Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri ka komentuar zbatimin e sistemit "Safe City", me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të evidentohen përmes kamerave të sigurisë dhe do të gjobiten.
Shaqiri deklaroi se këtë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese, sepse i njejti diskriminon qytetarët e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.
"Ky ligj do të zbatohet vetëm për qytetarët në tre komunat si Shkupi, Tetova dhe Kumanova. Po ju bëhet e padrejtë qytetarëve që janë në këto qytete. Do ta kontestojmë këtë ligj deri në Gjykatën Kushtetuese", deklaroi Shaqiri.
Kujtojmë se ligji për vendosjen në funksion të sistemit Safe City u votua sot me 81 vota pro. /Telegrafi/
Deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska ka akuzuar sot se kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar të bëhet pjesë e qeverisë pa kryetar parlamenti dhe me më pak ministri se partneri aktual shqiptar në qeveri, informon Telegrafi Maqedoni.
Ajo ka shtuar se OBRM-PDUKM ishte e vendosur që BDI-në ta dërgojë në opozitë, ndaj edhe ashtu ndodhi.
"Ali Ahmeti thotë se është pajtuar me Presidentin Mickoski një vit më parë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, por nuk po e thotë të vërtetën për takimin në zyrën time, ku i ofroi të bashkohej me Qeverinë, pa kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe duke pranuar një vend ministror më pak se sa kërkonte Vlen, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Por ne mbetëm të palëkundur në atë që ishte një mesazh nga populli - se BDI duhet të kalojë në opozitë. Herën tjetër, para se të thotë gënjeshtra, le ta mendojë me kujdes dhe të jetë i përgatitur që ne do ta themi të vërtetën", u shpreh Stojanoska.
Ndaj kësaj deklarate reaguan nga BDI, duke thënë se Ali Ahmeti nuk ka pasur as takime e as pazare për tu bërë pjesë e Qeverisë.
"Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën", deklaruan nga BDI.
Kritikat dhe akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës filluan sot pasi me shumicë prej 81 votash u miratua aktivizimi i sistemit "Safe City", që do të gjobisë shkelësit e rregullave në komunikacion nga data 1 shkurt.
Për këtë ligj pati reagime të ashpra nga opozita shqiptare, duke e cilësuar ligjin si harxhime shtesë për qytetarët dhe sistemin si antikushtetues dhe diskriminues, pasi i njejti momentalisht do të zbatohet vetëm në tre qytete dhe jo në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/
Pep Guardiola e ka shpallur Arsenalin si ekipin më të mirë në botë, gjë që ai mendon se mund të vërtetohet nga rezultatet e “Topçinjve” në Angli dhe në Evropë.
Arsenali ka një epërsi prej shtatë pikësh në krye të Ligës Premier dhe është skuadra e parë që siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve.
Ata janë gjithashtu në një pozicion të mirë për të siguruar një vend në finalen e Kupës Carabao, pasi mposhtën Chelsean në ndeshjen e parë të gjysmëfinales.
Këto rezultate këtë edicion kanë bërë që rivali i tyre anglez, Guardiola i Cityt, të cilësoj Arsenalin si skuadrën më të mirë në botë.
“Absolutisht. Ata janë skuadra më e mirë në botë, duke fituar në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve, Kupën FA dhe Kupën Carabao", ka thënë fillimisht Guardiola në një konferencë për shtyp.
“Ata janë skuadra më e mirë tani dhe shpresojmë se mund të jemi afër, duke u përmirësuar dhe ata mund të na japin një shans për t'i arritur", përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/
Klubi anglez nga Championship, Ipswich Town ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit shqiptar, Anis Mehmeti nga Bristol City.
Reprezentuesi i kombëtares së Shqipërisë ka ndryshuar klub gjatë ditës së sotme (e premte), por jo edhe kampionat, pasi vazhdon të mbetet pjesë e Championshipit anglez.
