Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Osmani takohet me gra liderë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gatshme për kapituj të rinj bashkëpunimi

5 February 2026 at 15:48

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me gra lidere, me kryetaren e e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve. Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka shkruar Osmani në Facebook.


/Kosovapress/

The post Osmani takohet me gra liderë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gatshme për kapituj të rinj bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së

5 February 2026 at 13:29

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Në kuvendin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili u mbajt në Prishtinë, Agim Ademi u rizgjodh si president i FFK-së. Ky do të jetë mandati i tij i tretë në krye të federatës, pas zgjedhjes së parë në vitin 2018 dhe rizgjedhjes në vitin 2022.

Nga 52 delegatët që ishin të pranishëm në kuvend,, të cilët votuan me votim të hapur, Agim Ademi mori të gjitha votat pro që i jep mundësinë të vazhdojë punën në krye të federatës edhe për katër vite të tjera, raporton KosovaPress.

Procesi zgjedhor u zhvillua në një ambient të mbyllur për mediet, por u transmetua drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së.

/KosovaPress//r.e/

The post Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti nuk i përgjigjet pyetjes për koalicionin qeverisës

5 February 2026 at 11:06

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti të enjten nuk u prononcua për mediet, kur u pyet nëse synon koalicion qeverisës, pas fitores së arritur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

“Jam shumë vonë per takimet e radhës”, u shpreh Kurti para gazetarëve.

Ai sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë – Dita e Biznesit Francez në Kosovë”.

/KosovaPress//r.e/

The post Kurti nuk i përgjigjet pyetjes për koalicionin qeverisës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Linjë telefonike pa pagesë për informim mbi Ligjin për të Huajt dhe atë për automjetet

5 February 2026 at 09:31

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion të publikut edhe një kanal komunikues – linjën telefonike pa pagesë – 0800, në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, për të njoftim të shpejtë dhe të drejtë të qytetarëve, të huajve dhe vizitorëve.

Numri i kësaj linje është: 0800 46 757, thuhet në njoftim.

“Duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për  të huajt dhe Ligjit për Automjete.”

Kjo linjë pa pagesë do të ofrojë informacione në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

Linja telefonike pa pagesë është një prej formave që MPB ka planifikuar të vërë në dispozicion, për ofrimin e informacioneve të nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj.

Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

/KosovaPress//r.e/

The post Linjë telefonike pa pagesë për informim mbi Ligjin për të Huajt dhe atë për automjetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

5 February 2026 at 09:27

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Muri ilegal në veri të Mitrovicës afër Urës së Ibrit është rrënuar përfundimisht më 5 shkurt 2017.

Dy ekskavatorëve iu është dashur vetëm një orë për ta rrënuar murin e ndërtuar në Mitrovicën e Veriut.

E para që doli për t’i vëzhguar punimet ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, e cila tha se ky është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, derisa ka pati deklaruar se “së shpejti do të formohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe”.

Muri ndarës qëndroi në këtë pjesë të qytetit për dy muaj radhazi.

/KosovaPress//r.e/

The post Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfaqësues të Ambasadës amerikane vizitojnë ambientet e reja të KosovaPress

5 February 2026 at 09:26

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë vizituan sot ambientet e reja të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ku u pritën nga drejtuesit e institucionit.

Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me kapacitetet e reja profesionale dhe teknologjike që KosovaPress ka vënë në funksion pas vendosjes në këto hapësira, si dhe me zhvillimet që synojnë forcimin e mëtejshëm të standardeve editoriale dhe cilësisë së raportimit.

Drejtuesit e KosovaPress prezantuan para mysafirëve vizionin strategjik, projektet në zhvillim dhe planet e ardhshme të agjencisë, me fokus në modernizimin e shërbimeve informative, zgjerimin e platformave digjitale dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

KosovaPress është agjencia e parë e lajmeve në Kosovë dhe një ndër mediat më të vjetra në vend, e themeluar më 4 janar 1999. Me një traditë të gjatë dhe rol të konsoliduar në hapësirën mediale, KosovaPress vazhdon të jetë një nga burimet më të besueshme në grumbullimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e përmbajtjeve informative për mediat vendore e ndërkombëtare, si dhe për klientët e saj.

