Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve
TIRANË, 13 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot situatën në zonat e përmbytura të qarkut të Fierit, ku deklaroi se gjendja po shkon drejt përmirësimit, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij dhe është kryer evakuimi i plotë i banorëve të prekur.
“Jemi në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht, kjo zonë është shumë pranë hidrovorit dhe vijon të ketë prezencë uji, por e rëndësishme është që, ndonëse rreth 20 banesa janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Evakuimi i plotë i të gjithë banorëve është realizuar”, u shpreh Balluku.
Ajo informoi se më herët kishte pasur vështirësi në kontaktimin e dy barinjve në zonë, por situata është zgjidhur. “Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim t’i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur dhe janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera të angazhuara”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës emergjente. “Forcat e Armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto ditë të vështira dhe sfiduese, pothuajse në të gjithë vendin”, nënvizoi ajo.
Balluku bëri të ditur se në dy deri në tri ditët në vijim nuk parashikohen reshje, çka do të krijojë kushtet për ndërhyrje rikuperuese. “Kjo do të jetë koha për të rikuperuar dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Jemi duke diskutuar me inxhinierët e bordit të kullimit për hapat që do të ndërmerren. Gjithsecili është në krye të detyrës dhe po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, deklaroi ajo.
Duke iu drejtuar banorëve të zonave të përmbytura, Balluku apeloi për bashkëpunim me pushtetin vendor. “Të gjithë banorët që kanë nevojë për mbështetje, veçanërisht për ushqimin e bagëtive, duhet të kontaktojnë menjëherë pushtetin vendor. Janë në dispozicion rezervat e shtetit, si për nevojat personale, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve”, tha Balluku.
Sa i përket menaxhimit të prurjeve ujore, Balluku theksoi se shkarkimet nga kaskada e Devollit janë ulur në minimum.
“Duke qenë se ndikimi i kësaj kaskade vjen në lumin Seman, shkarkimet janë ulur në kuotën minimale dhe janë më të ulëta se prurjet aktuale. Kompania ‘Statkraft’ i është përgjigjur thirrjes sonë për të ulur sa më shumë shkarkimet, ashtu siç është bërë edhe me kaskadën e Drinit, e cila është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushën e Shkodrës”, u shpreh Balluku.
Në vijim, ajo bëri të ditur se do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve.
“Do të na duhet të bëjmë të gjitha riparimet e nevojshme dhe vlerësimin e dëmeve. Më pas, në bashkëpunim me bashkitë dhe grupet e ngritura nga Emergjencat Civile, do të realizohet një shpërndarje e drejtë e kompensimit, sipas një skeme që po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si për banesat e prekura, ashtu edhe për dëmet në serra dhe toka bujqësore”, deklaroi ajo.
E pyetur për dëmtimet në argjinaturën e lumit Seman, Balluku sqaroi se bëhet fjalë për dëmtime dhe jo çarje të plota.
“Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Do të ketë riparime të menjëhershme, sapo të bjerë niveli i ujit, dhe më pas ndërhyrje më të thella për të përforcuar të gjitha segmentet e prekura. Pikat problematike janë identifikuar dhe do të riparohen menjëherë”, përfundoi Balluku.
/e.xh/a.f/r.e/
The post Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.