtrimin e kësaj të drejte janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë, në këtë link.

"Për mbështetje shtesë gjatë aplikimit, studentët mund të kontaktojnë në adresën e email-it subvencioniran.obrok@mon.gov.mk. Në të njëjtën kohë, studentët, të cilëve u është ndërprerë më parë e drejta për ushqim të subvencionuar, mund të aplikojnë përsëri, nëse konsiderojnë se i plotësojnë kushtet e përcaktuara, si dhe ata që nuk kanë aplikuar në afatet e mëparshme aktive", thonë nga MASH.

Voziste nën ndikimin e alkoolit dhe shkaktoi aksident, arrestohet shoferi nga Shkupi

2 February 2026 at 10:04


MPB Maqedoni njofton se gjatë ditës së djeshme nëpunës policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria M.M. (50) nga Shkupi.

"Rreth orës 16:15 në SPB Shkup u njoftua se në bulevardin “Goce Dellçev” në Shkup ka ndodhur një aksident rrugor ku kanë qenë të përfshirë një automjet udhëtarësh “Seat Ibiza” me targa të Shkupit, i drejtuar nga M.M., një automjet “Tojota” me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.G. (25) dhe një automjet “Mercedes” me targa të Shkupit, i drejtuar nga M.V. (32), ndërkaq lëndime pësuan A.G. dhe bashkudhëtarja L.G. Pas masave të marra, u konstatua se M.M. e ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht iu matën 2,32 promilë alkool në gjak".

"Është njoftuar prokurori publik, M.M. u privua nga liria dhe, pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”", thonë nga MPB.

LSDM: Çdo ditë qeveria e OBRM-PDUKM-së zhytet në skandale, krim dhe korrupsion

2 February 2026 at 09:40


Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se qeveria hesht për "5 ton drogë përfunduan që në Serbi nëpërmjet Maqedonisë dhe se një bashkëpronar i një kompanie maqedonase është midis të arrestuarve".

Nga LSDM thonë se nuk ka përgjigje se kush lejoi që një sasi e madhe droge të kalonte kufirin e Maqedonisë.

"Nuk ka përgjigje as për fotografitë e Mickoskit me kriminelin e njohur si Sime, i arrestuar në një rast tjetër me një sasi më të madhe droge, armësh, municionesh dhe një sasi të madhe parash. LSDM ka ngritur alarmin prej ditësh për lidhjen e strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi".

"Me çdo ditë të re, qeveria e VMRO-së po zhytet më thellë në skandale, krim dhe korrupsion. Tendera kriminale, 5 ton drogë, foto të Mickoskit me kriminelë, ora luksoze me vlerë 65,000 euro. Dhe nuk ka para për paga më të larta, nuk ka para për një pagë minimale prej 600 eurosh për punëtorët që mezi ia dalin mbanë", thonë nga LSDM./Telegrafi/

Mbyllet trafiku në rrugën Udovë - Vallandovë, mjegull në disa akse tjera rrugore

2 February 2026 at 08:47


Në rrugën Udovë - Vallandovë këtë mëngjes nga ora 05:25 është vendosur ndalim trafiku për shkak të daljes nga shtrati të lumit Kalkovska. Trafiku po devijohet në rrugën Marvinci - Vallandovë.

Sipas informacionit nga Lidhja Auto-moto e Maqedonisë, në qafat malore Pletvar, Gjavato dhe Presekë ka mjegull, e cila ka ulur dukshmërinë në 100 metra.

Në rrugët e tjera në të gjithë vendin, trafiku po zhvillohet në kushte dimërore me mbetje të borës në disa vende më të larta, prandaj rekomandohet drejtim i kujdesshëm.

Nga LAMM thonë se në pikat kufitare në anën e RMV-së, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

2 February 2026 at 08:12


Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë pjesërisht me vranësira me kushte për reshje të lehta shiu dhe bore në pjesët perëndimore, ku do të fryjë erë e lehtë nga drejtime të ndryshme.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin -4 deri në 2 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 2 deri në 9 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira me erë të lehtë nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bjerë në 2, ndërsa maksimale do të arrijë deri në 7 gradë.

Në dy ditët e ardhshme moti do të jetë pjesërisht me vranësira me periudha me diell. Nga e enjtja priten reshje të reja shiu dhe bore në male.

