Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Kryeinspektori i përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari vlerësoi sot finalizimin e reformës ligjore në fushën e inspektimeve, e cila prek drejtpërdrejt raportin mes shtetit, biznesit dhe ligjit.

Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari theksoi se paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit te ndershëm, do të marrë fund.

“Rezultatet e kësaj reforme janë 5 masat e para administrative, të shfuqizuara në komisionin e shqyrtimit të ankesave, bazuar në ligj, objektivitet e transparencë, me përfaqësues në komision nga Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror që ka vendosur gjobën, Ministria e linjës, si dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit.
Tani e tutje kujdes, sepse paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm, do të marrë fund”, tha Hajdari.
Hajdari shprehu mirënjohjen për të gjithë stafin e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë të cilën e cilësoi “të lodhshme, e të vështirë, por vizionare sipas standardeve më të mira të inspektimeve në BE.
1 nga 5

 

/k.s/a.f/r.e/

The post Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një reagimi publik, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.

Sipas të dhënave 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.

Ndërkohë që nesër mbledhja e këshillit bashkiak do të transmetohet drejtpërdrejt, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.

Kryebashkiaku Arbana tha se “të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.

/k.s/a.f/r.e/

The post Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 January 2026Main stream

Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Shkollat 9-vjeçare në Berat pas procesit mësimor ofrojnë për nxënësit e fillores programin e kryerjes së detyrave të shtëpisë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale theksoi se ky model po jep rezultate konkrete në përvetësimin më të mirë të dijeve nga ana e nxënësve.

“Në shkollat e Beratit, programi i bërjes së detyrave që në klasë nën vëmendjen e drejtpërdrejtë të mësuesve me qëllimin për të përvetësuar më mirë dijet, për të lehtësuar ngarkesën e prindërve, si edhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira shkollë-prindër-komunitet nën frymën e një bashkëpunimi të frytshëm dhe arsimi gjithëpërfshirës, po vazhdon me sukses duke ndërtuar një shembull pozitiv të kësaj nisme”, tha Rama.

Ky program i ndihmon nxënësit jo vetëm që të bëjnë detyrat e shtëpisë nën kujdesin dhe mbështetjen e mësuesve, por sjell më shumë përparim në dije dhe mbështet aftësitë e tyre shoqërore, fizike dhe intelektuale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme pas procesit mësimor.

1 nga 5

/k.s/r.e/a.f/

The post Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet: Nëse mungon dokumentacioni, shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Prindërve që nuk disponojnë dokumentet si fatura tatimore ose  kontrata nuk do t’u njihen për rimbursim shpenzimet arsimore gjatë plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për periudhën janar-dhjetor 2025.

Administrata Tatimore sqaron se rekomandohet që çdo pagesë për arsimim të kryhet në mënyrë të dokumentuar.

Për herë të parë, me ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të mund të përfitojnë këtë vit kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim, përmes deklaratës vjetore të të ardhurave personale DIVA 2025.

Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore në varësi të numrit të fëmijëve dhe shpenzimeve të kryera për arsimimin e tyre.

Përfitimi u takon atyre që deklarojnë në DIVA 2025 fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet përkatëse arsimore, ndërsa kushti kryesor mbetet që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1,2 milionë lekë.

Pyetje dhe Përgjigje DIVA 2025

  1. Çfarë është DIVA?

DIVA është Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave.
Sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, quhet Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale (DVAP)

  1. Kur duhet ta dorëzoj DIVA 2025?

Afati për dorëzimin e DIVA është 31 mars 2026.

  1. Për cilën periudhë deklarohet?

Deklarohet për periudhën janar-dhjetor 2025.

  1. Kush ka detyrim për të deklaruar të ardhurat personale vjetore 2025?

Individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 mln lekë bruto, nga të gjitha burimet;
Individët që për të paktën 1 muaj gjatë vitit 2025 kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 punëdhënës;
Individët që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë për të cilat nuk kanë paguar tatimin në burim (shembull: platformat Booking, Airbnb, Youtube, të ardhurat nga qiradhënia) etj.

  1. Kush përfiton rimbursim?

Çdo individ që ka plotësuar në DIVA 2025: Rubrikën përkatëse për numrin e fëmijëve në ngarkim.

