Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-ën/ Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave zbeh vlerën e të ardhurave

By: V K
5 January 2026 at 08:29

A e keni vënë re se edhe pse mund të merrni më shumë para, në fund të muajit ato ju dalin gjithmonë e më pak?!

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave po zbeh vlerën reale të të ardhurave, sidomos nga pagat.

Të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e tretë paga reale mesatare bruto ishte 69,630 lekë ose 16,4 për qind më e ulët se paga mesatare nominale prej 83,300 lekësh në të njëjtën periudhe.

Paga reale për shkak te efekteve inflacionit është 140 euro më ulët se paga nominale në qershor-shtator 2025.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 83 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 70 mijë lekë.

Paga nominale mesatare mujore bruto në Shqipëri nga viti 2014 në 2025 është rritur ndjeshëm, po nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me përmirësim të fuqisë reale blerëse te të punësuarve, përkundrazi.

Pagat nominale dhe ajo reale kishin diferenca të balancuara para pandemisë, por më pas hendeku erdhi në zgjerim nga rritja e çmimeve, sidomos në qira dhe ushqime.

Paga nominale u rrit ndjeshëm, nga rreth 60 mijë lekë në vitin 2022 në mbi 83 mijë lekë në vitin 2024 dhe fillim 2025. Megjithatë, paga reale rritet shumë më ngadalë dhe në disa tremujorë madje shënon rënie krahasuar me ritmin e pagës nominale.

Raporti i pagës reale ndaj pagës nominale bie në mënyrë të vazhdueshme, duke zbritur nga rreth 94% në fillim të vitit 2022 në rreth 83–83% në vitet 2024–2025.

Kjo tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e rritjes së pagave po gërryhet nga inflacioni.

Ndonëse punonjësit marrin paga nominalisht shumë më të larta sot krahasuar me një dekadë më parë, por fuqia reale blerëse e këtyre pagave është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Pagat më larta nuk kanë arritur të kompensojë rritjen e çmimeve, duke bërë që përfitimi real për të punësuarit të jetë më i ulët sesa sugjeron rritja nominale e të ardhurave.

 

 

Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave./ Monitor

The post Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-ën/ Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave zbeh vlerën e të ardhurave appeared first on Albeu.com.

Politika përballë gjyqit/ BIRN: Dosjet e bujshme për vitin 2026, nga Veliaj te Belinda Balluku, kush janë zyrtarët e lartë të pandehur për afera korruptive nga SPAK

By: V K
5 January 2026 at 08:01

Sallat e gjykatave të Strukturës së Posaçme, do të presin gjatë vitit 2026 një numër rekord të pandehurish mes zyrtarëve të nivelit të lartë, jo vetëm ish-funksionarë, por edhe ata që janë ende në detyrë.

Në anën tjetër, edhe lista e të akuzuarve për krim të organizuar në Shqipëri, është zgjeruar falë të dhënave të siguruara nga SKY ECC, të cilat u kanë dhënë prokurorëve të SPAK një pamje më të gjerë të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe mënyrës se si grupet kriminale ndërveprojnë me sektorë të ekonomisë si ndërtimi apo tenderat publikë.

Gjatë vitit 2025, SPAK vendosi nën akuzë dy prej zyrtarëve më të lartë në detyrë, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ndërsa çështja ndaj Ballukut, është ende në hetim, procesi gjyqësor kundër Veliajt pritet të jetë çështja më e bujshme dhe njëherazi një test për standardet e hetimit gjatë vitit 2026.

Veliaj gjendet në qeli prej 10 shkurtit, kur u arrestua në zyrën e tij për akuza korrupsioni në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa janë përgjegjës për një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Veliaj dhe Xoxa i kundërshtojnë akuzat.

Çështja në ngarkim të Veliajt u dërgua për gjykim më 10 shtator, por vijon ende shqyrtimi në seancën paraprake.

Edhe pse sipas Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për gjykim duhet të shqyrtohet brenda afatit 30 ditor, kjo procedurë është zvarritur për tre muaj e gjysmë.

Pavarësisht këtyre taktikave për shtyrje, pritet që në vitin 2026 Gjykata e Posaçme të vendosë për kalimin ose jo në gjykim në seancë publike të themelit të dosjes voluminoze ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, ish-deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe 15 personave të tjerë, biznesmenë e bashkëpunëtorë.

Një tjetër shqyrtim i rëndësishëm në Gjykatën e Posaçme është ai ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar gjithashtu për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit Sportiv “Partizani”.

Shqyrtimi i kësaj çështjeje është në fillimet e saj dhe pritet të zgjasë dhe përgjatë 2026-ës.

Berisha, 81-vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që po përballet me një situatë të tillë ligjore, por jo i vetmi.

Ish-President Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, gjendet në arrest prej 21 tetorit 2024 për akuzat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Nën akuzë për të njëjtat vepra penale u vendos dhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi.

Ata u dërguan për gjykim më 29 gusht së bashku me tre të pandehur të tjerë, por ende gjykata nuk është shprehur për kalimin ose jo për gjykim të çështjes në themel, pasi seancat janë shtyrë. Pritet që vitin e ardhshëm të fillojë gjykimi dhe për këtë çështje.

Gjykata e Posaçme filloi në nëntor edhe gjykimin ndaj ish-zv.kryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj lidhur me çështjen penale në ngarkim të tij për privatizimin e një parcele toke me çmimet e vitit 1994 në zonën e 5 Majit.

Ahmetaj do të gjykohet në këtë dosje për shpërdorim detyre, ndërkohë që një çështje e dytë penale e pret me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është një tjetër zyrtar i lartë që po gjykohet aktualisht në Gjykatën e Posaçme për koncesionin e sterilizimit.

Në muajin prill, SPAK dërgoi për gjykim ndaj Beqajt e 10 të pandehurve të tjerë për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.

Pritet që kjo çështje të kalojë për gjykim gjatë këtij viti.

Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes në vitin 2008, gjatë qeverisjes Berisha, po gjykohet prej vitit 2023 për shpërdorim detyre lidhur me shpërthimin në Gërdec në vitin 2008.

