Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 7 January 2026Main stream

Vengu: Në Kurbin, 50 qytetarë të evakuuar nga situata e reshjeve

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndodhet në Vlorë në monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e dendura.

Në një intervistë për mediet, Vengu bëri të ditur se në Kurbin janë evakuuar 8 familje dhe 50 qytetarë për shkak të situatës së krijuar.

“Në Kurbin kemi 8 familje dhe 50 qytetarë të cilët janë evakuuar dhe akomoduar”, tha ai.

Vengu theksoi se grupet e bashkisë dhe emergjencave civile pas konstatimit të dëmeve, do të kryejnë dëmshpërblimin e banorëve për shtëpitë, blegtorinë dhe bletarinë, sipas detyrimeve ligjore.

“Për sa i përket evidencave për bagëtinë dhe gjënë e gjalle është herët ta themi, sepse duhet të bëjmë verifikimet e duhura”, vuri në dukje ai.

“Grupet e konstatimit të dëmeve nga bashkitë dhe Emergjencat Civile sapo të tejkalohet situata e emergjencës dhe patjetër këto dëmshpërblehen për sa i përket banesave, blegtorisë dhe bletarisë, këto janë tre zëra që ligji parashikon, ku ne mund të veprojmë menjëherë me dëmshpërblimet, siç e kemi bërë në fund të vitit të kaluar me dëmshpërblimin e zjarreve, do të vijojmë ta bëjmë dhe për të gjithë ciklin e përmbytjeve, janë instrumentet financiarë për të bërë”, tha ministri i Mbrojtjes.

“Dhe patjetër që të gjitha banesat e dëmtuara në momentin që konstatohen në procesverbale evidentohen dhe financohen. Ky është cikli që ndjekin dhe nuk ka arsye pse të bëjë përjashtim dhe kjo situatë aktuale”, tha ai.

/m.q/j.p/

The post Vengu: Në Kurbin, 50 qytetarë të evakuuar nga situata e reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bylykbashi: Fajin për përmbytjet në Durrës e ka korrupsioni

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, njëkohësisht drejtues politik i PD-së për qarkun e Durrësit, i shoqëruar me drejtues të tjerë strukturash të PD-së, inspektoi sot disa zona dhe banesa të përmbytura në Durrës.

Bylykbashi e cilësoi gjendjen si “katastrofike”, dhe theksoi se “vjen nga dora e qeveritarëve dhe jo e natyrës”.

“Fajin nuk e kanë shishet plastike që kanë bllokuar kanalet, siç pretendon Kryeministri! Fajin e ka korrupsioni dhe grykësia e qeveritarëve që ka masakruar dhjetëra miliona euro të hedhura dëm”, theksoi Bylykbashi.

Sipas tij “rezultati është kjo përmbytje, për të cilën shumë banorë thonë që nuk e kanë parë asnjëherë në këto 30 vite”.

Bylykbashi theksoi se hidrovori i ri është jashtë kuotës së nevojshme dhe nuk tërheq ujë sa duhet,

“Përsëritjet, duke u rënduar e përmbytjes 3 herë nga janari 2025 deri më sot, banorët dhe specialistët i lidhin drejtpërdrejt me punimet për hidrovorin e ri që është jashtë kuotës së nevojshme e nuk tërheq ujë sa duhet, mbulimit të 2,6 km kanal të ujërave të larta që duhet të mbledhë ujërat e kodrave, por e mbuluan për ta kthyer në shëtitore mes varrezave, mospastrimit të kanaleve kryesore”, shkruan Bylykbashi.

Deputeti i PD-së kërkoi që “prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të gjetur përgjegjësitë e veprimeve dhe mosveprimeve kriminale të Bashkisë Durrës në shpenzimin e dhjetëra milionë eurove ndër vite”.

/m.q/j.p/

The post Bylykbashi: Fajin për përmbytjet në Durrës e ka korrupsioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat e Armatosura ndërhyjnë për largimin e ujit nga banesat tek ish-Këneta në Durrës

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Në Durrës, në zonën e njohur si ish-Këneta, efektivët dhe mjetet e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për largimin e ujit nga banesat e përmbytura si pasojë e reshjeve të shiut gjatë dy ditëve të fundit.

