Norvegjia njoftoi se do të ofrojë 340 milionë euro ndihmë emergjente për të mbështetur sektorin e energjisë të Ukrainës dhe për të ndihmuar qeverinë të mirëmbajë shërbimet kritike.
Kjo paketë vjen si pjesë e ndihmës për Ukrainën e cila është e shkatërruar nga lufta.
Sulmet ruse kanë synuar prej kohësh rrjetin energjetik të Ukrainës dhe janë intensifikuar në muajt e fundit, ndërsa temperaturat e dimrit vijojnë të jenë të ulëta.
Nga paketa e ndihmës politike, 4 miliardë u ndanë edhe për mbështetje fiskale dhe rindërtim, dhe 3.5 miliardë për ndihmë humanitare, me fonde shtesë të destinuara për zhvillimin e biznesit, shoqërinë civile dhe reformat e qeverisjes.
LONDËR, 12 janar /ATSH-AA/ – Britania e Madhe deklaroi se do të zhvillojë raketa të reja balistike taktike për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës, si pjesë e rritjes së mbështetjes për vendin në vitin 2026.
Në kuadër të Projektit Nightfall, Mbretëria e Bashkuar ka nisur një konkurs për të zhvilluar me shpejtësi raketa balistike që lëshohen nga toka për Ukrainën, të cilat mund të mbajnë një kokë luftarake 200 kg në një rreze veprimi prej më shumë se 500 kilometrash (310 milje), tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të dielën vonë.
Iniciativa synon të nxisë industrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, duke mbështetur inovacionin dhe rritjen, si dhe duke rritur mbështetjen për Ukrainën në vitin 2026 mes luftës së saj me Rusinë.
“Raketat Nightfall do të jenë të afta të lëshohen nga një gamë mjetesh, duke qëlluar raketa të shumta në një vazhdimësi të shpejtë dhe duke u tërhequr brenda disa minutash – duke u lejuar forcave ukrainase të godasin objektiva kyçe ushtarake përpara se forcat ruse të mund të përgjigjen”, tha ministria.
Programi, me një çmim maksimal prej 800.000 £ (1 milion dollarë) për raketë, synon t’i ofrojë Ukrainës një “opsion të fuqishëm dhe me kosto efektive për goditje me rreze të gjatë veprimi me kontrolle minimale të eksportit të huaj”.
Duke akuzuar Presidentin rus, Vladimir Putin, për “përshkallëzim serioz” të luftës në vend që të “negocionte seriozisht një paqe”, sekretari i Mbrojtjes, John Healey, tha se ishte mjaftueshëm afër për të dëgjuar sirenat e sulmeve ajrore rreth Lvivit gjatë udhëtimit të tij për në Kiev javën e kaluar.
“Ne jemi të vendosur t’u japim armë të përparuara ukrainasve ndërsa ata kundërsulmojnë”, tha ai në deklaratë.
Luke Pollard, ministri për gatishmërinë e mbrojtjes dhe industrinë, tha se një Evropë e sigurt ka nevojë për një Ukrainë të fortë dhe këto raketa të reja britanike me rreze të gjatë veprimi “do ta mbajnë Ukrainën në luftë”.
“Projekti synon që tre ekipe industriale të marrin secili një kontratë zhvillimi prej 9 milionë paundësh (12 milionë dollarë) për të projektuar, zhvilluar dhe dorëzuar tre raketat e tyre të para brenda 12 muajve për prova”, shtoi ai. /os/
KIEV, 12 janar /ATSH-DPA/- Pas sulmeve ruse me dron, 35,000 familje në rajonin jugor ukrainas të Odesës kanë mbetur pa energji elektrike, njoftoi sot furnizuesi i energjisë DTEK.
“Rivendosja e furnizimit me energji do të kërkojë kohë,” tha DTEK në një deklaratë.
“Në qytetin portual të Odesës, sulmi goditi një strukturë infrastrukturore dhe një ndërtesë banimi”, raportoi kryebashkiaku Serhiy Lysak në “Telegram”.
“Dy persona u plagosën”, tha ai.