“Klubi është i kënaqur të konfirmojë nënshkrimin e Anis Mehmetit nga Bristol City. 25-vjeçari i bashkohet Bluve për një tarifë të pazbuluar dhe ka nënshkruar një marrëveshje deri në verën e vitit 2029”.
“Një sulmues i gjithanshëm, Anisi transferohet në Portman Road pasi ka shënuar tashmë tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime gjatë gjysmës së parë të sezonit 2025/26 të Sky Bet Championship”, thuhet në njoftim.
✍️ We are delighted to confirm the signing of Anis Mehmeti from Bristol City on a three-and-a-half-year deal.
Welcome to Ipswich Town, Anis! 👋💙 — Ipswich Town (@IpswichTown) January 23, 2026
Faqja zyrtare e Ipswich Town ka zbuluar gjithashtu se pasi të përfundojë transferimin e tij, Mehmeti do të veshë fanellën me numër 33.
"Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për klubin. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre”, ka thënë Mehmeti pas nënshkrimit.
Ndryshe, Ipswich Town momentalisht zë vendin e tretë në renditje në Championship dhe është njëri nga pretendentët kryesor për t’u ngjitur në Ligën Premier për edicionin e ri. /Telegrafi/
Sancho tani ka shënuar në Evropë për klube si Borussia Dortmund, Manchester United, Chelsea dhe tani Aston Villa, duke iu bashkuar Peter Crouch, i cili e mbante këtë rekord.
Crouch e arriti këtë sukses në të kaluarën me klube si Liverpool, Portsmouth, Tottenham Hotspur dhe Stoke City. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë 'Lëvizja Populli", pjesë e Aleancës Kombëtare për Integrim, Skender Rexhepi-Zejdi, është shprehur kundër sistemit "Safe City".
Ky vendim i tij vjen pasi siç thotë ai, ky sistem i MPB-së është ndëshkues, diskriminues dhe antikushtetues.
"Jemi për sigurinë e qytetarëve, por projekti “Safe City” është i papërshtatshëm për realitetin e vendit tonë, ndëshkues, diskriminues dhe antikushtetues.
Është i papërshtatshëm sepse rrugët dhe infrastruktura e qyteteve të përfshira janë nën çdo standard evropian dhe nuk krijojnë kushte reale për zbatim të drejtë të këtij sistemi.
Ndëshkrues sepse qëllimi real i qeverisë nuk është siguria e qytetarëve, por mbushja e boshllëqeve buxhetore përmes gjobave.
Diskriminues sepse nuk përfshihet i gjithë shteti, por vetëm disa qytete të caktuara, duke krijuar trajtim të pabarabartë për qytetarët.
Antikushtetues sepse në të tre qytetet e përfshira — Shkup, Kumanovë dhe Tetovë — gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndërsa qeveria ka lejuar që softueri i projektit të përgatitet vetëm në gjuhën maqedonase", shkruan Zejdi.
Kujtojmë se për aktivizimin e sistemit Safe City, nevojitet ndryshimi i një pakoje prej 6 ligjeve, katër prej të cilave janë miratuar, ndërsa mbeten Kodi Penal dhe Ligji për kundërvajtje në komunikacion. Pa miratimin e ligjit sistematik me 2/3, sistemi Safe City nuk mund të hy në funksion nga data 1 shkurt.
Rodri është një figurë kyçe për Manchester Cityn dhe ekipin kombëtar spanjoll. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2027, megjithëse City i ka paraqitur tashmë një propozim për ta zgjatur atë deri në vitin 2029. Për momentin, ai nuk ka nënshkruar ende dhe këtu hyn në lojë Real Madridi.
Rodri ka qenë në radarin e klubit mbretëror për një kohë të gjatë. Hierarkia e Real Madridit po kërkon një mesfushor mbrojtës për sezonin e ardhshëm dhe Rodri është në listë - jo një i kohëve të fundit, por një i hershëm.
Emri i tij është lidhur me një transferim te Real Madrid për disa kohë, megjithëse klubi duket se e ka përjashtuar atë pas dëmtimit të tij të rëndë.
