TIRANË, 23 janar /ATSh/ Në komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme u diskutua sot lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal.
Në fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca synojnë dekriminalizimin shpifjes për gazetarët profesionistë, por jo për profesionistët e shpifjes.
“Sa i përket 120-ës, që është shpifja. Këtu pastaj duhet të ndajmë ça janë gazetarë: Kush janë gazetarët? Po vure një bexh dhe vetëshpallesh gazetar, në asnjë vend të Evropës nuk je gazetar. Dhe është shtuar paragrafi, dhe ju lutem ndiqeni fjalë për fjalë, në atë që ka bërë në një zgjidhje tepër të mirë qeveria. Kjo që po lexoj unë është konfirmuar 100 për qind nga Komisioni Europian. Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht se si apo vendi ku e ushtron aktivitetin, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes.
“Sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, të çdo informacioni tjetër përmes shtypit, mediave audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik, kur: 1, qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm; 2, në momentin e publikimit ai nuk ka dhe, në rrethana konkrete, në mënyrë të arsyeshme nuk kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre; dhe, pasi të jetë informuar nga personi i tretë, pra personi i prekur, ose autoritetet kompetente, se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, ai vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, ose për t’i hequr ato, për ta çaktivizuar aksesin në to.
“Për qëllimet e këtij neni, përhapja me mirëbesim do të thotë përhapje që plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin e tretë dhe bëhet në përputhje me rregullat etike profesionale të gazetarisë dhe mbi baza faktike të arsyeshme. Vlerësimet, opinionet, komentet kritike dhe interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara ose fyese, nuk konsiderohen shpifje në kuptim të këtij neni, përveç nëse përmbajnë shprehimisht ose të nënkuptuara pretendime, fakte, të dhëna apo informacione objektivisht të rreme”, tha Balla.
Balla tha më tej se “për efekt të referencës së diskutimeve në këtë komision të nderuar, e theksoj, t’ju kujtoj se ndër vendet e Bashkimit Europian që vazhdojnë ta mbajnë shpifjen si vepër penale janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia.
“Ato që e kanë hequr janë vetëm Qipro, Estonia, Irlanda. Rumania është gjysmë për gjysmë”, tha ai.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve, theksoi në vijim Balla, është mbrojtja e publikut dhe garantimi i standardeve evropiane në fushën e informimit.
/m.q/a.f/
The post Ndryshimet në Kodin Penal, Balla: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët profesionistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.