Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e memorialit përkujtimor “Adem Jashari”

28 January 2026 at 12:24


Komuna e Prishtinës ka shpallur konkurs publik për projektimin e një memoriali përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij, me një buxhet të parashikuar prej 150 mijë eurosh.

Memoriali ka për qëllim të përjetësojë kontributin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari, një simbol i lirisë.

Rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, bashkë me 58 anëtarë të familjes së tij, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, mbetet një ngjarje historike e jashtëzakonshme për idealin e lirisë.

Sipas konceptit të konkursit, memoriali do të vendoset në një hapësirë publike në kryeqytet, me qëllim që kjo sakrificë të integrohet në jetën urbane dhe të shërbejë si një pikë reflektimi dhe përkujtimi për qytetarët.

Lokacioni i parashikuar për ndërtimin e memorialit është në qendër të Prishtinës, mes ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Gurit.

Memoriali do të jetë pjesë e projektit urban për ndërlidhjen e shëtitores ekzistuese që përfundon në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe vazhdon drejt pjesës së vjetër të qytetit, përmes një nënkalimi në rrugën “Agim Ramadani”.

Rruga “Agim Ramadani” planifikohet të bëhet nëntokësore, ndërsa sipër saj do të krijohet një pllato për këmbësorë, ku do të vendoset memoriali dhe hapësira përreth tij, e cila është edhe objekti i konkursit për dizajn urban. /Telegrafi/

I shpëtohet jeta 37-vjeçares në Spitalin e Mitrovicës pas ndërhyrjes emergjente

28 January 2026 at 12:16


Një 37-vjeçare nga Mitrovica i është shpëtuar jeta falë ndërhyrjes emergjente të stafit të Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri”.

Pacientja B. SH. (1988) u paraqit në Shërbimin Emergjent në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me parametra vitalë minimalë, vetëdije të çrregulluar dhe shenja të shokut hemorragjik për shkak të humbjes së madhe të gjakut.

Pas ekzaminimeve laboratorike dhe ultrasonografike, u diagnostikua një shtatzëni ektopike cornuale, një rast i rrallë që paraqitet në 2–4% të shtatzënive jashtë mitrës, i shoqëruar me gjakderdhje masive dhe rrezik të lartë për jetën e pacientes.

Falë reagimit të shpejtë dhe koordinuar të stafit të Shërbimit Emergjent, në bashkëpunim me ekipin e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Anestezionit dhe shërbimet mbështetëse, u krye një laparotomi urgjente, e cila rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetës së pacientes.

Ky rast tregon përkushtimin profesional, koordinimin multidisiplinar dhe kapacitetin e stafit të spitalit për menaxhimin e rasteve më komplekse, duke shpëtuar jetë dhe duke dëshmuar gatishmërinë e personelit mjekësor në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/



Situata në rrugët e Obiliqit pas rrëshqitjes së dheut

28 January 2026 at 11:46


Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Obiliqit, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, ka realizuar intervenimin për largimin e dheut që kishte rrëshqitur në rrugë si pasojë e reshjeve të fundit.

Gjatë punimeve, është bërë edhe trajtimi dhe pastrimi i plotë i rrugës “Hasan Prishtina”, me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, si dhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.

Komuna e Obiliqit ka falënderuar të gjithë aktorët e përfshirë për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin korrekt, duke theksuar rëndësinë e veprimeve të koordinuara për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/


Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

28 January 2026 at 11:07


Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, ka pritur në takim vëllezërit Gjin dhe Lum Rrahmani, nxënës të dalluar që kanë përfaqësuar vendin tonë në gara ndërkombëtare.

Vëllezërit Rrahmani morën pjesë nga 10–16 janar në garat “Neo Science” dhe “Coding Olympiad”, të mbajtura në Orlando, Florida, SHBA, ku arritën rezultate të jashtëzakonshme:

Medalje e artë (vendi i parë) në Inteligjencë Artificiale – Gjin dhe Lum Rrahmani;

Medalje e artë “Best of the Best” në Biologji – Gjin Rrahmani;

Medalje e bronztë (vendi i tretë) në Matematikë – Gjin dhe Lum Rrahmani;

Gjin dhe Lum Rrahmani kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, SHBA dhe Malajzi, duke fituar çmime dhe medalje të arta në matematika, shkencë, kodim, inteligjencë artificiale dhe gjuhë angleze.