Before yesterdayMain stream

Dorëzohet aktakuzë ndaj 13 policëve për përfshirje në rastin "Koçani"

30 January 2026 at 17:47


Prokuroria për Ndjekjen e Krimit ka ngritur aktakuzë ndaj 13 punonjësve policorë për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, në lidhje me zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan. Sipas Prokurorisë, policët e akuzuar kanë bërë një sërë lëshimesh.

“Të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e të pranishmëve. Ata gjithashtu nuk kanë ndërmarrë masa për të parandaluar aktivizimin e piroteknikës, edhe pse përdorimi i tyre nuk ishte paraprakisht i raportuar në polici”, thanë nga PTHP.

Përveç kësaj, është paraqitur propozim‑akuzë kundër 9 policëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare pasi kanë mundësuar që “Puls” të marrë licencë pa i plotësuar kushtet, duke përfituar mbi 4 mijë e 500 euro.

Në Gjykatën Penale, Prokuroria ka paraqitur propozim‑akuzë edhe kundër tre policëve të cilët, gjatë përpilimit të procesverbaleve për kontrollet e kryera në “Puls”, kanë futur të dhëna të pasakta. Ndërkohë Prokuroria për Ndjekjen e Krimit e ka ndërprerë procedurën për shtatë policë. Ata tani do të ndiqen nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan.

“Duke pasur parasysh se kompetenca e departamentit të specializuar është vendosur në vitin 2018, lëndë e vlerësimit penalo-juridik në këtë procedurë ishin vetëm për veprimet e ndërmarra nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndërsa për të tjerat lënda është dërguar për veprim kompetent në Koçan”, u shpreh PTHP NKOK.

Akuzat ndaj punonjësve policorë vijnë pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë për Njekjen e Krimit dhe pasi disa herë u shty afati për përgatitjen e aktakuzës.

MPB formon një komitet kombëtar për mbrojtjen e gazetarëve

30 January 2026 at 17:19


Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është në zhvillimin e sipër procedura për formimin e një komiteti kombëtar për mbrojtjen e gazetarëve, i cili do të përfaqësojë një përmirësim sistemor të lirisë së mediave dhe sigurisë së tyre.

Nga MPB kanë theksuar se qëllimi i komitetit do të jetë: të sigurojë koordinim ndërmjet institucioneve, organizatave mediatike dhe sektorit civil, të ndjekë gjendjen e sigurisë së gazetarëve, të hartojë një plan kombëtar veprimi për mbrojtjen e gazetarëve në përputhje me standardet evropiane, të propozojë masa për parandalim, mbrojtje, ndjekje penale të autorëve dhe rritje të vetëdijes publike.

Nga MPB thonë se me formimin e këtij komiteti pritet: vendosja e një mekanizmi institucional për mbrojtjen sistemore të gazetarëve; përmirësimi i koordinimit ndërmjet organeve shtetërore dhe organizatave mediatike; rritja e besimit ndërmjet komunitetit të gazetarëve dhe institucioneve; hartimi dhe zbatimi i një plani kombëtar veprimi për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe përmirësimi i pozitës së vendit në raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave.

"Bashkëpunimi me punonjësit e mediave, përkatësisht me gazetarët, ndërtimi i një partneriteti të sigurt dhe të qëndrueshëm reciprok, si dhe garantimi i sigurisë së tyre, për MPB-në përbëjnë një nga prioritetet kryesore", thonë nga MPB.

Nga MPB theksojnë se formimi i një komiteti kombëtar për mbrojtjen e gazetarëve, përfaqëson një hap përpara drejt sigurimit të një mjedisi të sigurt pune për gazetarët dhe punonjësit e mediave, duke forcuar kështu demokracinë, sundimin e ligjit dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Formohet komision për emërtimin e rrugëve në Tetovë, debat politik nëse duhen riemërtuar rrugët që tashmë kanë emra

30 January 2026 at 16:47


Në Tetovë u formua komision për emërimin dhe riemërtimin e rrugëve. Ky vendim i Këshillit komunalë ngjalli reagime te partitë LSDM dhe "E Majta", ndërsa OBRM-PDUKM u shpreh pro emërtimit të rrugëve që nuk kanë emra, por kundërshtoi ndërrimin e emrave ekzistues. Edhe përkundër përplasjeve, grupi i punës për u formua, ndërsa do të kryesohet nga këshilltari Albi Qamili.

