Rama: Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje për të pritur turistët
TIRANË, 3 janar /ATSH/Llixhat e Bënjës, një nga pikat turistike më të vizituara në Përmet i janë nënshtruar një procesi rikualifikimi, që pritet të përfundojë në mars të këtij viti.
Punimet që po kryhen synojnë përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik si dhe për të krijuar një atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga punimet që po kryhen në këtë pikë turistike që tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit.
“Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje e kushte, për të pritur me temena vizitorët e turistët e shumtë në natyrën e tyre magjepsëse”, shkruan Rama
Projekti për rehabilitimin e llixhave përfshin ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe hapësirat përreth, duke synuar krijimin e një zone të integruar turistike me standarde bashkëkohore.
Ky projekt është i ndarë në disa zona të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale dhe artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.
Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe llixhat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës.
E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26- 32°C. Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës.
Përmeti është një mundësi më shumë për turistët, që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.
/a.f/
The post Rama: Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje për të pritur turistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.