Megjithatë, nuk është kështu. Sipas mediave spanjolle, Real Madridi nuk e ka humbur nga sytë mesfushorin e kombëtares La Roja.
Ata po e monitorojnë nga afër gjendjen e tij fizike pas dëmtimit që e mbajti jashtë fushave për një vit dhe po e vëzhgojnë nga afër në rast se një transferim bëhet i mundur këtë verë.
Objektivi kryesor i Real Madridit mbetet mesfushori i PSG-së, Vitinha, por klubi është i vetëdijshëm se sa e vështirë do të jetë ta largojnë portugezin nga Parisi. Nëse kjo rezulton e pamundur, Rodri shfaqet si një alternativë.
Klubi gjithashtu e di se nuk do të jetë e lehtë të marrë Rodrin nga City, por, si pjesa më e madhe e Evropës, ata po presin të shohin se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Pep Guardiolës.
Nëse trajneri katalunas largohet, mund të pasojë një largim i mundshëm - dhe Rodri mund të përfundojë te Real Madrid. /Telegrafi/
Pep Guardiola ka zbuluar problemet e Manchester Cityt pas humbjes 3-1 ndaj Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve.
Trajneri spanjoll pret që skuadra e tij të rikthehet te rezultatet pozitive dhe dominimi, pas një gjysmë sezoni me luhatje të mëdha dhe pa bindje.
"Duhet të kthehemi - rezultatet që nga viti 2025 nuk janë të mira, për sa i përket Ligës Premier dhe dhe tani këtu [në Bodo]", ka thënë fillimisht Guardiola.
“Por ne shkojmë përpara, Ëolves dhe pastaj Galatasaray. Kemi ndjesinë se gjithçka po shkon keq, detajet, por duhet të përpiqemi ta ndryshojmë këtë”.
"Nuk kam asnjë dyshim për këtë garë, asgjë nuk merret si e mirëqenë, kjo është e sigurt”.
"United na mundi dhe ishte më i mirë. Tani [Bodo] kishte vrull. Por skuadra ishte aty dhe ne krijuam - në tranzicion ata janë vërtet të mirë", përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/
Wolverhampton Wanderers i është bashkuar garës për shërbimet e Anis Mehmetit dhe po konsiderohet si një nga favoritët kryesorë për ta transferuar sulmuesin brenda këtij afati kalimtar.
Sipas raportimeve në mediat angleze, Wolves tashmë ka vendosur kontakte zyrtare me Bristol Cityn, klub me të cilin Mehmeti ka kontratë të vlefshme deri në përfundim të këtij sezoni.
Klubi nga Liga Premier po shtyn fort për të finalizuar marrëveshjen, duke pasur parasysh se për 25-vjeçarin ka interesim edhe nga Ipswich Town, skuadër që garon në Championship.
Mehmeti është ndër lojtarët më të spikatur të këtij sezoni në kategorinë e dytë të futbollit anglez dhe ende nuk ka arritur një marrëveshje për rinovimin e kontratës me Bristol Cityn, pjesë e të cilit është që nga viti 2023.
Në 28 paraqitje të deritanishme në Championship, sulmuesi ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me gjashtë asistime.
Futbollisti ende nuk e ka marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe mbetet të shihet deri në mbyllje të afatit kalimtar nëse do të qëndrojë te Bristol City apo do të zgjedhë një nga ofertat e klubeve të tjera për të vazhduar karrierën. /Telegrafi/
Lojtarët e Manchester Cityt kanë treguar solidaritet pas humbjes turpëruese me rezultat 3-1 ndaj Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, duke vendosur të mbulojnë pjesërisht shpenzimet e tifozëve që udhëtuan drejt Rrethit Arktik për ta ndjekur skuadrën e tyre.
Siç raportohet nga Manchester Evening News, futbollistët e Man Cityt kanë kontribuar me rreth 10,800 euro për t’i rimbursuar tifozët që udhëtuan për në Norvegji, pavarësisht kushteve të vështira të udhëtimit.