Për të monitoruar situatën në terren ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtes Pirro Vengu. Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga momenti i ndërhyrjes së Forcave të Armatosura për largimin e ujit.

“Vijon puna në terren nga ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore, dhe Policia për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të 48 orëve të fundit”, shkruan Rama.

Në qarkun e Durrësit mbi 300 banorë janë evakuar si pasojë e përmbytjeve dhe mbi 900 banesa janë të prekura nga uji.

/m.q/j.p/

The post Forcat e Armatosura ndërhyjnë për largimin e ujit nga banesat tek ish-Këneta në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Durrës: Dy hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e situatës së reshjeve

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektoi sot hidrovorin e ri të Porto Romanos.

Gjatë inspektimit, Koçiu nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovoreve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar nga përmbytjet në qytet.

Ministrja theksoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

“Reshjet kanë sjellë një situatë shqetësuese, por të gjitha institucionet janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. 12 orët e ardhshme mbeten kritike dhe fokusi ynë është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve. Më pas do të vijojë procesi i vlerësimit të dëmeve, i cili ka nisur tashmë në disa zona”, u shpreh ministrja Koçiu, duke apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.

“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash.

“Ne si bashki menaxhojmë këto dy objekte, por Durrësi ka edhe një hidrovor tjetër që menaxhohet nga Ministria e Bujqësisë, që është ai në Hamallaj, dhe aty kemi pasur kontakt të vazhdueshëm me përgjegjësit, për të parë mbarëvajtjen e procesit, sepse dhe Sukthi ka pasur përmbytje dhe ka pasur familje të prekura. Mendojmë se situatën e kemi nën kontroll në këto objekte dhe do të vijojmë monitorimin deri në rikthimin e situatës në një gjendje normale në qytet”, theksoi Sako.

Autoritetet konfirmojnë se monitorimi vijon pa ndërprerje dhe se të gjitha strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm të situatës.

/m.q/

The post Koçiu në Durrës: Dy hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e situatës së reshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet niveli i ujit në lumin Lana pranë pallatit me shigjeta

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që vijojnë në kryeqytet kanë rritur nivelin e ujit të lumit Lana në segmentin pranë pallatit me shigjeta.

Ndërsa në Tiranë vijojnë reshje të pandërprera të shiut, autoritetet e bashkisë po marrin masa për të parandaluar situata problematike.

Kështu, ekipet e bashkisë nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Mëngra ndodhen pranë Pallatit me Shigjeta, ku po ndjekin çdo situatë që mund të krijohet nga rritja e mëtejshme e nivelit të ujit.

Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte në terren për monitorimin e situatës.

Aktualisht, Lana ka arritur deri në pjesën e lulishtes, ndërsa ekziston rreziku që uji të dalë edhe në rrugë, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet.

Kjo zonë është dhe pika më delikate e Lanës pasi në këtë segment pranë Pallatit me Shigjeta edhe ka dalë disa herë nga shtrati në vitet e kaluara, gjatë episodeve me reshje intensive shiu.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin vetëm informacionet zyrtare deri në përmirësimin e situatës.

Pavarësisht rritjes së nivelit të ujit, në Tiranë deri tani nuk ka raportime për përmbytje, dëme materiale apo bllokime të qarkullimit rrugor.

/m.q/j.p/

The post Rritet niveli i ujit në lumin Lana pranë pallatit me shigjeta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Nuk ka përkeqësim nga reshjet në Durrës, 5 skuadra shtëpi më shtëpi në zonën e ish-kënetës

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Durrës, theksoi se kthimi i banorëve të evakuuar në banesa është prioritet.

Ministri nënvizoi se nuk ka agravim të situatës në Durrës, por ka ende prezencë uji në oborre, ndërsa të gjithë hidrovorët janë në punë.