Rubrikat përkatëse për shpenzimet arsimore. Ky rimbursim përfitohet nga prindërit/kujdestarët ligjorë që kanë të ardhura të tatueshme vjetore deri në 1.2 milion lekë.

Kujdes, që rimbursimi të kryhet duhet që DIVA 2025 të rezultojë me tepricë kreditore.

  1. Si e përfitoj këtë rimbursim?

Individi përfiton zbritje nga baza tatimore, konktretisht për: Çdo fëmijë në ngarkim, nën 18 vjeç, përfiton tatim korrespondues për shumën e zbritur prej 48 000 lekësh;

Shpenzimet arsimore për fëmijët në ngarkim, deri në vlerën maksimale prej 100 000 lekësh;

  1. Si të aplikoj për t’u rimbursuar?

Nëpërmjet dorëzimit të deklaratës DIVA 2025 në llogarinë personale në e-Filing, kur deklarata rezulton me mbipagesë.

Krijo çështje si kërkesë për rimbursim në modulin Çështjet e mia, Pyetje e Përgjithshme, në të cilën bashkëlidh: Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare;
Çertifikatën familjare; Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve: Kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për fëmijët, dokumentet (faturat) për pagesën e gjuhëve të huaja etj.

  1. Çfarë ndodh nëse nuk kam ruajtur faturat?

Në mungesë të dokumentacionit justifikues (fatura tatimore, kontrata), shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim. Rekomandohet që çdo pagesë për arsimim të kryhet në mënyrë të dokumentuar.

  1. Kur mund të refuzohet kërkesa për rimbursim?

Kërkesa mund të refuzohet në rastet kur:
DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë;
Dokumentacioni është i paplotë ose i pasaktë;
Shpenzimet nuk janë të ligjshme ose nuk janë deklaruar në DIVA.

  1. A mund ta korrigjoj DIVA 2025 pas dorëzimit?

Po. Individi mund të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore, nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara.

/k.s/r.e/a.f/

The post Tatimet: Nëse mungon dokumentacioni, shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pasaporta shqiptare ngjitet në vendin e 43-të “Henley Passport Index”

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Pasaporta shqiptare vijon përmirësimin e renditjes së saj në “Henley Passport Index”, duke u pozicionuar në vendin e 43-të në rang global dhe duke u hapur qytetarëve shqiptarë 121 destinacione pa vizë.

Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se “në vitin 2013, qytetarët shqiptarë udhëtonin pa viza në 88 shtete. Në vitin 2025, kjo shifër ka arritur në 121 destinacione një rritje prej 33 vendeve”.

“Ky progres reflekton më shumë liri lëvizjeje për qytetarët, forcim të marrëdhënieve diplomatike të vendit, procedura më të thjeshta udhëtimi dhe me më pak barriera administrative”, thekson MIA.

Sipas të dhënave historike të 20 viteve të fundit, “Henley Passport Index” është i vetmi i këtij lloji i bazuar në të dhëna ekskluzive nga Autoriteti Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA). Indeksi përfshin 199 pasaporta të ndryshme dhe 227 destinacione të ndryshme udhëtimi.

I përditësuar çdo muaj, “Henley Passport Index” konsiderohet si mjeti standard referues për qytetarët dhe shtetet sovrane kur vlerësohet se ku renditet një pasaportë në spektrin global të lëvizshmërisë.

/k.s/r.e/a.f/

The post Pasaporta shqiptare ngjitet në vendin e 43-të “Henley Passport Index” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj në CEE Forum, në fokus forcimi i dialogut me investitorët ndërkombëtarë

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Forcimi i dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, ishte në fokus të punimeve të Forumit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), organizuar më 13-14 janar 2026 në Vjenë, Austri.

E pranishme në CEE Forum 2026 ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Ajo mori pjesë në panelin ku u diskutua mbi temën: “A është sistemi financiar shqiptar gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”.

Ministrja Ibrahimaj në një postim në rrjetet sociale tha se gjatë panelit u trajtuan roli i sektorit financiar në procesin e integrimit evropian, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar shqiptar, integrimi në SEPA, si dhe reformat për digjitalizimin, inovacionin dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“CEE Forum 2026 shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, si dhe për promovimin e prioriteteve ekonomike dhe reformuese të Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.

