Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Prishtina kthehet te fitorja, triumfon ndaj Rahovecit

24 January 2026 at 20:37


KB Prishtina i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës në basketboll pas një serie prej tri humbjesh radhazi, duke marrë një triumf të rëndësishëm ndaj Rahovecit 029.

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në palestrën “Mizahir Isma”, Prishtina e mposhti Rahovecin 029 me rezultat 68:59, në kuadër të xhiros së 17-të të kampionatit. Kjo fitore vjen vetëm pak ditë pasi skuadra kryeqytetase siguroi edhe kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe jo të lehtë në kampionat.

Takimi nisi më mirë për Rahovecin 029, i cili e fitoi çerekun e parë me rezultat 14:13. Megjithatë, Prishtina reagoi fuqishëm në vazhdim, duke marrë kontrollin e lojës dhe duke fituar çerekun e dytë 23:20, si dhe të tretin 22:13, diferencë që rezultoi vendimtare për epilogun e ndeshjes. Çerekun e fundit e fitoi Rahoveci 029 me rezultat 12:10, por kjo nuk mjaftoi për ta rrezikuar fitoren e vendasve.

Te Sigal Prishtina u dallua Adrio Bailey, i cili regjistroi një paraqitje të kompletuar me nëntë pikë, 12 kërcime dhe pesë asistime. Kontribut të madh dha edhe Khalil Dukes, që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes për Prishtinën me 20 pikë, tri kërcime dhe pesë asistime.

Në anën tjetër, te Rahoveci 029 më efikasi ishte Julian Roche me 14 pikë dhe tetë kërcime./Telegrafi

Bashkimi shkëlqen në dy çerekët e fundit dhe mposht Rahovecin

18 January 2026 at 21:57


Bashkimi shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahoveci 029 me shifrat 90:70 (19:19, 18:22, 24:16, 29:13), në javën e 16-të të ProCredit Superligës.

Përballja e zhvilluar në Prizren në pjesën e parë ishte e baraspeshuar me çerekun e parë që përfundoi 19:19, derisa mysafirët për një nuancë ishin më të mirë në periudhën e dytë, 18:22.

Megjithatë, prizrenasit u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë për të shënuar fitore me 20 pikë dallim, 90:70.

Lejson Zeqiri ishte më i miri te vendasit me 21 pikë e gjashtë kërcime, kurse te ‘Vreshtarët’, Bardh Rexha kishte 20 pikë e katër kërcime.

Bashkimi është në vendin e dytë me 11 fitore e pesë humbje, kurse Rahoveci 029 ka pesë e 11 humbje./Telegrafi

Vlerësimi i dëmeve nga vërshimet në Rahovec, nga komuna thonë se ka filluar procesi - fermerët kërkojnë zgjidhje të përhershme

17 January 2026 at 10:26


Fillimviti 2026 ka goditur Kosovën me vërshime, ndërkaq komunat më të prekura janë Malisheva, Drenasi, Mitrovica, Gjakova dhe Rahoveci.

Në vazhdën e raportimeve për gjendjen e rëndë që ka goditur këto rajone, Telegrafi ka shkuar në Rahovec, për të shikuar nga afër se si kanë arritur t'ia dalin qytetarët në këtë fatkeqësi natyrore.

Nga dhjetëra fshatra të vërshuara, më mirë nuk ka kaluar as fshati Krushë e Madhe, ku blegtori Bedri Duraku ka treguar për situatën që përballën pothuajse çdo vit.

“Këtu jam me fermë të lopëve. Kohët e fundit, vërshimet që kanë ndodhur, ne nuk i kemi këto prej natyrës, por këto janë prej dorës së njeriut”, tha ai.



“Krejt ujëmbledhësi i asfaltit të fshatit Celinë, po derdhet në parcelën time dhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme që kanë shkuar në komunë, deri tash asnjë hap nuk e kanë marrë, niveli komunal është shumë neglizhues”.

Duraku shtoi më tej se ai nuk do të aplikoj për dëme, pasi që sipas tij më mirë është që të rregullohet ujëmbledhësi, se sa të kompensohen nga komuna.

Irfan Berisha, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit ka thënë për Telegrafin se kanë filluar aplikimet për kompensimin e dëmeve si në pronar familjare ashtu edhe në ato afariste.

“Komisionet janë në terren që nga dita kur është formua, ndërsa kemi pranuar deri tani rreth 350 kërkesa për dëmshpërblim”, tha ai.

