Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Hiqet moratoriumi për gjuetinë, rregullat dhe zonat ku lejohet aktiviteti

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Moratoriumi për gjuetinë, pas më shumë se një dekade, është hequr, duke lejuar këtë aktivitet në zona të caktuara, sipas rregullave të parashikuara në ligjin e ri të “Për gjuetinë”.

Pas miratimit në Kuvend më 12 dhjetor, ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj siguron mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik të habitateve natyrore të faunës dhe florës së egër gjatë ushtrimit të gjuetisë.

Tashmë ligji mbron të drejtën e gjuetarëve dhe nxit bashkëpunimin midis tyre dhe menaxhuesit të zonës, si dhe mes strukturave të parashikuara në këtë ligj për ruajtjen dhe menaxhimin e faunës së egër dhe të habitatit të saj.

Gjithashtu ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave  për mbrojtjen e faunës së egër dhe ruajtjen e biodiversitetit, ofrimin e mekanizmave për menaxhimin e qëndrueshëm të gjuetisë, duke e vlerësuar faunën e egër si pasuri kombëtare, që administrohet dhe mbrohet me ligj.

Ligji përcakton zonat e gjuetisë, duke përjashtuar specifikisht zonat ku ndalohet veprimtaria e gjuetisë, institucionet përgjegjëse dhe rregullat për monitorimin dhe kontrollin, për të garantuar që gjuetia të zbatohet në mënyrë rigoroze, duke ruajtur tërësinë e ekosistemit dhe baraspeshën ekologjike.

Gjuetia ushtrohet vetëm ndaj individëve të llojeve të faunës së egër, vendase ose migratore, që jetojnë në gjendje të lirë, në kushte natyrore ose gjysmë të egra, si dhe ndaj atyre që janë riprodhuar për t’u gjuajtur në zonat e gjuetisë. Individët e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, miratohen me urdhër të ministrit.
Nuk janë objekt i gjuetisë dhe ndalohet gjuetia ndaj individëve të llojeve të faunës së egër, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare, të faunës së egër që janë të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje dhe që bëjnë pjesë në listën e llojeve të mbrojtura.
Gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore përfshin gjuetinë ose zënien e kafshëve të egra për hulumtime shkencore, për qëllime mësimore në institucionet e arsimit të mesëm e të lartë, si dhe për shumim të kafshëve për gjah.
Institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor mund të realizojnë veprimtari gjuetie për qëllime kërkimore-shkencore vetëm në bashkëpunim me gjuetarë të pajisur me leje të vlefshme gjuetie, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjuetia zhvillohet vetëm në zonat për ushtrimin e gjuetisë që përfshihen në fondin pyjor dhe kullosor jashtë territorit të zonave të mbrojtura, në tokat bujqësore, në sipërfaqet ujore të brendshme, në toka të pafrytshme, të populluara me lloje të faunës së egër, objekt gjuetie, dhe shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore apo private.

Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti.

Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha në zonat fushore dhe jo më të vogla se 1000 ha në zonat malore, ndërsa rezervatet e mbarështimit të llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohen në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë.
Strukturat përgjegjëse për natyrën dhe biodiversitetin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me shoqatat dhe federatat, që operojnë në fushën e gjuetisë, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i propozojnë ministrisë përgjegjëse për gjuetinë zonat e gjuetisë dhe kufijtë.
/k.s/r.e/a.f/

The post Hiqet moratoriumi për gjuetinë, rregullat dhe zonat ku lejohet aktiviteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje të dendura bore në Llogora, Allushi: Dy borëpastruese në terren

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë ditën e sotme në Llogora kanë sjellë edhe bllokimin e rrugës në një pjesë të aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.

Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi tha sot për ATSH-në se “drejtuesit e mjeteve këshillohen të kalojnë nga tuneli i Llogorasë për shkak të reshjeve me intensitet. Në terren ndodhen dy mjete borëpastruese, të cilat po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen hapur të aksit rrugor”.

Sipas saj, në rrugë po hidhet edhe kripë për të krijuar parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes.

Allushi vuri në dukje se po monitoron trafikun në këtë aks rrugor për të shmangur aksidentet e mundshme si dhe duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullim e të përdorin mjetet e nevojshme.

Prania e borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë e bën edhe më tërheqës këtë mjedis pyjor malor.

