NUUK – Një kontigjent ushtarak evropian mbërrin në Groenlandë mes polemikave mbi të ardhmen e Artikut
NUUK, 15 janar /ATSH/ – Një kontingjent ushtarak francez me 15 trupa ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa edhe disa shtete evropiane kanë dërguar ushtarë atje si pjesë e një misioni, shkruan BBC.
Vendosja, e cila do të përfshijë gjithashtu personel nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të ushtrojë presion mbi pretendimin e tij për ishullin Arktik, i cili është një pjesë e Danimarkës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se kontingjenti fillestar do të përforcohej së shpejti me “asete tokësore, ajrore dhe detare”.
Diplomati i lartë Olivier Poivre d’Arvor e pa misionin si dërgimin e një sinjali të fortë politik: “Ky është një ushtrim i parë… ne do t’u tregojmë SHBA-ve se NATO është e pranishme atje”.
Lëvizja e personelit ushtarak vjen pasi ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës udhëtuan për në Uashington për një takim me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance ditën e djeshme.
Pas takimit, Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se ndërsa bisedimet ishin konstruktive, mbeti një “mosmarrëveshje themelore midis dy palëve dhe kritikoi përpjekjen e Trump për të blerë Groenlandën’’.
Ndërkohë, Trump e dyfishoi përpjekjen e tij për ta vënë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale: “Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”.
Edhe pse nuk e përjashtoi përdorimin e forcës, ai tha se ‘’mendonte se diçka mund të zgjidhet me Danimarkën’’.
“Problemi është se nuk ka asgjë që Danimarka mund të bëjë në lidhje me këtë nëse Rusia ose Kina duan të pushtojnë Groenlandën, por ka gjithçka që mund të bëjmë. Ju e zbuluat këtë javën e kaluar me Venezuelën”, theksoi ai.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia nuk po planifikonte t’i bashkohej vendosjes ushtarake evropiane në Groenlandë, por paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane atje “do të ishte një katastrofë politike”.
“Një konflikt ose përpjekje për aneksim të territorit të një anëtari të NATO-s nga një anëtar tjetër i NATO-s do të ishte fundi i botës siç e njohim ne – dhe që për shumë vite garantonte sigurinë tonë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, ambasada e Rusisë në Belgjikë shprehu “shqetësim serioz” për atë që po zhvillohej në Arktik, duke akuzuar NATO-n për ndërtimin e një pranie ushtarake atje “nën pretekstin e rremë të një kërcënimi në rritje nga Moska dhe Pekini”.
Gjermania dërgoi sot një aeroplan transporti A400M në Nuuk me një kontingjent prej 13 ushtarësh, megjithëse zyrtarët thanë se ata do të qëndronin në Grenlandë vetëm deri të shtunën. /os/
The post NUUK – Një kontigjent ushtarak evropian mbërrin në Groenlandë mes polemikave mbi të ardhmen e Artikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.