Maratona e seancave do të vijojë edhe në 2026-ën.

Me dhjetra zyrtarë të një rangu më të ulët janë aktualisht në proces gjykimi për akuza të korrupsonit dhe shpërdorimit të detyrës.

Dy prej tyre, ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohen për aferën e kompanisë 5D të kontrolluar prej tyre.

Gjykata nuk e pranoi kërkesën e Mollës dhe Qatos për gjykim të shkurtuar dhe gjykimi i tyre u nda nga të pandehurit e tjerë e po vijon në fazën e pyetjes së dëshmitarëve, mes të cilëve ka dëshmuar dhe ish-nënkryetari i bashkisë, Arbjan Mazniku i cili shmangu prej vetes përgjegjësitë për tenderat korruptivë të fituar nga kompania 5D.

Lidhjet dhe bashkëpunimi i ngushtë i anëtarëve të krimit të organizuar me politikën dolën qartë dhe në çështjen në ngarkim të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Ai u dënua në muajin nëntor me dy vjet burg për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Krimi i organizuar

Të dhënat e marra nga aplikacioni Sky ECC prej autoriteteve të drejtësisë franceze, hapën kutinë e Pandorës edhe për organizatat kriminale shqiptare, prej nga SPAK arriti të ndërtojë dosje penale të suksesshme që çuan në masa sigurie të dhjetra anëtarëve të krimit shqiptar dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë prej dhjetra milionë eurosh.

Hetimet ekspozuan se sa thellë ka depërtuar krimi organizuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, nga vendet e origjinës në Amerikën e Jugut e deri në transportimin e shitjen në Evropë, në pastrimin e parave duke u shfaqur si biznesmenë të suksesshëm, si dhe lidhjet me politikën, strukturat kyçe të Policisë së Shtetit e magjistratë. Po ashtu, u zbuluan skenare lufte mes këtyre bandave për të zotëruar territorin dhe larje e hesape të vjetra.

Gjithsesi, këto hetime të Prokurorisë së Posaçme do të duhet të certifikohen në gjykatë.

Mes tyre, çështja penale ndaj Pëllumb Gjokës – një investitor strategjik i qeverisë, i akuzuar për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal po shqyrtohet prej majit të vitit 2024, ndërsa për pesë të akuzuarit e tjerë, vendimi u shpall në nëntor.

Në muajin tetor, SPAK dërgoi për gjykim grupin “Çopja”, një nga bandat më të fuqishme dhe të dhunshme në Shqipëri, çështje që pritet të gjykohet në vitin 2026.

Tridhjetë e tre anëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Çopja u dërguan për gjykim nga Prokuroria e Posaçme për tridhjetë e tre ngjarje kriminale, përfshirë vrasje, pastrim parash në vlera të mëdha, trafik droge apo korrupsion. Disa nga drejtuesit e kësaj organizate kriminale pritet të gjykohen në mungesë, pasi nuk janë arrestuar dot deri më sot.

Po ashtu, SPAK dërgoi për gjykim në fillim të dhjetorit një çështje penale në ngarkim të 27 anëtarëve të krimit të organizuar shqiptar, pjesë e 7 organizatave kriminale të goditura gjatë një operacioni në maj të vitit të kaluar kur u lëshuan gjithsej 50 urdhër-arreste.

Hetimi i bazuar tek të dhënat e aplikacionit të koduara Sky-ECC, zbardhi 18 ngjarje kriminale që lidhen me vrasje, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit e trafik droge, si dhe bëri të dukshme e faktoi lidhjet mes krimit e politikës në Shqipëri.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe i pandehuri Arian Tuku akuzohen se në rolin e krijuesve, organizuesve dhe drejtuesve të grupit të strukturuar kriminal, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë, gjatë vitit 2020 kanë siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami.

Në mujin maj, SPAK kaloi për gjykim edhe çështjen penale ndaj 11 anëtarëve të krimit të organizuar në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, mes tyre Suel Çela, Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja. Ata akuzohen se përmes bashkëpunimit në cilësinë e grupit të strukturuar kriminal kanë kryer një sërë veprash penale të rënda, si vrasje, plagosje, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë e me dhunë, etj., ngjarje të ndodhura gjatë dy dekadave të fundit në disa qarqe të vendit./BIRN

The post Politika përballë gjyqit/ BIRN: Dosjet e bujshme për vitin 2026, nga Veliaj te Belinda Balluku, kush janë zyrtarët e lartë të pandehur për afera korruptive nga SPAK appeared first on Albeu.com.

Investimet në kanalizime me pikatore, KLSH: Në një dekadë UKT përdori 10 milionë euro, 1/7 e buxhetit të përcaktuar

By: V K
5 January 2026 at 07:45

Nevojat për kanalizime në kryeqytet, janë në rritje të vazhdueshme teksa investimet reale në rrjet mbeten larg asaj që kërkohet.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), nënvizon se nga 7 miliardë lekë apo rreth 70 milionë euro investime kapitale të kryera në një dekadë nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, afërsisht 1/7 e kësaj shumë kanë shkuar për kanalizime.

“Fondet e destinuara për përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit të Tiranës kulmojnë si masë relative (në%) në vitin 2015, ku pesha specifike e këtyre fondeve zinte 58% të investimeve vjetore gjithsej dhe me trend rënës, derisa në vitin 2022 shënohet përqindja më e ulët e investimeve të realizuara për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve, me vetëm 2,1% të totalit të fondeve gjithsej të shpenzuara për investimet e UKT. Për gjithë periudhën 2015-2024 investimet gjithsej të UKT sh.a. janë 7,038 milionë lekë dhe ato për sistemin e kanalizimeve vetëm sa 13.2% e tyre, ose 927 milionë lekë”, thuhet në auditim.

KLSH konstaton se nga viti në vit nuk ka pasur një harmonizim të vlerave që investohen, duke u luhatur në disa raste nga 2 për qind deri në 58 për qind, por për një pjesë të mirë të viteve ato ishin në vlera modeste.