“Janë trajtuar një pjesë e tyre, derisa komisioni është duke punuar në përmbyllje të këtij procesi, që t’i dërgojmë këto kërkesa në nivel qendror dhe të kompensohen dëmet”.

Berisha u pyet edhe për dëmet e viteve të kaluara, duke thënë se shpresojnë që do t’i kompensojnë edhe ato.

“Shpresojmë që do t’i kompensojmë edhe dëmet për vitet e kaluara dhe është mirë që të ndodhë pasi ka shumë dëme”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Ylli fiton ndaj ‘Vreshtarëve’

10 January 2026 at 20:43


Golden Eagle Ylli shënoi fitore të rëndësishme ndaj Rahoveci 029 me shifrat 94:80 (22:16, 31:16, 17:33, 24:15), në javën e 14-t të ProCredit Superligës.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, pasi më pas vendasit filluan shkëputjen, ku çerekun e parë e fituan 22:16, derisa edhe më bindës ishin në periudhën e dytë, që e dominuan, për të shkuar në pushim me rezultat 53:32.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë interesante, me mysafirët që në periodën e tretë afruan shifrat në 68:65, derisa në atë të fundit në 78:77, por në momentet vendimtare, therandasit ishin më të mirë për të fituar 94:80.

Te vendasit u dalluan Brandon Huffman me 25 pikë e dhjetë kërcime dhe Trevon Allen me 21 pikë e gjashtë kërcime, derisa Isiah Umipig u dallua me 24 pikë për mysafirët.

Tani të dy skuadrat kanë nga pesë fitore e nëntë humbje./Telegrafi

Disa zona të Malishevës dhe Rahovecit pa rrymë shkaku i vërshimeve

6 January 2026 at 11:59


KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

Sipas KEDS: “Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.

KEDS gjithashtu njofton se, për shkak të vërshimeve, gjendja mbetet jo stabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit.

“Për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës”, bëhet e ditur në njoftim.

Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushtet e sigurta.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera”, shtohet në komunikatë. /Telegrafi/


Ndërprerje e furnizimit me ujë në disa zona të Gjakovës dhe Rahovecit

24 December 2025 at 11:10


KRU “Gjakova” njofton konsumatorët se për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, disa zona janë përballur me mungesa të furnizimit me ujë.

Sistemi i ujësjellësit në këto zona funksionon me pompa elektrike, të cilat aktualisht nuk mund të operojnë për shkak të tensionit të ulët ose ndërprerjeve të përsëritura të energjisë.

“Sapo energjia elektrike të stabilizohet, furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve të prekur për këtë situatë të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e KRU-së.

Aktualisht, janë të prekur Zona 3 – Rahovec, si dhe fshatrat Polluzhë dhe Pastasel. KRU “Gjakova” po monitoron situatën dhe apelon për kujdes në përdorimin e ujit deri në normalizimin e furnizimit.

Ky paralajmërim vjen në një periudhë kur ndërprerjet e energjisë elektrike në Rahovec po ndodhin 3–4 herë në ditë, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e pompave dhe stabilitetin e sistemit të ujësjellësit. /Telegrafi/


Trepça triumfon ndaj Rahovecit 029 me rezultat bindës

20 December 2025 at 21:28


Kampionia e Kosovës, Trepça shënoi fitore në udhëtim ndaj Rahoveci 029 me rezultat 57:110 në javën e 13-të të ProCredit Superligës.

Nga fillimi deri në fund kampionët ishin në epërsi në këtë ndeshje, duke shënuar fitore të merituar dhe duke ngritur epërsinë minutë pas minute, derisa shifrat në fund ishin 57:110.

Te vendasit Julian Roche e mbylli ndeshjen me 12 pikë e tetë kërcime, derisa te mysafirët pesë basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, kurse Ja'cori Payne kishte 20 pikë e katër kërcime.

Rahoveci 02 pas 13 ndeshjeve ka pesë fitore e tetë humbje, derisa mitrovicasit janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje./Telegrafi/

‘Vreshtarët’ me fitore të madhe ndaj GO+ Peja

14 December 2025 at 21:36


Rahoveci 029 shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj GO+ Peja me rezultat 83:71 (23:24, 21:17, 26:16, 13:14), në javën e 11-të të ProCredit Superligës.

Sfida në Rahovec ishte mjaft interesante, ku pjesa e parë ishte kryesisht e baraspeshuar. Çereku i parë ishte i barabartë duke përfunduar 23:24, derisa vendasit për një nuancë ishin më të mirë në periudhën e dytë, 21:17, për të shkuar në pushim me rezultat 44:41.

