FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla
STOKHOLM, 29 janar /ATSH-AFP / -Suedia planifikon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme për të siguruar që fëmijët të përqendrohen në mësim gjatë orës së mësimit, njoftoi qeveria.
Ky ndalim do të thotë se nxënësit deri në klasën e nëntë ose të moshës 15–16 vjeç, do t’i dorëzojnë telefonat e tyre në mëngjes dhe do t’i marrin përsëri në fund të mbarimit të mësimit.
“Sipas studimeve, nxënësit suedezë shpërqendrohen nga mjetet digjitale gjatë klasës më shumë se sa mesatarja e nxënësve në vendet të tjera të Evropës”, tha qeveria në një deklaratë. “Prandaj qeveria propozon një ndalim të telefonave celularë gjatë gjithë ditës së shkollës”, shton deklarata.
“Rreth 80 për qind e shkollave fillore dhe të mesme suedeze tashmë kanë ndalime për përdorimin e telefonave celularë brenda klasës, të vendosura sipas vullnetit të drejtorëve”, sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT.
Ministrja e Arsimit, Simona Mohamsson, tha në një konferencë për shtyp se një ndalim kombëtar është i nevojshëm për të siguruar që të gjitha shkollat të jenë zona pa telefona celularë.
“Kjo do të ulë shpërqendrimet në klasë”, tha ajo, duke e përshkruar si “një fitore për mësimdhënien dhe shëndetin mendor”.
Nëse miratohet nga parlamenti, ndalimi do të hyjë në fuqi në fillim të semestrit të vjeshtës në gusht 2026./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.