“Kemi krijuar një grup edhe me ekspertë të ujësjellësve edhe me ndihmë të bashkive të tjera dje dhe një grup forcash civile dhe ushtarake, në 5 zonat ku kemi ende prezencë uji në banesa. Prioriteti janë njerëzit dhe zonat e banuara. Elementi i dytë ka të bëjë me zhbllokimin e kanaleve të ujërave të larta. Hidrovoret janë në funksionim të plotë, madje ne kemi aktivizuar edhe hidrovorin e vjetër”, informoi Vengu.

Sipas tij, 5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e ish-kënetës. “Do të jemi në terren, skuadra, qoftë e pushtetit vendor, qoftë e Forcave të Armatosura, shkon aty ku është nevoja”, tha ministri i Mbrojtjes.

Po ashtu, Vengu tha se nuk ka kaluar rreziku në zonën e nën Shkodrës, ndërsa grupet e punës do të vijojnë që të jenë në terren.

“Presim një situatë dinamike, përqendrimi në rang vendi ka të bëjë me vijimin e menaxhimit të kaskadës së Drinit. Nuk ka kaluar ende rreziku në nën Shkodër. Në Obot kemi përforcime sepse ka prezencë uji në zonat bujqësore, por jo në ato të banuara. Kemi shumë prurje në basenin e Vjosës, kemi përforcime edhe në argjinatura”, tha Vengu.

/m.q/j.p/

The post Vengu: Nuk ka përkeqësim nga reshjet në Durrës, 5 skuadra shtëpi më shtëpi në zonën e ish-kënetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: 130 borëpastruese, 577 mjete dhe 800 punonjës mbajnë hapur rrugët për qarkullim

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot mirëmbajtjen e aksit në Qafë-Thore, zonë e cila është përfshirë nga reshjet e dëborës. Kozeli theksoi se janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës në aksin që çon drejt zonave turistike të Bogës dhe Thethit.

“Ky aks është shumë i rëndësishëm për turizmin, sepse bën lidhjen në parkun kombëtar të Thethit dhe ndodhet në kushte ekstreme moti, ku temperaturat gjatë natës së sotme pritet të arrijnë deri në -16 gradë”, u shpreh Kozeli.

Në këtë aks ndodhen 7 mjete që janë në gatishmëri dhe bëjnë të mundur qarkullimin në Bogë dhe Theth.

Sipas tij, problem në zonën e veriut janë ngricat dhe reshjet e dëborës.

“Një problem që ka shfaqur ky aks dhe akset tjera në veri, janë ngricat dhe bora e tepërt që bien nga shpatet e maleve duke krijuar dhe rënie të ortekëve që janë shumë problem për qarkullimin. Megjithatë firma kontraktore i ka marrë të gjitha masat për zhbllokimin e kësaj rruge dhe mbajtjen e hapur për qarkullimin e automjeteve”, tha ai.

Ai u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke u pajisur me zinxhirë dhe goma dimërore.

“I bëj thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor sepse duke mos përdorur gomat dimërore dhe duke mos pasur zinxhirë për makinë ato shkaktojnë një pengim të qarkullimit, duke ndaluar edhe drejtuesit e rregullt të automjeteve. Makinat duhet të qarkullojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisura me zinxhirë”, u shpreh ai.

Kozeli sqaroi se bazuar në protokollet e sigurisë rrugore, ARRSH ndodhen në gatishmëri të plotë nga data 15 nëntor deri më 15 mars.

“Ky vit na gjeti më 130 borëpastuese në mbarë vendin, 577 mjete dhe 800 punonjës në gatishmëri të plotë ndërsa kemi 5300 tonë kripë”, tha ai.

Kreu i ARRSH-së raportoi edhe për situatën në akse të tjera të vendit.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri të plotë. Probleme po hasen në Kukës dhe Valbonë, pasi në këto zona ka rënie të skarpateve. Vështirësi po hasim edhe në Gjirokastër dhe Tepelenë, ku për shkak të prurjeve të reshjeve kemi një prezencë të ujit në shtratin e rrugës.  Edhe dje në aksin Tiranë-Durrës, për shkak të prurjeve të ujit nga kodrat përreth pati prezencë ujit”, u shpreh Kozeli.

