Ibrahimaj në CEE Forum, në fokus forcimi i dialogut me investitorët ndërkombëtarë
TIRANË, 14 janar /ATSh/ Forcimi i dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, ishte në fokus të punimeve të Forumit të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), organizuar më 13-14 janar 2026 në Vjenë, Austri.
E pranishme në CEE Forum 2026 ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Ajo mori pjesë në panelin ku u diskutua mbi temën: “A është sistemi financiar shqiptar gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”.
Ministrja Ibrahimaj në një postim në rrjetet sociale tha se gjatë panelit u trajtuan roli i sektorit financiar në procesin e integrimit evropian, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar shqiptar, integrimi në SEPA, si dhe reformat për digjitalizimin, inovacionin dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“CEE Forum 2026 shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, si dhe për promovimin e prioriteteve ekonomike dhe reformuese të Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.
Pjesë e panelit ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe drejtoresha ekzekutive e Autoritetit Shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali.
Ky forum i përvitshëm mbledh personalitete të spikatura nga akademia, ekonomia dhe sektori financiar i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, për të diskutuar zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare, me fokus të veçantë rajonin lindor dhe juglindor të Evropës.
Temat e diskutuara në forum lidheshin me kthimin te bazat e politikës monetare, normat e interesit dhe stabilitetin e çmimeve, goditjet nga ana e ofertës, financimin e gjelbër dhe rolin e politikës monetare, rreziqet klimatike, mbikëqyrjen bankare, pavarësinë e bankave qendrore, SEPA-në, përfshirjen financiare përmes bankingut digjital, si dhe perspektivat e monedhës digjitale të bankës qendrore.
/k.s/r.e/a.f/
The post Ibrahimaj në CEE Forum, në fokus forcimi i dialogut me investitorët ndërkombëtarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.