Pjesë e panelit ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe drejtoresha ekzekutive e Autoritetit Shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali.

Ky forum i përvitshëm mbledh personalitete të spikatura nga akademia, ekonomia dhe sektori financiar i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të diskutuar zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, me fokus të veçantë rajonin lindor dhe juglindor të Evropës.

Temat e diskutuara në forum lidheshin me kthimin te bazat e politikës monetare, normat e interesit dhe stabilitetin e çmimeve, goditjet nga ana e ofertës, financimin e gjelbër dhe rolin e politikës monetare, rreziqet klimatike, mbikëqyrjen bankare, pavarësinë e bankave qendrore, SEPA-në, përfshirjen financiare përmes bankingut digjital, si dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore.

/k.s/r.e/a.f/

The post Ibrahimaj në CEE Forum, në fokus forcimi i dialogut me investitorët ndërkombëtarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ngrica në zonat malore të Elbasanit, hidhet kripë në disa akse rrugore

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Temperaturat e ulëta kanë përfshirë qarkun e Elbasanit, duke shkaktuar ngrica në zonat malore dhe në disa segmente rrugore.

Prefektura e qarkut Elbasan informoi sot se “në akset nacionale Elbasan–Qafë Thanë dhe Elbasan–Gjinar, për shkak të rënies së temperaturave, është hedhur kripë në pikat problematike, duke mundësuar qarkullimin normal të mjeteve”.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, janë trajtuar me kripë edhe disa pika problematike në qytetin e Elbasanit.

Prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë në rënie dhe nuk paraqesin rrezik për popullsinë. Edhe shkarkimet nga HEC Banjë janë ulur, duke arritur në rreth 190 metër kub në sekondë, në përputhje me prodhimin energjetik.

Autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në akset rrugore, për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

/k.s/j.p/

The post Ngrica në zonat malore të Elbasanit, hidhet kripë në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasan, drejt përfundimit fusha në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”

TIRANË, 12 janar/ATSH/  Punimet në Kompleksin Sportiv “Shefqet Lamçja” po ecin me ritme të shpejta dhe ndodhen drejt përfundimit, duke i dhënë qytetit të Elbasanit një tjetër hapësirë sportive dinjitoze dhe bashkëkohore, e ndërtuar sipas standardeve moderne.

Aktualisht është përmbyllur me sukses ndërtimi i bazamentit të fushës, si dhe janë realizuar punimet për sistemin e drenazhimit dhe infrastrukturën e nevojshme për mirëmbajtjen e saj.

Gjatë muajit në vijim do të nisë mbjellja e barit natyral, fazë kjo që do t’i japë fushës formën përfundimtare, bën të ditur kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja.

Paralelisht me ndërhyrjet në fushë, po realizohet edhe rikonstruksioni i plotë i dhomave të zhveshjes, të cilat do të ofrojnë kushte më funksionale, komode dhe higjienike për sportistët dhe stafet teknike.

Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm të bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, në kuadër të një strategjie më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës sportive, mbështetjen e talenteve të reja dhe nxitjen e sportit në qytet.

 

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Elbasan, drejt përfundimit fusha në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS publikon datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit publikoi sot datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi se për orientimin e maturantëve gjatë procesit të përgatitjes janë publikuar dhe shpërndarë po ashtu testet model.

Sipas Kumbaros, çdo shkelje e rregullave të provimit parashikon penalizim sipas rregullores.

Datat për provimet e Maturës Shtetërore 2026 janë: Gjuhë e huaj 2 qershor, Gjuhë shqipe dhe letërsi 9 qershor, Matematikë 16 qershor 2026 dhe Provimi me zgjedhje 23 qershor.

Provimet e Maturës Shtetërore 2026 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari, Psikologji, Filozofi, Sociologji, Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.

Testet e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Ndërkohë që për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

/k.s/j.p/

The post MAS publikon datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Funari, Gjinari dhe Labinot-Mal nën dëborë tërheqin vizitorë të shumtë

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Dëbora ka zbardhur zonat malore të Elbasanit, si Funari, Gjinari dhe Labinot-Mal duke i shndërruar ato në një kartolinë dimërore.