Dallimi i madh dhe vendimtar u bë në periodën e tretë, 26:14, ndërsa ‘Vreshtarët’ në dhjetë minutat e fundit ruajtën epërsinë për të fituar 83:71.


Te vendasit u dalluan Fisnik Rugova me 25 pikë e 11 kërcime dhe Kentrell Pullian me 25 pikë, derisa te mysafirët më i miri ishte Dardan Berisha me 22 pikë.

Rahoveci 029 ka pesë fitore e gjashtë humbje, ndërsa GO+ Peja ka shtatë fitore e katër humbje. /Telegrafi/

Erjon Gashi, 18-vjeçari që po çmend me gola në futbollin kosovar: 13 gola në 7 ndeshje dhe tre herë het-trik me fanellën e Rahovecit

8 December 2025 at 17:20


Sulmuesi i ri nga Gjakova, Erjon Gashi, po kalon një formë të jashtëzakonshme te Rahoveci në Ligën e Dytë, ku po luan si huazim nga Vëllaznimi.

Në vetëm 7 ndeshje ka shënuar 13 gola, përfshirë tre het-trik spektakolarë, duke u kthyer në një nga futbollistët më të rrezikshëm të kampionatit.

Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi Gashi rrëfeu emocionet e tij për këtë sezon dhe formën që po kalon me klubin e Rahovecit.

"Sinqerisht, ndihem jashtëzakonisht mirë. Kjo është periudha ku po tregoj veten më së miri. Kam punuar shumë gjatë verës, fizikisht dhe mentalisht, dhe tash po shoh rezultatet. Me 13 gola në 7 ndeshje, përfshi tre het-trik, ndjej që jam në formën më të mirë të deritanishme. Jam i lumtur që po i ndihmoj ekipit dhe po e shpërblej besimin e trajnerit. Ndihem i lirë, kreativ dhe i uritur për gola çdo lojë", tha fillimisht sulmuesi i talentuar.

Sa i përket të ardhmes, Gashi është realist dhe i fokusuar, ndërsa edhe pse te Rahoveci po ndjehet shumë mirë, por mendjen e ka te Vëllaznimi.

"Në futboll gjithmonë them: dera duhet të jetë e hapur, por zemra ime e di kah synon. Rahoveci më ka dhënë mundësinë të rritem dhe unë po jap maksimumin për këtë fanellë. Megjithatë, Vëllaznimi është klubi i qytetit tim, aty e kam filluar rrugën dhe normal që ka një vend të veçantë për mua. Në fund të ditës, dua të marr vendimin që më çon më lart si futbollist. Prioriteti im është të zhvillohem dhe të jem aty ku mund të shpërthej edhe më shumë", deklaroi Gashi.

Synimi i tij për këtë sezon është i qartë, të kthehet në Ligën e Parë, pastaj të bëjë emër në futbollin tonë.

"Të vazhdoj me bujë, të tregoj nivel të lartë çdo ndeshje dhe të jem gati për hapin e madh – të imponoj veten në Ligën e Parë me fanellën e KF Vëllaznimit. Dua të dëshmoj se edhe pse jam 18 vjeç, kam karakterin, punën dhe mentalitetin për të qenë lider në fushë. Dua të mbyll sezonin me sa më shumë gola, të ndihmoj ekipin dhe të bëhem emër që përmendet në futbollin e Kosovës", përfundoi ai.

Forma e shkëlqyer e Gashit po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e adhuruesve dhe skautëve, dhe nuk është çudi që së shpejti ekipet nga Liga e Parë dhe Superliga e Kosovës do ta kenë si cak kryesor.

Erjon Gashi po dëshmon se është një nga talentet më premtuese të brezit të tij dhe e ardhmja e tij në futbollin kosovar duket më shumë se premtuese. /Telegrafi/

Rahoveci 029 merr fitore të madhe duke mposhtur liderin Bashkimin

6 December 2025 at 19:27


Rahoveci 029 ka shënuar fitore shumë të rëndësishme dhe të madhe, duke fituar ndaj liderit Bashkimit me rezultat 77:72.

Pjesa e parë ishte kryesisht e baraspeshuar, me vendasit që për një nuancë ishin më të mirë, duke fituar çerekun e parë 19:17 dhe atë të dytë 21:17, për të shkuar në pushim me shifrat 40:34.

