Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave
TIRANË, 7 janar/ATSH/ Situata e krijuar për shkak të reshjeve në qarkun e Gjirokastrës po përmirësohet, ndërsa 4 familje janë evakuuar nga banesat e rrezikuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave.
Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Gjirokastër, Edmond Avdalli në një prononcim për mediet tha se po vijon puna për pastrimin e inerteve, ndërsa strukturat në terren po vijojnë punën për pastrimin e akseve dhe monitorimin e situatës.
“Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të pazakonta, ndërsa bashkia e Gjirokastrës gjatë këtyre dy ditëve ka kaluar një situatë të vështirë. Gjatë ditës së djeshme pati vërshime të përrenjve malorë dhe rrëshqitje masive të dherave dhe gurëve, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar përmbytje në disa pallate”, tha Avdalli.
Ai bëri të ditur se në terren kanë qenë forcat bashkiake dhe ato të armatosura, të cilat kanë evakuuar banorët që kishin nevojë.
“Katër banesa janë rrezikuar nga rrëshqitjet e dherave dhe janë evakuuar 4 familje. Në orët e pasdites, intensiteti i reshjeve ka rënë. Aktualisht, në bashki janë të bllokuara 3 akse rurale dhe është kërkuar ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes për asistencë me mjete të rënda”, tha Avdalli.
Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi i Ficos në qytetin e Gjirokastrës doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit.
/k.s/j.p/
The post Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.