1 nga 3

/k.s/r.e/a.f/

The post Reshje të dendura bore në Llogora, Allushi: Dy borëpastruese në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Borë në zonat malore të Elbasanit, qarkullimi vetëm me zinxhirë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zonat malore të bashkisë Elbasan gjatë natës janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë.

Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot-Mal dhe Funar.

Sa i përket situatës në akset rrugore, zyra e shtypit e bashkisë Elbasan bën të ditur për ATSH-në se “rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan. Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa kalimi pa zinxhirë nuk do të lejohet”.

Gjithashtu, rruga Elbasan–Funar, si edhe rruga për në Labinot-Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.

Sa i përket reshjeve të shiut, pavarësisht intensitetit të tyre, deri në këto momente nuk janë evidentuar problematika të mëdha në territorin e bashkisë.

Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse.

/k.s/a.f/r.e/

The post Borë në zonat malore të Elbasanit, qarkullimi vetëm me zinxhirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Situata e krijuar për shkak të reshjeve në qarkun e Gjirokastrës po përmirësohet, ndërsa 4 familje janë evakuuar nga banesat e rrezikuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave.

Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Gjirokastër, Edmond Avdalli në një prononcim për mediet tha se po vijon puna për pastrimin e inerteve, ndërsa strukturat në terren po vijojnë punën për pastrimin e akseve dhe monitorimin e situatës.

“Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të pazakonta, ndërsa bashkia e Gjirokastrës gjatë këtyre dy ditëve ka kaluar një situatë të vështirë. Gjatë ditës së djeshme pati vërshime të përrenjve malorë dhe rrëshqitje masive të dherave dhe gurëve, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar përmbytje në disa pallate”, tha Avdalli.

Ai bëri të ditur se në terren kanë qenë forcat bashkiake dhe ato të armatosura, të cilat kanë evakuuar banorët që kishin nevojë.

“Katër banesa janë rrezikuar nga rrëshqitjet e dherave dhe janë evakuuar 4 familje. Në orët e pasdites, intensiteti i reshjeve ka rënë. Aktualisht, në bashki janë të bllokuara 3 akse rurale dhe është kërkuar ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes për asistencë me mjete të rënda”, tha Avdalli.

Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi i Ficos në qytetin e Gjirokastrës doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit.

/k.s/j.p/

The post Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Cara: Grupe pune për evidentimin e dëmeve nga reshjet në Kurbin

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Bashkia e Kurbinit ka ngritur grupet e punës dhe sipas njësive administrative do të vijojnë evidentimin e dëmeve në banesa, blegtori dhe toka bujqësore si pasojë e reshjeve të shiut.
Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara informoi se të gjitha strukturat e emergjencave civile vendore janë në terren për ndërhyrjen me të gjitha mjetet dhe mundësitë.
“Mjetet e rënda kanë punuar në zonat ku problematikat kanë qenë më të mëdha si Gjormë, Zhejë dhe në Skuraj, pasi ka rrëshqitje të tokës në një pjesë të rrugës”, vuri në dukje kryebashkiakja.
Sipas saj, gjatë ditës së sotme nuk ka patur nevojë për evakuime.
Kryebashkiakja Cara theksoi se “gjendja vijon të jetë e rënduar në disa zona të ultësirës së Kurbinit, ku ka prezencë uji në toka bujqësore dhe përreth banesave”.
Gjatë ditëve të fundit për shkak të reshjeve të dendura në Kurbin janë krijuar probleme të konsiderueshme.
/k.s/j.p/

The post Cara: Grupe pune për evidentimin e dëmeve nga reshjet në Kurbin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mersini: Evakuohen 13 familje, niveli i Vjosës 8.6 metra

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.6 metra, duke sjellë evakuimin e 13 familjeve në zonat e rrezikuara në qarkun e Vlorës.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini dhe drejtori i Policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela ndodhen në terren për të monitoruar situatën.

Në një prononcim për mediet Mersini tha se situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra.

“Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, theksoi kryebashkiakja.

“Në një zonë risku kemi 6 familje që në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, tha Mersini.

Drejtori i Policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

“Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, theksoi Çela.