KosovaPress, pas një lobimi disavjeçar, u anëtarësua me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) në vitin 2017, ku dha kontribut të vazhdueshëm, organizoi Asamblenë e Përgjithshme dhe mbajti presidencën për vitin 2021–2022 si dhe anëtarësinë në bord, ndërsa në vitin 2022 u pranua zyrtarisht edhe në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), duke zgjeruar bashkëpunimin me agjencitë evropiane të lajmeve.

/KosovaPress//r.e/

The post Përfaqësues të Ambasadës amerikane vizitojnë ambientet e reja të KosovaPress appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot vendoset për drejtimin e Federatës së Futbollit në Kosovë, Ademi drejt një mandati të ri

5 February 2026 at 09:10

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës mbahet sot në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00. Sipas burimeve të KosovaPress, ngjarja nuk është e hapur për media, por do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së.

Ky kuvend zhvillohet pas shqetësimeve të ngritura nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me standardet demokratike të procesit të kandidimit për president të FFK-së. MKRS ka theksuar se kërkesa për 15 nënshkrime mbështetëse për kandidaturë mund të kufizojë konkurrencën dhe hapësirën për garë të barabartë.

Ndërkohë, UEFA ka konfirmuar pranimin e letrës së MKRS-së, duke nënvizuar se çdo komunikim zyrtar duhet të zhvillohet përmes Federatës së Futbollit të Kosovës. Në përgjigjen e saj është përfshirë edhe letra e përbashkët e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila konfirmon harmonizimin e statutit të FFK-së, ndërsa është theksuar se çdo diskutim i mëtejmë mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së kuvendit. Burime nga MKRS kanë bërë të ditur se vetë kuvendi mund të zhvillohet në mënyrë legjitime dhe se nuk ekzistojnë pengesa për vazhdimin e tij.

Presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm në këtë kuvend zgjedhor, me synimin për të fituar edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të federatës.

/KosovaPress//r.e/

The post Sot vendoset për drejtimin e Federatës së Futbollit në Kosovë, Ademi drejt një mandati të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Teliti: Fermerët të njihen me detyrimet dhe sfidat e integrimit në BE, laboratorë në të 12 drejtoritë rajonale

4 February 2026 at 15:53

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Ersida Teliti nga Qendra për Konsumatorë Shqiptarë tha sot se duhet një fushatë ndërgjegjësimi për fermerët dhe bizneset e lidhura me sigurinë ushqimore, mbi detyrimet dhe sfidat që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian.

Teliti ishte e pranishme sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit në Kuvend, ku u diskutua adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian 2025 në fushën e sigurisë ushqimore, në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

Teliti tha se 95% e shqiptarëve duan integrimin në BE, por mbi 75% nuk kanë besim te institucionet që garantojnë sigurinë ushqimore.

“Përafrimi i legjislacionit me BE, kërkon një nivel të lartë zbatueshmërie. Për këtë, ne rekomandojmë që të gjitha institucionet shqiptare të ruajnë memorien historike të inspektorëve të trajnuar dhe që për arsye të caktuara nuk duhet të largohen nga puna.

“AKU dhe reforma e inspektorëve janë çështje shumë sensitive. Në gjykimin tim, AKU dhe 12 drejtoritë rajonale duhet të jenë jashtë konceptit të reformës së inspektorateve. Duhet të fuqizohen laboratorët, jo vetëm ISUV-i, por edhe në të 12 drejtoritë rajonale. Sot, me reformën e njërit prej ministrave, ka vetëm 7 laboratorë; do të ishte mirë që pranë çdo drejtorie rajonale të kishte laboratorë.

“Zinxhiri nga ferma tek tavolina duhet të jetë i gjurmueshëm, nga momenti i inspektimit në pikat kufitare deri tek tryezat tona.

“Është shumë e nevojshme që të gjitha bizneset, qofshin fermerë të vegjël, të ndërgjegjësohen dhe të ndërmerret një fushatë mbi detyrimet dhe problematikat në kuadër të procesit të anëtarësimit. Kur të jemi shtet anëtar, do të jetë shumë vonë për të mbrojtur fermerët, veçanërisht ata të vegjël, nga falimentimi për shkak të mosplotësimit të standardeve – gjurmët dhe elementët e problemeve i ndjejmë edhe sot”, tha Teliti.