“Për rrjedhojë, këto investime të rrjetit të kanalizimit që për periudhën 2015-2024 arrijnë në 926,6 milionë lekë, vlerësohet që kanë dhënë një ndikim të lehtë e të pa ndjeshëm në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e mbulueshmërisë me shërbime të ujit dhe zvogëlimin e shkarkimit të ujërave të ndotur në lumenjtë e kryeqytetit.

Pamjaftueshmëria dhe mungesa e burimeve të nevojshme financiare për infrastrukturën e kanalizimeve. Nivelet e investimeve në sektorin e furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të ndotura në qytetin e Tiranë janë dukshëm më të ulëta se sa nevojat, kjo sidomos në kushtet që infrastruktura e kanalizimeve është e vjetër, e dëmtuar dhe herë-herë joefikase”, nënvizon auditimi.

Raporti ndalet në faktin që ndryshimet demografike të lidhura me migrimin e popullsisë drejtë kryeqytetit, pas ndryshimit të regjimit në vitin 1991 dhe rritja e ndjeshme pasuese e kërkesës për shërbimet e largimit të ujërave të zeza, kanë ndikuar në situatën e infrastrukturës së kanalizimeve, e cila në shumicën e rasteve funksionon me kapacitetin maksimal.

“Edhe pse vitet e fundit investimet kanë ardhur në rritje, ato nuk janë më të orientuara dhe të baras-peshuara në furnizimin me ujë dhe infrastrukturën e kanalizimeve, dhe se ato asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për investime kapitale”, thuhet në raport./ MONITOR

The post Investimet në kanalizime me pikatore, KLSH: Në një dekadë UKT përdori 10 milionë euro, 1/7 e buxhetit të përcaktuar appeared first on Albeu.com.

Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
5 January 2026 at 07:39

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 81.2 lekë, në shitje me 82.7 lekë.

Euro, do të blihet me 95.6 lekë, do të shitet me 97.1 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.4 lekë dhe shitet me 103.9 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 109 lekë dhe shitet me 111 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Kushte të paqëndrueshme atmosferike, njihuni me parashikimin e motit

By: V K
5 January 2026 at 07:28

Këtë të hënë vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e veriperëndimit (qarku Shkodër) deri në orët e mesditës reshjet me intensitet mesatar deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Nga orët e pasdites deri ato të mbrëmjes vonë në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet e shiut me intensitet deri të lartë në formën e shtrëngatave/rrebesheve.

Në zonën e Alpeve dhe në relievet malore në lartësitë mbi 1500 metër në verilindje reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i Jugut me shpejtësi 12 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, sidomos në Jug era pritet të arrijë deri 24m/s

Valëzimi në det parashikohet të jetë i forcës 4-6 ballë.

The post Kushte të paqëndrueshme atmosferike, njihuni me parashikimin e motit appeared first on Albeu.com.

Before yesterdayMain stream

Përfshihet nga flakët një banesë në Elbasan, raportohet për dëme materiale

By: V K
3 January 2026 at 15:51

Këtë të shtunë rreth orës 13:40, në lagjen “Aqif Pasha” në qendër të qytetit të Elbasanit, një shtëpi private u përfshi nga flakët.

Flakët me përmasa të mëdha kanë “pushtuar” të gjithë banesën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për dëme në njerëz, ndërsa banorët kanë mundur të dalin në kohë nga banesa.

Zjarri ka krijuar panik në zonë, për shkak të afërsisë me banesa të tjera dhe dendësisë së lagjes.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së zjarrit në objektet përreth.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa pritet një verifikim i plotë nga autoritetet përkatëse.

The post Përfshihet nga flakët një banesë në Elbasan, raportohet për dëme materiale appeared first on Albeu.com.

Shembja e rrugës izolon Dukagjinin, denoncimi i deputetes së PD: Qytetarët në rrezik nga papërgjegjshmëria e shtetit

By: V K
3 January 2026 at 15:29

Deputetja e PD në Shkodër Greta Bardeli, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rrugës në zonën mes Prekali dhe Urës së Shtrenjtë, pas shembjes së një pjesë të rrugës.

Ajo shprehet se kjo është një papërgjegjshmëri e treguar nga institucionet dhe braktisje e shtetit për qytetarët.

“Rruga mes Prekalit dhe Urës së Shtrenjtë (Shkallë Logje), që lidh tre njësitë e Dukagjinit, si dhe shembja tjetër tek Gështenja e Thaçit, mbi fshatin Kir, që lidh Pultin me Shoshin. E gjithë zona aktualisht është pa energji elektrike”, shprehet ajo.

 

The post Shembja e rrugës izolon Dukagjinin, denoncimi i deputetes së PD: Qytetarët në rrezik nga papërgjegjshmëria e shtetit appeared first on Albeu.com.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së zbardh akuzat ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro

By: V K
3 January 2026 at 14:50

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, njoftoi se presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.

Sipas Bondi-t, Maduro akuzohet për: narco-terrorizëm, importim të kokainës, mbajtje të armëve automatike dhe pajisjeve shkatërruese dhe mbajtjen e këtyre armëve kundër SHBA-së.

Bondi theksoi se, “së shpejti ata do të përballen me gjithë ashpërsinë e drejtësisë amerikane në gjykatat e SHBA-së”, ndërsa nuk dha detaje mbi akuzat ndaj bashkëshortes së tij.

Prokurorja gjithashtu, falenderoi ushtrinë amerikane për operacionin e guximshëm dhe të suksesshëm, i cili solli arrestimin e dy të dyshuarve si trafikantë ndërkombëtarë droge, duke e cilësuar një ndërhyrje historike në Venezuelë.

Shtetet e Bashkuara, kanë nisur një sulm të madh në disa vende në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake në vend.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ushtria amerikane ka “kapur Presidentin Venezuelian Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe i ka nxjerrë jashtë vendit “, në një aksion të kryer “në koordinim me administratën e drejtësisë amerikane”.