Humbja ndaj kampionëve norvegjezë ka thelluar krizën e Manchester Cityt në fillim të vitit 2026, me skuadrën që ka pesë ndeshje pa fitore në Ligën Premier dhe një pozicion të pasigurt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Thank you for your support on a difficult night in Bodø.
Përballë këtij momenti të vështirë, grupi i lojtarëve, i udhëhequr nga kapitenët Bernardo Silva, Rúben Dias, Erling Haaland dhe Rodri, ra dakord që të paktën kostot e biletave të mbuloheshin për tifozët që ishin mysafir.
“Tifozët tanë janë gjithçka për ne. Ne e dimë sakrificën që bëjnë kur udhëtojnë kudo për të na mbështetur, dhe nuk e marrim kurrë këtë si të mirëqenë. Duke pasur parasysh distancën dhe temperaturat e ulëta, kjo është më e pakta që mund të bëjmë,” thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga lojtari i Man Cityt.
Ky gjest është mirëpritur nga tifozët dhe komentuesit sportivë, dhe shihet si një shembull i lidhjes së fortë midis skuadrës dhe mbështetësve të saj, edhe në ditët më të vështira. /Telegrafi/
Ylli anglez, Cole Palmer mund të bëjë një largim befasues nga Chelsea për t’u rikthyer te Manchester City.
Sipas The Sun, burimet pohojnë se Cole Palmer nuk është vendosur plotësisht në Londër dhe i mungojnë miqtë nga shtëpia në veri.
Raporti sugjeron që nëse ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, do të zëvendësonte Pep Guardiolën te Manchester City, Palmer mund të tundohej nga një rikthim në Etihad.
Disa mbështetës të Chelseat janë shqetësuar, duke besuar se klubi mund të jetë duke përgatitur terrenin për një shitje të mundshme të Palmerit mes diskutimeve për ndërtimin e ekipit rreth Estevaos.
Siç vëren The Sun, çdo vendim për të përfituar nga Palmer ose Enzo Fernandez do të kërkonte riinvestim të konsiderueshëm për të shmangur një reagim të fortë nga tifozët.
Një largim i Palmer nga ‘Stamford Bridge’ do të pasuronte arkat e klubit londinez me së paku 100 milionë euro. /Telegrafi/
Humbja e Manchester City-t në Norvegji i ka ndërlikuar shumë planet e formacionit anglez sa i përket ambicies që kishte në fillim të këtij sezoni për të përfunduar mes tetë më të mirave fazën e grupeve.
Ajo çfarë shqetëson më shumë drejtuesit e ekipit britanik është fakti se kanë mundur që të fitojnë vetëm dy prej shtatë dueleve të fundit. Ndërsa në Champions League do të mbyllin fazën e grupeve përballë Galatasaray-t.
“Duhet që të rikthehemi në nivelet ku ishim në fund të 2025-ës. Mendoj se tani për tani gjithçka po na shkon keq. Unë kam një ndjesi se gjithçka po na shkon keq”, tha Guardiola pas humbjes me Bodo/Glimt.
Më i ashpër ishte Erling Haaland, i cili komentoi humbjen me fjalë të forta si: “Nuk dua t’i drejtoj drejtoj gishtin askujt, por secili nga ne ka përgjegjësi për këto paraqitje të turpshme. Nuk kam përgjigje për atë që ndodhi në fushë, unë jam përgjegjës pasi nuk munda që të shënoja gol. Dua që të kërkoj falje në emër të ekipit të gjithë tifozëve, të cilët udhëtuan deri këtu për na ndjekur. Ishim të turpshëm”.
Manchester City pësoi një humbje 3-1 si mysafir ndaj Bodo/Glimt të martën mbrëmë, dhe Erling Haaland nuk hezitoi pas ndeshjes kur u pyet se kush ishte fajtor për këtë rezultat zhgënjyes.
Në një intervistë me TNT Sports pas ndeshjes, Haaland mori përgjegjësinë për mos-shënimin e të paktën një goli, por akuzoi publikisht tre nga shokët e tij të ekipit për humbjen.