/k.s/j.p/

The post Mersini: Evakuohen 13 familje, niveli i Vjosës 8.6 metra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ekipet shëndetësore pranë banorëve në zonat e prekura nga reshjet në Durrës

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ekipet shëndetësore në Durrës po ofrojnë kujdes shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizitat e mjekëve dhe ekipeve shëndetësore në shërbim të banorëve në zonat e prekura nga moti.

Strukturat shëndetësore në vend kanë marrë masat e nevojshme për të ofruar shërbim gjatë ditëve me mot të keq si në qendrat urbane ashtu edhe në zona më të thella.

Në terren vijon monitorimi i pandërprerë 24/7 i situatës, verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës, sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinimi me autoritetet vendore dhe emergjencat civile, si dhe caktimi i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor.

 

/k.s/j.p/

 

The post Rama: Ekipet shëndetësore pranë banorëve në zonat e prekura nga reshjet në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefektja Duda: Deri në 60 cm ujë në rrugën e Obotit, mjetet e vogla nuk lëvizin lirisht

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Fshati Obot në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër është i aksesueshëm vetëm nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë për shkak të ujërave të mbledhur në rrugë nga reshjet e dendura.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Holta Duda informoi sot nga Oboti ku ndodhej për inspektim se fshati  vijon të jetë i izoluar për shkak të përmbytjeve masive nga reshjet e dendura të shiut.

Në një prononcim për mediet, Duda tha se ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe në gatishmëri të plotë.

Prefektja inspektoi në Obot pikën ku ka pasur ujë të shtuar sidomos orët e fundit.

“Është vlerësuar deri në 60 cm prania e ujit në këtë rrugë që ka bërë të pamundur që mjetet e vogla të lëvizin lirisht”, tha Duda.

Prefektja Duda theksoi se në Obot është dislokuar edhe një mjet i i kalueshmërisë së lartë, si dhe ndodhen dhe Forcat e Armatosura për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

Institucioni i prefektit të qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke mbajtur prioritet sigurinë e qytetarëve.

/k.s/j.p/

The post Prefektja Duda: Deri në 60 cm ujë në rrugën e Obotit, mjetet e vogla nuk lëvizin lirisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Hidrovoret me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në Durrës

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndodhen në terren në Durrës për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Salla tha se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Emergjencat Civile dhe pushtetin vendor është i vazhdueshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe funksionimin normal të infrastrukturës bujqësore.

Ministri Salla bëri të ditur se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në zonat ku është konstatuar prania e tij, ndërsa monitorimi i situatës po vijon në kohë reale. Sipas tij, prioritet mbetet menaxhimi i përmbytjeve në kushtet e reshjeve intensive që kanë prekur zonën.

Monitorimi i situatës do të vijojë edhe në orët dhe ditët në vijim, në varësi të kushteve të motit, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

/k.s/j.p/

The post Salla: Hidrovoret me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Në bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot se në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Reze e Vështit, ka prezencë uji në rrugën e fshatit, ndërsa po vijon pastrimi i kanaleve dhe rregullimi i rrugës pranë Përroit të Thatë në fshatin Kamicë.

Në fshatin Vukpalaj raportohet prezencë uji në një banesë, ndërsa Emergjencat Civile, Shërbimi Zjarrfikës dhe drejtuesit vendorë janë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje apo evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.

Reshjet e shiut në bashkinë Fushë Arrëz vijojnë me intensitet të lartë dhe si rezultat, kanë shkaktuar përkeqësim të situatës në disa rrugë rurale. Në njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali, si pasojë e vërshimit të ujërave në rrugë, kanë shkaktuar dëmtimin e tyre.

Në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit, forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut kanë angazhuar një mjet dhe 3 efektivë në terren. Prania e ujit në rrugë është rreth 40 cm.

Sipas të dhënave të DRUK Lezhë,  lumenjtë Drin, Buna, Kir, Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë rënie të prurjeve dhe të nivelit të ujit, me tendencë në zbritje. Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet rrezik dëmtimi apo përmbytjeje. Hidrovoret e Velipojës, në Vilun dhe Cas, janë në gatishmëri dhe funksionojnë me kapacitet të plotë.

Nga OSHEE Shkodër bëhet me dije se furnizimi me energji elektrike paraqitet në gjendje normale.

Parashikohet ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në zonën e Bushatit, për shkak të punimeve nga OST në linjën 110 kV.