Për shkak të sulmeve të rënda ajrore të ditëve të fundit, praktikisht nuk ka energji elektrike në kryeqytetin Kiev, në Dnipro, Odesa dhe qytete të tjera në Ukrainë.
Si rezultat, ngrohja dhe uji janë ndërprerë, gjithashtu.
Në të njëjtën kohë, ka ngrica të mëdha me temperatura deri në minus 18 gradë Celsius.
Situata është jashtëzakonisht e tensionuar për miliona banorë.
Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kishin interceptuar 135 nga 156 dronë rusë që sulmuan gjatë natës, një sulm relativisht i vogël krahasuar me javët e fundit.
“Megjithatë, pati dëme të mëdha në 18 qytete” thanë forcat ajrore. //a.i/
Ndërsa aleatët evropianë u mblodhën në Paris për të konsoliduar garancitë e sigurisë për Ukrainën, prania e emisarëve të paqes të Trumpit ofroi shpresë se BE mund të dëgjohej ende në Uashington, pavarësisht polemikës së ashpër mbi kërcënimet e Uashingtonit për të aneksuar Groenlandën. “Ne kemi finalizuar në masë të madhe protokollet e sigurisë,” tha Steve Witkoff, […]
KIEV, 11 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për terror të synuar kundër popullit të vendit të tij, pas sulmeve të rënda ajrore gjatë javës së kaluar.
Zelensky postoi sot në media sociale, se brenda javës së kaluar ushtria ruse kishte përdorur kundër Ukrainës rreth 1,100 dronë, 890 bomba të drejtuara dhe 50 raketa dhe raketa kruz, përfshirë raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”.
“Armët u lëshuan në objektiva që nuk kanë rëndësi ushtarake, objekte energjie dhe ndërtesa banimi”, tha Zelensky.
“Moska ka pritur qëllimisht që moti i ftohtë ta bënte jetën më të vështirë për ukrainasit e zakonshëm”, shtoi ai.
“Ky është një terror i qëllimshëm dhe cinik rus kundër popullit ukrainas”, shkroi ai.
Zelensky i ilustroi fjalët e tij me klipe videosh – ku tregoheshin mbetjetet e dronëve ndaj objekteve civile në Kiev dhe zonën përreth, si dhe në rajonet e Kharkivit, Khersonit, Dnipropetrovskut, Donetskut, Odesës, Zaporizhias dhe Chernihivit.
Imazhet nga qyteti perëndimor ukrainas i Lvivit, ku goditi raketa “Oreshnik”, nuk u shfaqën.
Kremlini e portretizon bombardimin e vazhdueshëm të Ukrainës si sulme kundër objektivave ushtarake, edhe pse shkatërrimi i centraleve prek popullsinë civile.
Kohët e fundit, Moska ka ngritur akuza për terror kundër Kievit, duke pretenduar se Ukraina dyshohet se ka nisur një sulm me dron në njërën nga rezidencat e presidentit rus Vladimir Putin.
“Zelensky i ka mohuar fuqimisht këto pretendime ndërsa shërbimi i inteligjencës së jashtme amerikane, CIA, arriti në përfundimin se Ukraina nuk e kishte në shënjestër Putinin ose një nga rezidencat e tij”, sipas raporteve të medias amerikane.
Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi luftën kundër Ukrainës gati katër vjet më parë. //a.i/
Rusia dhe Ukraina kanë raportuar viktima dhe dëme në infrastrukturën lokale mes sulmeve me dronë gjatë natës.
Në Rusi, Guvernatori i Voronezhit, Aleksandr Gusev, shkroi në Telegram të dielën se qendra administrative e rajonit pësoi "një nga sulmet më të rënda me dronë" që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
"Për fat të keq, një grua e re vdiq në kujdes intensiv mbrëmë pasi u plagos kur mbeturinat e dronit ranë mbi një shtëpi private", tha Gusev.
Guvernatori theksoi se një grua aktualisht mbetet në spital pasi pësoi lëndime në bark, ndërsa dy të tjera po marrin trajtim ambulator për prerje.
Ai vuri në dukje se autoritetet dhe shërbimet e emergjencës vazhdojnë të punojnë në vendet e dëmtuara, të cilat ai tha se përfshijnë më shumë se 10 ndërtesa apartamentesh, njëra prej të cilave nuk është banesore, si dhe një "numër të barabartë" shtëpish private, një shkollë të mesme dhe disa ndërtesa administrative.
Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 33 dronë ukrainas gjatë natës, 17 prej të cilëve u rrëzuan mbi rajonin e Voronezhit.
Ukraina nuk ka komentuar ende për sulmin, megjithëse Forcat e saj Ajrore pretenduan në Telegram se rrëzuan 125 nga 154 dronë të lëshuar nga Rusia në vend gjatë natës.
Ndërsa në rajonin veriperëndimor të Zhytomyr të vendit, Guvernatori Vitalii Bunechko tha se sulmet gjatë natës kishin në shënjestër objektet kritike të infrastrukturës, duke rezultuar në shtrimin në spital të dy punëtorëve që pësuan lëndime të moderuara.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se katër persona u plagosën pas sulmeve në fshatin Movchany, i vendosur në jug të qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkiv, i cili është rreth 30 kilometra (18.6 milje) nga kufiri rus.
"Pati shkatërrime dhe dëme në ndërtesat e banimit, si dhe një zjarr në një sipërfaqe prej 150 metrash katrorë", shtoi ai. /Telegrafi/
TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim” në “Shënimet e Javës”, u ndal edhe tek Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën. Sipas Kryeministrit, samiti shërbeu për të bërë një bilanc të përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës dhe për të forcuar koordinimin mes aktorëve kryesorë
“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë”, vuri në dukje Kryeministri.
“Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish”, tha Rama.
Gjatë qëndrimit në Paris, Rama bëri të ditur se zhvilloi edhe një takim me ministrin e Drejtësisë së Francës, ku fokusi ishte Kodi i ri Penal.
“Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Rama.
Rama theksoi se se vendi ka nevojë për një rishikim të thellë të politikës penale. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një drejtësi të pavarur, por ende jo plotësisht funksionale në aspektin e cilësisë dhe paanësisë.
“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, u shpreh Rama.
Friedrich Merz nën disa trysni: një rrëmbim nga SHBA-të, shumë i diskutueshëm sipas ligjit ndërkombëtar; kërcënime të hapura kundër Groenlandës nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump; njoftimi i Kancelarit se ushtarët gjermanë do të merrnin pjesë gjithashtu – megjithëse jodrejtpërdrejt – në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën; rreth 100,000 njerëz në Berlin mbetën pa […]
Një sulm me dron nga Ukraina ka shkaktuar zjarr në një depo nafte në rajonin jugor të Volgogradit në Rusi.
Guvernatori lokal Andrei Bocharov tha se deri më tani nuk është raportuar për viktima.
Ai nuk specifikoi dëmet, por tha se njerëzit që jetojnë aty pranë mund të duhet të evakuohen.
Ushtria ukrainase tha se kishte goditur depon e naftës Zhutovskaya gjatë natës, e cila thuhet se furnizonte me karburant forcat ruse.
Sulmi erdhi një ditë pasi Rusia sulmoi Ukrainën duke përdorur qindra dronë dhe dhjetëra raketa, duke vrarë të paktën katër persona në kryeqytetin Kiev, sipas zyrtarëve ukrainas.
Vetëm për herë të dytë në pushtimin në shkallë të plotë që filloi në shkurt 2022, Rusia përdori një raketë hipersonike Oreshnik që goditi Ukrainën perëndimore të premten.
Udhëheqësit e Evropës e dënuan sulmin rus si "përshkallëzues dhe të papranueshëm", dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent më 12 janar për të diskutuar sulmin.
Ukraina ka synuar infrastrukturën energjetike të Rusisë në muajt e fundit, duke u përpjekur t'i ndërpresë Moskës aftësinë për të financuar fushatën e saj ushtarake kundër Kievit me të ardhurat e saj nga eksporti i naftës. /Telegrafi/
LONDËR, 10 janar /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe do të shpenzojë 200 milionë paund (268 milionë dollarë) për të përgatitur trupat britanike për dislokim në Ukrainë në rast të një armëpushimi me Rusinë, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, John Healey.
Healey i bëri deklaratat pas një vizite njëditore dje në Kiev, ku diskutoi planet për Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën me presidentin Volodymyr Zelensky.