/a.f/r.e/

The post Teliti: Fermerët të njihen me detyrimet dhe sfidat e integrimit në BE, laboratorë në të 12 drejtoritë rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbetjet toksike të “Kurum”, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 masa sigurie, ekzekutohen 20

4 February 2026 at 14:29

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie lidhur me hetimin për mbetjet toksike në dy anije të cilat u nisën nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës nga ku dhe u kthyen.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, informon opinionin publik se, ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596 viti 2024, të regjistruar për veprat penale: ‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Transportimi i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Hetimet për këtë procedim penal, nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25.07.2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe kryerjen e analizave laboratorike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit Durrës, i është drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Nga përgjigjet e administruara nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre.

Në vijim, në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike, si dhe u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike që duhet të plotësohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për rastet kur duhet të merren, transportohen, ruhen dhe testohen mostra potencialisht të rrezikshme.

Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.

Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EWC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Waste Framework Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.

Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar.

Nga analizimi i kontratave të lidhura midis subjekteve, dokumentacionit financiar të administruar nga subjektet dhe drejtoritë tatimore, regjistrave mjedisorë dhe dokumentacionit të administruar nga AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dega e Doganës Durrës, si dhe rezultatet e ekspertimit, provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.

Pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.

Për të garanatuar efikasitetin e procedimit dhe vërtetësinë e provave, për të shmangur largimin e personave nën hetim, si dhe për të shmangur kryerje të mëtejshme të këtyre veprave penale, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet që janë kryer në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve që krijon shoqëria Kurum International sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit:

  1. E.D, shtetas turk, administrator i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” në dy raste, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;

2. Y.S.K., shtetas turk, përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;

3. M.I., me detyrë drejtor transporti i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Transporti i mbetjeve”;

4. R.B., me detyrë drejtor mjedisi i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar

5. H.S, shtetas turk, drejtor prodhimi çeliku i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për vepren penale “Menaxhimi i mbetjeve”;

6. A.Sh., përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a  dhe drejtor finance me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;

7. Sh.H, drejtor i shitjeve i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;. Ekzekutuar

8. M.Z., kontabiliste e shoqërisë Kurum International sh.a., me masë së sigurimi “Arrest në shtëpi”,   e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”; Ekzekutuar

9. Gj.S., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi  “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;

10.D.S, përfaqësues i shoqërisë GS Minerals d.o.o., me masë sigurimi  “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

11.O.P., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”,  e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

12.M.K, administratore e shoqërisë Alliance Resource sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”,  e dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

13.N.B., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë  sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar

14. A.P., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë  sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar

15.P.Q, person fizik, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”’;

16.M.H., me detyrë agjent doganor, me masë sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

17. J.K., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,   i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

18. I.L., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,   i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

19. E.V., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

20. H.L., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,   i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

21. Sh.J., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,   i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar

22. F.Ç. përfaqësues i shoqërisë EMS APO,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar

23. I.H., shtetas gjerman, administrator i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”;

24.G.S., këshilltar pranë shoqërisë EMS APO,  me masë sigurimi “Arrest me burg”,  i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar

25.A.D., me detyrë drejtoreshë e përgjithshme e AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”,  e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në tre raste; Ekzekutuar

26.M.P., me detyrë Drejore e Drejtorisë së lejeve mjedisore dhe vnm-ve pranë AKM-së, me me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”,  e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste; Ekzekutuar

27.D.S., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Kontrollit pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”,  i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

28. K.S., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimeve të lejeve mjedisore dhe VNM pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”,  e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ekzekutuar

29.B.T., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të lejeve mjedisore pranë AKM-së,  me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”,  e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar

30. E.M.,, me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe VNM, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”,  e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar

31. K.A., me detyrë përgjegjës i Sektorit të Inspektimit Mjedisor pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”,  i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;  Ekzekutuar

32. I.M., me detyrë specialiste mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar

33. Xh.G., me detyrë specialist mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e  përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë në këtë veprimtari, duke garantuar se çdo veprim po kryhet në përputhje me ligjin,  në mbrojtje të intersit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

/a.f/

The post Mbetjet toksike të “Kurum”, Prokuroria e Durrësit lëshon 33 masa sigurie, ekzekutohen 20 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Kosova me vizion dhe vendosmëri në fushën e inteligjencës artificiale