Institucioni i prefektit të qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke mbajtur prioritet sigurinë e qytetarëve.

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krujë, situata nën kontroll pas 24 orë reshjesh shiu

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në territorin e bashkisë Krujë pas 24 orësh reshje shiu të pandërprera situata paraqitet nën kontroll.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi vuri në dukje se deri më tani nuk ka asnjë banesë të përmbytur dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.

Sipas tij, uji është i pranishëm në toka bujqësore, kryesisht në disa fshatra të Njësisë Bubq dhe Thumanë.

Kryebashkiaku Bushi tha se të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Shërbimeve Publike janë në terren dhe në gjendje gatishmërie për çdo situatë të mundshme emergjente.

Sipas parashikimeve meteorologjike 24 orët në vijim priten të jenë me reshje edhe më intensive, ndaj kujdesi do të jetë i shtuar.

Bushi i bën apel banorëve që për çdo situatë urgjente të kontaktojnë autoritetet.

/k.s/j.p

The post Krujë, situata nën kontroll pas 24 orë reshjesh shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Reshjet e shiut në Gjirokastër, qarkullimi i bllokuar në disa akse

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme edhe në Gjirokastër ku shumë rrugë janë të mbushura me ujë dhe qarkullimi është i bllokuar në disa akse.

Autoritetet lokale u bënë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi informoi se në mbrëmje situata u vështirësua më shumë prej reshjeve intensive të shiut që kanë rënë gjithë ditës së sotme e sidomos pasdite.

“Strukturat lokale e qendrore të emergjencave janë në terren dhe ndjekje të situatës për të bërë gjithçka duhet dhe kemi në dorë për të mos pasur pasoja, mbi të gjitha në njerëz e pastaj me radhë dëme të tjera materiale”, tha Golemi.

Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe bashkitë Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Libohovë, Dropull.

/k.s/j.p/

The post Reshjet e shiut në Gjirokastër, qarkullimi i bllokuar në disa akse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në bashkinë Vau i Dejës në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati Përroi i Glinës, por aktualisht vërehet tërheqje e tij dhe përmirësim i situatës.

Prefektura e Shkodrës bën të ditur se “24 orët në vijim janë të rëndësishme për menaxhimin e situatës së krijuar në qark”.

Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve për kujdes të shtuar, veçanërisht në Njësitë Administrative Bërdicë, Dajç, Ana e Malit dhe Guri i Zi si dhe banorëve të zonave pranë rrjedhave ujore dhe territoreve të ekspozuara ndaj përmbytjeve.

Aktualisht nuk raportohen problematika, por monitorimi në terren është i pandërprerë.

Në bashkinë Malësi e Madhe, situata paraqitet e përmirësuar krahasuar me orët e paradites, ndërsa monitorimi vijon nga ekipet e bashkisë. Në bashkinë Vau i Dejës, janë evidentuar problematika si pasojë e daljes nga shtrati të Përroit të Glinës.

Në bashkitë Fushë Arrëz dhe Pukë janë raportuar problematika të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut.

Prefektura Shkodër bën me dije se të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje të menjëhershme, nëse do të jetë e nevojshme.

/k.s/j.p/

The post Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malshi: 2500 ha tokë nën ujë në Lezhë dhe Kurbin, rreth 100 banesa të izoluara

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në bashkinë Lezhë nga përmbytjet e shkaktuara prej reshjeve intensive të shiut ndodhen nën ujë 1 mijë ha sipërfaqe toke ndërsa në bashkinë Kurbin janë nën ujë 1500 ha dhe po ashtu janë rreth 100 banesa të izoluara nga uji.

Prefekti Malshi informoi se në Ishull Lezhë po shihet mundësia për të evakuuar një familje, si dhe do të ndërhyhet me një mjet eskavator nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve për të zhbllokuar kanalin e ujërave të larta të bllokuar nga prurjet e përrenjve.

Në bashkinë Mirditë ka pasur ndërprerje të qarkullimit nga Ura e Zogut në Rubik.

Prefekti i qarkut të Lezhës, Taulant Malshi tha sot për ATSH-në se reshjet e shiut sollën problematika të ndryshme në bashkinë Lezhë, ku ka pasur prezencë uji në oborrin e katër shkollave ndërsa në dy shkolla “Nënë Tereza” dhe “Kosova” është ndërhyrë nga forcat zjarrifikëse, ku është bërë largimi i ujit me pompa dhe është zhvilluar procesit i rregullt mësimor.