“Marr përgjegjësi të plotë, jam fajtor së bashku me Rodrin, Gigi Donnarumman dhe Tijjani Reijndersin, ne jemi lojtarë me përvojë dhe duhet të marrim më shumë përgjegjësi”, ka thënë fillimisht Haaland.
“Kjo nuk ishte mjaftueshëm mirë. Ne jemi Manchester City, nuk mund të mos fitojmë, nuk duhet të jetë kështu”.
Thank you for your support on a difficult night in Bodø.
Haaland më pas u kërkoi falje tifozëve të Manchester Cityt për këtë humbje turpëruese.
“Është përgjegjësia ime që nuk shënojmë mjaftueshëm gola. Mund t'u kërkoj falje vetëm çdo tifozi të Manchester Cityt, veçanërisht atyre që erdhën për të na mbështetur. Është për të ardhur keq ajo që kemi bërë për ta dhe më vjen shumë keq", përfundoi norvegjezi. /Telegrafi/
Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, Bodo/Glimt shkaktoi tronditje të madhe, duke mundur Manchester City me rezultatin 3-1.
Norvegjezët kaluan në avantazh në minutën e 22-të, kur Kasper Hogh shënoi me kokë pas një asistimi të bukur nga Ole Blomberg.
Dy minuta më vonë, Hogh riktheu emocionin e tifozëve, duke shënuar përsëri pas një topi të lëshuara brenda zonës për 2-0.
Në minutën e 58-të, Jens Hauge shënoi një gol spektakolar nga jashtë zonës, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Manchester City arriti të shkurtojë diferencën me Rayan Cherki në minutën e 60-të, duke e bërë 3-1, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Gjatë ndeshjes pati disa momente kontroverse, përfshirë ajo me Rodrin që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 62-të pas dy kartonëve të verdhë.
Bodo/Glimt mori fitoren e parë në këtë sezon të Ligës së Kampionëve dhe tani ka 6 pikë, pas 3 humbjeve dhe 3 barazimeve.
Në anën tjetër, Manchester City mbetet në vendin e katërt me 13 pikë, duke rrezikuar vendin e tyre në fazën e eliminimit direkt. /Telegrafi/
Liga Premier mbetet liga më e pasur në futbollin botëror, me një pasuri të jashtëzakonshme që rrjedh nga bordi drejtues në fushë. Liga elitare angleze vazhdon të shpenzojë më shumë se rivalët e saj evropianë, duke tërhequr trajnerë dhe lojtarë të elitës, por këto ambicie vijnë me shpenzime të mëdha për paga.
Shpenzimet për transferime kalojnë rregullisht 1 miliard funte çdo verë, dhe pagat e lojtarëve kanë ndjekur të njëjtën trajektore rritëse. Me pagat që rriten çdo sezon, pyetja se kush fiton më shumë nuk ka qenë kurrë më interesante.
Telegrafi më poshtë ju sjell pesë lojtarët më të paguar në Ligën Premier në edicionin 2025/26, njëri prej tyre nuk e ka zhvilluar ende asnjë ndeshje.
Raheem Sterling rrallëherë ka pasur mungesë kontratash fitimprurëse, që nga vitet e tij plot trofe te Manchester City e deri te transferimi i tij i majmë te Chelsea. Blutë e Todd Boehlyt nxituan të ofronin paga elitare, duke e bërë Sterling një nga lojtarët më të paguar të klubit menjëherë pas mbërritjes së tij.
Megjithatë, pozicioni i tij në Stamford Bridge u zvogëlua pas emërimit të Enzo Marescas, duke çuar në një periudhë huazimi te Arsenali, ku Blutë ende mbulonin pjesën më të madhe të pagës së tij. Tani i kthyer në Londër, Sterling vazhdon të fitojë 325,000 funte në javë pavarësisht se nuk u paraqit fare në sezonin 2025/26.
Casemiro mbërriti te Manchester United në vitin 2022 si një fitues serik, i sapoardhur nga disa triumfe të Ligës së Kampionëve me Real Madridin. Ai fillimisht e justifikoi pagën e tij prej 350,000 fubntesh në javë duke shtuar forcë dhe lidership në mesfushën e United dhe duke ndihmuar në përfundimin e mungesës së trofeve.