Komuna e Fushë Kosovës i ka vlerësuar lart këto arritje dhe shpreh mbështetje për sukseset e të rinjve, të cilët me përkushtim dhe dije po e përfaqësojnë denjësisht komunën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/


Inspektohet deponia e mbeturinave në Koshtovë dhe identifikohen deponi ilegale

28 January 2026 at 10:54


Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve në Komunën e Mitrovicës, Arjeta Beqiri Hyseni, ka realizuar një inspektim në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë, me qëllim të vlerësimit të gjendjes aktuale dhe funksionimit të saj.

Gjatë vizitës, drejtoresha u informua lidhur me gjendjen e përgjithshme të deponisë, funksionimin e sistemit të ajrimit, si dhe sfidat që po paraqiten në menaxhimin e këtij lokacioni.

Po ashtu, ajo inspektoi disa pika të deponive ilegale në fshatrat Vinarc dhe Koshtovë, ku theksoi nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe për një angazhim të përbashkët institucional, me qëllim të pastrimit të lokacioneve dhe parandalimit të krijimit të deponive të reja ilegale.

“Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve mbetet e përkushtuar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët”, ka deklaruar drejtoresha Arjeta Beqiri Hyseni. /Telegrafi/


Fshati Dedaj i Prizrenit mbetet pa ujë

28 January 2026 at 10:26


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se si pasojë e një intervenimi teknik në pusetën e ujëmatësit kryesor në fshatin Dedaj, Njësia Prizren, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit, ndërprerja do të prekë të gjithë konsumatorët e fshatit Dedaj dhe do të zgjasë deri në riparimin e plotë të defektit.

Nga KRU “Gjakova” u kërkohet mirëkuptim qytetarëve të prekur nga kjo ndërprerje, duke theksuar se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë. /Telegrafi/


Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

28 January 2026 at 10:19


Drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Ramadan Beshiri, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Personave të Pagjetur në Mitrovicë dhe zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZHK), me qëllim të koordinimit të veprimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Krime Lufte, si dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët prezantuan informacione lidhur me procedurat aktuale të identifikimit.

Gjatë takimit, drejtori Beshiri njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostra gjaku nga familjarët, me qëllim të identifikimit dhe krahasimit me mbetjet mortore që ndodhen në morg.

Po ashtu, u bë e ditur se sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Mitrovicës figurojnë 104 persona të pagjetur, ndërsa në nivel të Kosovës numri i personave të zhdukur arrin në 1,571.

“Bashkëndjejmë dhimbjen dhe shpresën me familjet e personave të pagjetur”, ka theksuar drejtori Beshiri, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të fatit të tyre. /Telegrafi/

Nis programi për prindërit e rinj në Mitrovicë

28 January 2026 at 08:46


Drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë ka njoftuar për fillimin e programit “Klasat për Nëna dhe Grupet për Prindrim (0–3 vjeç)”, i cili do të mbahet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, programi është konceptuar si mbështetje e drejtpërdrejtë dhe profesionale për nënat dhe baballarët gjatë viteve të para të jetës së fëmijës, një periudhë që konsiderohet ndër më të rëndësishmet dhe më sfidueset për zhvillimin e tij.

Këto klasa udhëhiqen nga profesioniste shëndetësore të përkushtuara, përfshirë infektologen Albulena Ramadani dhe maminë Fatmire Azemi, të cilat do të ofrojnë informata të sigurta dhe të bazuara në praktika mjekësore dhe evidencë shkencore.

Në kuadër të programit, prindërit do të kenë mundësi të marrin udhëzime të qarta për kujdesin ditor, ushqyerjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, si dhe mbështetje emocionale, duke krijuar një hapësirë për pyetje, ndarje përvojash dhe diskutime të hapura.