Fondet do të përdoren për modernizimin e mjeteve ushtarake dhe sistemeve të komunikimit, mbrojtjen kundër dronëve dhe pajisje të tjera, me qëllim që trupat të jenë të gatshme për dislokim.
“Po rrisim ndjeshëm investimet në përgatitjet tona pas njoftimit të kryeministrit këtë javë, duke u siguruar që forcat e armatosura britanike janë të gatshme të dislokohen dhe të udhëheqin Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën, sepse një Ukrainë e sigurt do të thotë një Britani e Madhe e sigurt”, tha Healey.
Pas takimit, Zelensky shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Britanisë së Madhe, duke shtuar se “është thelbësore që kuadri për përfundimin e luftës të përfshijë një reagim të qartë nga aleatët nëse agresioni rus përsëritet”.
Healey njoftoi dje gjithashtu se këtë muaj do të nisë prodhimi i dronëve të rinj “Octopus” për Ukrainën, të projektuar për të kapur dronët e tjerë që Rusia përdor për të sulmuar objektiva civile.
Britania e Madhe synon të prodhojë mijëra dronë në muaj, me secilin “Octopus” që kushton vetëm 10% të çmimit të dronëve që synon të neutralizojë.
Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia ndërmori një valë masive sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës, duke goditur objektiva civile dhe infrastrukturën energjetike./ /Ad.Ab./ a.jor.
Presidenti amerikan Donald Trump u pyet së fundmi nëse do të mund të urdhëronte kapjen e presidentit rus, Vladimir Putin - një skenar i ngjashëm me liderin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Trump u përgjigj se nuk e konsideronte të nevojshme një veprim të tillë.
“Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie relativisht të mirë me Putinin, por gjithashtu shprehu zhgënjimin tim mbi situatën aktuale të luftës në Ukrainë”, tha ai.
Lideri amerikan sërish deklaroi se ka ndalur tetë lufta në botë, por kësaj radhe nuk tregoi se cilat konflikte.
Deklarata e 79-vjeçarit vjen ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Rusisë mbeten të larta, duke ngritur pyetje mbi strategjinë dhe qëndrimin e administratës amerikane ndaj konfliktit Ukrainë-Rusi.
Ndryshe, Maduro tashmë gjendet në qelitë e paraburgimit në New York, ku pritet të nis gjykimi për narko-terrorizëm. /Telegrafi/
Rusia ka përdorur gjatë natës raketën balistike me kapacitet bërthamor të quajtur “Oreshnik” në një sulm të gjerë ajror kundër Ukrainës, duke shënuar një përshkallëzim të dukshëm të ofensivës ushtarake.
Në kryeqytetin Kiev, sipas raporteve, të paktën katër persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, ndërsa shpërthime të forta u dëgjuan për disa orë.
Ky është vetëm hera e dytë që raketa “Oreshnik” përdoret në konflikt, pas përdorimit të saj të parë në nëntor të vitit 2024 kur goditi qytetin e Dnipros, raporton skynews.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi me këtë armë u krye si përgjigje ndaj një sulmi me dronë që sipas Moskës kishte synuar rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin, pengesë që Ukraina e ka mohuar fuqishëm.
— (@)
Autoritetet ukrainase thanë se raketa ka goditur infrastrukturën strategjike në rajonin e Lvivit, rreth 60 km larg kufirit me Poloninë, duke nxitur shqetësime për sigurinë në kontinent. “Një sulm i tillë kaq pranë kufirit të BE-s dhe NATO-s paraqet një kërcënim serioz për sigurinë evropiane”, deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Raketa “Oreshnik” konsiderohet një sistem raketor hipersonik me rreze të mesme veprimi, i aftë të fluturojë deri në 5500 km dhe mund të transportojë një ngarkesë bërthamore, edhe pse në këtë rast besohet se është përdorur me lëndë shpërthyese konvencionale. Analistët perëndimorë shprehin shqetësim se përdorimi i këtij armamenti, veçanërisht pranë kufijve të NATO-s dhe BE-s, shënon një hap të ri të rrezikshëm në konfliktin e vazhdueshëm.