Që atëherë, qëndrueshmëria ka qenë një problem, me performanca që luhaten dhe pikëpyetje që rriten mbi të ardhmen e tij afatgjatë. Me kontratën e tij që skadon në vitin 2026 dhe pagat ndër më të lartat në Old Trafford, një zgjatje duket gjithnjë e më e pamundur.
3. Virgil van Dijk (Liverpool) - Paga javore: 350,000 funte
Prania e Virgil van Dijk midis lojtarëve më të paguar të ligës nënvizon se sa shumë e vlerëson Liverpooli liderin e tyre mbrojtës. Qendërmbrojtësit rrallë marrin paga të krahasueshme me yjet sulmues, duke e bërë pagën javore prej 350,000 funte të Van Dijk një pasqyrim të statusit të tij si lojtar elitar.
Pavarësisht spekulimeve për një largim të mundshëm në vitin 2025, holandezi u zotua për një marrëveshje të re që zgjat deri në verën e vitit 2027. Në moshën 34-vjeçare, ai mbetet një nga mbrojtësit më me ndikim të Ligës Premier.
2. Mohamed Salah (Liverpool) - Paga javore: 400,000 funte
Mohamed Salah ka qenë në qendër të suksesit të Liverpoolit për gati një dekadë, duke shënuar gola, trofe dhe momente të panumërta vendimtare. Zgjatja e tij dyvjeçare e nënshkruar në prill 2025 i siguroi atij një pagë prej 400,000 funte në javë, duke i shpërblyer një edicion mahnitës fitues të titullit 2024/25.
Ndërsa forma e tij në sezonin aktual ka rënë dhe tensionet me Arne Slot kanë dalë në pah, Salah mbetet një nga sulmuesit më të frikshëm të ligës. Pak lojtarë në Angli kombinojnë performancën dhe jetëgjatësinë si ylli egjiptian.
Erling Haaland ndodhet rehat në krye të hierarkisë së pagave në Ligën Premier, pasi nënshkroi një marrëveshje afatgjatë me Manchester Cityn. Që kur mbërriti në Angli, ai ka rishkruar rekorde golashënuesish, duke përfshirë thyerjen e numrit të golave të shënuar në një sezon të vetëm në Ligën Premier në sezonin 2022/23.
Paga e tij u rrit nga 375,000 funte në javë në një shifër marramendëse prej 525,000 funtesh pas kontratës së tij të re, duke reflektuar rëndësinë e tij për sistemin e Pep Guardiolës. Pavarësisht sezonit pa trofe të Cityt sezonin e kaluar, rikthimi i Haaland në formë të shkëlqyer në sezonin 2025/26 konfirmon statusin e tij si sulmuesi më i vlefshëm dhe më i paguar në ligë. /Telegrafi/
Vinicius po përgatitet për një verë që mund të shënojë një pikë kthesë të rëndësishme në karrierën e tij te Real Madridi.
Pas viteve të një marrëdhënieje të ngushtë me klubin, situata duket se është prishur, duke krijuar një skenar që aktualisht shihet si shumë i vështirë për t’u rikthyer.
Lidhja e brazilianit me tifozët e Real Madridit ka arritur në pikën më të ulët.
Sjelljet e tij dhe disa episode të fundit kanë shkaktuar një largim të dukshëm nga ‘Bernabeu’, ndërsa performanca e tij ka qenë e papërputhshme me pritshmëritë.
Në të njëjtën kohë, negociatat për rinovimin e kontratës janë bllokuar, duke e lënë klubin përballë një vendimi kritik: të shesë tani apo të rrezikojë të humbasë një nga lojtarët më të vlefshëm pa kompensim.
Klubet e mëdha ndërkombëtare kanë shfaqur interes për situatën e tij, duke përfshirë Chelsean dhe Bayern Munich, ndërsa skuadrat nga Arabia Saudite janë të gatshme të ofrojnë shuma të jashtëzakonshme.