Perioda e tretë i takoi tërësisht mysafirëve që ishin më të mirë 11:20, por në periudhën e fundit dhe atë vendimtare, ‘Vreshtarët’ bën përmbysjen për të fituar 26:18.

Më i miri te vendasit ishte Kentrell Pullian me 26 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime, derisa te mysafirët më i miri ishte Kyan Anderson me 28 pikë e gjashtë asistime.

‘Vreshtarët’ kanë katër fitore e pesë humbje, ndërsa për Portokallezinjtë ishte humbja e dytë radhazi pas shtatë fitoreve radhazi./Telegrafi/

Kupa e Kosovës në basketboll sjell çerekfinale të forta

2 December 2025 at 16:16


Fituesja aktuale e Kupës së Kosovës, Trepça, do të ketë një sfidë të fortë në çerekfinale, ku do të përballet me Golden Eagle Yllin.

Shorti për këtë fazë u tërhoq të martën në ambientet e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Një duel mjaft interesant pritet edhe ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, ndërsa ndeshje e balancuar shihet ajo mes Rahovecit 029 dhe Borës.

Po ashtu, shumë vëmendje pritet të marrë edhe përballja Vëllaznimi – Sigal Prishtina, që konsiderohet një nga sfidat më të forta të raundit.

Sipas njoftimit të FBK-së: Fituesi i çiftit Bashkimi – GO+ Peja do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e duelimit Vëllaznimi – Sigal Prishtina.

Ndërsa fituesi i sfidës Trepça – Golden Eagle Ylli do të ndeshet me fituesin e takimit Rahoveci 029 – Bora.

Në këtë fazë, skuadrat do të luajnë nga dy ndeshje, dhe ekipi me rezultat më të mirë total do të avanconi në gjysmëfinale. Edhe gjysmëfinalet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. /Telegrafi/

Superliga rikthehet në aksion, derbi mes Pejës dhe Trepçës

2 December 2025 at 13:50


ProCredit Superliga rikthehet në aksion pas ndeshjes së Kosovës me shumë ndeshje interesante.

Derbi i xhiros së tetë do të zhvillohet të enjten mbrëma mes GO+ Peja dhe Trepçës, që është përballja e fundit e kësaj xhiro. Sfidat ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë dhuruar gjithmonë emocione dhe kështu pritet të enjten, me të dy skuadrat që kanë dhuruar shumë spektakël në këtë edicion dhe kanë ambicie të mëdha. Pejanët kanë gjashtë fitore e një humbje, derisa mitrovicasit katër fitore e dy humbje. Në takimin e parë në Mitrovicë fituan verdhezinjtë 80:86.

Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli është një përballje ku dy skuadrat synojnë fitoren, pasi që kohët e fundit nuk kanë pasur shumë rezultate pozitive. Bardhekaltrit kanë katër fitore e tri humbje, ndërsa therandasit një fitore e gjashtë humbje. Takimin e parë në Therandë e fituan kryeqytetasit 76:78, ndërsa edhe takimi i së mërkurës do të zhvillohet në Therandë.

Rahoveci 029-Bora po ashtu është një përballje shumë interesante dhe shumë e rëndësishme. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e katër humbje, kurse prishtinasit një fitore e pesë humbje. Duelin e parë në kryeqytet e fitoi skuadra nga Rahoveci me rezultat 84:95.

Të enjten do të sfidohen Bashkimi me Vëllaznimin, ndeshje që do të zhvillohet në Gjakovë, pasi takimi i parë ishte zhvilluar në Prizren. Portokallezinjtë janë skuadra e vetme pa asnjë humbje me shtatë fitore në shtatë ndeshje, kurse Kuqezinjtë një fitore e gjashtë humbje. Përballjen e parë e fituan prizrenasit 69:106.

ProCredit Superliga-Java 8

E mërkurë

18:45 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

18:45 Rahoveci 029-Bora

E enjte

18:45 Bashkimi-Vëllaznimi

20:00 GO+ Peja-Trepça

Një lagje e Rahovecit pa ujë nga mëngjesi deri në mbrëmje

2 December 2025 at 08:37


Njësia e Rahovecit në kuadër të KRU “Gjakova” ka njoftuar se sot, të martën më 2 dhjetor 2025, do të realizohen punime në nyjen e gypit DN 300, për çka do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

Sipas njoftimit, ndërprerja do të zgjasë nga ora 08:00 deri në ora 15:00, dhe do të prekë zonën e rrugës “Xhelal Hajda” në Rahovec.