Trump , i cili urdhëroi sulmin, kishte ngritur në javët e fundit mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës në emër të një “lufte kundër karteleve të drogës” dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro ishin “të numëruara” .

The post Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së zbardh akuzat ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro appeared first on Albeu.com.

Nicolas Maduro u arrestua nga SHBA, kush do ta udhëheq Venezuelën pas largimit të tij? Skenarët që përfliten

By: V K
3 January 2026 at 14:15

Lajmi për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pas goditjeve të Shteteve të Bashkuara në Karakas, shënon një moment historik në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Amerikës Latine.

Në analizën e saj, BBC përpiqet të deshifrojë se çfarë mund të ndodhë në Venezuelë ditën pas këtij zhvillimi dramatik.

Media britanike, thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kishin ndërmarrë një ndërhyrje kaq të drejtpërdrejtë në rajon që nga viti 1989, kur pushtuan Panamanë për të rrëzuar udhëheqësin ushtarak të asaj kohe, Manuel Noriega.

Largimi i Maduro-s nga Venezuela, siç pretendon Donald Trump, do të perceptohet si një fitore e madhe për krahun më “të ashpër” brenda administratës amerikane, disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur nevojën për ndryshim regjimi në Karakas.

Kujtojme se SHBA akuzojnë Nicolás Maduro-n si kreun e një organizate kriminale të trafikut të drogës, akuza që ai i ka mohuar kategorikisht.

Uashingtoni nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës, duke argumentuar se zgjedhjet e vitit 2024 nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.

Nga ana tjetër, Karakasi ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në se synon të përvetësojë rezervat fitimprurëse të naftës së vendit, të cilat konsiderohen më të mëdhatë në botë.

Cfarë do të ndodhë brenda Venezuelës?

Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë brenda Venezuelës, nëse regjimi i Maduro-s bie.

Mbështetësit e ndërhyrjes amerikane pretendojnë se kjo do t’i hapë rrugën opozitës venezueliane për të marrë pushtetin, nën drejtimin e fitueses së Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, ose të kandidatit të opozitës në zgjedhjet e vitit 2024, Edmundo González.

Megjithatë, shumë analistë paralajmërojnë se situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, pasi në lojë hyn roli i ushtrisë, si dhe rreziku i destabilizimit të vendit.

Ushtria dhe grupet paramilitare në Venezuelë mbeten besnike ndaj Maduro-s dhe madje edhe disa nga kritikët e tij kanë shprehur frikën se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e SHBA-së mund të çojë në destabilizim të mëtejshëm të vendit.

Është e sigurt se pas lajmit për arrestimin e Maduro-s, shumë nga aleatët e tij më të afërt tashmë do të jenë seriozisht të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike dhe personale.

The post Nicolas Maduro u arrestua nga SHBA, kush do ta udhëheq Venezuelën pas largimit të tij? Skenarët që përfliten appeared first on Albeu.com.

Rikthehen radhët e gjata në rrugën Elbasan-Librazhd, moti i keq vështirëson lëvizjen e mjeteve

By: V K
3 January 2026 at 14:00

Rikthehet kaosi në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd deri në zonën e Kthesave të Dragostunjës. Prej orës 13:00, fluksi i shtuar i automjeteve që qarkullojnë në të dyja drejtimet ka krijuar radhë të gjata dhe vonesa të konsiderueshme.

Situata u përkeqësua ndjeshëm gjatë mesditës, për shkak të shtimit të fluksit të automjeteve në qarkullim por edhe për shkakun se disa segmente të rëndësishëm të rrugës, janë pjesë e punimeve që po kryhen për zgjerimin e Korridorit VIII, nga Miraka drejt Urës së Murrashit.

Të gjitha këto segmente prej kohësh dominohen nga gropat dhe janë tejet të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve tip autoveturë.

Kjo gjendje detyron drejtuesit e mjeteve të ulin ndjeshëm shpejtësinë, duke sjellë ngadalësim të qarkullimit dhe rrezik për aksidente.

Drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për kushtet e rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për sistemimin e segmentit problematik, sidomos në një aks me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, policia rrugore ndodhet në terren për menaxhimin e trafikut, ndërsa apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë aks.

The post Rikthehen radhët e gjata në rrugën Elbasan-Librazhd, moti i keq vështirëson lëvizjen e mjeteve appeared first on Albeu.com.

SHBA arreston presidentin Nicolás Maduro pas sulmeve masive! Çfarë dihet deri tani për operacionin ushtarak në Venezuelë

By: V K
3 January 2026 at 13:40

Shtetet e Bashkuara, kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, pas një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë kundër vendit të Amerikës së Jugut, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.

Trump tha se presidenti venezuelan me orientim të majtë dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë jashtë vendit në kuadër të një operacioni ushtarak, i kryer në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

Shpërthime janë raportuar në disa zona të kryeqytetit Karakas gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, përfshirë edhe baza ushtarake.

Qeveria e Venezuelës, ka kërkuar prova se Maduro është gjallë dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave të armatosura, ndërsa në vend është shpallur gjendje emergjence kombëtare.

Kapja e Maduros, vjen pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve, ndërsa Uashingtoni ka goditur edhe anije në Karaibe, për të cilat thotë se përdoreshin për trafik droge.

SHBA e ka akuzuar Maduron për përfshirje personale në trafikun e drogës dhe për udhëheqje jolegjitime të vendit, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht, duke kundërshtuar SHBA-në për intimidim.

Çfarë dihet për kapjen e Maduros?

Detajet mbi kapjen e Maduros mbeten të pakta. Trump nuk dha informacione të mëtejshme mbi mënyrën se si ai u arrestua apo vendndodhjen aktuale.

Sipas CBS, partner mediatik i BBC në SHBA, Maduro është kapur nga Delta Force, njësia elitare kundër terrorizmit e ushtrisë amerikane.

Trump pritet të mbajë një konferencë për shtyp në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, ku mund të zbulojë më shumë detaje mbi operacionin.

Çfarë ndodhi gjatë sulmeve?