Nga Drejtoria e Shëndetësisë theksohet se, në një kohë kur informacionet në internet dhe rrjetet sociale janë shpesh kontradiktore ose të pasakta, këto klasa synojnë të ofrojnë dije të besueshme dhe profesionale, të ndërtuara mbi përvojë dhe kujdes të vazhdueshëm për familjen.

Autoritetet shëndetësore ftojnë prindërit që të bëhen pjesë e këtij programi, duke theksuar se prindërimi i informuar kontribuon në rritjen e fëmijëve më të shëndetshëm dhe në ndërtimin e familjeve më të forta. /Telegrafi/


Fillojnë hetimet për vdekjen e nxënësit që ra në lumin e Gadimes

28 January 2026 at 08:38


Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e nxënësit që ra në lumin e Gadimes në Lipjan.

Sipas raportit 24-orësh, rasti është iniciuar më 27 janar 2026, pasi policia ka pranuar informacion se viktima nuk ishte kthyer në shtëpi.

Me fillimin e kërkimeve, nxënësi është gjetur në lum nga një dëshmitar mashkull kosovar.

"Lidhur me rastin, pas pranimit të një informate se viktima mashkull kosovar nuk është kthyer në shtëpi, ka filluar kërkimi i tij me ç’rast nga dëshmitari mashkull kosovar i njëjti është gjetur në lum", thuhet fillimisht në raport, përcjell Telegrafi.

"Viktima me autoambulancë është transportuar në QKUK-Prishtinë, ku më pas ka ndërruar jetë".

"Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar", përfundon njoftimi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes. /Telegrafi/

“God Bless America” trazon publikun në natën e katërt të festivalit “Talia e Flakës 2026” në Gjilan

28 January 2026 at 08:32


Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2026” ka vijuar në Gjilan me natën e katërt të programit, ku u shfaq drama “God Bless America” me tekst dhe regji të Fatos Berishës, e prezantuar jashtë konkurrencës.

Edhe pse shfaqja kishte pasur repriza të mëhershme, salla ishte e mbushur, duke dëshmuar interesimin e madh të publikut për këtë realizim skenik. Vepra rrëfen historinë e katër shokëve të cilët, pas një trajnimi nga një menaxher biznesi dhe udhëzimeve nga kisha, nisen nëpër shtete të Amerikës për të shitur Bibla dhe materiale religjioze. Rrugëtimi i tyre shoqërohet me situata komike dhe dramatike, ku dështimet e njëpasnjëshme, të kushtëzuara nga bindjet fetare, qëndrimet e bashkëshortes apo rrethanat shoqërore, ndërtojnë kulmin dramaturgjik të shfaqjes.

Në epilog, një akt spontan solidarizimi gjatë një udhëtimi personal shpalos ironinë e fatit dhe përcjell mesazhin se kuptimi njerëzor shpesh shfaqet përtej interesit material dhe kalkulimeve pragmatike.

Ekipi i aktorëve, falë përvojës së tyre profesionale, ka ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me publikun, duke e ngritur nivelin interpretativ të shfaqjes. Në këtë realizim skenik interpretuan Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Ali Demi, Aurita Agushi, Alban Shahiqi, Artan Selimi, Bashkim Nexhipi, Safete Mustafa-Baftiu, Mejreme Berisha, Tringa Hasani dhe Florent Salihu.

Edhe në këtë natë nuk mungoi prania e zyrtarëve institucionalë, përfshirë kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi – Kqiku. Gjatë ditëve të kaluara, festivalin e kanë vizituar edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, në mesin e tyre ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, duke konfirmuar mbështetjen institucionale për këtë manifestim kulturor.

Nata përmbyllëse e “Talia e Flakës 2026” mbahet më 28 janar, kur publiku do të ndjekë shfaqjen “Gërrdia” nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autorësi dhe regji të Astrit Kabashit. Në skenë do të interpretojnë Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena, me skenografi nga Arben Shala, kostumografi nga Yllka Brada dhe muzikë nga Memli Kelmendi.