Kompania kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe falënderon qytetarët për durimin gjatë kohës së punimeve. /Telegrafi/


Komuna e Rahovecit jep sqarim lidhur me ndërprerjen e kontratës së punës së drejtorit të ShFMU “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë të Vogël

11 November 2025 at 17:30


Zyra Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Rahovecit ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës, me numër protokolli 02/6693, të datës 6 nëntor 2025, që ka të bëjë me ndërprerjen e kontratës së punës së drejtorit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Heronjtë e Kosovës” në Hoçë të Vogël, z. Ramadan Krasniqi.

Në njoftim theksohet se vendimi është marrë pas shqyrtimit të procedurave ligjore dhe administrative, si dhe pas përfundimit të procesit të inspektimit nga Inspektorati i Arsimit, përfshirë vendimet e shkallës së parë dhe të dytë, të cilat janë bashkëngjitur dokumentacionit zyrtar.

Sipas sqarimit, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Rahovecit kishte shpallur konkursin për pozitën e drejtorit të kësaj shkolle në korrik të vitit 2022, ndërsa pas zhvillimit të procedurave të konkursit dhe rekomandimit të komisionit përkatës, z. Ramadan Krasniqi ishte emëruar drejtor më 8 nëntor 2022.

Megjithatë, bazuar në gjetjet e Inspektoratit të Arsimit dhe vendimet pasuese, Komuna e Rahovecit është obliguar të ndërmarrë procedurat ligjore për ndërprerjen e kontratës dhe emërimin e një kandidati tjetër në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi i Kryetarit të Komunës për ndërprerjen e kontratës është marrë në pajtim me këto rekomandime dhe është nënshkruar më 6 nëntor 2025. /Telegrafi/


Eliot Peci bën heroin te Rahoveci, “Vreshtarët” mposhtin Vëllaznimin

10 November 2025 at 22:04


Në një dramë të vërtetë Rahoveci 029 fitoi ndaj Vëllaznimit me rezultat 81:80 (22:21, 17:17, 18:17, 24:25), në xhiron e pestë të ProCredit Superligës.

Skuadra kuqezi e nisi ndeshjen më mirë, duke pasur epërsi deri në shtatë pikë, 10:17, e më pas 12:19, e më pas u rikthyen ‘Vreshtarët’, ku çereku i parë përfundon 22:21. Basketbollistët e Rahoveci 029 kishin epërsi deri në gjashtë pikë, 27:21, por kësaj radhe kuqezinjtë u rikthyen, duke u zhvilluar lojë e baraspeshuar, ku pjesa e parë përfundon 39:38.

Lojë interesante u zhvillua në periodën e tretë, ku ‘Vreshtarët’ kishin epërsinë më të lartë, në 11 pikë, 55:44, por skenari i njëjtë u përsërit, pasi basketbollistët e Vëllaznimit afruan shifrat, që pas 30 minutash ishin 57:55.

Në çerekun e fundit u zhvillua përballje edhe më interesante, ndër më të zjarrtat në këtë edicion, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej. Por, dy sekonda nga fundi, Eliot Peci me një lëvizje të zgjuar shënoi dy pikët vendimtare për 81:79, derisa ndeshja përfundoi me rezultat 81:80.



Te Rahoveci 029 u dallua Kentrell Pullian me 25 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, kurse te Vëllaznimi u dalluan Marques Warrick me 19 pikë dhe Leo Colimerio me 18 pikë.

Rahoveci 029 ka dy fitore e tri humbje, ndërsa Vëllaznimi një fitore e katër humbje./Telegrafi

Përfundon riparimi i defektit në rrugën “UÇK” në Rahovec

4 November 2025 at 13:38


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se ekipet e saj teknike kanë përfunduar me sukses punimet për rregullimin e defektit në gypin kryesor të çelikt me diametër fi 400 në rrugën “UÇK” në Rahovec.

Pas ndërhyrjes së realizuar me intensitet dhe kujdes teknik, furnizimi me ujë është rilëshuar për konsumatorët e Zonës 1 të qytetit të Rahovecit, duke rikthyer normalitetin në shërbimet e ujësjellësit.

Nga kompania është bërë e ditur se punimet janë kryer brenda afatit të parashikuar, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të siguruar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit pas riparimit, përcjell Telegrafi.