4 February 2026 at 10:49

PRISHTINË, 4 shkurt /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova po i qaset inteligjencës artificiale me vizion të qartë dhe vendosmëri, duke theksuar se shteti është i gatshëm ta përqafojë plotësisht këtë teknologji përmes investimeve në aftësi, modernizimit të arsimit dhe krijimit të një mjedisi rregullator që inkurajon inovacionin, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

Në fjalimin e saj, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani theksoi se teknologjia pa vlera përfaqëson fuqi pa përgjegjësi dhe se inteligjenca artificiale, nëse nuk udhëhiqet siç duhet, mund t’i thellojë ndarjet shoqërore. Sipas saj, qeverisja e mençur e kësaj teknologjie mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të rrisë potencialin njerëzor.

“Kosova nuk i qaset inteligjencës artificiale me frikë, hezitim apo masa gjysmake. Ne i qasemi asaj me qartësi dhe bindje. Jemi të gatshëm ta përqafojmë plotësisht, të investojmë në aftësi, të modernizojmë arsimin, t’i hapim institucionet tona ndaj inovacionit dhe të krijojmë një mjedis rregullator të lirë që inkurajon përparimin, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor. Sepse teknologjia pa vlera është fuqi pa përgjegjësi. Dhe inteligjenca artificiale, nëse lihet pa udhëzim, mund t’i thellojë ndarjet. Por, nëse qeveriset me mençuri, ajo mund të zgjerojë mundësitë, të demokratizojë dijen dhe të ngrejë potencialin njerëzor”, tha ajo.

Presidentja Osmani foli edhe për ndërtimin e institucioneve të pavarura, profesionale dhe të qëndrueshme, duke theksuar se Kosova është e vendosur t’i ruajë dhe t’i forcojë ato. Ajo shtoi se përparimi i vendit në këto fusha po njihet gjithnjë e më shumë në nivel ndërkombëtar.

Presidentja Osmani theksoi gjithashtu se Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë, përmes zgjerimit të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe tregje të tjera.

“Kosova sot është më e lidhur me botën se kurrë më parë. Përmes një rrjeti në zgjerim të regjimeve bilaterale pa viza, përfshirë me Emiratet e Bashkuara Arabe këtu dhe shumë vende të tjera, sipërmarrësit, inovatorët dhe profesionistët tanë lëvizin, lidhen dhe bëjnë biznes me më shumë lehtësi. Përmes qasjes tonë në tregjet e BE-së, vendet e EFTA-s, Turqinë dhe më gjerë, falë marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë, kompanitë e bazuara në Kosovë operojnë brenda një hapësire ekonomike me më shumë se 700 milionë konsumatorë. Kështu ndërtohet besimi. Dhe besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese. Pilar i tretë i ekonomive të gjeneratës së ardhshme është një mjedis biznesi që shpërblen iniciativën”, ka thënë Osmani.

/KosovaPress//r.e/

The post Osmani: Kosova me vizion dhe vendosmëri në fushën e inteligjencës artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Osmani rindan fjalimin e saj: Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë

3 February 2026 at 10:37

PRISHTINË, 3 shkurt /ATSh/ Presidentja Vjosa Osmani ka rikthyer një fjalim të sajin të mëparshëm, ku flet për rreshtimin e Kosovës përkrah aleancës euroatlantike.

“Për Kosovën, bashkërreshtimi me aleancën euroatlantike nuk ka qenë kurrë as dilemë, as kalkulim, e as oportunizëm.

Ka qenë bindje, ka qenë parim, ka qenë vetëidentifikim.

Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë. Gjithmonë!” ka shkruar Osmani sipër videos që ka ndarë në Facebook, transmeton KosovaPress.


/KosovaPress/

The post Osmani rindan fjalimin e saj: Aleanca euroatlantike është zgjedhja jonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muriqi shkëlqen në “La Liga”, gol dhe asist në fitoren 4-1 të Majorkës ndaj Seviljes

3 February 2026 at 09:45

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, vijon të shkëlqejë në Spanjë.