Rreth orës 02:00 me orën lokale, shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas, ndërsa re të mëdha tymi u panë mbi qytet. Raportimet flasin për goditje në aeroportin ushtarak La Carlota, në qendër të kryeqytetit, si dhe në bazën kryesore ushtarake Fuerte Tiuna.

Zona përreth mbetën pa energji elektrike. Video që tregojnë shpërthime dhe helikopterë mbi qytet po qarkullojnë në rrjetet sociale, por ende nuk janë verifikuar zyrtarisht.

Deri tani nuk dihet nëse ka viktima, ndersa qeveria venezuelane deklaroi gjithashtu se janë goditur edhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Si ka reaguar Venezuela?

Zv/presidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se qeveria nuk e di se ku ndodhen Maduro dhe bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, dhe kërkoi “prova të menjëhershme jete” për të dy.

Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, tha se sulmet kanë goditur edhe zona civile dhe se autoritetet po mbledhin të dhëna për të vrarë dhe të plagosur.

Ai shtoi se Venezuela do të “rezistojë” ndaj pranisë së trupave të huaja. Qeveria venezuelane publikoi gjithashtu një deklaratë zyrtare, duke dënuar “agresionin jashtëzakonisht serioz ushtarak” të SHBA-së “kundër territorit dhe popullsisë venezuelane, në objekte civile dhe ushtarake”.

Në deklaratë, SHBA akuzohet se po kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe se sulmi synon të marrë “burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet”, për të “thyer me forcë pavarësinë politike të vendit”.

Çfarë ka thënë Donald Trump?

Menjëherë pas shpërthimeve, Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte. Më pas, Trump konfirmoi përmes platformës së tij Truth Social se SHBA qëndronte pas sulmeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit,” shkroi Trump.

“Operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të pasojnë”.

Kush është Nicolás Maduro dhe pse u kap?

Nicolás Maduro u ngjit në pushtet nën udhëheqjen e presidentit të majtë Hugo Chávez dhe Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës (PSUV). Ai u bë president në vitin 2013.

Në vitin 2024, Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale, edhe pse opozita pretendoi se kandidati i saj, Edmundo González, kishte fituar bindshëm.

Ai ka pasur përplasje të forta me Trump për emigracionin masiv venezuelan drejt SHBA-së dhe për luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht fentanylit dhe kokainës.

Trump ka shpallur dy grupe kriminale venezuelane — Tren de Aragua dhe Kartelin e Diellit — si organizata terroriste të huaja dhe ka pretenduar se ky i fundit drejtohej nga vetë Maduro.

SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Maduro i ka mohuar me forcë këto akuza, duke akuzuar SHBA-në se po përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të përfituar nga rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.

Muajt e fundit, forcat amerikane kanë kryer gjithashtu më shumë se 24 sulme në ujëra ndërkombëtare ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë drejt SHBA-së, me mbi 100 persona të vrarë.

The post SHBA arreston presidentin Nicolás Maduro pas sulmeve masive! Çfarë dihet deri tani për operacionin ushtarak në Venezuelë appeared first on Albeu.com.

Berisha: Largimi i Ramës, kusht i domosdoshëm, Balluku bën gjithçka për të intimiduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet

By: V K
3 January 2026 at 13:24

“’Lubi’ Balluku dhe Edi Rama po bën gjithçka për të intimuduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet. Ndaj dhe reagimi për të larguar Ramën nga pushteti është kusht domosdoshëm”, kështu u shpreh kreu i PD Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët.

Më tej Berisha tha se një nga problemet më madhore në vend është edhe moszbatimi i ligjit antimafia.

“Një nga problemet më madhore sot është moszbatimi i ligjit Antimafia. Në qoftë se në Shqipëri janë miliarda euro të organizatave kriminale dhe të organizatës kriminale Rilindja, të qeverisë, të investuara, sot janë gjithsej 60 milionë të sekuestruara. Ju garantoj se do bëhet gjithçka për zbatimin me zero tolerancë të ligjit Antimafia dhe të gjitha asetet do t’i kalojnë shqiptarëve, popullit shqiptar, shoqërisë shqiptare”, tha ai.

Gjithashtu Berisha paralajmëroi se misioni i vetëm i opozitës është përmbysja e regjimit.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Me keqardhje duhet t’ju përgjigjem se nuk ekziston absolutisht asnjë mekanizëm tjetër përveç protestës. Sepse siç e patë ju, Rama edhe pezullimin e anuloi nëpërmjet gjykatës politike kushtetuese apo organizatës së Partisë Socialiste.

Kështu që, Rama nuk do i heqë imunitetin as të vetes, as Lubi Ballukut. Rama dha mesazhe shumë të qarta. Madje ai kërkoi deputetëve të tij që të përzënë nga mbledhja prokurorët për Lubi Ballukun. Mos harroni që ky armik i votës së lirë, s’po hyj t’i jap shumë epitete të tjera, është pasardhës i një njeriu që ka firmosur varjen e kundërshtarit politik.

Në rastin e Sali Berishës, procedurën e ka kryer brenda dy orëve, ndonëse prokurorët politikë nuk sollën fare dosje, po sollën pretendimin se ka kundërshtuar vendimin e gjykatës. Ky tani, që e ka të qartë si drita e diellit se dosja Balluku është dosja Rama. Se dosja Balluku në tunelin e Llogarasë është dosja Rama.

Se dosja Balluku në aeroportin e Vlorës është dosja Rama. Se dosja Balluku në unazën e Tiranës, 13 km të ndarë në 14 tendera është dosja Rama. Se dosja Rama është dosja më e madhe, më e tmerrshme.

E ka shumë të qartë se dosja se dosja e inceneratorit të Tiranës është dosja Rama, para së gjithash. Se sterilizatorët dhe check-up-i janë dosja Rama para së gjithash.

Ky e di këtë punë. Ndaj dhe ky s’do pranojë kurrë, kurrë të zbatojë urdhrat e prokurorisë dhe gjykatave.

Kështu që varet nga ne. Do pranojmë ne një diktaturë të plotë ku nuk ka më asnjë lloj shprese, përveçse një njeri që do përcaktojë fatin tonë? Apo do ngrihemi në një betejë përfundimtare kundër tij.