“Në fshatin Vajzë të Selenicës, ka pasur një rënie të skarpatës së kodrës, rënia nuk ka lidhje me rrugën dhe nuk është shkaktuar për shkak të një mangësie të saj, por është një fenomen natyror i ndodhur. Në Qukës-Qafë-Plloçë ka pasur rënie balte, ky është një fenomen i pashmangshëm, për shkak të kushteve të motit”, vuri në dukje kreu i ARRSH.

Kozeli nënvizoi se strukturat janë në gatishmëri të plotë.

“I gjithë rrjeti prej 3367 kilometra që është në ngarkim të ARRSH-së është tërësisht i qarkullueshëm”, tha ai.

/m.q/j.p

The post Kozeli: 130 borëpastruese, 577 mjete dhe 800 punonjës mbajnë hapur rrugët për qarkullim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Zgjidhet ngërçi për 350 pasagjerë të bllokuar në Brindisi

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste si dhe drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, Taulant Balla, bëri të ditur se është zgjidhur situata për rreth 350 pasagjerë shqiptarë që udhëtonin nga Bergamo dhe Bologna drejt Aeroportit të Rinasit dhe mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindizit.

Balla njoftoi se është organizuar transporti me autobus nga aeroporti i Brindizit drejt portit dhe më pas udhëtimi drejt Shqipërisë.

Sipas Ballës, ndërhyrja ka ardhur pas ankesave të pasagjerëve për mungesë zgjidhjeje nga kompania ajrore, duke theksuar se ka detyrimin ligjor të respektojë të drejtat e udhëtarëve sipas rregullave europiane.

“Ka marrë një zgjidhje halli për rreth 350 pasagjerë që mbetën të bllokuar në Brindisi. Është organizuar transporti me autobus drejt portit dhe më pas drejt Shqipërisë. Kompania ajrore duhet të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit”, shkruan Balla.

Autoritetet u kanë kujtuar udhëtarëve se në raste të tilla ata gëzojnë të drejtën e asistencës, rimbursimit apo kompensimit, sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian për transportin ajror. /j.p/

The post Balla: Zgjidhet ngërçi për 350 pasagjerë të bllokuar në Brindisi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Situatë kritike nga reshjet në Gjirokastër e Durrës, kaskada e Drinit e qëndrueshme

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha sot se në Gjirokastër situata paraqitet kritike, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimit të ujërave.

Gjatë një interviste për mediet, Vengu theksoi se energjia elektrike në Gjirokastër është ndalur për arsye sigurie.

“Që nga pasditja e sotme kemi një agravim të situatës në Gjirokastër, ka një vërshim të ujërave në lagjen 18 shtatori. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë për evakuime. Energjia elektrike është ndaluar për efekte sigurie dhe shpresojmë që në vijim të krijojmë një situatë më pozitive në Gjirokastër dhe të mundësohet rikthimi i energjisë. Është problematike situata”, tha Vengu.

Duke u ndalur në qarkun e Shkodrës, Vengu nënvizoi se kaskada e Drinit është e qëndrueshme.

“Në Shkodër, përpjekja jonë ka qenë këto ditë e përqendruar në kaskadën e Drinit, në mirëmenaxhimi i saj dhe sot kemi një situatë të qëndrueshme. Që prej ditës së shtunë forcat janë në terren”, tha Vengu.

Sa i përket situatës në Lezhë, Vengu tha se po monitorohet bastioni i Gjadrit, pasi ka prurje të shumta.

“Në Lezhë sot kemi pasur zona të prekura nga uji, por situata është në kontroll sepse është mirëmenaxhuar. Kemi pasur situatë të vështirë në Laç”, tha ai.

Ministri tha se edhe në Durrës situata vijon që të jetë problematike, ku rreth 800 banesa janë përmbytur, ndërsa 180 banorë janë evakuuar.

