“Nuk ka asgjë të vërtetë”, menaxheri Eros Grezda i mohon spekulimet për kalimin e Etnik Brrutit te Cluji
Këto dy ditët e fundit ka pasur shumë raportime se CFR Cluj është e interesuar për mesfushorin Etnik Brruti, si pasues i Lindon Emërllahut, por menaxheri Eros Grezda për Telegrafin ka konfirmuar se këto spekulime janë plotësisht të pavërteta.
Cluji e shiti Emërllahun te Polissya për 1.5 milionë euro, ndërsa thashethemet thoshin se Brruti do të jetë zëvendësuesi, derisa Malisheva kërkon rreth 800 mijë euro për ta lënë yllin e skuadrës që të largohet.
Telegrafi ka kontaktuar Grezdën për këto spekulime, mirëpo ky i fundit ishte i qartë se janë thjesht lajme të pavërteta.
“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë në ato raportime. I kam parë lajmet edhe kinse kërkesat e Malishevës, por nuk janë aspak të vërteta. Është e pamundur edhe shkaku i kontratës së Etnikut (ka vetëm edhe gjashtë muaj kontratë)”.
Etnik Brruti
Grezda ndër të tjera konfirmoi se për Brrutin shumë klube kanë shprehur interesim, por gjasat më reale janë që të mbetet deri në verë si lojtar i Malishevës.
“Po, ka interesim të madh për Brrutin nga disa klube, por të shohim. Gjasat më reale janë që deri në verë të mbetet te Malisheva”, shtoi ky i fundit.
21-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 16 paraqitje në elitën e futbollit kosovar, për të kontribuar me katër gola e dy asistime në proces.
Kujtojmë, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme Brruti zuri vend në formacionin më të mirë të vitit si të FFK-së ashtu edhe të Telegrafi Sport./Telegrafi