Në sfidën e luajtur të hënën në mbrëmje mes Majorkës dhe Seviljes, e vlefshme për javën e 22-të të “La Liga”-s, Muriqi u shndërrua në protagonist në fitoren 4-1 të vendasve, duke dhënë një asist dhe duke shënuar një gol.

Bomberi i Kosovës ishte ai që çeli edhe “valsin” e golave për Majorkën, duke dërguar topin në rrjetë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 26-të të lojës. Ky ishte goli i 15-të i Muriqit në këtë sezon të elitës së futbollit spanjoll, ndërsa më mirë se ai renditet vetëm Mbappé me 22 gola.

Rezultati u barazua nga mysafirët në minutat shtesë të pjesës së parë. Konkretisht, në minutën e 46-të, Neal Maupay çoi topin në rrjetë për Seviljen.

Fraksioni i dytë i lojës foli vetëm për vendasit, të cilët shënuan edhe tre gola: Samu Costa (53’), Sergi Darder, i cili devijoi në gol goditjen e Muriqit në minutën e 74-t dhe Pablo Torre në minutën e 96-të.

Pas javës së 22-të, Majorka dhe Sevilja kanë grumbulluar nga 24 pikë, por ishullorët qëndrojnë një vend më sipër (14-të) për shkak të golavarazhit. La Liga kryesohet nga Barcelona me 55 pikë, një më shumë se Reali i Madridit.

/a.f/r.e/

The post Muriqi shkëlqen në “La Liga”, gol dhe asist në fitoren 4-1 të Majorkës ndaj Seviljes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, reshje të dobëta në veri dhe jugperëndim

3 February 2026 at 07:30

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi pritet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme. Reshje shiu të dobëta priten të prekin qarqet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Sarandës, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë mot me diell dhe re të shpërndara.

Temperaturat parashikohen të qëndrueshme në të gjithë territorin. Moti do të karakterizohet nga kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare dhe herë-herës deri në vranësira të dendura, kryesisht në zonat malore. Prej orëve të mesditës deri në pasdite, në zonën veriperëndimore dhe në mënyrë të izoluar në jugperëndim priten reshje afatshkurtra shiu.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare 10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era do të arrijë shpejtësi deri në 22 m/s, shoqëruar me valëzim në det të forcës 4-5 ballë.

Parashikimi i motit për sot

The post Moti sot i qëndrueshëm, reshje të dobëta në veri dhe jugperëndim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak

2 February 2026 at 14:22

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Bolonja ka shprehur interesim për mbrojtësin e majtë të Kosovës, Dion Gallapenin. Klubi italian synonte të forconte skuadrën në ditën e fundit të afatit të transferimeve dimërore dhe kishte në shënjestër lojtarin e kombëtares së Kosovës.

Transferimi konsiderohet i pamundur për shkak të kërkesave financiare të vendosura nga klubi polak.

Klubi polak Widzew Lodzi në të cilin shërben Gallapeni i ka kërkuar 8 milionë euro, shifër kjo që nuk është e përballueshme për Bolonjan.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e Gallapenit në tregun e transferimeve është 2.5 milionë euro.

21-vjeçari iu bashkua Lodzit në verën e kaluar nga Prishtina për 250 mijë euro, ku është paraqitur në 12 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Ndryshe, Gallapeni është pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe deri më tani ai ka bërë nëntë paraqitje për Dardanët por ende nuk e ka gjetur rrugën e golit.

/KosovaPress/

The post Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open”

2 February 2026 at 14:18

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka shënuar një paraqitje shumë të suksesshme në garën ndërkombëtare “European Open”, duke u kthyer nga Sofja me tri medalje bronzi dhe disa rezultatet të larta, në një turne ku konkurrenca për medalje ishte më e madhe se kurrë.

Në këtë garë, sportistët kosovarë fituan tri medalje të bronzta përmes Erza Muminoviqit në kategorinë deri në 48 kilogramë, Fatjona Kasapit në 52 kilogramë dhe Flaka Loxhës në 57 kilogramë. Krahas medaljeve, Laurina Gashi (52 kg), Dardan Cena (73 kg) dhe Shpati Zekaj (100 kg) u renditën në vendin e pestë, ndërsa Enise Zijade (57 kg) përfundoi në vendin e shtatë.