Megjithatë, favoriti kryesor mbetet Manchester City, i cili raportohet se ka dorëzuar një ofertë prej rreth 150 milionë eurosh, një shifër që konsiderohet e përshtatshme për të siguruar një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë.
Nga ana e Real Madridit, shuma dhe konteksti i kontratës e bëjnë të vështirë refuzimin e ofertës.
Një shitje e tillë jo vetëm që sjell përfitime financiare, por gjithashtu hap mundësinë për të ristrukturuar skuadrën dhe për të përforcuar pozicione të tjera kyçe.
Largimi i brazilianit, megjithëse i dhimbshëm nga perspektiva emocionale, mund të ofrojë një fillim të ri për projektin sportiv të klubit.
Për momentin, duket se e ardhmja e Vinicius është larg ‘Santiago Bernabeu’.
Përveç tensionit me tifozët dhe bllokimit të rinovimit, presioni i tregut dhe oferta e Manchester Cityt sugjerojnë se Real Madridi do të pranojë transferimin.
Kjo do të shënojë fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një aventure të re për sulmuesin në Ligën Premier. /Telegrafi/
Sot (e martë) rikthehet Liga e Kampionëve me nëntë ndeshje të cilat janë në program për t’u luajtur në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës.
Pas më shumë se një muaji pauzë, Liga e Kampionëve rikthen emocionet e veta me shumë ndeshje interesante, të cilat mund të vendosin fatin e skuadrave për të ecur tutje, për të mbetur në ‘play-off’ ose për t’u eliminuar.
Ndeshja kryesore e mbrëmjes padyshim se është ajo në mes të Interit dhe Arsenalit, e cila pritet të zhvillohet në “Giuseppe Meazza” me fillim nga ora 21:00.
Nerazzurrët duan vetëm fitore për të mbetur në tetë pozitat e para dhe për të bërë një hap drejt sigurimit të kualifikimit, ndërsa Topçinjtë edhe me një barazim do ta siguronin kualifikimin pasi kanë gjashtë fitore nga gjashtë ndeshjet e para.
Në ndeshjet tjera, Real Madridi synon fitore ndaj Monacos për të mbetur në tetëshe, ashtu sikurse Manchester City që udhëton te Bodo/Glimt dhe Paris Saint-Germain te Sporting Lisbona.
Tottenham-Dortmund është një sfidë të cilën dy ekipet tentojnë ta fitojnë duke shpresuar ngjithjen në tetë pozitat e para, ndërsa Napoli synon të mos gaboj në udhëtim te Copenhagen pasi rrezikon të mbetet jashtë fazës play-off.
Në tri ndeshjet tjera të mbrëmjes, Bayer Leverkusen luan në udhëtim te Olympiacosi, Kairat Almaty e pret Club Brugge dhe Villarreal është nikoqir i Ajaxit. /Telegrafi/
Ipswich Town është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin shqiptar të Bristol City, Anis Mehmeti, para mbylljes së afatit kalimtar.
Kontrata e mesfushorit ofensiv 25-vjeçar skadon në verë dhe Ipswich synon të përfitojë nga kjo situatë për të siguruar shërbimet e reprezentuesit shqiptar, me qëllim forcimin e skuadrës në garën për rikthim në Ligën Premier.
Një transferim i tillë do të dobësonte njëkohësisht edhe një rival direkt në luftën për ngjitje, siç është Bristol, aty ku po shkëlqen Mehmeti.
Nga ana tjetër, Bristol City dëshiron ta mbajë Mehmetin, duke e konsideruar pjesë kyçe të objektivave për “play-off”, dhe tashmë ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës së tij.
Megjithatë, Ipswich është i gatshëm të sfidojë këtë qëndrim dhe të ushtrojë presion për realizimin e transferimit.
Mehmeti iu bashkua Bristol Cityt në janar të vitit 2023 dhe po kalon një sezon mjaft të mirë në Championship. Ai ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 6 asistime në 27 paraqitje këtë edicion, ndërsa numëron edhe 3 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë.