Prefekti Malshi u shpreh se në Lagjen “Besëlidhja” situata ishte e agravuar si shkak i  dendësisë së reshjeve gjatë ditës, ka prezencë uji dhe po punohet nga forcat e Drejtorisë së Shërbimeve për zhbllokimin e pusetave.

Sipas tij, në orët mbrëmjes është stabilizuar qarkullimi në aksin Kryqëzimi i Patokut-Laç.

“Të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo lloj situate që mund të krijohet si rezultat i reshjeve që priten”, tha Malshi.

Në  terren janë të gjitha ekipet dhe forcat e Njësive Vendore dhe zv/kryetarët, drejtori i Bujqësisë, Drejtoria e Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit me mjete e nevojshme, Drejtoria e Shërbimeve, Drejtoria e EC, Policia Bashkiake.

Gjatë ditës së sotme ka pasur reshje me intensitet të lartë, ku si rezultat ka pasur fryrje të përrenjve malor dhe lumenjve. Në qytetin e Rrëshenit është ndërhyrë nga Drejtoria Shërbimeve dhe Shërbimi MZSH për pastrimin e pusetave kulluese pranë hyrjeve të pallateve dhe bizneseve. Nuk ka pasur prezence uji ne banesa apo biznese.

Ne segmentin Ura e Zogut – Rubik, Km 4+100, ka patur një bllokim të përkohshëm si rezultat i rënies se pasivit të gurëve në rrugë, ku ka ndërhyrë firma mirëmbajtëse për pastrimin e saj, situate është normalizuar.

Nga komunikimet me përfaqësuesit e H/C Qafmolla deri në këto momente nuk ka pasur shkarkime, por në ditët në vazhdim në varësi të prurjeve të Fanit do shikohet mundësia e shkarkimit nga 50-100 m³/s.

Nga DRUK raportohet se për shkak të reshjeve të shumta mbi 140mm ka situatë të rënduar. Kështu, niveli i lumenjve lumi Drin është në kuota maksimale, lumi Mat dhe Drojë janë poshtë kuotave kritike dhe nuk paraqesin problem.

Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë por për shkak te reshjeve të shumta prej 4 ditësh kuotat në kolektorë jane të larta dhe ka sipërfaqe nën ujë .

Ka pasur ndërprerje te energjisë elektrike për rreth 10 minuta ne hidrovoret Tale Gryk Zezë, Droj dhe Shellinza.

/k.s/j.p/

The post Malshi: 2500 ha tokë nën ujë në Lezhë dhe Kurbin, rreth 100 banesa të izoluara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

15 grupe nisin verifikimin e dëmeve nga përmbytjet në Durrës

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Bashkia e Durrësit ka ngritur grupe me specialistë për të verifikuar dëmet e shkaktuara në banesa nga situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako theksoi se “15 grupet e ngritura shkojnë në çdo shtëpi ku ka depërtuar uji për të bërë sa më shpejt vlerësimin e dëmeve”.

Sako u shpreh se të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblimin përkatës.

Qyteti i Durrësi u përfshi mesditën e sotme nga reshjet e dendura të shiut, duke shkaktuar përmbytje në disa banesa dhe zona të ndryshme. Aktualisht në Durrës janë angazhuar 23 efektivë dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile, me 7 motopompa në operacion, prej të cilave 4 me kapacitet të lartë për largimin e ujit dhe menaxhimin e situatës.

/k.s/j.p/

The post 15 grupe nisin verifikimin e dëmeve nga përmbytjet në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mbi 17.4% më shumë plazhe publike sezonin e kaluar veror

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 2025.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vuri sot në dukje se krahasuar me vitin 2024, plazhet publike janë rritur me +17.4%, duke shtuar mbi 1.1 milion m² sipërfaqe të aksesueshme për qytetarët.

“Numri i parcelave publike ka kaluar nga 523 në 1014, ose +94% më shumë në sezonin turistik 2025, një tregues i qartë i orientimit drejt një turizmi më gjithëpërfshirës dhe të balancuar”, tha Gonxhja.

Me rregulloren e re të menaxhimit të stacioneve të plazhit gjatë vitit që lamë pas u riorganizuan hapësirat e plazheve me prioritet ato publike.