Edhe pse pa medalje, Sidorela dhe Anesi regjistruan fitore të rëndësishme gjatë garës, duke dëshmuar potencialin e tyre për të ardhmen dhe

Paraqitja në Sofje vlerësohet si një provë shumë e mirë dhe nxemje ideale për sfidën e radhës, Grand Slamin e Parisit, që do të zhvillohet javën e ardhshme, ku xhudistët kosovarë pritet të synojnë rezultate të tjera të mëdha në arenën ndërkombëtare.

/KosovaPress//r.e/

The post Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bogujevci: Kosova do t’i organizojë me sukses Lojërat Mesdhetare dhe do të fitojë medalje

2 February 2026 at 10:55

PRISHTINË, 31 janar /ATSh/Mehmet Bogujevci, ish-boksier dhe kampion i Lojërave Mesdhetare, vlerëson se Kosova ka potencialin dhe kapacitetet njerëzore për të organizuar me sukses Lojërat Mesdhetare.

Bogujevci, i cili në vitin 1979 fitoi medaljen e artë në kategorinë welterweight (deri në 67 kilogramë) për përfaqësuesen e Jugosllavisë në Lojërat Mesdhetare të mbajtura në Split, ka ndarë vlerësimet e tij për sfidat organizative dhe pritshmëritë nga sportistët kosovarë.

Sipas Bogujevcit, organizimi i Lojërave Mesdhetare përbën një obligim të madh për çdo shtet pritës, pasi kërkon kushte të shumta infrastrukturore dhe logjistike. Ai ka theksuar se rritja e numrit të shteteve pjesëmarrëse e shton edhe më shumë kompleksitetin e organizimit, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e fshatit olimpik, sigurimin e akomodimit dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për pritje dhe shoqërim të delegacioneve.

Bogujevci ka shprehur bindjen se KOK-u posedon ekipin e duhur profesional për të përballuar një ngjarje të përmasave të Lojërave Mesdhetare, ndërsa ka theksuar se mbështetja institucionale e shtetit do të jetë vendimtare për suksesin e këtij organizimi.

“Është shumë angazhim i madh. Kërkohen shumë kushte sepse këtu janë 25 a 26 shtete, sepse 24 kanë qenë atëherë kur kam luajtur. Tash 26 shtete, rritet numri i pjesëmarrësve. Është shumë problem, kushtet, fshati olimpik duhet, vendosja. Tani pritja, shoqërimi, duhet pasur njerëz që dinë me fol edhe gjuhën e tyre. Ka obligime, probleme të mëdha, por shpresoj që me ndihmën e shtetit mund t’i organizojmë. Komiteti Olimpik i Kosovës është një organizatë jashtëzakonisht e mirëorganizuar…edhe shpresoj dhe jo vetëm që shpresoj, por jam i bindur se do t’i organizojmë mirë se ka ekipin e njerëzve Komiteti Olimpik, të cilët janë të aftë për t’i organizuar”, thotë Bogujevci.

Duke folur për aspektin sportiv, Bogujevci ka deklaruar se Kosova nuk do të mbetet pa medalje në Lojërat Mesdhetare. Ai ka veçuar xhudon si disiplinë me nivel të lartë botëror, falë rezultateve të vazhdueshme ndërkombëtare, veçanërisht në konkurrencën e femrave. Po ashtu, ai ka përmendur edhe sporte të tjera individuale si boksi, mundja, atletika dhe noti, duke theksuar se përgatitjet për sportistët potencialë duhet të nisin menjëherë.

“Ne e kemi xhudon pa problem, e kemi Driton Kuka, nuk kemi problem, pa medalje nuk mbetemi sepse kemi nivel botëror, vajzat tona janë, xhudistet, është në kulmin e sportit botëror, kështu që, por kemi edhe të tjera sporte, boksi e, sporte të tjera, mundja, sportet individuale, atletike, noti, kemi kandidatë të cilët duhet të përgatiten. Koha është të fillohet me përgatitje që kandidatët potencial, ata që premtojnë, duhet të fillojnë tani. Sot, nesër është vonë. Sot duhet të fillojnë”, deklaron Bogujevci.

Duke folur për KosovaPress, Bogujevci ka ndarë përvojën e tij personale nga Lojërat Mesdhetare në Split, ku garoi në rrethana të veçanta, pasi në atë kohë ishte ushtar. Ai ka kujtuar se, pavarësisht angazhimeve ushtarake, arriti të stërvitej dhe të paraqitej në garë, ku suksesi i tij i siguroi medaljen dhe kualifikimin për Lojërat Olimpike.