KRU “Gjakova” ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë ndërprerjes së përkohshme të furnizimit me ujë dhe ka theksuar se ekipet teknike janë në gatishmëri të vazhdueshme për të reaguar ndaj çdo defekti që mund të paraqitet në rrjetin e ujësjellësit.

Ky intervenim, sipas kompanisë, është pjesë e angazhimeve të përditshme për përmirësimin e shërbimeve dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët e komunës së Rahovecit. /Telegrafi/

Ndërprerje të furnizimit me ujë në Rahovec

3 November 2025 at 15:42


KRU “Gjakova” njofton qytetarët e Rahovecit se, për shkak të punimeve të planifikuara në gypin Ø400 mm në rrugën “UÇK”, furnizimi me ujë për Zonën e Parë të qytetit do të ndërpritet përkohësisht nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e punimeve.

Kompania thekson se ky ndërprerje është e domosdoshme për realizimin e punimeve të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të infrastrukturës së ujësjellësit, që do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët e zonës.

KRU “Gjakova” kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e shkaktuar nga ndërprerja e përkohshme dhe siguron se stafi i kompanisë po punon me përkushtim maksimal që punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe furnizimi të rifillojë normalisht. /Telegrafi/


Peja regjistron fitoren e katërt radhazi, mposht edhe Rahovecin

2 November 2025 at 18:52


GO+ Peja ka shënuar fitoren e katërt radhazi në Superligën e Kosovës në basketboll, duke mposhtur Rahovecin.

Pejanët zhvilluan një tjetër paraqitje fantastike për të fituar me rezultat 87-79 (20:16, 28:21, 18:19, 21:23).

Peja e nisi fuqishëm qysh në çerekun e parë për ta mbyllur me katër pikë epërsi 20:16, ndërsa këtë avantazh veçse e shtoi në çerekun e dytë me shtatë pikë të tjera 28:21.

Rahoveci filloi të këndellet në çerekun e tretë për ta ngushtuar epërsinë, por që Peja u rikthye shpejtë në lojë, kësisoj diferenca ishte vetëm një pikë 18:19.

Në çerekun vendimtar, Peja veçse e ruajti këtë epërsi të madhe për ta shënuar fitoren e radhës 21:23, apo rezultati përfundimtar 87:79.

Tajh Green ishte më i dalluari te Peja me 15 pikë, tetë topa të kthyer e një asistim, kurse te Rahoveci shkëlqeu Kentrell Pullian me plot 23 pikë, katër topa të kthyer e një asistim.

Kësisoj, Peja ngjitët në pozitën e dytë në tabelë duke e barazuar Bashkimin si skuadrat e pamposhtura këtë edicion, derisa Rahoveci shijon humbjen e tretë./Telegrafi/

Sigal Prishtina merr fitoren e tretë, mposht Rahovecin në udhëtim

25 October 2025 at 21:05


Sigal Prishtina ka regjistruar fitoren e tretë në ProCredit Superligë. Bardhekaltrit fituan ndaj Rahoveci 029 me shifrat 68:77.

Çerekun e parë më nisën mysafirët, duke pasur epërsi të lehtë, por vendasit u kundërpërgjigjën dhe kjo pjesë përfundoi 22:21.

Prishtinasit ishin më të mirë në periudhën e dytë, që e dominuan këtë pjesë, 11:20 për të shkuar në pushim me shifrat 33:41.

Perioda e tretë ishte më e barabartë, 17:16 dhe dhanë maksimumin në dhjetë minutat e fundit, megjithatë nuk ia arritën qëllimit, ku kryeqytetasit shfrytëzuan përvojën dhe fituan 68:77.

Isiah Umipig kishte 26 pikë e katër asistime për vendasit, kurse Deondre Burns kishte 20 pikë, pesë kërcime e katër asistime për mysafirët.

Rahoveci 029 ka një fitore e dy humbje, ndërsa Sigal Prishtina tri fitore në tri ndeshje./Telegrafi/

KRU Gjakova njofton për intervenim në fshatin Fortesë të Rahovecit

21 October 2025 at 15:34


KRU Gjakova bën të ditur se ekipet teknike nga Njësia Rahovec kanë ndërmarrë sot një intervenim për rregullimin e defektit në gypin fi 63mm në fshatin Fortesë.

Sipas njoftimit, punimet kanë për qëllim stabilizimin e furnizimit me ujë dhe zgjidhjen e defektit sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që banorët të mos përballen me ndërprerje të gjatë të shërbimit.



KRU Gjakova falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kryerjes së punimeve. /Telegrafi/

❌
❌