Fundjava solli një atmosferë magjike në këto zona, të cilat u vizituan nga shumë qytetarë duke u kthyer në destinacionet më të preferuara këtë muaj të parë të vitit.

Male, pyje dhe liqene të rrethuar nga bora krijojnë një panoramë magjepsëse, ku natyra shfaqet në formën e saj më të bukur dhe më të qetë.

Edhe pse temperaturat kanë rënë dhe reshjet e dëborës kanë qenë të dendura, rrugët drejt Funarit, Gjinarit dhe Labinot-Malit janë të hapura dhe të kalueshme.

Qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë dhe goma dimërore, ndërsa autoritetet lokale kanë qenë në terren për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore.

Më të lumturit nga kjo tablo dimërore janë fëmijët, të cilët shijojnë borën me lojërat me topa dëbore.

Familje të shumta kanë zgjedhur këto zona malore për të kaluar fundjavën, larg zhurmës së qytetit, pranë natyrës dhe ajrit të pastër.

Këto zona vijojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara turistike të qarkut të Elbasanit, edhe në ditët e ftohta të dimrit.

Investimet e kryera ndër vite nga bashkia Elbasan në infrastrukturë, shërbime dhe promovimin e zonës kanë dhënë rezultatet e tyre, duke i bërë destinacione të aksesueshme dhe të preferuar për vizitorët.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, turistë nga qytete të ndryshme kanë mbërritur për të parë nga afër Funarin e mbuluar nga dëbora, liqenet e ngrira pjesërisht dhe qetësinë që vetëm dimri di të sjellë.

Edhe Gjinari, 22 km larg Elbasanit ishte këtë fundjavë i mbushur me turistë.

Zonat malore nën dëborë, mbeten një thesar i Elbasanit, një destinacion që fton vizitorët t’i zbulojnë në çdo stinë, duke ofruar pamje që lënë gjurmë.

/k.s/j.p/

The post Funari, Gjinari dhe Labinot-Mal nën dëborë tërheqin vizitorë të shumtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Allushi për ATSH-në: Ulet niveli i Vjosës në 5,6 m, vijon e bllokuar rruga Matogjin-Bashaj

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Në një pjesë të rrugës rurale Matogjin-Bashaj në bashkinë e Selenicës vazhdon bllokimi si pasojë e shkarjes së gurëve dhe një pjese të rrugës.

Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi, e cila ndodhet në terren për të inspektuar situatat e krijuara në qark tha sot për ATSH-në se “si pasojë e shkarjes së rrugës janë me risk të lartë tri banesa. Aktualisht në vendngjarje ndodhen ekspertë nga Batalioni i Xhenios”.

“Ndërkohë që vazhdon problematika nga shkarja në fshatin Vajzë ku dy banesa janë të pabanueshme. Aksi rrugor mbas ndërhyrjes së Autoritetit Rrugor të Jugut është i aksesueshëm në një krah vetëm për autovetura”, tha Allushi.

Sa i përket nivelit të Vjosës, Allushi tha se “lumi Vjosa në Novoselë po shkon drejt shtratit të tij. Aktualisht niveli i tij ndodhet në kuotën 5,6 m”.

Sipas saj, 13 banesa patën prezencë uji, kryesisht poshtë Urës së Mifolit dhe banesat në Lagjen e Romëve.

“Mbrëmjen e djeshme erdhën 100 pako ushqimore, ndërsa sot pritet të vijë dhe baza ushqimore për blegtorinë. Ndërsa në konviktin e shkollës Mjekësore janë të akomoduar 8 shtetas”, tha Allushi.

Rruga e Llogorasë, shtoi Prefektja, është e kalueshme normalisht dhe aksi mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga kontraktori.

/k.s/a.f/r.e/

The post Allushi për ATSH-në: Ulet niveli i Vjosës në 5,6 m, vijon e bllokuar rruga Matogjin-Bashaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rënie gurësh në Himarë-Vuno, bashkia: Shmangni lëvizjen me automjete

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Bashkia e Himarës informoi sot se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në aksin rrugor Himarë- Vuno në vendin e quajtur Vishë janë konstatuar gurë të rënë në rrugë.

Bashkia e Himarës informoi sot se rruga është e hapur dhe qarkullimi po organizohet nga Policia Rrugore.

Bashkia i bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes maksimal të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe të zbatojnë udhëzimet e Policisë Rrugore.