Bogujevci ka theksuar se përgatitja e tij ishte kyçe për suksesin, duke përmendur një periudhë tre mujore përgatitjeje intensive në një qendër sportive në Beograd.

Ai ka rikujtuar edhe përballjet e forta në ring, përfshirë një gjysmëfinale problematike, e cila u mbyll me diskualifikimin e kundërshtarit, duke e çuar atë drejt medaljes.

Lojërat Mesdhetare janë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive shumëdisiplinore në rajon, që përtej garës sportive bartin mesazhe bashkëpunimi, zhvillimi dhe diplomacie sportive. Organizimi i tyre në Kosovë në vitin 2030 paraqet një moment historik për sportin dhe shtetin, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe duke hapur rrugë për investime afatgjata në infrastrukturë, përvojë organizative dhe promovim të imazhit të Kosovës përmes sportit.

/KosovaPress/

The post Bogujevci: Kosova do t’i organizojë me sukses Lojërat Mesdhetare dhe do të fitojë medalje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029

31 January 2026 at 12:17

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, deklaroi sot nga Vlora se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të realizohet brenda kësaj dekade.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria vijojnë me këtë ritëm përmbushjen e reformave, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të realizohet brenda mandatit aktual të Parlamentit Evropian, që është në vitin 2029.

I pranishëm në forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, ndërsa pjesë ishin edhe ambasadorët të BE të akredituar në vend, ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Schieder tha se Evropa do të jetë e plotë vetëm kur i gjithë Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria të jenë pjesë e saj.

“BE mbetet projekti më i madh politik ndonjëherë,” tha Schieder në fillim të fjalës së tij.

Ai më tej vlerësoi se: “Procesi i anëtarësimit në BE është shansi i vetëm që kemi në këtë brez. Plotësimi i BE-së nuk do të përfundojë derisa Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e tij dhe veçanërisht Shqipëria, që ka qëndruar gjatë në sallën e pritjes, të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Shqipëria natyrisht vendosi që nga momenti që iu dha statusi i vendit kandidat të ecte shpejt dhe të ndërmerrte reforma. Prandaj ne shohim mënyrën sesi flitet në Bruksel, me grupkapituj, të cilët nuk janë dëgjuar më parë, si dhe miratimin e ligjeve në Shqipëri që na afrojnë më pranë BE-së,” shtoi Schieder.

Sipas raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, integrimi në BE lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përtej teknikaliteteve, që lidhen me sistemin gjyqësor, modernizimin e ekonomisë, administratën publike, rritjen e transparencës në media, arsimin etj., anëtarësimi në BE do të thotë që qytetarët të kenë një standard jetese më të lartë, sidomos të rinjtë, duke sjellë përfitime, sfida, por edhe përgjegjësi në çdo fushë,” tha Schieder.

“Integrimi në BE nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithë shoqërisë: biznesit, të punësuarve, studentëve, nxënësve, pedagogëve, i çdo qytetari. Të gjithë duhet të flasin për këtë projekt. Kjo ishte një ëndërr në vitet ’90 dhe ne si Austri e kishim këtë ëndërr kur para se të ishim pjesë e BE. E gjej këtë ëndërr edhe në Shqipëri. Besoj se zgjerimi nuk është vetëm përpjekje e Shqipërisë, por një shans për të gjithë BE-në,” shtoi ai.

“Unë them se Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria kanë bërë një punë shumë të mirë. Nëse ritmi vijon kështu dhe nis mbyllja e kapitujve, duke i kthyer reformat në punë konkrete në shoqëri, në fund të kësaj dekade do të mund të arrijmë objektivin. Mandati ynë në Parlamentin Evropian është deri në vitin 2029, dhe duam që Shqipëria të bëhet shtet anëtar brenda këtij mandati të parlamentit Evropian, pra deri në vitin 2029,” përfundoi Schieder.

Sakaq, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, të premten mori titlluin “Doktor” nga Universiteti i Vlorës, Ismail Qemali.