“Situata në Durrës është ende problem. Janë 800 banesa të prekura dhe qindra të tjera të rrethuara nga uji, 180 banorë të evakuuar dhe të akomonduar pranë dy kavalishencave në Durrës dhe aty do të ofrohet ushqim dhe shërbim mjekësor. Po reshjet e shiut do të vijojnë dhe nuk jemi ende jashtë rrezikut”, tha ai.

Vëngu bëri me dije se deri më tani nuk janë konstatuar probleme në argjinatura.

“Një lajm pozitiv është se në argjinatura nuk kemi pasur probleme qoftë në Lezhë apo edhe në jug të vendit. Nëse reshjet nuk përkeqësohen do të jemi në një situatë që do ta mirëmenaxhojmë zonën e nën Shkodrës. Jemi në komunikim për të ulur kuotat dhe aty ku është e mundur të bëhen shkarkime. Në nivel vendor ka pasur gatishmëri edhe nga forcat e armatosura, mjete gomone pompa thithëse kanë qenë në dispozicion”,shtoi Vengu.

“Në kemi shpërndarë hartën e zonave të riskut në nivel kombëtar dhe kemi komunikuar me bashkitë dhe me prefekturat”, përfundoi ministri. /m.q/j.p

The post Vengu: Situatë kritike nga reshjet në Gjirokastër e Durrës, kaskada e Drinit e qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Koçiu: Situata nga reshjet në monitorim, koordinim mes strukturave

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, pas takimit me Shtabin e Emergjencave në Shkodër, theksoi se situata është në monitorim të vazhdueshëm.

Koçiu theksoi se gjatë 24 orëve të fundit vendi është përfshirë nga reshje të dendura, të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

Sipas saj, monitorimi po bëhet jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por edhe në qarqe të tjera si Durrësi, Kukësi, Fieri dhe Vlora, me qëllim rritjen e koordinimit dhe shmangien e situatave problematike.

“Së bashku me kryetarin e bashkisë, me drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me Prefektin e Qarkut Shkodër, me Policinë e Shtetit, me Ministrinë e Mbrojtjes, me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithë strukturat përkatëse, jemi duke monitoruar të gjithë situatën e reshjeve në vend. Për hir të së vërtetës, vendi ashtu siç e dimë, është prekur nga një situatë reshjesh të dendura gjatë këtyre 24 orëve dhe ndërkohë pritet edhe nesër të kemi po të njëjtin situatë”, vuri në dukje ajo.

“Për këtë arsye, të gjithë strukturat janë bashkë duke monitoruar jo vetëm në qarkun Shkodër, por edhe në Durrës. Po ashtu në Kukës kemi pasur një situatë, në Fier, në Vlorë; duke monitoruar gjithë vendin për të pasur më shumë koordinim së bashku, por edhe për të shmangur çdo lloj situate problematike që vjen nga reshjet”, tha Koçiu.

Koçiu bëri me dije se sa i përket qarkut të Shkodrës, po monitorohen shkarkimet për shkak të lumit Buna, por edhe të liqenit të Shkodrës, me qëllim që të mos ketë situata të përmbytjes në zonat urbane, por edhe në tokat bujqësore.

“Aktualisht që flasim, situata është nën kontroll. Sapo dolëm nga një mbledhje e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë e Shkodrës, e cila u koordinua nga kryetari i bashkisë pikërisht për të rakorduar së bashku me strukturat e KESH-it dhe strukturat e tjera, me qëllim mbajtjen nën kontroll edhe të shkarkimeve, por edhe të prurjeve nga kjo situatë e reshjeve, për të shmangur përmbytje të mundshme. Nuk kemi problematika”, vijoi Koçiu.

Sipas ministres, reshjet dhe shkarkimet do të monitorohen gjatë gjithë natës dhe paradites së nesërme, e cila konsiderohet si një fazë emergjence.

