TIRANË, 18 janar /ATSH/ Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit, bizneset e sektorit të turizmit, si edhe subjekte të tjera të shërbimeve, do të jenë të detyruara që, përveç pagesave kesh (cash), të garantojnë edhe forma alternative të pagesave elektronike, përfshirë pagesat me karta krediti, karta debiti dhe mjete të tjera elektronike.
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, në një prononcim për ATSH-në, e cilësoi këtë nismë të qeverisë si një hap pozitiv për vendin, duke theksuar se ajo ndikon drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë dhe në përmirësimin e shërbimit ndaj turistëve.
“Plani ambicioz i Kryeministrit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend me përdorim minimal të parasë kesh është interesant dhe i domosdoshëm. Është e sigurt që një nga sektorët kryesorë ku do të zbatohet kjo masë është turizmi dhe shërbimet”, u shpreh Topuzi.
Sipas tij, turizmi dhe transporti sigurojnë rreth 43,6% të totalit të eksporteve të vendit dhe përbëjnë një sektor strategjik për ekonominë shqiptare. Megjithatë, Topuzi vuri në dukje se industria e turizmit përballet me disa problematika serioze që e kanë vështirësuar deri më tani zbatimin e plotë të pagesave elektronike.
“Dy elementë thelbësorë nuk janë trajtuar mjaftueshëm. Arsyeja kryesore është niveli shumë i lartë i komisioneve që aplikojnë bankat e nivelit të dytë për pagesat me karta. Ndërkohë që në Bashkimin Europian komisionet variojnë nga 0,3 deri në 0,6% në Shqipëri ato shkojnë nga 1,8 deri në 5%”, theksoi ai.
Topuzi nënvizoi se për bizneset e vogla të shërbimit, që operojnë me marzhe fitimi 7 deri në 10 për qind, këto komisione e penalizojnë ndjeshëm aktivitetin. “Në këto kushte, banka kthehet në një aksionar kryesor, duke marrë deri në 30-40 për qind të të ardhurave të biznesit”, tha ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me faktin se komisionet për pagesat elektronike rëndojnë mbi subjektet dhe jo mbi klientët, ndërsa në transaksione të vogla kjo kosto bëhet e papërballueshme. “Nuk është normale që për një pagesë të vogël, siç është një kafe, të paguhen komisione shtesë”, u shpreh Topuzi.
Ai e cilësoi proces për pagesave elektronike si një “revolucion të përgjithshëm”, që nuk lidhet vetëm me vendosjen e pajisjeve POS në njësitë e shërbimit, por kërkon ndërhyrje rregullatore nga Banka e Shqipërisë. “Banka Qendrore nuk duhet të jetë vetëm rekomanduese, por vendimmarrëse për kufizimin e komisioneve, ashtu siç kanë vepruar shumë vende europiane”, tha Topuzi, duke përmendur shembuj nga Greqia dhe Zvicra, ku komisionet janë ulur në nivele minimale.
Një tjetër çështje e rëndësishme, sipas tij, është mundësia e dhënies së bakshishit (tips) përmes kartës bankare. “Turizmi është kthyer në një nga industritë më të rëndësishme në Shqipëri, me rreth 12 milionë turistë të huaj në vit. Sistemi aktual nuk e lejon që bakshishi të kalojë përmes kartës, gjë që penalizon punonjësit e shërbimit”, theksoi Topuzi.
Ai bëri të ditur se Shoqata e Operatorëve Turistikë ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe bankave për të mundësuar këtë proces, i cili është i aplikuar gjerësisht në vendet europiane dhe realizohet në mënyrë transparente përmes sistemit bankar dhe tatimor.
Ndër të tjera Topuzi gjithashtu theksoi rëndësinë e fushatave të informimit dhe trajnimeve për bizneset, veçanërisht për ato të vogla, si dhe zhvillimin e infrastrukturës teknike dhe teknologjike. “Është e vështirë që ky proces të realizohet plotësisht brenda gjashtë muajve pa mbështetje konkrete dhe pa uljen e komisioneve bankare”, tha ai.
Sipas tij, kjo masë do të ndikojë edhe në formalizimin e sektorit të akomodimit, ku aktualisht rreth 70 për qind e kapaciteteve janë apartamente dhe vila në formën B&B, ndërsa vetëm 22 për qind janë hotele. “Vendosja e pagesave elektronike do ta fusë këtë sektor në një regjim më të kontrolluar dhe më transparent”, përfundoi Topuzi.
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, foto: Florian Abazaj
/e.xh/j.p/r.e/
The post Topuzi për ATSH: Pagesat elektronike në turizëm hap pozitiv, problem nivelet e larta të komisioneve bankare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.