Programi i manifestimit “Flaka e janarit 2026” vijon më 29 janar me “Yjet e Flakës”, festivalin e këngëve për fëmijë dhe koncertin kushtuar këngëve të Jusuf Gërvallës, ndërsa më 30 janar mbahet “Fest Flaka”, festivali i këngës shqipe. Aktivitetet letrare dhe enigmatike janë paraparë për 31 janar, ndërsa manifestimi përmbyllet me Gala Mbrëmjen, ku do të shpallen fituesit në të gjitha kategoritë artistike dhe krijuese. /Telegrafi/


Yesterday — 27 January 2026Main stream

Komuna e Kaçanikut njofton për regjistrimin e detyrueshëm të përfituesve të subvencioneve në SIMFK

27 January 2026 at 15:48


Komuna e Kaçanikut njofton të gjithë qytetarët që përfitojnë subvencione dhe mbështetje financiare nga Komuna, përfshirë nenat lehona sipas vendimeve për ndarjen e mjeteve financiare, se Thesari i Republikës së Kosovës ka funksionalizuar shërbimin digjital për regjistrimin e përfituesve përmes platformës shtetërore e-Kosova.

Në këtë kuadër, të gjithë përfituesit janë të obliguar të regjistrohen në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK), shërbim që ofrohet në platformën e-Kosova nën ikonën e Thesarit.

Komuna njofton se:

  • Regjistrimi në SIMFK është i detyrueshëm për të gjithë përfituesit që realizojnë pagesa përmes Thesarit, përfshirë pagesat e subvencioneve dhe transfereve nga Komuna.
  • Thesari nuk pranon më regjistrime manuale; çdo përfitues duhet të aprovohet ekskluzivisht përmes platformës e-Kosova.
  • Pagesa e subvencionit nuk mund të ekzekutohet nëse përfituesi nuk është i regjistruar dhe i aprovuar në SIMFK.
  • Të dhënat e llogarisë bankare duhet të jenë të sakta dhe të përditësuara, për të shmangur vonesa në ekzekutimin e pagesave.

Komuna e Kaçanikut fton të gjithë përfituesit që të kryejnë regjistrimin në kohë dhe me të dhëna të sakta, për të siguruar realizimin pa pengesa të pagesave përmes Thesarit të Republikës së Kosovës.

Udhëzues dhe më shumë informata: https://mfpt.rks-gov.net/Thesari/Page/41. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

27 January 2026 at 15:34


Komuna e Kamenicës njofton se Qendra për Aftësim Profesional – QAP Gjilan, në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës / MFPT, ofron kurse profesionale intensive, të certifikuara dhe falas, të përshtatura sipas kërkesave të tregut të punës.

Pjesëmarrësve u mundësohet:

  • Pjesëmarrje pa pagesë
  • Pjesëmarrje për persona të papunë
  • Mundësi reale për integrim në tregun e punës

Regjistrimi mund të bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit përkatëse. /Telegrafi/


KRU “Hidrodrini” nis aksion për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj në Istog

27 January 2026 at 15:18


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” njofton se Njësia Operative në Istog, në bashkëpunim me inspektorët rajonalë të kompanisë, ka ndërmarrë një aksion për shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve me obligime të papaguara.

Sipas njoftimit, aksioni po realizohet nga inspektorët rajonalë, të mbështetur edhe nga stafi i Njësisë Operative përkatëse, ndërsa pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Nga KRU “Hidrodrini” u bëhet thirrje të gjithë konsumatorëve borxhlinj që t’i përgjigjen shlyerjes së obligimeve financiare ndaj kompanisë, me qëllim të shmangies së masave të mëtejshme administrative. /Telegrafi/


KRU “Hidroregjioni Jugor” ndërhyn me sukses në rrjetin e kanalizimit në Dragash

27 January 2026 at 15:13


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njofton se ekipet e Njësisë së Dragashit kanë realizuar një intervenim në debllokimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të ndotura në qendrën e qytetit.

Sipas njoftimit, pas vlerësimit se bëhej fjalë për një defekt më të madh, i cili kishte bllokuar kolektorin kryesor të qendrës së Dragashit, në ndihmë janë angazhuar edhe ekipet e mirëmbajtjes së sistemit të ujërave të ndotura nga Prizreni.