The post Berisha: Largimi i Ramës, kusht i domosdoshëm, Balluku bën gjithçka për të intimiduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet appeared first on Albeu.com.

Nga shofer autobusi në krye të Venezuelës, rruga e Maduros drejt pushtetit

By: V K
3 January 2026 at 13:11

Nicolás Maduro, erdhi në pushtet si pasues i Hugo Chávezit pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 2013, duke fituar ngushtë zgjedhjet presidenciale – rezultat i kundërshtuar nga opozita.

Aleat i hershëm i Chávezit, Maduro trashëgoi pushtetin, por jo karizmën dhe mbështetjen popullore të paraardhësit të tij.

Ish-shofer autobusi dhe drejtues sindikate, ai u përball gjatë qeverisjes me kriza të thella politike dhe ekonomike, protesta masive, keqmenaxhim të industrisë së naftës dhe sanksione të ashpra ndërkombëtare, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2017, Maduro zgjeroi kompetencat e presidencës, duke anashkaluar Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, çka shkaktoi protesta të dhunshme.

Një vit më pas, ai fitoi një mandat të dytë në zgjedhje të denoncuara si të parregullta nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.

Akuzat për mashtrim zgjedhor dhe përfshirje në aktivitete kriminale janë përsëritur edhe vitet e fundit, ndërsa presioni amerikan është rritur.

Në këtë klimë tensioni, e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e pasigurt.

The post Nga shofer autobusi në krye të Venezuelës, rruga e Maduros drejt pushtetit appeared first on Albeu.com.

Rritet mosha e daljes në pension, me nisjen e vitit 2026 ndryshojnë edhe vitet e punës

By: V K
3 January 2026 at 12:40

Me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015.

Reforma e ndërmarrë 10 vite më parë parashikoi një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, ç`ka lidhet direkt me masën e pensionit.

Konkretisht nga 61-vjeç e 10 muaj në 2025 nga ky vit i ri gratë do të dalin në pension pasi të mbushin 62- vjeç, kurse për burrat do të vazhdojë të jetë 65-vjeç.

Për të dyja gjinitë rriten edhe vitet e punës, për të marrë pension të plotë nga 38 vite e 8 muaj në 39 vite punë.(grafik)

“Aktualisht në Shqipëri janë rreth 750 mijë pensionistë, pjesa dërrmuese janë të pakënaqur me vlerën që marrin në fund të muajit, pasi gati 55% e pensioneve në vend janë të pjesshme, për mungesë të viteve të punës”, shprehet Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie.

Me fillimin e vitit 2026, hyn në fuqi dhe vendimi qeverisë për rritjen e pensioneve nëpërmjet bonuseve mujore.

Konkretisht 1,800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune, 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme dhe 1000 lekë në muaj për pensionet rurale. 700 lekë për pensionet familjare dhe 600 elkë për pensionet e invaliditetit.)

“Por gjithsesi dhënia e bonuseve mujore duke nisur nga janari që vjen nuk rrit bazën e pensionit, pasi indeksimi edhe në tetor të 2026-ës do të bëhet mbi pensionin bazë dhe jo mbi bonusin. Një skemë e tillë sipas qeverisë do të përdoret deri në fund të këtij derisa pensionet të arrijnë në minimal në 200 euro dhe mestar në 400 euro”, shton ekspertja e ekonomisë.

Ndërsa viti 2026, sapo ka nisur ministria e financiar lajmëron se brenda këtij viti, pritet reformimi i skemës së pensioneve me synim rritjen e qëndrueshmërisë dhe përfitimit.

Autoritetet thonë se rezultatet e para do të ndihen gradualisht, duke vendosur bazat për një sistem më të drejtë e të sigurt për pensionistët e sotëm dhe të ardhshëm.

MOSHA E DALJES NË PENSION

GRATË 2025 61-vjec e 10 muaj 2026 – 62-vjec

BURRAT 2025 65-vjec 2026 – 65-vjec

RRITJA QË DO TË PËSOJNË PENSIONET NË VITIN 2026

Urban i plotë 1800 lekë

Urban i pjesshëm 800 lekë

Rural 1000 lekë

Familjare 700 lekë

Invaliditeti 600 lekë

The post Rritet mosha e daljes në pension, me nisjen e vitit 2026 ndryshojnë edhe vitet e punës appeared first on Albeu.com.

Tragjedia në Zvicër/ Identifikohen katër viktimat e zjarrit në Crans-Montana, mes tyre edhe dy të mitur

By: V K
3 January 2026 at 12:25

Autoritetet zvicerane kanë përfunduar identifikimin e katër viktimave të tjera nga tragjedia që ndodhi natën e Vitit të Ri në barin “Le Constellation”, në qendrën e skive Crans-Montana, dhe i kanë dorëzuar trupat familjeve të tyre.

Sipas njoftimit të policisë së kantonit Valais, pas një procesi të gjatë dhe intensiv identifikimi gjatë orëve të fundit, u konfirmua identiteti i katër shtetasve zviceranë: dy vajza, 21 dhe 16 vjeçe, dhe dy djem, 18 dhe 16-vjeç.

Procesi i identifikimit u krye me ndihmën e njësive të specializuara për viktimat e katastrofave masive (DVI) dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për shkak të rëndësisë së plagëve të shkaktuara nga zjarri.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave mjeko-ligjore dhe administrative, trupat iu dorëzuan familjeve në mënyrë zyrtare.

Si ndodhi tragjedia?

Hetuesit po përpiqen të zbardhin se si dhe pse zjarri vdekjeprurës që shpërtheu natën e ndërrimit të viteve në Crans-Montana u përhap me një shpejtësi kaq të madhe, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër.

 

 

Autoritetet zvicerane, deklaruan të premten se fishekzjarrë që shpërthyen mbi shishe shampanje ishin shkaku fillestar i zjarrit.