Përveç raketës “Oreshnik”, Ukraina raportoi se forcat ruse kishin lëshuar edhe dhjetëra raketa të tjera kundër objektivave energjetikë dhe civilë, si dhe një valë dronësh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe duke përkeqësuar kushtet e jetesës për civilët në zona të shumta të vendit. /Telegrafi/
Të paktën katër persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në Kiev, pasi Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa dhe dronë në mbarë Ukrainën gjatë natës, njoftuan sot autoritetet.
Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Kliçko, tha se mes viktimave ishte edhe një mjek, ndërsa katër punonjës shëndetësorë mbetën të plagosur.
”Infrastruktura kritike u godit gjatë sulmit dhe disa zona të qytetit mbetën pa energji elektrike ose pa ujë”, shkroi Kliçko.
Në perëndim të vendit, Komanda Perëndimore e Forcave Ajrore të Ukrainës bëri të ditur se një sulm rus ndaj qytetit të Lvivit u krye me një raketë balistike të paidentifikuar.
Sipas ushtrisë ukrainase, raketa u lëshua nga zona e testimit ”Kapustin Jar” në Rusi, një pikë e njohur lëshimi për raketat balistike “Oreshnik”.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi tha se aktualisht nuk dihet nëse bëhej fjalë për një raketë “Oreshnik”.
Volodymyr Zelensky ka reaguar pas sulmit të fundit rus në Ukrainë.
Ai tha se ndërtesat e banimit dhe objektet energjetike u goditën në sulm, i cili përdori 242 dronë dhe 13 raketa balistike.
Moska gjithashtu qëlloi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik.
"Sulmi ndodhi pikërisht kur kishte një valë të konsiderueshme të ftohti", tha Zelensky.
"I drejtuar pikërisht kundër jetës normale të njerëzve të zakonshëm", shtoi ai.
Zelensky tha gjithashtu se një ndërtesë e ambasadës së Katarit u dëmtua nga një dron rus.
"Katari, një shtet që bën kaq shumë për të ndërmjetësuar me Rusinë në mënyrë që të sigurojë lirimin e të burgosurve të luftës dhe civilëve që mbahen në burgjet ruse", tha ai.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për një “reagim të qartë” nga bota, “mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara, sinjaleve të të cilave Rusia u kushton vërtet vëmendje”, sipas tij.
"Rusia duhet të marrë sinjale se është detyrim i saj të përqendrohet në diplomaci dhe duhet të ndiejë pasojat sa herë që përqendrohet përsëri në vrasje dhe shkatërrimin e infrastrukturës”, vazhdoi Zelensky.
“Sulmi shërben gjithashtu si një kujtesë shumë e fortë për të gjithë partnerët tanë se mbështetja e mbrojtjes ajrore të Ukrainës është një përparësi e përhershme." /Telegrafi/
Ushtria ruse thotë se ka goditur një objektiv në Ukrainë me raketën e saj hipersonike Oreshnik, si pjesë e asaj që e quan një sulm masiv gjatë natës ndaj objekteve energjetike dhe vendeve të prodhimit të dronëve.
Ministria e mbrojtjes thotë se sulmi ishte një përgjigje ndaj një përpjekjeje për sulm me dron ukrainas në njërën nga rezidencat e Vladimir Putinit në fund të vitit të kaluar.
Kievi thotë se pretendimet e Moskës se u përpoq të sulmonte rezidencën, në rajonin rus të Novgorodit, janë "gënjeshtra".
Kjo akuzë u hodh poshtë edhe nga presidenti amerikan Donald Trump i cili ka thënë se Ukraina nuk shënjestroi një rezidencë që i përkiste udhëheqësit rus Vladimir Putin në një sulm të dukshëm me dron.
Pas kontrolleve nga zyrtarët amerikanë, Trump tha se megjithëse “diçka ndodhi afër”, rezidenca e udhëheqësit rus nuk ishte në shënjestër.
“Nuk besoj se ka ndodhur ai sulm”, tha ai. /Telegrafi/
MOSKË, 8 janar /ATSH-AFP/ – Rusia paralajmëroi sot se do ta konsiderojë çdo prani perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim për forcat e saj të armatosura, pas njoftimit nga evropianët për qëllimin e tyre për të vendosur mijëra trupa në vend pas luftës.
