KOMENT – Epilogu i pengut të fundit izraelit lejon përparimin e planit Trump
JERUZALEM, 27 janar /ATSH-AFP/ – Më në fund mund të themi se nuk ka më pengje në Gaza.
Izraeli riatdhesoi dje trupin e Ran Gvilit, të fundit prej tyre, duke shënuar fundin e luftës së gjatë të familjeve në një shoqëri të traumatizuar nga sulmi i 7 tetorit 2023.
Ky epilog duhet të lejojë përparimin në planin e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Territoret Palestineze dhe në veçanti rihapjen e pikës kufitare të Rafahut me Egjiptin, dalja e vetme nga Rripi i Gazës pa kaluar nëpër Izrael.
“Jemi në prag të fazës tjetër të planit amerikan”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu.
”Por, faza tjetër nuk është rindërtimi, ajo konsiston në çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës”, shtoi ai.
Ushtria kishte treguar më parë se, pas procesit të identifikimit, kishte informuar familjen e pengut Ran Gvili se i dashuri i tyre ishte identifikuar zyrtarisht dhe ishte riatdhesuar për varrim.
Netanyahu e përshëndeti atë si “një arritje të jashtëzakonshme për shtetin e Izraelit”.
“Ne i kthyem të gjithë, deri te pengu i fundit”, i tha ai parlamentit.
”Qeveria e ka përmbushur misionin e saj moral”, pohoi ai, ndërsa ushtria mburrej se e kishte mbajtur premtimin e saj “për të mos braktisur kurrë askënd”.
“Kjo është një periudhë që po i vjen fundi”, reagoi Orna Cheled, një banore 70-vjeçare e Tel Avivit, e cila tha se ishte “shumë e prekur”.
“Por, nuk mendoj se situata është zgjidhur, se ka mbaruar vërtet… në fund, ne thjesht duam të jetojmë në paqe”, shtoi ajo.
“Ndihet si një lloj mbylljeje. Është shumë prekëse”, tha Rebecca Geller, 46 vjeç, një ish-punonjëse e Forumit të Familjeve, shoqata kryesore izraelite për të afërmit e robërve.
Ndërkohë, nëntë të burgosur palestinezë u liruan nga Izraeli dhe u shtruan në spital në Gaza, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa në Deir el-Balah (Gaza qendrore).
– Fundi i luftës –
Gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën në Rripin e Gazës, 251 persona, përfshirë 44 të vdekur, u rrëmbyen si pengje.
Nga 207 pengjet e marra gjallë, 41 vdiqën ose u vranë në robëri.
Ran Gvili, një oficer policie, u vra në aksion në moshën 24 vjeç, ndërsa mbronte kibucin ”Alumim”.
Deri më tani, vetëm trupi i tij nuk ishte kthyer në Izrael si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në Gaza nën presionin amerikan më 10 tetor.
“Me kthimin e (Ran) Gvilit, një hero që dha jetën e tij për të mbrojtur komunitetin e tij, më në fund mund të themi: nuk ka më pengje në Gaza”, shkroi Forumi i Familjeve.
“Ajo që filloi si një tronditje e paimagjinueshme u bë një nga betejat më të vendosura qytetare, morale dhe njerëzore në histori”, shtoi ai, një luftë që tani “ka mbaruar”.
Kanalet televizive transmetuan vazhdimisht imazhe të arkivolit të Ran Gvilit, të mbështjellë me një flamur izraelit dhe të rrethuar nga ushtarë.
“Duhet t’i shihni nderimet që po ju bëhen këtu. E gjithë forca policore është me ju, e gjithë ushtria… i gjithë kombi… Jam krenar për ju, biri im”, deklaroi babai i tij gjatë një shërbimi përkujtimor.
Të dielën, forcat izraelite nisën një kërkim në një varrezë në Gazën veriore.
Hamasi kishte deklaruar më parë se u kishte ofruar ndërmjetësve në konflikt “të gjitha detajet dhe informacionin” që zotëronte në lidhje me vendndodhjen e trupit. Ai pohoi se zbulimi konfirmoi “angazhimin” e tij ndaj armëpushimit.
– Udhëtimi është një ëndërr –
Kthimi i këtij pengu të fundit hap rrugën për rihapjen e Rafahut, një pikë kalimi thelbësor për shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Kjo rihapje është kërkuar prej kohësh nga Kombet e Bashkuara dhe komuniteti humanitar, por Izraeli tashmë ka specifikuar se do të jetë “e kufizuar” për këmbësorët dhe do t’i nënshtrohet “një mekanizmi gjithëpërfshirës inspektimi izraelit”.
Në terren, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit çdo ditë, situata humanitare mbetet e tmerrshme për afërsisht 2,2 milionë palestinezë.
“Bota nuk interesohet për ne. Për ne, udhëtimi është një ëndërr për t’u rikthyer në jetë”, thotë Maha Youssef, 37 vjeç, e zhvendosur në Qytetin e Gazës nga lufta.
“Edhe nëse është e vështirë financiarisht dhe ndoshta e paqëndrueshme, fëmijët e mi mund të shohin se si është jeta normale dhe ta përjetojnë atë, dhe të paktën mund të shkojnë në shkollë”, shton ajo.
Faza e dytë e planit Trump, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor, kërkon, përveç çarmatimit të Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite, e cila ende kontrollon më shumë se gjysmën e territorit, dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së përshëndeti kthimin e Trupi i Ran Gvilit, duke bërë thirrje për “zbatim të plotë” të marrëveshjes së armëpushimit pas më shumë se dy vitesh lufte./ a.jor.
The post KOMENT – Epilogu i pengut të fundit izraelit lejon përparimin e planit Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.