“Patjetër do të monitorojmë reshjet e shkarkimet gjatës natës dhe paraditen e ditës së nesërme, që është, të themi, një fazë emergjence, dhe shpresojmë shumë, që nga nesër pasdite, të kemi një reduktim të reshjeve duke përmirësuar kështu edhe situatën. Për momentin jemi nën kontroll, institucionet janë të gjitha në këmbë dhe bashkërisht po monitorojmë çdo problematikë e çdo shqetësim”, tha Koçiu.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

“Dua t’u bëj një thirrje qytetarëve që të ndjekin të gjitha rekomandimet dhe këshillat e autoriteteve vendore e qendrore, të cilat bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj faze që jemi duke kaluar”, tha Koçiu.

/m.q/j.p

The post Koçiu: Situata nga reshjet në monitorim, koordinim mes strukturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 800 banesa të prekura nga uji në Durrës, 180 banorë të evakuuar

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot mbledhjen e Komitetit te Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes, Vengu bëri të ditur se janë rreth 800 banesa të prekura nga uji si dhe 180 banorë të evakuar.

Vengu theksoi se strukturat janë në terren dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.

“Kemi një situatë me prezencë uji në ish-Kënetë, në Shkozet, zonën e ish-Nishtullës dhe mbeten në terren të angazhuara të gjitha skuadrat, qofshin këto civile, qofshin dhe të Forcave të Armatosura të cilat gjatë mbasdites kanë ardhur në mbështetje të skuadrave të bashkisë së Durrësit. Nuk do ndahemi nga terreni deri sa të ketë largim total të ujërave, do jetë një natë dinamike, reshjet do të vazhdojmë”, tha Vengu.

“Kemi një konstatim, se kemi 800 banesa të prekura nga uji, me prezencë uji brenda tyre. Janë evakuuar rreth 180 banorë, të cilët janë akomoduar në dy kavaleshenca të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes dhe do të marrim të gjithë trajtimin qoftë edhe ushqimor apo mjekësor në rast se është nevoja, për të kaluar këtë natë dhe orët e para të mëngjesit. Parashikojmë prurje domethënëse, i gjithë fokusi ynë është të parandalojmë situata eventuale në basenin e Erzenit sepse nuk duam që të kemi edhe një situatë dinamike atje në Erzen dhe të kemi problematika dhe në zonën e Shijakut”, u shpreh Vengu.

Gjithashtu, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako shtoi se “në pjesën e  parë të ditës shumica e atyre që merrnin në telefon nuk pranonin të evakuoheshin, por duke qenë se shirat patën kapacitete dhe kohëzgjatje të lartë, kemi evakuuar 180 persona që janë akomoduar në kavalishencë dhe u është siguruar edhe ushqim”.

Ndërkohë, të dyja kavalishencë janë të hapura për të akomoduar qytetarët e evakuuar.

/m.q/j.p/

The post Vengu: 800 banesa të prekura nga uji në Durrës, 180 banorë të evakuuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foto familjare, Rama në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Paris ku mori pjesë në samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

Pas samiti, Rama ndau në rrjetet sociale edhe foton familjare të liderëve pjesëmarrës në takimin “Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën” në Paris.

Koalicioni i Vullnetmirëve është një koalicion prej 35 vendesh, të cilat kanë premtuar mbështetje të përforcuar për Ukrainën kundër agresionit rus. Ky samit ka për qëllim të finalizojë një marrëveshje për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Pak para nisjes së punimeve të këtij samiti, kryeministri Rama u prit në Pallatin Élysée nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Përpara punimeve të këtij samiti, kryeministri u takua edhe me ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, me të cilin diskutoi mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal.

/m.q/j.p/

The post Foto familjare, Rama në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Asnjë problematikë në Shkodër nga reshjet, strukturat në gatishmëri

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë Shkodër, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci, prefektja e qarkut Holta Duda si dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Koçiu theksoi se po vijohet me monitorimin e situatës dhe koordinimin e vazhdueshëm me drejtuesit e KESH sh.a për menaxhimin e shkarkimeve në hidrocentralet.

“Fatmirësisht, në Shkodër nuk ka asnjë problematikë, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme”, nënvizoi ministrja.

Prefektura e qarkut Shkodër bëri të ditur më herët sot, se nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje.