“Të gjitha këto njësi dhe instalime do të konsiderohen objektiva legjitime ushtarake për forcat e armatosura ruse. Këto paralajmërime janë përsëritur disa herë në nivelin më të lartë dhe mbeten të vlefshme”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Rusia dënoi edhe deklaratat, “militariste” sipas saj, pas marrëveshjes midis Kievit dhe aleatëve të tij evropianë për të vendosur trupa në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit.
“Deklaratat e reja militariste nga i ashtuquajturi Koalicion i të Gatishëmve dhe regjimi i Kievit i bëjnë ata një bosht të vërtetë lufte”, tha Zakharova në një deklaratë./ /Ad.Ab./ a.jor.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më 7 janar se beson që lufta në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës, mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026.
Duke folur në ceremoninë e hapjes që shënoi fillimin e presidencës së Qipros në BE, Zelensky vuri në dukje atë që e përshkroi si një fazë të re në negociatat me partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol qendror në procesin e negociatave, transmeton Telegrafi.
"Ndërsa Qiproja fillon presidencën e saj të Këshillit të BE-së, ne vërejmë se negociatat kanë arritur një moment të ri së bashku me partnerët tanë evropianë dhe, natyrisht, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë anëtarët e Koalicionit të të Gatshmëve", tha Zelensky.
"Ne besojmë sinqerisht se kjo luftë mund të përfundojë gjatë presidencës suaj të Këshillit të BE-së", shtoi presidenti ukrainas.
Presidenca e Qipros në Këshillin e Bashkimit Evropian do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit, deri në fund të qershorit 2026.
Komentet e Zelensky vijnë pas disa raundeve të bisedimeve të fundit midis delegacioneve ukrainase, evropiane dhe amerikane në Paris.
Samiti i "Koalicionit të Gatshmëve", i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, zhvillohet ndërsa Kievi sinjalizon se një marrëveshje për t'i dhënë fund pushtimit pothuajse katërvjeçar në shkallë të plotë të Rusisë është "90% gati".
Takimi mbledh së bashku përfaqësues nga 35 vende, përfshirë 27 krerë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Sipas një draft-deklarate të përbashkët të raportuar, ende subjekt i ndryshimeve dhe një miratimi përfundimtar nga udhëheqësit, garancitë e sigurisë së Koalicionit do të përfshijnë një forcë të mbështetur nga SHBA-të dhe të udhëhequr nga Evropa të vendosur në Ukrainën e pasluftës, si dhe monitorimin e armëpushimit nga Uashingtoni. /Telegrafi/
Shtetet e Bashkuara duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë duke “kryer një lloj operacioni” për të larguar kreun çeçen Ramzan Kadyrov nga pushteti, ashtu siç bënë me udhëheqësin venezuelas Nicolas Maduro, tha të mërkurën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në komentet për gazetarët, Zelensky tha se operacioni për të larguar Maduron tregoi se Uashingtoni kishte fuqinë për të ndikuar në Moskë nëse dëshironte vërtet, duke argumentuar se rrëzimi i Kadyrovit do ta bënte presidentin rus Vladimir Putin “të mendonte dy herë” për ofensivën e tij të vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Forcat speciale amerikane rrëmbyen Maduron dhe gruan e tij nga Karakasi të shtunën e kaluar, duke tronditur aleatët e Uashingtonit dhe duke marrë dënimin nga partneri i Venezuelës, Moska, transmeton Telegrafi.
Kadyrov, udhëheqësi i rajonit rus me shumicë myslimane të Çeçenisë që nga viti 2007, është një nga mbështetësit më të zëshëm të Putinit dhe dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar në Ukrainë.
“Ata duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë. Ata kanë mjetet, ata dinë si. Dhe kur duan vërtet, ata mund t’i gjejnë ato”, tha Zelensky për Shtetet e Bashkuara.
"Ja një shembull me Maduron. Ata kryen një operacion. Të gjithë mund ta shohin rezultatin, e gjithë bota mund ta shohë. Ata e bënë menjëherë. Le të kryejnë një lloj operacioni me, si quhet ai - Kadyrov", tha Zelensky.