Kjo rregullore bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh gjatë 2025 kishte 300 metër plazh publik.

Rregullorja përmbante gjithashtu një përcaktim të saktë të zonave ku ushtronin veprimtarinë e tyre subjektet të cilat përmbushnin kushtet ligjore si stacion plazhi, hapësirat për plazhe publike, hapësirat ujore të lejuara për notim, vendqëndrimet për mjetet lundruese dhe korridoret e lëvizjes së tyre.

 

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Mbi 17.4% më shumë plazhe publike sezonin e kaluar veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trageti Vlorë-Brindisi nuk ankorohet në port për shkak të erës së fortë

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk ka mundur të ankorohet mesditën e sotme për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme dhe erës së fortë që ka përfshirë gjirin e qytetit bregdetar.

Kapiteneria e Portit të Vlorës bëri të ditur për ATSH-në se “trageti nuk ka mundur të ankorohet, pasi ekziston rreziku i përplasjes me kalatën. Janë rreth 800 pasagjerë dhe 150 automjete që kanë prenotuar për të udhëtuar ditën e sotme, por nisja e tyre është pezulluar për arsye sigurie”.

Sipas Kapitenerisë, sapo të përmirësohen kushtet hidrometeorologjike detare trageti do të tentojë të akostohet në portin e Vlorës për të filluar procesin e imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve të ndryshme.

Mësohet se për momentin trageti po qëndron në radë, ndërsa anijet e vogla janë të akostuara në Triport.

Më herët Kapiteneria e Portit të Vlorës informoi se deri më 7 janar për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erës është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

1 nga 5

/k.s/r.e/a.f/

The post Trageti Vlorë-Brindisi nuk ankorohet në port për shkak të erës së fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, po punohet për pastrimin e rrugëve nga inertet në qarkun Kukës

TIRANË, 5 janar /ATSH/ I gjithë territori i qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar shoqëruar me erë.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Dritan Baji bëri të ditur sot për ATSH-në se “si rezultat i kushteve të motit disa akse rrugore nacionale kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve, këto më të theksuara në akset rrugore nacionale Tropojë”.

Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në ato segmente ku janë shfaqur problematika.

Sipas tij, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Baji tha se “nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente”.

Ndërkohë që i gjithë qarku furnizohet me energji elektrike përveç fshatrave Pla, Shullan,  Gjonaj, Shëngjergj, Lëkurtaj në njësinë administrative Fierzë dhe njësinë administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë.

Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.

/k.s/r.e/a.f/

The post Moti i keq, po punohet për pastrimin e rrugëve nga inertet në qarkun Kukës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Vlorë

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe era e fortë kanë bërë      që të pezullohen lundrimet e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.

Kapiteneria e Portit të Vlorës bër të ditur për ATSH-në se “në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, është ndaluar pajisja me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur”.

Sipas Kapitenerisë, drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike detare dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, theksoi Kapiteneria.

Ndërkohë që anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 7 janar.

/k.s/a.f/r.e/

The post Moti i keq, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, një nga tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nis

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Autoriteti Portual Durrës informoi sot se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë mbrëmjes së datës 4 janar 2026, një nga dy tragetet e planifikuara për lundrim drejt Barit nuk arriti të niset.

Sipas APD-së, udhëtarët e prekur nga kjo situatë janë asistuar nga kompanitë përkatëse, të cilat kanë marrë masat për ridrejtimin e tyre me nisjet pasuese.

Situata aktuale e lëvizjes së trageteve për ditën e sotme është si më poshtë:

Trageti “Rigel VII” mbërrin në Portin e Durrësit në orën 11:00 dhe do të niset në orën 13:00.

Trageti “Rigel V” pritet të mbërrijë rreth orës 15:00 dhe do të niset rreth orës 23:00.

Trageti “Rigel III” parashikohet të mbërrijë rreth orës 21:00 dhe do të niset pas mesnatës.

“GNV Cristal” është planifikuar të niset në orën 23:00.

Autoriteti Portual Durrës vijon të monitorojë me vëmendje situatën meteorologjike dhe lëvizjen e mjeteve detare, në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë lundruese dhe autoritetet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së operacioneve portuale.

/k.s/r.e/a.f/

The post Moti i keq, një nga tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