“Nuk mendoj që do ketë ndonjë problem, sepse e thash, riemërtimi i rrugëve në Tetovë në pasqyrojë realitetin qytetar, karakterin urban, historinë e identitetin e Tetovës dhe nuk mendoj që do kemi ndonjë mosmarrëveshje. Kryesisht do të jemi të fokusuar tek rrugët që nuk kanë aspak emër, por edhe emrat e rrugëve ekzistuese do kenë pa dyshim ndryshime”, theksoi Albi Qamili – kryetar i grupit të punës për emërtim të emrave të rrugëve.

Këshilltari i AKI-së në komunë, Arlind Murtezani, kishte kritika ndaj shumicës së këshilltarëve, pasi siç tha, kryetari nuk ua jep fjalën këshilltarëve.

“U emërova si anëtar i Komisionit për riemërtimin e rrugëve ku do të ketë edhe ndryshime, përveç emërimeve që janë caktuar, për shkak se nuk e lidhën Tetovën me emrat si “JNA”, “Marshall Tito” e kështu me radhë, do të kërkoj që të ndryshohen këto rrugë, por këtë seancë më e rëndësishëm ishte se shumica e demonstroi fuqinë e saj duke më përjashtuar mua si këshilltar, duke u munduar të mos ma jap fjalën që më takon dhe e kam obligim. Kryetari i këshillit, së bashku me shumicën, e prunë një vendim të atillë duke u arsyetim se bëjmë shkelje të procedurës së këshillit”, tha Arlind Murtezani Këshilltar i AKI-së.

Aktualisht në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emër.

Hoxha: Po ndryshojmë sistematikisht qasjen ndaj industrisë, rregulla më të rrepta dhe prag më të ulët të emetimeve

30 January 2026 at 15:14


Në takimin e sotëm me gazetarët, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, informoi për prioritetet kryesore të Ministrisë, me fokus të veçantë në luftën kundër ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

Ministri Hoxha theksoi se transparenca, përgjegjësia institucionale dhe puna në terren do të jenë parime udhëheqëse gjatë mandatit të tij, duke nënvizuar se sfidat mjedisore do të adresohen përmes bashkëpunimit me institucionet, vetëqeverisjen lokale, sektorin civil dhe qytetarët.

Në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, u theksua se nga shtatori i vitit 2027 hyn në fuqi Ligji i miratuar për kontrollin e emetimeve, i cili do të vendosë standarde më të rrepta për industrinë, si dhe forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe kontrolluese të Ministrisë.

Njëkohësisht, Ministri informoi për aktivitete konkrete në fushën e menaxhimit modern të mbeturinave, duke përfshirë ndërtimin e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave, me qëllim mbylljen e deponive ilegale dhe zhvillimin e riciklimit.

Në fund, u theksua se mbrojtja e mjedisit jetësor është përgjegjësi e përbashkët dhe se Ministria mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e politikave që do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në përputhje me standardet evropiane.

Ljutkov: Vendimi për statusin e Liqenit të Ohrit në UNESCO do të dihet në qershor

30 January 2026 at 14:26


Raporti mbi masat e marra për të mbrojtur Ohrin dhe Liqenin e Ohrit është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, konfirmoi sot ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov.

Siç deklaroi ministri, përgjigjja nëse rajoni i Ohrit do të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik pritet në qershor, në sesionin e ardhshëm të UNESCO-s që do të mbahet në Korenë e Jugut. Ai theksoi se institucionet duhet të jenë të përgatitura për të gjitha skenarët e mundshëm.

Ljutkov theksoi se situata me Ohrin dhe Liqenin e Ohrit është rezultat i diçkaje që ka ndodhur për më shumë se tre dekada. Raporti është përgatitur bazuar në të dhënat nga të gjitha institucionet përkatëse dhe në koordinim me Shqipërinë, dhe është shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për UNESCO-n dhe Qeveria.

Ndërkohë, është formuar një Shtab Krizash, i cili ka mbajtur dy takime dhe ka dhënë mendimin e tij mbi situatën dhe hapat e mëtejshëm. Sipas ministrit, afati shtatëmujor i vendosur nga UNESCO është një sinjal i qartë se ekziston një rrezik serioz që rajoni të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Maqedonia dhe Shqipëria ishin të detyruara të dorëzonin raporte të hollësishme mbi masat e ndërmarra deri më 1 shkurt 2026, me qëllim ruajtjen e statusit të rajonit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore.

❌
❌