Banorët që nuk e kanë të domosdoshme lëvizjen me automjete në këto momente janë të ulur ta shmangin atë.

/k.s/a.f/

 

The post Rënie gurësh në Himarë-Vuno, bashkia: Shmangni lëvizjen me automjete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, hidrovoret në gjendje pune me kapacitet të plotë

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Pas reshjeve të ditëve të fundit, situata në territorin e bashkisë Shkodër është e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse dhe specialistët e terrenit.

Në njësinë administrative Velipojë janë evidentuar rreth 250 ha tokë bujqësore dhe kullota nën ujë. Nuk raportohen dëme në blegtori dhe bletari.

Në Njësinë Administrative Dajç janë evidentuar rreth 100 ha tokë bujqësore dhe kullota me ujëra sipërfaqësore, me tendencë përmirësimi. Veçmas, evidentohen 300 ha kënetë në Dajç dhe 50 ha kënetë në Pentar, zona natyrore shkarkimi pa ndikim në banesa apo toka të punuara.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë evidentuar rreth 120 ha ujëra sipërfaqësore në parcela të pambjella. Në total sipërfaqja e prekur përfshin rreth 470 ha tokë bujqësore dhe kullota.

Hidrovoret janë në gjendje pune me kapacitet të plotë, veçanërisht hidrovori i Çasit, ndërsa kanalet kryesore kulluese janë funksionale dhe në nivele normale.

Rruga e fshatit Obot vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla, ndërsa banesat në brendësi të fshatit nuk kanë prezencë uji.

Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, vijon operacionin në Fshatin Obot njësia administrative Ana e Malit, Bashkia Shkodër, me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, 2 motovarke dhe 15 personel.

Po kryhet transporti i banorëve, ushqimeve për njerëzit dhe çdo nevoje tjetër sipas kërkesave të bashkisë Shkodër.

Lumenjtë Bunë dhe Drin kanë njohur rritje të nivelit me rreth 10–20 cm dhe po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Nuk raportohen banesa me prezencë uji dhe as dëme serioze në infrastrukturë apo në aktivitetet bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.
Bashkite e tjera te Qarkut nuk raportojnë per problematika te tjera serioze.

Prurjet natyrore në kaskadë janë :
– HEC Fierzë 1200m3/s
– HEC Koman 350 m3/s
– HEC Vau i Dejës 100 m3/s

Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë:
•Hec Fierzë 290.8mmnd,
•Hec Koman 172 mmnd,
•Hec Vau Dejës 74.5 mmnd

Prodhimi ditor në të tre HEC-et është :
24,000 MWh (ditor)

Shkarkime :

•Hec Fierzë 0m3/s
•Hec Koman 300m3/s
•Hec Vau Dejës 700 m3/s

/k.s/a.f/

The post Shkodër, hidrovoret në gjendje pune me kapacitet të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Baji: Akset nacionale në qarkun Kukës të qarkullueshme, rënia e gurëve mbetet problem

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Për shkak të reshjeve intensive të shiut rrugët nacionale dhe ato bashkiake në qarkun e Kukësit vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji tha sot për ATSH-në se “pavarësisht motit të keq të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme”.

Sipas tij, nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë.

“Strukturat përkatëse dhe subjektet kontraktore janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë me kapacitet maksimal për të mbajtur funksionale akset rrugore nacionale”, tha Baji.

Prefekti Baji bëri të ditur gjithashtu se i gjithë qarku Kukës furnizohet me energji elektrike, me përjashtim të fshatit Kam njësia administrative Bytyç bashkia Tropojë.

Ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Usjësjellës Kanalizimeve Kukës.

/k.s/a.f/

The post Baji: Akset nacionale në qarkun Kukës të qarkullueshme, rënia e gurëve mbetet problem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Verifikohen dëmet në 5,159 banesa në Durrës, 1,640 raste me akt-konstatim

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Bashkia e Durrësit informoi sot se të gjitha grupet janë duke punuar në terren për menaxhimin dhe përballimin e situatës, ndërkohë që janë evakuuar 851 qytetarë, të cilët janë sistemuar në strukturat akomoduese dhe asistuar sipas nevojave.