Ndërhyrja është përmbyllur me sukses, duke mundësuar rikthimin e funksionimit normal të rrjetit të kanalizimit dhe parandalimin e problemeve të mëtejshme për qytetarët dhe mjedisin.

Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se ekipet e kompanisë mbeten të përkushtuara për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe reagim të shpejtë ndaj çdo situate. /Telegrafi/


NPL “Kastrioti” me apel për qytetarët për ruajtjen e pastërtisë në Obiliq

27 January 2026 at 15:06


Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” njofton se punëtorët e operativës nisin punën çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit, duke u angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe shesheve publike.

Sipas njoftimit, përmes këtij angazhimi të vazhdueshëm synohet krijimi i një ambienti më të pastër, më të rregullt dhe më tërheqës për qytetarët.

Nga NPL “Kastrioti” u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes në hedhjen e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së mjedisit të përbashkët, duke respektuar rregullat dhe standardet e pastrimit urban. /Telegrafi/


Arrestimi i zyrtarëve në Komunën e Prishtinës - Prokuroria Themelore del me detaje

27 January 2026 at 13:38


Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime Ekonomike, ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas komunikatës për media, aksioni është realizuar më 27 janar 2026, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke zbatuar masa të veçanta hetimore.

Gjatë zbatimit të këtyre masave janë shoqëruar tre persona, ndërsa një zyrtar i Komunës së Prishtinës, me inicialet A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale marrje e ryshfetit, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, arrestimi në flagrancë ka ndodhur me dyshimin se zyrtari i arrestuar kishte kërkuar apo pranuar ryshfet me qëllim që ta ndihmonte të dëmtuarin në realizimin e një pagese për punë që, sipas kontratës, tashmë ishin kryer për komunën.

Rasti është iniciuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 dhe marrja e ryshfetit nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, duke theksuar përkushtimin institucional në luftimin e kësaj dukurie. /Telegrafi/


Arrestimi i tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për ryshfet, Rama: Askush mbi ligjin

27 January 2026 at 13:29


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas arrestimit të disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, duke riafirmuar përkushtimin e Kryeqytetit ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.

“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se, në lidhje me arrestimin e zyrtarëve komunalë, institucionet e Kryeqytetit do të veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet demokratike.

“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, Prishtina mbetet e hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural nga institucionet e drejtësisë.

“Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryetari.

Në fund të reagimit të tij, Rama ka theksuar se parimi i barazisë para ligjit mbetet i panegociueshëm.

“Askush mbi ligjin”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës për ryshfet, njëri kapet në flagrancë

27 January 2026 at 12:52


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, ku njëri prej tyre është zënë në flagrancë.

“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës për marrje të ryshfetit, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka bërë të ditur se aksioni është ndërmarrë pas hetimeve të fshehta që janë zhvilluar së fundmi, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore ndaj të gjithë të përfshirëve do të vazhdojnë. /Telegrafi/

KRM “Ambienti” njofton bizneset për detyrimet e papaguara

27 January 2026 at 11:57


Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti” ka dërguar vërejtje me shkrim për bizneset që kanë detyrime të papaguara ndaj kompanisë, duke i rikujtuar ata për përmbushjen e obligimeve financiare në përputhje me rregulloret dhe marrëveshjet në fuqi.

Sipas njoftimit, bizneset që janë paralajmëruar ftohen të paguajnë detyrimet e tyre brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangen masa të mëtejshme nga ana e Kompanisë “Ambienti”.

Ky veprim synon sigurimin e respektimit të obligimeve financiare dhe garantimin e funksionimit të rregullt të shërbimeve komunale. /Telegrafi/


Situata në Viti pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës

27 January 2026 at 11:45


Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, situata në Komunën e Vitisë paraqitet stabile dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme, megjithëse autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në disa segmente të rrugëve, veçanërisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc.

U.d. i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet vazhdimisht në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e drejtorisë, po ndërmerr masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

“Intervenimi është kryer edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ndodhur shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga është e qarkullueshme dhe situata është nën kontroll”, ka theksuar Haziri.

Autoritetet komunale bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku uji ka depërtuar në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo situatë eventuale. /Telegrafi/


❌
❌