Kadyrov u përgjigj në një postim në Telegram, duke thënë se Zelensky "në mënyrë frikacake la të kuptohej se nuk do të kishte problem të qëndronte mënjanë dhe të shikonte nga një distancë e sigurt ndërsa dikush tjetër ndëshkonte shkelësin e tij".
"Ruaje fytyrën dhe mos e poshtëro veten. Nëse do të kishe një fije mashkullorie brenda teje, do ta kuptoje sa poshtëruese tingëllojnë fjalët dhe kërkesat e tua," shtoi ai, duke iu drejtuar udhëheqësit ukrainas.
Disa orë pas operacionit amerikan për të kapur Maduron, Zelensky kishte bërë shaka se edhe vetë Putini duhet të jetë në shënjestër.
"Nëse mund ta bësh këtë me diktatorë, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë çfarë të bëjnë më pas", tha ai në një konferencë për shtyp në Kiev gjatë fundjavës, duke qeshur dhe buzëqeshur.
Ukraina, e cila ka qenë duke luftuar një pushtim të plotë rus për gati katër vjet, ka pretenduar prej kohësh se partnerët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk kanë ushtruar presion të mjaftueshëm mbi Kremlinin për t'i dhënë fund luftës.
Kadyrov, i cili e ka sunduar Çeçeninë me grusht të hekurt për gati dy dekada, ka mbështetur vazhdimisht Moskën që të përdorë opsionet më ekstreme në Ukrainë - madje duke hedhur idenë e një sulmi bërthamor. /Telegrafi/
Garancitë e sigurisë për Ukrainën nga partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara nuk përfshijnë një “ombrellë bërthamore”.
Kjo është thënë nga presidenti Volodymyr Zelensky në një koment për gazetarët, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
"Nuk ka diskutim për armë bërthamore. Sa i përket garancive të sigurisë nga partnerët tanë evropianë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po diskutojmë një kontingjent, mbrojtje në tokë, në ajër, në det, si dhe një linjë të veçantë të 'mbrojtjes ajrore'", tha Zelensky.
Sipas tij, diskutimet përfshijnë gjithashtu forcimin e ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e fondeve shtesë për personelin.
Ai theksoi se çështja kryesore mbetet personeli i brigadave luftarake dhe sigurimi i gatishmërisë së tyre të lartë luftarake.
Zelensky vuri në dukje gjithashtu se Ukraina po zhvillon bisedime për marrjen e licencave të veçanta për të zhvilluar bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes.
Pas një takimi në Paris, udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetmirëve, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara nënshkruan një deklaratë të titulluar "Garanci të Forta Sigurie për një Paqe të Fortë dhe të Qëndrueshme në Ukrainë". /Telegrafi/
PRAGË, 7 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri i ri i Republikes Çeke, populisti i djathtë, Andrej Babis tha sot se nuk do të ndërpresë një iniciativë për armë e municione për Ukrainën, pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale për ta ndërprerë këtë.
“Projekti do të vazhdojë dhe Republika Çeke do të jetë në rolin e koordinatorit”, njoftoi Babis, 71 vjeç.
Por, ai tha se paratë e taksapaguesve çekë nuk do të investoheshin më në këtë projekt.
“Kjo është pak a shumë një çështje simbolike, pasi donatorët kryesorë kanë përfshirë vende si Gjermania, Danimarka dhe Holanda, ndërsa Praga ka dhënë vetëm një pjesë të vogël të fondeve”, tha Babis.
Miliarderi dhe lideri i partisë populiste të djathtë ANO kishte kritikuar ashpër projektin gjatë fushatës së tij dhe kërkoi ndërprerjen e tij, po ashtu si dy partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë u mblodh në Pragë për të diskutuar hapat e ardhshëm.
Përveç shefave të ushtrisë dhe të zbulimit, pritej të merrte pjesë edhe presidenti Petr Pavel.
Ukraina ka një nevojë të vazhdueshme për armë e municion artilerie për t’u mbrojtur nga Rusia, e cila filloi një pushtim të gjerë pothuajse katër vjet më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.