Megjithatë, mënyra se si flakët u përhapën me një intensitet ekstrem, duke lënë të paktën 40 viktima dhe 119 të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë, mbetet një nga çështjet kryesore të hetimit, së bashku me historikun e sigurisë së barit Le Constellation.

Sipas BBC-së, ekspertë të sigurisë nga zjarri kanë analizuar video dhe fotografi të realizuara nga të mbijetuarit, në përpjekje për të identifikuar gabimet që çuan në tragjedi.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë persona që mbajnë mbi kokë shishe shampanje me fishekzjarrë të ndezur, shumë pranë tavanit, mes një turme të dendur njerëzish.

Në disa prej imazheve, flakët duken teksa nisin të përhapen në tavan, ndërsa në video të tjera shihen klientë që filmojnë zjarrin, me muzikë të fortë në sfond, përpara se të përfshihen nga paniku dhe të vrapojnë drejt daljes.

Prokurorja e përgjithshme e rajonit Valais, Beatrice Pilloud, deklaroi se të dhënat deri tani çojnë në përfundimin se zjarri nisi nga fishekzjarrë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilat “u afruan shumë pranë tavanit”.

Një tjetër element kyç i hetimit është materiali i veshjes së tavanit. Dy ekspertë të sigurisë nga zjarri i thanë BBC-së se në pamje duket një material që i ngjan shkumës akustike prej poliuretani, e cila, nëse nuk është trajtuar me substanca kundër zjarrit, është jashtëzakonisht e ndezshme dhe prodhon tym të dendur toksik.

Sipas specialistëve, zjarri mund të ketë shkaktuar fenomenin e njohur si “flashover”, ku gazrat e nxehtë grumbullohen në tavan dhe përfshijnë pothuajse menjëherë të gjithë ambientin nga flakët. Ekspertët theksojnë se në raste të tilla, mbijetesa është pothuajse e pamundur.

Autoritetet zvicerane deklarojnë se për momentin nuk mund të konfirmojnë nëse materiali i përdorur në tavan ishte në përputhje me standardet e sigurisë, ndërsa theksojnë se ndërtesa të përmasave të tilla duhet të inspektohen çdo vit.

Hetimi po fokusohet edhe te daljet e emergjencës së lokalit, i cili shtrihej në dy nivele, kat përdhes dhe bodrum.

Dyshohet se zjarri nisi në bodrum, ndërsa videot tregojnë njerëz që përpiqen të largohen përmes një shkalle të ngushtë, e cila mund të jetë kthyer në një pikë fatale bllokimi gjatë panikut.

Zyrtarët konfirmojnë se ndërtesa kishte më shumë se një dalje, por ende nuk është e qartë nëse dalja e emergjencës ishte e hapur në momentin e zjarrit.

Ndërkohë, dy drejtuesit francezë të barit janë marrë në pyetje nga autoritetet, së bashku me disa nga personat që arritën të shpëtojnë.

Njëri prej pronarëve ka deklaruar për mediat lokale se lokali ishte inspektuar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe se gjithçka ishte në përputhje me rregullat.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se fishekzjarrë të vendosur mbi shishe ishin përdorur edhe më herët në këtë bar, të paktën që nga viti 2024, sipas videove të publikuara në internet.

The post Tragjedia në Zvicër/ Identifikohen katër viktimat e zjarrit në Crans-Montana, mes tyre edhe dy të mitur appeared first on Albeu.com.

Shembje masive dhe rrëshqitje dherash, aksi rrugor Ura e Shtrenjtë-Prekal bllokohet plotësisht (VIDEO)

By: V K
3 January 2026 at 12:06

Aksi rrugor Ura e Shtrejtë-Prekal, është bllokuar plotësisht për qarkullim, pas një shembjeje të konsiderueshme të trupit të rrugës, e cila dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dherave, pas reshjeve intensive të 48 orëve të fundit.

Shembja është konstatuar në vendin e quajtur “Shkallë Logje”, një segment problematik i këtij aksi, ku masa të mëdha dheu kanë rrëshqitur drejt rrugës, duke e bërë atë të pakalueshme dhe potencialisht të rrezikshme për çdo mjet apo këmbësor.

Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë ndërhyrë ekipet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa pritet një vlerësim më i detajuar teknik për shkallën e dëmtimit dhe ndërhyrjet që do të nevojiten për rikthimin e qarkullimit normal.

Si pasojë e këtij bllokimi, banorët e zonës së Prekalit dhe fshatrave përreth kanë aktualisht vetëm një rrugë alternative për lëvizje, përmes kalimit nga ana tjetër, në drejtim të Qafës së Thores.

Ndërkohë, nga ana e Malit të Shoshit, qarkullimi mbetet i pamundur, pasi rruga është e bllokuar në zonën e Prekalit dhe nuk ofron asnjë mundësi kalimi.

Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë, deri në përmirësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme për stabilizimin e rrëshqitjes.

 

The post Shembje masive dhe rrëshqitje dherash, aksi rrugor Ura e Shtrenjtë-Prekal bllokohet plotësisht (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Sulmi i SHBA në Venezuelë/ CBS: Presidenti Maduro u arrestua nga njësia speciale elitare amerikane ‘Delta Force’

By: V K
3 January 2026 at 11:47

Zyrtarë të SHBA-së, kanë deklaruar se Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është arrestuar të shtunën nga anëtarë të njësisë elitare Delta Force, njësia më e specializuar e ushtrisë amerikane.

Njësia e njohur Delta Force, ishte gjithashtu përgjegjëse për misionin e vitit 2019 që çoi në vdekjen e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, shkruan CBS News.

Ministri venezuelan i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, njoftoi në një video të publikuar në rrjetet sociale mobilizimin e forcave ushtarake në të gjithë vendin, pas sulmeve të ushtrisë amerikane.

Ministri i mbrojtjes bëri thirrje për një front të bashkuar rezistence përballë “agresionit më të keq” kundër Venezuelës.

Ai deklaroi se të gjitha forcat e armatosura do të vendoseshin në terren sipas “urdhrave të Maduros”, por nuk përmendi kapjen e supozuar të presidentit.