Në një njoftim për mediet bashkia e Durrësit theksoi se po ndjek nga afër situatën duke i qëndruar pranë qytetarëve dhe duke i mbështetur ata kudo ku ka problematika.

Sipas bashkisë, në zonat e prekura nga përmbytjet janë shpërndarë 1190 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore dhe fondacione të ndryshme.

Në njësitë administrative Sukth dhe Katund te Ri janë 2000 ha tokë bujqësore të përmbytura, ndërkohë që 613 specialistë janë të angazhuar në terren në detyra të ndryshme.

Hidrovorët e Durrësit po punojnë me kapacitet të plotë.

Bashkia bën të ditur se grupet e punës së bashkisë së Durrësit vijojnë verifikimin e dëmeve nëpër banesa ku deri tani janë verifikuar 5159 banesa, nga të cilat për 1640 raste janë mbajtur aktet përkatëse të konstatimit të dëmeve.

Të gjitha strukturat tona janë në terren në gatishmëri të plotë në ndihmë të qytetarëve.

/k.s/a.f/

The post Verifikohen dëmet në 5,159 banesa në Durrës, 1,640 raste me akt-konstatim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjinari i mbushur me turistë, autoritetet në terren për shërbime dhe rrugë të sigurta

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Drejtuesi Politik i qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku dhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kanë qenë në Gjinar për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës, si dhe për të monitoruar nga terreni masat e marra për përballimin e kushteve të vështira të motit.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat paraprake për pastrimin dhe kriposjen e akseve malore në territorin e bashkisë, të cilat janë mbuluar nga bora.

“Kemi marrë të gjitha masat paraprake për ta bërë të mundur kriposjen e të gjitha akseve malore që janë mbuluar nga bora në bashkinë e Elbasanit, ku edhe këtu në Gjinar vijon hedhja e skories”, u shpreh Llatja.

Ai theksoi se masat nuk kanë qenë të përqendruara vetëm te qarkullimi rrugor, por edhe te siguria e këmbësorëve dhe funksionimi i shërbimeve bazë.

“Edhe në këto ditë në vijim kemi marrë të gjitha masat paraprake, si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët, që të mos kemi probleme”, tha Llatja.

Sipas tij, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren gjatë gjithë natës së kaluar dhe vijojnë të jenë të angazhuar për përballimin e situatës.

“Gjatë gjithë natës së djeshme, por edhe në vijim, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren për t’i bërë ballë situatës, por edhe emergjencave shëndetësore, të cilat i kemi pasur prioritet absolut,” deklaroi kryebashkiaku.

Llatja bëri me dije se paralelisht janë marrë masa për të garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm, duke monitoruar rrjetin dhe duke ndërhyrë për të shmangur problematika nga ngrirja e tubacioneve.

“Doja t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit, si në pallate ashtu edhe në shtëpi private, të jenë të kujdesshëm, pasi si pasojë e uljes së temperaturave mund të ketë ngrirje të tubacioneve”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, Drejtuesi Politik Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë e angazhimit maksimal të të gjitha strukturave në këto kushte atmosferike.

“Në këto momente është e rëndësishme që të gjitha forcat të jenë të angazhuara në krye të detyrës, të jemi gati me fadroma dhe me skorie, me qëllim që të mos kemi probleme në qarkullim”, tha Mazniku.

Ai vuri në dukje se Gjinari, si zonë turistike malore, po përjeton një fluks të lartë vizitorësh gjatë sezonit dimëror.

“Sot në Gjinar nuk ka asnjë dhomë bosh, të gjitha bujtinat dhe dhomat janë të zëna”, u shpreh Mazniku, duke shtuar se kjo e bën edhe më të rëndësishme garantimin e shërbimeve bazë.

Mazniku i bëri thirrje turistëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.

“Turistët që vijnë këtu duhet të jenë të pajisur me zinxhirë, pasi edhe në ditët në vijim pritet të ketë ndryshime të temperaturave, por e rëndësishme është që njerëzit ta shijojnë dëborën”, theksoi Mazniku.

Bashkia Elbasan bën me dije se të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, sigurimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe garantimin e shërbimit shëndetësor për banorët e zonës.

Banorët dhe vizitorët këshillohen të njoftojnë autoritetet për çdo problematikë që mund të hasin gjatë këtyre ditëve me kushte të vështira moti.