Po sipas prefekturës në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

1 nga 4

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Asnjë problematikë në Shkodër nga reshjet, strukturat në gatishmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivët e policisë, në shërbim të qytetarëve në akset e përmbytura nga reshjet

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut vuri në provë gatishmërinë e forcave të Policisë së Shtetit të cilët iu janë gjendur pranë qytetarëve duke rregulluar trafikun mes ujit, apo duke u dhënë një dorë mjeteve të ngecura në akset e përmbytura.

Përgjatë gjithë ditës së sotme ku reshjet intensive sollën problematika në mjaft rrugë urbane në Durrës e qytete të tjera të vendit, efektivët e policisë kanë treguar përgjegjshmëri, angazhim, sakrificë dhe humanizëm në shërbim të qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shprehu mirënjohje për punonjësit e Policisë si dhe falënderoi qytetarët që kanë dërguar në adresat e Policisë dhjetëra mesazhe falënderimi dhe video nga puna e punonjësve të policisë në terren.

Nën shi, punonjësit e policisë, po ashtu qëndruan në rrugë duke rregulluar trafikun dhe garantuar rendin publik. Sakrifica e tyre shpesh kalon pa u vënë re, por është thelbësore për sigurinë e të gjithëve.

Respektimi i udhëzimeve dhe bashkëpunimi i qytetarëve, është mënyra më e mirë për të vlerësuar punën dhe sakrificën e tyre.

/m.q/j.p/

The post Efektivët e policisë, në shërbim të qytetarëve në akset e përmbytura nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë rizgjedh kryetar Krenar Alimehmetin

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, ku morën pjesë 45 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 77 delegatë.

Në Asamblenë e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë, u shqyrtua jo vetëm raporti i aktivitetit përgjatë vitit 2025, por delegatët miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin e vitit 2026, teksa u njohën me arritjet dhe problematikat e kësaj shoqate përgjatë vitit 2025.

Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Tiranë për katërvjeçarin e ardhshëm.

Komisioni i Verifikimit, që është organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se komisionit i është paraqitur vetëm një kandidaturë për Kryetar, konkretisht kërkesa për rikandidim nga Krenar Alimehmeti, i propozuar nga 11 anëtarë të shoqatës.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Tiranë Krenar Alimehmeti me mandat 4 (katër) vjeçar.

Pas rizgjedhjes në krye të SHRF Tiranë, Krenar Alimehmeti i falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar se SHRFT do të jetë gjithmonë në mbështetje të zhvillimit të futbollit amator në zonën e Tiranës.

“Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe besimin që më dhatë. Mendoj që kjo tregon se kemi bërë një punë të mirë të gjithë bashkarisht, ju edhe ne. Duke ju falënderuar juve, gjej rastin të falënderoj edhe stafin, i cili ka qenë shumë i përkushtuar gjatë këtyre viteve. Shpresoj që të gjenden disa formula, metoda të reja për rritjen e cilësisë, përveç masivizimit, pra nuk duhet të rrimë në këto nivele, pasi mundësitë janë për më tepër. Ne gjithmonë do të jemi në mbështetjen tuaj dhe bashkëpunimi me ju ka qenë dhe do të forcohet më shumë. Ju falënderoj shumë dhe shpresoj që të bëhet më e mira”, tha Krenar Alimehmeti.

Në rendin e ditës ishin edhe propozimet për kandidatë për President të FSHF-së dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës kanë propozuar si kandidat Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, që u votua nga të gjithë anëtarët e shoqatës gjatë punimeve të asamblesë. Ndërsa, si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarët e SHRF Tiranë votuan për Lutfi Nuriu.

U zgjodhën edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, që janë kryetari i SHRFT, Krenar Alimehmeti, Artan Vangjeli, Gelda Lilo, Arjan Pisha, Oltion Sula dhe Sonila Çekrezi.

Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë iu shtuan edhe dhjetë anëtarë të rinj me të drejta të plota, që janë: Akademia e Futbollit SG Tirana, Holle, Akademia e Futbollit Peza Sport, Pro Talents Tirana, FC Autokton, TR 19 Football Academy, AF Kampionët, Kamza Sport, Dinamo 14 dhe Kamza Juniors. /j.p/

The post Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë rizgjedh kryetar Krenar Alimehmetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia.

Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të lehtë, me argumentimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo të largohet nga vendi. Por gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore për rrëzimin e kërkesës.

“Mbeti gjykatë e kapur peng, mbeti gjyqtare-notere e prokurorisë. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do kërkojmë zëvendësimin. Do e kërkojmë atë pasi jemi në të drejtën tonë procedurale. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president për shkaqe që nuk varen nga ai. Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata.

“Mendova se vit i ri dhe gjykata do kishte reflektuar, me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam që ta niste vitin mbarë duke i dhënë një të drejtë procedurale, ligjore, që presidenti të vazhdonte hetimin ose gjykimin në një masë tjetër sigurimi që ne ia lamë në dëshirën e gjykatës”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

PD kërkon që Këshilli i Mandateve të mblidhet ditën e martë, më datë 6 janar. Sipas PD-së, mazhoranca po bllokon procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun, duke penguar në këtë mënyrë edhe drejtësinë që të kryejë hetim të plotë.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD kërkon sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi sot në lidhje me reagimet e publikuara në medie mbi pretendimet për moszbatimin e orarit të transferimit të kryebashkiakut Erion Veliaj drejt Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i cilësuar si të pavërteta.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se “për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”.

Ndërkaq, sipas medieve, seanca gjyqësore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që ishte parashikuar të mbahej sot, u shty për në datën 19 janar.

/m.q/r.e/a.f/

The post Drejtoria e Burgjeve: Nuk ka pasur vonesa për transferimin e Veliajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi se ndaj tij është shtuar akuzë fakti që fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave.

“Sa për t’ju informuar, se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen “Partizani”, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.

“Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë: Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.

“Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike”, tha Berisha.

Sipas Berishës, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.

“Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me Ligjin 7652”, tha Berisha.

Berisha shtoi se kjo është e reja e akuzës së ish-kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Gjatë fjalës së tij Berisha bëri të ditur se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese masën e Apelit të GJKKO “detyrim paraqitje”. Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese u mblodh në seancë plenare për masën e tij, por nuk shpalli vendim.

“Njoftimi u mor sepse avokati im bëri shkresë dhe kërkoi njoftim se çfarë vendimi morët. Po meqenëse votat nuk u dolën për vendimin që donin, atëherë thanë se nuk kishte seancë, dhe do mblidhen në seancë plenare. Këta ishin në seancë plenare. Këta tregojnë se janë një grup mjeranësh, organizatë e mirëfilltë e PS-së, gjykatë e turpit që vepron në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Berisha dënoi gjithashtu edhe “dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga “Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt”.

“E kam dënuar me forcën më të madhe që dje. Akt i shëmtuar. Edi Rama i tmerruar nga çdo protestë, sepse çdo protestë iu kujton shqiptarëve dhe botës se Ramaduro është në pushtet”, tha ai.

I pyetur lidhur me zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK dhe qëndrimin e Partisë Demokratike, Berisha theksoi se opozita do ta vlerësojë çdo drejtues apo punonjës të institucioneve të drejtësisë në bazë të respektimit të ligjit.

“Drejtuesi i ri, e thashë dhe një herë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

/m.q/r.e/a.f/

The post Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Policia e Tiranës arrestoi katër protestues të Lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe vuri nën hetim gjashtë të tjerë, pasi sipas saj, gjatë protestës së zhvilluar dje, u hodhën sende të forta të drejtim të Policisë së Shtetit, ku për pasojë u plagosën dy efektivë.

Policia njoftoi se ka vënë në pranga shtetasit “E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan dy punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital”.

Gjithashtu, policia procedoi penalisht edhe tre protestues të tjerë, përfshirë edhe drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, për zaptim të hapësirës publike përpara Kryeministrisë

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”, njoftoi policia.

/m.q/a.f/r.e/

The post Zënie e hapësirës publike dhe dhunë gjatë protestës, 4 të arrestuar dhe 9 në hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