Na kanë sulmuar, por nuk do të na mundin”, tha ai, duke bërë thirrje për qetësi dhe unitet, dhe paralajmëroi kundër anarshisë dhe çrregullsisë, duke shtuar: “të mos biem pre e panikut që armiku kërkon të instaloje”.

Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj disa vendeve në Venezuelë, duke përfshirë bazat ushtarake në vend. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Aksioni ushtarak u urdhërua nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili në javët e fundit kishte ngritur mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, ishin “të numëruara”, pasi vendosi një flotë anijesh luftarake në Karaibe.

Përmes një reagimi Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit.

The post Sulmi i SHBA në Venezuelë/ CBS: Presidenti Maduro u arrestua nga njësia speciale elitare amerikane ‘Delta Force’ appeared first on Albeu.com.

Situata e motit në vendin tonë/ Si paraqitet situata në qarkun e Shkodrës, shembje rrugësh e ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona

By: V K
3 January 2026 at 11:32

Moti i keq dhe temperaturat e ulëta përfshinë vendin prej ditësh. Si pasojë janë evidentuar edhe problematika, për shkak të ngricave, reshjeve të shiut si edhe reshjeve të dëborës.

Në qarkun e Shkodër, raportohet se është evidentuar është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.

Në këtë mënyrë aksi është bllokuar për të shmangur çdo rrezik, ndërsa theksohet se po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit të lëvizjes së mjeteve.

Momentalisht në këtë bashki reshjet e shiut kanë pushuar. Ndërsa në disa njësi në bashkinë e Vaut të Dejës, ka patur shkëputje të energjisë elektrike. Sakaq grupet e punës janë në terren.

Ndërsa në bashkinë Fushë Arrëz, si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë, ka pasur rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

The post Situata e motit në vendin tonë/ Si paraqitet situata në qarkun e Shkodrës, shembje rrugësh e ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona appeared first on Albeu.com.

Burri vrau gruan dhe më pas veten/ Detaje nga krimi në familje në Vlorë, 40-vjeçarja ishte kthyer për festat e fundvitit në banesë

By: V K
3 January 2026 at 11:10

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë u regjistrua në Vlorë, ku 50-vjeçari Llogora Xhebro vrau bashlëshorten e tij Sose Xhebro 40-vjeç.

Të tjera detaje janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë në Orikum.

Fqinjët tregojnë se çifti kishte konflikte të shpeshta. Para festave të fundvitit, gruaja kishte shkuar të jetonte te e ëma në Vlorë, por pas insistimeve të bashkëshortit, ajo u kthye në banesë për të festuar me fëmijët.

Banorët thonë se konflikte të vazhdueshme dhe denoncime nga ana e gruas kishin ndodhur edhe më parë, ndërsa autori drejtonte një market në Orikum.

Megjithatë, të dy njiheshin si njerëz të qetë nga komuniteti lokal.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas informacioneve nga policia, pasi e dhunoi gruan, Llogora Xhebroj e çoi atë në spital, ku ajo mbërriti pa shenja jete. Dyshohet se dhuna ka përfshirë edhe mbytjen me duar. Pas ngjarjes, ai u kthye në banesë dhe kreu vetëvrasjen.

Çifti ishte prindër i dy fëmijëve. Familjarët kanë deklaruar në polici se në kohët e fundit ata kishin probleme dhe ishin në prag të ndarjes.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe apelon për kujdes dhe ndërhyrje të menjëhershme në raste konflikti familjar.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

The post Burri vrau gruan dhe më pas veten/ Detaje nga krimi në familje në Vlorë, 40-vjeçarja ishte kthyer për festat e fundvitit në banesë appeared first on Albeu.com.

Çështja e kompensimit të pronave/ Jorida Tabaku: Ligji socialist ka mbaruar afatin dhe ka dështuar në zbatim

By: V K
3 January 2026 at 10:41

Këtë të shtunë Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka sjellë në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme dhe të pazgjidhura të tranzicionit shqiptar, kthimin dhe kompensimin e pronave.

Tabaku rikujton se kanë kaluar 10 vite nga hyrja në fuqi e ligjit për trajtimin e pronave, një ligj i miratuar nga mazhoranca socialiste, i cili sipas saj ka përfunduar afatin ligjor të zbatimit pa arritur objektivat themelore.

Sipas ligjit, brenda një dekade duhej të ishin kthyer ose kompensuar të gjitha pronat, me një angazhim buxhetor që parashikohej të arrinte mbi 1 miliard euro, rreth 100 milionë euro në vit.

Por realiteti, thekson Tabaku, është krejt ndryshe: vetëm rreth 20% e vendimeve të trajtuara pranë Agjencia e Trajtimit të Pronave kanë përfunduar, ndërkohë që afati ligjor tashmë ka skaduar.

Deputetja ngre pikëpyetje serioze edhe për mijëra dosje të tjera që ndodhen ende në proces gjyqësor apo në shqyrtim administrativ, si dhe për mungesën totale të mundësive për kompensim fizik, në një kohë kur trualli publik është shpërndarë përmes ligjit të investimeve strategjike apo paketave të tjera ligjore.

Tabaku e cilëson reformën e pronave si një tjetër reformë të dështuar të qeverisë socialiste, duke theksuar se pa zgjidhjen e drejtë të pronësisë nuk mund të ketë as investime të huaja serioze, as siguri juridike dhe as respektim të së drejtës kushtetuese të pronës.

Ajo ndalet edhe te njoftimi i fundit i qeverisë për shpërndarjen e 14 milionë eurove për kompensim, duke e quajtur këtë shumë “një pikë uji në oqeanin e detyrimeve” të marra përsipër një dekadë më parë.

Sipas saj, rikthimi i pronës tek i zoti është kusht themelor për drejtësi, ekonomi funksionale dhe shtet të së drejtës.

 

The post Çështja e kompensimit të pronave/ Jorida Tabaku: Ligji socialist ka mbaruar afatin dhe ka dështuar në zbatim appeared first on Albeu.com.

❌
❌