/a.f/

The post Gjinari i mbushur me turistë, autoritetet në terren për shërbime dhe rrugë të sigurta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shi dhe borë gjatë natës, vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut duke sjellë rënie gurësh, inertesh dhe prezencë uji në trup të rrugës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se reshje dëbore ka pasur në zonën veriore, në lartësi mbi 1100 m, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë.

Akset që kanë pasur probleme: Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës.

Valare-Erind-Çajup (km 7+600): rrëshqitje aktive, aksi i bllokuar në këtë vend po punohet për hapjen.

Në aksin Korçë-Dardhë (km 9+00) ka shkarje anësore e trupit të rrugës, situata po monitorohet. Në aksin Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit): shkarje masive aktive, zgjerim i çarjes rreth 10 cm. Në rrugën Librazhd-Qafë Thanë: rrëshqitje dherash, pastrimi në proces.

Ndërsa në Skuraj-Peshkopi ka rënie gurësh dhe inertesh, pastrim nga grupet e punës. Në  Dushaj-Lekbibaj: rënie masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit, qarkullimi vijon me kujdes.

Në Shkalla e Zezë (Gjirokastër) ka rrugë njëkalimshme dhe, kërkohet vëmendje e shtuar nga drejtuesit e mjeteve. Në Llogora ka mjegull të dendur.

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

1 nga 3

/k.s/a.f/

The post Shi dhe borë gjatë natës, vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sako: Të dy hidrovorët e Porto Romanos në punë me kapacitet maksimal

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi se të dy hidrovorët e Porto Romanos, i riu dhe i vjetri, po punojnë me kapacitete maksimale.

Në një reagim për mediet, duke i’u përgjigjur akuzave të opozitës Sako tha se nëse hidrovorët nuk do të punonin situata do të ishte më e keqe.

“Shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe akuza nga opozita nëse punojnë apo jo hidrovorët në Durrës, madje deri nëse a ka apo jo hidrovor qyteti, situata e këtyre ditëve të vështira për të gjithë, do të ishte shumë herë më e keqe në rast të mosfunksionimit të tyre. Të dy hidrovorët e Porto Romanos, i riu dhe i vjetri, po punojnë me kapacitete maksimale”, tha Sako.

Drejtori i Ndërmarrjes Rruga, Alion Hysko, që ka në administrim hidrovorët e Porto Romanos, thekson se “hidrovori i ri ka qenë në gatishmëri që nga dita e parë e shirave ka 9 pompa në punë dhe nxjerrë  40-50 m3 ujë për sekondë. Përpara reshjeve niveli i kanalit që sjell prurjet në hidrovior ka qenë me 2.6. me rënien e reshjeve niveli shkoi në 6.5 m lartësi, që do të thotë prurjet dhe intensiteti ka qenë shumë i lartë”.

Reshjet masive të këtyre ditëve në Durrës kanë shkaktuar dëme në banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturë. Ndërkohë që dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë dalë prej dy ditësh në protestë përpara bashkisë së Durrësit ku kanë kërkuar që të merren masa konkrete për të përmirësuar situatën në qytetin bregdetar.

/k.s/a.f/

The post Sako: Të dy hidrovorët e Porto Romanos në punë me kapacitet maksimal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Erëra të forta në Durrës, bashkia apel banorëve të shmangin lëvizjet

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Qyteti i Durrësit sipas parashikimeve meteorologjike pritet të përballet me erëra të forta.

Bashkia e qytetit bregdetar në një njoftim për shtyp u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

“Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Strukturat e bashkisë janë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.

/k.s/a.f/

The post Erëra të forta në Durrës, bashkia apel banorëve të shmangin lëvizjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Reshje me intensitet të lartë në disa qarqe, pritet rritje e prurjeve në lumenj

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencës informoi se pasditen e sotme dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas IGJEO-së, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave, ndërsa në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë sot dhe nesër pritet një rritje e prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman.

Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.

Reshjet e dëborës pritet të përfshijnë sot dhe nesër zonat në veri, lindje dhe juglindje në territor.

Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugore.

/k.s/a.f/

The post IGJEO: Reshje me intensitet të lartë në disa qarqe, pritet rritje e prurjeve në lumenj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