The post Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet sot kryetari i ri i LDK, kandidatët në garë

31 January 2026 at 09:52

PRISHTINË, 31 janar /ATSh/ 355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku dhe hapjen e garës për kreun e ri të partisë.

Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë. Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.

Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.

Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.

Ambicie të tilla janë konsideruar legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.

Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të përfshihet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.

Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.

“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa.

Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.

/KosovaPress/

The post Zgjidhet sot kryetari i ri i LDK, kandidatët në garë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urban: Shqipëria, rival i fortë në “play-off”-in e Botërorit

31 January 2026 at 09:34

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të përballet më 26 mars me Poloninë në Varshavë. Sfida e vlefshme për “play-off”-in e Kupës së Botës, që do të zhvillohet këtë verë në ShBA, Kanada dhe Meksikë, e sheh ekipin kuqezi përballë një transfere të vështirë, në përpjekje për të siguruar një biletë mes finalistëve të Botërorit të futbollit.

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka komentuar situatën në ekipin e tij, ndërsa thekson se Shqipëria është një rival i fortë dhe që nuk duhet nënvlerësuar.

Në një intervistë për “TVP Sport”, me gazetarin Robert Błoński, Urban vëren se Shqipëria u ka shkaktuar probleme polakëve në përballjet e fundit.

“Shqipërinë e njohim më së miri, sepse u përballëm me të në eliminatoret e EURO 2024 dhe të Kupës së Botës 2022. Është kundërshtari më i rëndësishëm, pasi me të luajmë ndeshjen e parë. Ata kanë një ekip me lojtarë teknikisht të përgatitur mirë, që pëson pak gola, por edhe shënon pak. Janë të organizuar dhe të disiplinuar, luajnë në Itali, por edhe në klube aziatike. Janë futbollistë solidë dhe jo rastësisht na shkaktuan probleme rreth dy vite më parë, kur na mundën 2:0 në Tiranë”, theksoi Urban.

Sa i përket Suedisë dhe Ukrainës, ai shtoi se ende nuk është e qartë se me cilën skuadër do të ishte më e favorshme përballja në finale.

“Nëse shohim vetëm eliminatoret, përgjigjja do të ishte e thjeshtë: Suedia ishte më e dobët, pasi nuk fitoi asnjë nga gjashtë ndeshjet. Por ata kanë ende lojtarë shumë të mirë që aktivizohen në klube të forta evropiane. Kohët e fundit diçka nuk funksiononte, por nuk e di çfarë. Në vjeshtë ndërruan trajnerin dhe nën drejtimin e Graham Potter mund të rikthehen në çdo moment në nivelin që u përshtatet aftësive të lojtarëve. Ajo që bënë në eliminatore – katër humbje dhe dy barazime – nuk ishte normale”, tha ai.

Trajneri vijoi më tej duke theksuar se Ukraina paraqet një nivel të ngjashëm me Poloninë, Suedinë dhe Shqipërinë.

“Për kualifikimin do të vendosin detajet, aftësitë dhe individualitetet. Sot mund të themi se lojtarët tanë po luajnë mirë në klube, por ‘play-off’-et janë vetëm pas dy muajsh. Prandaj të mos jetojmë me ditën e sotme, sepse situata mund të ndryshojë në çdo moment – dhe ndryshon. Është dinamike. Nuk duhet të lejojmë të na befasojë asnjë rrethanë”, nënvizoi Urban.

/a.f/

The post Urban: Shqipëria, rival i fortë në “play-off”-in e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, vranësira dhe reshje të dobëta lokale në zonat malore

31 January 2026 at 07:30

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se gjatë ditës së shtunë moti në vendin tonë pritet të jetë kryesisht i qëndrueshëm.

Një rënie e lehtë e temperaturave parashikohet në qarqet Dibër dhe Korçë, ku temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë në rreth 8 gradë Celsius.

Në pjesën tjetër të territorit, moti pritet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Parashikohen vranësira mesatare deri të dendura, me alternime të herëpashershme me kthjellime. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra, të izoluara dhe të dobëta, kryesisht në zonat malore të vendit, nga orët e mesditës deri në ato të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj do të arrijë deri në 12 m/s, duke shoqëruar valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë.Parashikimi i motit për të shtunën datë 31 janar 2026

/r.e/

The post Moti sot i qëndrueshëm, vranësira dhe reshje të dobëta lokale në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