Sipas “Transfermarkt”, vlera aktuale e tij në treg vlerësohet në rreth 10 milionë euro. /Telegrafi/
Trajneri Xabi Alonso po përgatitet të bëjë një hap pas nga futbolli pas largimit nga Real Madridi, por e ardhmja e tij pritet të lidhet me një aventurë të madhe në Ligën Premier.
Tekniku spanjoll u shkarkua nga stoli i “Los Blancos” pas humbjes në Superkupë ndaj Barcelonës, një disfatë që vulosi fundin e projektit të tij në Madrid. Përveç rezultateve zhgënjyese në fushë, raportet nga Spanja flasin edhe për vështirësi serioze në marrëdhëniet me një pjesë të madhe të dhomës së zhveshjes.
Megjithatë, emri i Alonsos vazhdon të jetë shumë i përfolur në tregun e trajnerëve. Situata në Angli e ka rikthyer atë menjëherë në qendër të vëmendjes, sidomos pas largimit të Ruben Amorim nga Manchester United dhe pasigurisë që rrethon Thomas Frank te Tottenham.
Sipas “The Times”, Alonso është shumë i interesuar të provojë veten në futbollin anglez, por jo menjëherë. Prioriteti i tij është të pushojë për disa muaj dhe të rikthehet vetëm në fund të sezonit për të shqyrtuar ofertat.
Koha duket perfekte për një hyrje të tij në Liga Premier.
Manchester United do të jetë në kërkim të një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm dhe Alonso konsiderohet një profil ideal për një projekt rindërtimi. Edhe Tottenham mund të mbetet pa trajner në verë nëse Frank nuk arrin të bindë drejtuesit.
Një tjetër pistë shumë e fortë mbetet Liverpool. Alonso ishte zgjedhja e parë e drejtuesve anglezë në verën e vitit 2024 përpara se klubi të vendoste për Arne Slot.
Me “Reds” që kanë zhgënjyer këtë sezon, një fund negativ i kampionatit mund të çojë në një ndryshim në stol dhe rikthimi te Alonso shihet si një opsion shumë serioz, sidomos për shkak të lidhjes së tij të fortë me klubin nga koha si lojtar.
Manchester City gjithashtu e admiron Alonson dhe mund të hapë derën nëse Pep Guardiola vendos të largohet në fund të sezonit – një skenar që për momentin mbetet vetëm në nivel spekulimesh, por që po qarkullon gjerësisht në Angli./Telegrafi
Manchester City kanë zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Marc Guehi nga Crystal Palace, duke i dhënë Pep Guardiolës një përforcim të menjëhershëm në repartin defensiv në një moment kritik të sezonit në Ligën Premier.
Qendërmbrojtësi anglez ishte shumë pranë kalimit te Liverpool gjatë verës, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit. Tani, 25-vjeçari ka vendosur t’i bashkohet Cityt, skuadër që synon të rikuperojë diferencën me liderët e Arsenalit, teksa kampionët po përballen me mungesa të rënda në mbrojtje.
Guardiola e sheh Guehin si zgjidhjen ideale për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga lëndimi afatgjatë i Josko Gvardiol dhe Ruben Dias, dy shtylla të prapavijës së “Citizens”.
Ky transferim përbën një goditje të fortë për Crystal Palace, fitues të FA Cup, të cilët humbin liderin e skuadrës. Trajneri Oliver Glasner kishte konfirmuar më herët gjatë javës se do të largohet nga posti i tij në fund të sezonit aktual, çka e bën largimin e Guehit edhe më të ndjeshëm për klubin londinez.
Guehi është produkt i akademisë së Chelseat, ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist përpara se të spikaste gjatë huazimit te Swansea. Më pas ai firmosi përfundimisht me Crystal Palace, ku kaloi një periudhë shumë të suksesshme, duke udhëhequr skuadrën drejt triumfit historik në FA Cup dhe Community Shield në vitin 2025./Telegrafi